• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJEKËT SHQIPTARË RRËFEJNË COVID-19 NGA VATRAT E SHPËRTHIMIT

June 15, 2020 by dgreca

Ekipi mjekësor anti-Covid i platformës dixhitale mjekësore “HEDA ALBANIA”: Aldi Pupuleku, Denisa Baci, Erand Llanaj, Ina Mexhitaj, Irma Kuka, Julia Darragjati dhe Teuta Muhollari rrëfejnë ekskluzivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Spanjën, Hungarinë dhe Shqipërinë në betejën dhe menaxhimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia globale Covid-19. Me ekipin e studjuesve shqiptarë në botë, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, bisedoi gazetari Sokol Paja.

Sokol Paja/

USA, ITALIA, SPANJA, HUNGARIA DHE  SHQIPËRIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Denisa Baci PhD (Milano, Itali): Thuajse pas 90-ditëve të vështira për Italinë,‘spitalet po marrin pak frymë’ më në fund. Kurba e infektimit dhe e viktimave është në rënie qëprej fillimit të muajit Prill. Mbajmë me vete shumë histori, kujtime nga ditët kur nuk njihnim se çfarë COVID-19 ishte, pasi Italia ishte epiqendra e parë Europiane, pas asaj botërore, Kinës. Në shumë pak ditë numrat kaluan ato të Kinës dhe ndërkohë pjesa tjetër e botës na shihte me dyshimpër masat ekstreme dhe mbylljen në fillim të Marsit. Unë jetoj në Lombardi, ne zonën më te prekur të Italisë dhe Imazhi që më ka goditur më tepër ishin kamionët e ushtrisë që kalonin pranë banesës time dhe transportonin viktimat. Ishte e pabesueshme kur shihja qytetin energjik të Milanos të gjunjëzuar. Aktualisht po mundohemi të kthehemi në jetën normale, me hapa të ngadaltë por të sigurtë. Personalisht i jam kthyer punës së laboratorit dhe studimeve të mia prej 3-javësh, por për shkak sigurie punojmë me orar të caktuar dhe kjo, jo çdo ditë.Po ndryshon mënyra e të menduarit dhe e të bërit shkencë. Eksperimentet përgjithësisht kërkojnë një prezencë shpeshme orëtë zgjatura dhe të përditshme. Në këtë aspekt ka ndryshuar thelbësisht mënyra e organizimit. Për të përfunduar detyrat e mia si lektore më është dashur të zhvillojleksionet dhe provimet me studentët e mi nëmënyrë virtuale duke përdorur platforma online. Është një ndjenjë shumë e çuditshme pasi nuk arrij dot të vëzhgoj interesin e studentëve dhe mundësitë e ndërveprimit me ta janë të rralla, që nënkupton mungesën e kënaqësisë që ky profesion të ofron. Edhe pse komunikimi me ta ka qenë i kufizuar, prej studentëve të mi kam mundur të kuptoj pasigurinë dhe demoralizimin që ata kanë për të ardhmen e tyre. Në mënyrë direkte shpesh kjo influencon edhe humorin tim, por me aq sa mundem përpiqem të transmetoj siguri tek ata.

Erand Llanaj PhD(c) (Debrecen, Hungari): Hungaria ka qenë një nga vendet e para që ka bërë sekuencimin e gjenomit të virusit dhe njohjen e virusit. Qeveria Hungareze ka investuar në hulumtime dhe kërkim shkencor gjatë kësaj periudhe dhe menaxhimi i situatës epidemiologjike deri sot (9 Qershor 2020) ka qenë i favorshëm krahasuar me vendet e tjera të BE, pasi Hungaria ka shmangur skenarin Njujorkez apo Lombardez. Pjesa më e madhe e vendit është kthyer në normalitet dhe pjesa më e madhe e institucioneve dhe bizneseve janë hapur. Gjendja e emergjencës pritet të hiqet zyrtarisht më datë 16 Qershor. Pas kësaj date priten të hapen edhe teatret, muzetë, kinematë dhe altivitetet e tjera.

Aldi Pupuleku PhD (Barcelonë, Spanjë): Spanja ishte shteti i dytë në Europë pas Italisë që pësoi goditje të ashpër prej pandemisë. Për fat të mirë gjendja aktualisht është përmirësuar ndjeshëm.Kjo falë masave të marra dhe veprimeve që qeveria po ndjek për një hapje graduale. Ky plan është përpiluar në 4 faza dhe pritet të zgjasë deri më 1 Korrik, atëherë kur është vendosur edhe hapja totale apo edhe lejimi i hyrjes së turistëve nga jashtë vendit. Muajin e fundit Spanja ndërmori një studim për të përllogaritur numrin e infektimeve totale të popullsisë dhe rezultatet treguan se përqindja e personave të infektuar në vend ishte 5.2% e popullsisë duke qenë më e lartë në krahina te caktuara si ajo e Madridit (11%) dhe Katalunjës (7%). Ky informacion është i rëndësishëm në disa aspekte dhe mbi të gjitha tregon që jemi shumë larg konceptit te ‘imunitetit te tufës’së përfolur në disa raste dhe qëështë më se e domosdoshme që qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm dhe të vazhdojnë të respektojnë masat e sigurisë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Personalisht gjatë kësaj periudhe, si pjesëtar i ekipit të departamentit mjekësor të Novartis, kam qenë i implikuar në negociata me Ministrinë e Shëndetësisë së Spanjës për implementimin e një protokolli dhe aprovimin e një medikamenti eksperimental në kontekstin e COVID-19 i cili ka dhënë rezultate paraprake premtuese për trajtimin e pacientëve në fazë të avancuar. Aktualisht medikamenti është vënë në dispozicion të mjekëve dhe pacientëve në formë gratis.

Ina Mexhitaj Ph(c) (Pensilvani, SHBA): Rastet e para pozitive nëShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për SARS-CoV-2 u konfirmuan në fund tëmuajit Shkurt 2020. Për shkak të mungesës së një organizimi të shpejtëkombëtar, masat për një parandalim të shpejtëtë shpërndarjes së virusit (karantinë për të gjitha shtetet), u bënë më ngadalë seç duhej. Kjo solli që secili shtet të zbatonte rregullat e paraqitura nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) bazuar në popullsinë e tyre të lartë dhe mundësitë përballuesetë vet shtetit. Disa prej tyre i ndërmorrën këto masa mërreptësisht se të tjerat(p.sh.: NjuJork, Kaliforni, Illinois, Masaçusets). Si pasojë e pandemisë, deri më tani kemi 2 milion të infektuar dhe më shumë se 100.000 vdekje. Edhe pse në fillim janë hasur probleme, Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve (FDA) ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për të rritur mbrojtjen e shëndetit publik gjatë kësaj kohe duke shpejtuar zhvillimin e një vaksine të mundshme kundrejt virusit, survejimin e provave të ndryshme klinike si dhe mirëinformimin e publikut të gjerë. Një punë të jashtëzakonshme dhe e palodhur është bërë prej të gjitha universiteteve dhe kompanive farmaceutike të cilat kanë fokusuar burimet intelektuale dhe ato monetare në studimin e COVID-19 qëprej zanafillës. SHBA ka mundur të menaxhojë këtë situatë me shumë kurajo dhe dedikim, si nga ana e profesionistëve të vijës së parë ashtu edhe nga vetë qytetarët të cilët janë munduar të jenë të ndërgjegjshëm dhe të mirëinformohen gjatë gjithë kohës. Prej mesit të muajit Maj, ne mundëm të ulim pikën kulmore dhe tani fatmirësisht disa nga shtetet janë duke iu afruar fundit të valës së parë të pandemisë. Bizneset kanë filluar të hapen dhe qytetarët mund të lëvizin më lirshëm. Momentalisht, vetëm 20% të personelit na lejohet të jemi të pranishëm në vendet e punës, kjo për një kohë të caktuar dhe duke mbajtur distancim fizik të posaçëm. Shpresoj që kjo hapje graduale të vazhdojë të përmirësojë situatën edhe pse në realitet pritet të kemi një rritje tënumrit të personave të infektuar në javët në vijim për shkak të protestave që po zhvillohen në shumë qytete tëSHBA këto javët e fundit.

Gjatë kësaj periudhe, unë, si kërkuese shkencore (në Universitetin e Pensilvanisë, në bashkëpunim me Spitalin e Fëmijëve nëFiladelfia si dhe disa qendra të tjera spitalore lokale), jam marrë me studimin e mostrave të pacientëve që kanë qenë pozitiv për COVID-19 dhe që në të njëjtën kohë janë paraqitur me probleme neurologjike. E gjitha kjo, për të mësuar më tepër rreth rolit që ky virus luan në sistemin nervor.

Irma Kuka (Tiranë, Shqipëri): Pas gati tre muajsh nga izolimi i rastit të parë në Shqipëri, tani po përjetojmë efektet e lirimit të masave shtrënguese qeveritare, ku prej datës 1 Qershor thuajse çdo aktivitet është i lejuar. Këto ditë janë rritur rastet e të shtruarve në spital, rastet e pacientëve në reanimacion, si dhe numri i pacientëve me simptoma. Institucionet këshillojnë të kemi shumë kujdes dhe të respektojmë rregullat e higjienës respiratore, të lajmë duart dhe të ruajmë distancën fizike.

Julia Daragjati PhD (Padova, Itali): Ju sjell shembullin e qytetit ku unë banoj e punoj prej më shumë se 10-vitesh, qytetit universitar të Padovës. Çdo gjë filloi në fund të muajit Janar nëpërmjet një email-i ku rektori i universitetit ftonte për testime ndaj SARS-CoV-2 të gjithë personelin universitar (studentë kinezë, profesorë apo kërkues) të cilët muajin e fundit kishin qenë në Kinë apo kishin pasur kontakte me Kinën. Nuk vonoi shumë dhe në fund të muajit Shkurt u shënua viktima e parë në një fshat të kodrave padovane. Universiteti së bashku me spitalin krijuan një task force ku u mundësua testimi i të gjithë banorëve të këtij fshati të vogël. Ky studim ishte shumë i rëndësishëm pasi solli rezultatinse 43% e të infektuarve nuk kishin asnjëlloj simptome dhe për këtë fakt, shumë lehtë virusi mund të përhapej prej këtyre personave që nuk ishin në dijeni mbi infektimin.  Ndërkohë virusi po bënte kërdinë në Lombardi. Testimit iu nënshtrua gjithë personeli universitar e ai shëndetësor i spitalit, e më pas edhe në gjithë qytetin, duke parandaluar kështu infektimin brenda insitucioneve por gjithashtu edhe në gjithë qytetin e rajonin. Veneto, njihet si rajoni që përballoi më mirë situatën falë virologut që kishim në Padova dhe ekspertëve të task-forcës që me vendosmëri e të palodhur vazhdojnë ende studimet e kësaj pandemie.Unë jam farmaciste dhe kërkuese postdoktorale në Departamentin e Shëndetit të Gruas dhe Fëmijës, pikërisht në onkologjinë pediatrike, aty ku puna nuk pushoi dhe kemioterapitë e programuara vazhduan në mënyrë të rregullt. Testimet për koronavirus u bëheshin pacientëve dhe familjarëve të tyre rregullisht. Kuptohet që frika ishte mjaft e madhe, sepse punohej në repart me pacientë të cilët imunitetin e kishin të kompromentuar, por parandalimi dhe testimet e vazhdueshme kanë qenë një element suksesi për përballimin pozitiv të situatës në ambientet spitalore. Punët kërkimore ende vazhdojnë dhe studiuesit nuk janë ndalur. Mjekët, farmacistët, infermierët dhe i gjithë stafi shëndetësor punuan me orë të gjata. Ne ende vazhdojmë të jemi në një emergjencë, por tashmë diskutimet janë më të shpeshta për këtë bashkëjetesë me virusin dhe duket se njerëzit janë më të përgjegjshëm për të mirën e komunitetit. Maskat kemi filluar t’i heqim para një jave në ambiente të hapura edhe pse shikon që janë bërë aksesori i jetës së përditshme dhe vazhdojmë t’i përdorim në spital, punë, në farmaci, në dyqane, autobus, trena, etj. Rutina universitare e të studiuarit u zhvillua në mënyrë virtuale. Padova është një qytet studentësh, por sot pa studentë!

Teuta Muhollari PhD(c) (Debrecen, Hungari): Situata sot në Hungari paraqitet e normalizuar thuajse në shumicën e qyteteve. Masat e ndërmarra nga autoritetet përkatëse për parandalimin e një skenari të padëshirueshëm duket se kanë funksionuar mirë dhe jetës së qytetarëve duket se po i rikthehet normaliteti. Ky realitet nuk është tërësisht i ngjashëm me atë të jetës para pandemisë, por gjithsesi duket se është i nevojshëm e i shumëpritur thuajse nga shumica e shoqërisë. Prej rreth dy javësh, një pjesë e konsiderueshme e masave kufizuese të ndërmarra në fillimin e gjendjes së emergjencës, janë liruar. Pritet që në fund të dy javëshit të parë të muajit Qershor parlamenti Hungarez të votojë heqjen e statusit të emergjencës. Njëherazi, shumë institucione të lidhura me jetën e përditshme të qytetarëve (si p.sh.: teatrot, kinematë, muzetë, pishinat etj.) priten të rihapen. Pjesa më e madhe e qytetarëve vazhdon të respektojë rregullat që qëndrojnë ende në zbatim për ambientet të cilat kërkojnë këtë përqasje. Prej këtij reflektimi, kuptoj që shumica e qytetarëve dëshiron të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit të vetes dhe tjetrit.

SHQIPTARËT NË USA, ITALI, SPANJË, HUNGARI NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Denisa Baci PhD (Milano, Itali):Situata e shqiptarëve në Itali në betejën ndaj COVID-19 është pothuajse si e vendalinjve, pasi po përballen me të njëtat probleme. Për të qenë e vërtetë, shumica prej nesh kemi qenë më tepër të shqetësuar për situatën në Shqipëri, që fatmirësisht  u përballua mirë deri në këtë moment. Realisht nuk kam një numërtë shqiptarëve që kanë humbur jetën, por mund të them që problemet kryesore janë më tepër të aspektit ekonomik, sidomospër ata individë të cilëtzotëronin aktivitete komerciale.

Erand Llanaj PhD(c) (Debrecen, Hungari):Këtu ku jetojmë kemi një grup të vogël shqiptarësh nga Shqipëria, Kosova dhe trevat. Deri sot askush prej tyre nuk është prekur nga COVID-19. Madje para një jave një prej miqve tanë shqiptar, që dyshonte se mund të ishte infektuar, u testua menjëherë dhe rezultoi negativ. Përtej kësaj komuniteti ynë shqiptar ka respektuar masat dhe rregullat epidemiologjike.

Aldi Pupuleku PhD (Barcelonë, Spanjë):Nuk jam në dijeni të numrit të shqiptarëve që jetojnë në Spanjë, personalisht jam në kontakt me disa prej tyre. Besoj që të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu kanë pasur thuajse të njëjtat shqetësime dhe përqasje me situatën si vendasit. Bisedat qe kemi bërë, gjithmonë kanë pasur në fokus zhvillimin dhe menaxhimin e situatës jo vetëm në Spanjë por mbi të gjitha në Shqipëri pasi të gjithë kemi familje dhe të afërm që jetojnë atje. Jemi të kënaqur që Shqipëria e kaloi me sukses këtë fazë delikate dhe që nuk u përball me skenarin Spanjoll, Italian apo dhe si shumë shtete të tjera ku gjendja ka qenë goxha e rëndë.

Ina Mexhitaj PhD(c) (Pensilvani, SHBA):Si një prej komuniteteve më të mëdhenj të shqiptarëve në botë, ne që jetojmë nëSHBA ashtu si edhe vendasit, kemi hasur të njëjtat probleme dhe frikë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Meqenëse këtu statistikat demografike dhe rastet e konfirmuara me COVID-19 klasifikohen në përgjithësi në bazë të racave, është e vështirë të dihet me saktësi se sa i prekur ka qenë komuniteti shqiptar. Megjithatë, kam qëndruar vazhdimisht në kontakt me familjarë dhe kolegë dhe në përgjithësi mendoj se shqiptarët janë treguar me të vërtetë të ndërgjegjshëm dhe kanë zbatuar rregullat duke mbrojtur kështu jo vetëm veten por edhe të tjerët.

Irma Kuka (Tiranë, Shqipëri):Ftoj të gjithë komunitetin e mërgatës shqiptare kudo që ndodhet ta kthejë kokën pas nga vendlindja e ta ndihmojë atë me aftësitë dhe njohuritë që ka gjithsecili. Përvojat që të gjithë kanë marrë nëpër botë do ishin shumë me vlerë nëse do tëvendoseshin në dispozicion të vendlindjes. Një shembull i këtij bashkëpunimi është dhe historia e lindjes së platformës shëndetësore HEDA Albania, e cila synon informimin e publikut dhe profesionistëve me qëllim promovimin e shëndetit të mirë (duke u bazuar në informacion të sigurtë) për të gjithë, si dhe ndërgjegjësimin për problematika të ndryshme shëndetësore. HEDA është një histori përkushtimi. Suksesi i saj vjen nga serioziteti dhe pasioni që ka secili prej bashkëpunëtorëve duke bërë që vlerat dhe profesionalizmi që ka secili prej nesh, të vendosen në shërbim të bashkë atdhetarëve tanë kudo qofshin. Vlen për t’u theksuar që ky projekt është vullnetar dhe ka lindur si njëfrymë bashkëpunimi midis  profesionistëve shqiptarë të fushës së shëndetësisë, psikologjisë, teknologjisë së informacionit dhe gjuhësisë. Porta e HEDAs do të jetë e hapur për të gjithë profesionistët që kanë dëshirë të kontribuojnë.

Julia Daragjati PhD (Padova, Itali): Nuk jam e vetmja shqiptare që punon në universitetin dhe spitalin e Padovas/ Veneto. Në punët e mija të përditshme jam ballafaquar dhe kam diskutuar me koleget e mija farmaciste dhe mjeke. Të gjithë kemi qenë të shqetësuar për çfarë po jetonim, e veçanërisht për të afërmit tanë të cilët banojnë në Shqipëri. Ky ish momenti që lindi dëshirën time të bashkëpunimit me ekipin Heda me qëllim sjelljen në shqip të studimeve më të fundit të publikuara në revistat shkencore  në lidhje me virusin korona.

Teuta Muhollari PhD(c) (Debrecen, Hungari): Në qytetin ku unë jetoj kam kontakte me shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjitha shqipet gëzojnë shëndet të mirë dhe  asnjë prej tyre nuk është i prekur prej COVID-19. Për gjatë gjithë kohës (veçanërisht këtë periudhë) jemi në kontakt të vazhdueshëm, së pari për t’u informuar mbi njeri-tjetrin dhe së dyti për të vazhduar shkëmbimet e mendimeve dhe përvojave tona, me qëllim përmirësimin e vendeve tona nëpërmjet veprave të prekshme. Është kënaqësi e papërshkrueshme kur sheh dhe ndjen se evolucioni mendor i komunitetit shqipfolës e gjen patjetër një rrugë të evoluojë (edhe në kohë pandemie).

MESAZHE PËR DIASPORËN NË USA DHE LEXUESIT E DIELLIT

Denisa Baci PhD (Milano, Itali):Fillimisht dua t’ju përgëzoj përgazetën, për ndjenjat patriotike që kultivoni në diasporën shqiptare në USA dhe mbi të gjitha për iniciativat që ndërmerrni sidomos në 28-29 Nëntor. Është diçka e mrekullueshme ajo qëpo bëni!  Në lidhje me situatën, lexuesve dua t’ju them të qëndrojnë të përgjegjshëm, vigjilent dhe mbi të gjitha të informuar duke përzgjedhur burimet e informacionit me shumë kujdes.

Erand Llanaj PhD(c) (Debrecen, Hungari): Mesazhi ynë për lexuesit e ‘Dielli’ dhe mërgatën shqiptare, është një mesazh që jemi përpjekur si ekip ta përçojmë dhe amplifikojmë këto muaj, gjatë të cilëve me përkushtim jemi vënë në dispozicion të kombit tonë duke prodhuar më shumë se 100 publikime shkencore, mbi 20 postera dhe algoritme informuese, mbi 30 intervista informuese dhe vetëdijësuese në media shqipfolëse, 6 përditësime teknike shkencore për profesionistët shqipfolës, përveç përmbledhjeve kërkimore të përdithme në shqip tek HEDA.AL. Ne si bashkëatdhetar jemi në këtë situatë të pazakontë të përbashkuar dhe kemi ndarë vlerat më të mira të shqiptarisë, duke pikturuar një imazh që e ka identifikuar Shqipërinë gjatë kësaj periudhe me shkencë dhe shpresë. Kjo është Shqipëria jonë edhe pse copëzat e saj janë të shpërndara si degët e pemës, ka një trung të përbashkët me rrënjët thellë në vizionin e të parëve tanë. Shqipëria nuk është kur vetëm!

Aldi Pupuleku PhD (Barcelonë, Spanjë):Jemi në dijeni për situatën shqetësuese që po kalojnë Shtetet e Bashkuara si në lidhje me pandeminë po ashtu edhe me protestat që po zhvillohen kohët e fundit. Shpresojmë që gjërat atje të qetësohen sa më shpejt. I bëj thirrje bashkë këmbësve të mi që të kenë kujdes, të tregohen të ndërgjegjshëm dhe të respektojnë masat mbrojtëse ashtu edhe ato të distancimit fizik ndërkohë që shkenca përparon në kohë rekord drejt zbulimit të një kure dhe një vaksine.

Ina Mexhitaj PhD(c) (Pensilvani, SHBA): Unë do të dëshiroja të jepja dy mesazhe shumë të rëndësishme për shqiptarët qëjetojnë këtu nëSHBA. Mesazhi i parë: të qëndrojmë vigjilente nëçdo moment pasi nuk e kemi kaluar këtë situatë akoma.Kështu që duhet të vazhdojmë të mbrohemi që të mos kemi valë të tjera kaq të vështira si kjo që sapo kaluam. Kjo është një përgjegjësi e tëgjithëve! Mesazhi i dytë: edhe pse mund të duket disi e çuditshme, në këtë situatë duhet të jemi më të hapur. Më të hapur në mendje, më të hapur të mësojmë për dukuritë që na rrethojnë, më të hapur me ato persona që lejojmë në jetën tonë të përditshme, më të hapur për tëdhënë ndihmë e dashuri jashtë komunitetit tonë. Ne njihemi si një komb mikpritës e bujar, por nuk duhet të jemi të tillë vetëm me njeri-tjetrin e ata që njohim e duam.  Le të hapim dyert e mendjes, zemrës dhe të shtëpisë,vetëmnë këtë mënyrë mund të bëhemi pjesë integrale e kësaj shoqërie dhe këtij vendi për të cilin punojmëe sakrifikojmë aq shumë, e që njëherazi na jep kaq shumë mbrapsht. Kemi kaluar, po kalojmë dhe do vazhdojmë të kalojmë me të vërtetë një situatë të vështirë si nga ana shëndetësore, mendore ashtu edhe ajo sociale. Kudo rreth nesh shohim padrejtësi dhe protesta për të drejta njerëzore për të cilat duhet të jemi të informuar për tu integruar plotësisht në këtë shoqëri të larmishme e cila na ka hapur dyert. Në një vend si ky, nuk mund të jetojmë në vakum dhe nuk mund tëmbyllim dot sytë kur shohim se çfarë po ndodh jashtë oborrit tonë. Le të informohemi dhe të japim kontributin tonë me çfarëkemi mundësi e sa do i vogël të jetë. Le të marrim hapa të vegjël drejt një të ardhme më të shëndetshme, më të drejtë e tëbarabartë, më të sigurtë, më të ndritur e më tëmirë për të gjithë ne. We’re ALL in this together!

Julia Daragjati PhD (Padova, Itali):Ju falënderoj për këtë intervistë dhe interesin që keni shprehur për këtë ekip, icili në të vërtetë ka punuar me shumë përkushtim për të informuar shqiptarët kudo që ndodhen për këtë situatë pandemie që preku mbarë globin. Kjo është një punë që u realizua falë dashurisë: ndaj shkencës, familjarëve e të afërmve. Prandaj shkencën e sollëm në gjuhën e zemrës, gjuhën amtare të gjithë shqiptarëve, në këtë gjuhë që është edhe e juaja, lexues të nderuar!

Teuta Muhollari PhD(c) (Debrecen, Hungari): Ajo që globi po përjeton sot, nuk është një situatë TËRËSISHT e NGJASHME me atë të para pandemisë… gjithashtu nuk është një situatë TËRËSISHT e NDRYSHME nga ajo më parë… Dinamika e zhvillimit të kësaj pandemie dhe nevoja për ta menaxhuar atë me sa më pak humbje, na ka vënë në një sprovë të gjithëve në planet. Për të parën herë, ne, ‘Njerëzimit të Sotëm’, na u desh të sakrifikonim një element (edhe pse në një perspektivë të kufizuar) për të cilin luftuam gjithmonë në të shkuarën me njeri-tjetrin, ‘LIRINË’… Një pjesë prej nesh, ende sot, e marrim të mirëqenë gjithë historinë, e cila disa herë u ‘shkrua me armë’ (nga mungesa e një mjeti më të sofistikuar e të bërit luftë) e disa herë u shkrua me penë. E gjitha kjo histori, e shkruar për ty, për mua, për ne… Është në dorën e të gjithëve ne të ‘sotmëve‘ të vendosim se cilin mjet do të zgjedhim për të shkruar historinë e së nesërmes… e së nesërmes e cila nuk do të harrojë të pyesë sërisht për pandeminë…

Filed Under: Featured Tagged With: mjeket shqiptare, rrfejne COVID 19, Sokol Paja, Vatrat e shperthimit

IMPAKTI I COVID-19 NË SEKTORIN E TURIZMIT

June 13, 2020 by dgreca

Ana Ceno, specialiste e Trashëgimisë Kulturore dhe Guidës Turistike rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, pasojat e Covid-19 në sektorin e ekonomisë dhe turizmit, në një intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

TURIZMI SEKTORI DINAMIK I EKONOMISË

Gjatë dekadave të fundit, turizmi është shndërruar në një nga sektoret me dinamikë dhe më të shpejtë në rritjen e ekonomisë botërore. Rëndësia e këtij sektori si një gjenerator i fuqishëm në krijimin e vëndeve të reja të punës reflektohet dhe në raportin e fundit bërë nga ËTTC Travel and Tourism Economic Report për vitin 2019, sipas të cilës rezulton se vënde të reja pune të gjeneruara nga turizmi arrijnë në 330 milion në mbarë boten, ekuivalente me 10.3 % të punësimit global. Sektori i akomodimit dhe kulinarisë krijon 144 milion punëtorë në mbarë botën. Kjo përfshin afërsisht 44 milion sipërmarrës dhe 7 milion fuqi punëtore. Duke ju referuar këtyre të dhënave, mund të imagjinojmë lehtësisht se pasoja e pandemisë, Covid-19 në sektorin e turizmit në njerëz, ekonomia e të cilëve është e lidhur drejtpërdrejtë me të, është masive.

COVID-19 GODITJE SHKATËRRUESE NË EKONOMINË GLOBALE

Përhapja e Covid-19 është duke shkaktuar një goditje shkatërruese në ekonominë globale, e si për pasoje edhe në punësim. Masat e ndërmarra nga qeveritë e vëndeve për të mbajtur në kontroll përhapjen e pandemisë, demtoi rëndë industrinë e turizmit ku rikthimi në normalitet duket se është ende larg. Studime të ndryshme aludojnë se pasoja e pandemisë do të përllogaritet në humbjen e 305 milion vënde pune, shumica e të cilave janë vetëm në sektorin e turizmit. Hotele, restorante, operatorë turistikë, kompani fluturimesh, krocere, galeri, muzeume kanë anulluar aktivitete e tyre për një kohë të pacaktuar. Në fushën e akomodimit dhe kulinarisë, 51 milion biznese janë duke u hasur me vështirësi të medha, e cila po përkthehet në mos sigurimin e vëndeve të punës për punonjësit e tyre. Me marrjene gjithë këtyre masave drastike, fuqia punëtore në këtë sektor është duke u përballur me reduktim të orëve të punës si dhe në humbje të mundshme të vëndit të punës.

TURIZMI HUMBJE NË SHIFRA TË FRIKSHME

Duke ju referuar federatës italiane të turizmit, Assoturismo, Italia mund të humbasë 60 % të turistëve të saj këtë vit. Gjithashtu në një raport të parlamentit europian, llogaritet se lëvizja e turistëve në rang botëror do të ketë një rënie në masën 20-30% në krahasim me një vit më parë. Kjo në vlera monetare do të thotë një humbje rreth 300-450 bilion dollarë. Vënde të ndryshme janë duke përllogaritur humbjet që do shkaktojë këtë vit pandemia. Kështu për shëmbull: Kili: Federata e kompanive turistike kiliane (Fedetur), rrjeti i hotelerive të vëndit, shoqëria e kompanive turistike (Achet), shoqëria gastronomike (Achiga), raportojnë një humbje në turistë në vlerën 1,900,000 turistë të huaj më pak se vitin e kaluar ku numri arrinte në 4,500,000, e thënë ndryshe në 56,4% turistë të huaj më pak në vënd. Ky numër i pakët turistësh do të cojë në një humbje monetare prej 1,3 bilion dollarë. Meksika: si pasojë e përhapjes gjithmonë e më të shpejtë të Covid-19 në këtë vënd, humbjet në sektorin e turizmit përllogariten të shkojnë në 50 bilion pesos, osee thënë ndryshe në 2,4 bilion dollarë. Në rajonin e Kalifornisë, e njohur si destinacion kryesor turistik, impakti nga kriza e shkaktuar nga korona virus do të prekë 14,000 punëtorë. Spanja: referuar të dhënave të bordit turistik spanjoll, humbjet e vëndeve të punës mund të arrijnë deri në 900,000. Një prej zonave më të vizituara të vëndit siç është Katalonia, parashikon një humbje prej 10,881 milion euro. Në këto kushte të vështira, shumë vënde në mbarë botën kanë ndërmarrë politika për të mbështetur ndërmarrjet turistike, përgjysmim të taksave apo dhe kontribute të tjera shoqërore. Shumë vënde po ofrojnë ndihmesat shtesë për bizneset, në mënyrë që këto të fundit të mund të mbajnë të angazhuar ende stafet e tyre. Republika e Koresë së Jugut, e cila e konsideron turizmin si një sektor shumë të vecantë i cili mundeson sigurimin e vëndeve të reja të punës, përmes politikave të saj, ka mundësuar pagesa të punëtorëve deri në masën 90 % për një periudhë 6 mujore, model që është implementuar edhe në shumë vënde të tjera të botës. Egjipti ka pezulluar detyrimet e qerave për fushën e turizmit dhe shërbimeve ushqimore në zonat e mbrojtura dhe të kontrolluara nga shteti. Në Francë autoritet po i kushtojnë një vëmendje gjithmonë e më të madhe krijimit të një reforme për punësimit me kohë të pjesshme. Italia nje nga vendet qe pati nje goditje te madhe ne humbje jete njerezish e me pas ato ekonomike, ka ofuar nje ndihmese prej 600 euro per operatoret turistike, pergjate muajit Mars. Qeveria Braziliane krijoi programin Anti-unemployment Programmepër të ndaluar pushimet masive nga puna e për të lehtësuar më pas rihapjen përmes ndihmave ekonomike.

ALARMI NË EKONOMI SIPAS BASHKIMIT EUROPIAN

Sipas një raporti të Bashkimit Europian, në kuadër të situatës së vështirë, shumë vënde të unionit kanë hartuar një paketë të posaçme asistencë e cila do të përfshijë edhe sektorin e turizmit, krahas shumë sektorëve të tjerë të cilët u goditën rëndë gjatë kësaj periudhe. Masat përfshijnë moratoriumet e taksave, e cila konsiston në një zgjerim të afateve për pagimin e qerave apo cdo detyrimi tjetër në raport me shtetin, si dhe subvencione për pagat. Italia ka hartuar një paketë të posacme ekonomike mbështetëse për biznesin. Disa vënde kanë ri-kombëtarizuar kompanitë e goditura nga korona virus. Për pasojë, Italia ka marrë në pronësi të plotë Alitalian, kompania më e madhe e fluturimeve në vënd por edhe jashtë tij. Britania e Madhe ka pronëzuar pjesërisht sistemin e saj hekurudhor. Franca ka modifikuar kushtet e anullimeve të prenotimeve të udhëtimeve. Suedia ka ofruar  mbështetje financiare për kompanitë e udhëtimeve. Shumë nga këto masa janë një formë sesi qeveri të ndryshme po ndikojnë në mbajtjen në këmbë të një ekonomie tashme të ndrydhur. Një impakt të ndjeshëm kjo situatë po shkakton edhe në Shqipëri, ku humbjet llogariten të jenë të konsiderueshme si per sektorin direkt dhe atëindirekt. Kjo edhe duke marre parasysh faktin që kontributi i turizmit në ekonominë e vendit është rreth 22% e GDP-së, e thënë ndryshe 1\5 e ekonomise së vëndit tonë varet drejtpërdrejtë nga turizmi. Alarmin për krizën e sektorit të turizmit e kanë vënë në dukje edhe agjencia “Standart &Poor”, e cila e ka pozicionuar Shqipërinë mes 15 vëndeve kryesore që do të preken më shumë nga kjo situatë, duke shkaktuar një humbje prej rreth 1.9 – 2.2% të GDP-së. Qeveria shqiptare, ashtu sikurse dhe në shumë vënde të botës, ka ndihmuar sektorët ekonomikë dhe vecanërisht fushën e turizmit për të shmanguar falimentin, nëpërmjet ndihmesave në formë të ardhurash apo dhe në indikativa specifike, në atë që sot po pranohet nga të gjithë, në një formë të re të të sjellurit kundrejt njëri-tjetrit.

EJA PUSHO NË SHQIPËRI

Pavarësisht kësaj situate, koha dhe ngjarje të ndryshme kanë vërtetuar se turizmi do të ringrihet dhe do të lulëzojë sërisht. Historikisht, turizmi është goditur disa herë nga krizat shëndetësore, ekonomike dhe terroriste, e megjithatë përsëri ka arritur të ringrihet e të rikuperohet. E duket se me këtë shpresë e optimizëm janë dhe operatorët turistikë në Shqipëri, të cilët me optimizmin e numrave që flasin për një përhapje të vogël të pandemisë në vëndin tonë e për më tepër një numër shumëi vogël humbje jetësh, duket se ofrojnë paketën më të mirë turistike për këtë sezon veror. Alternativa më e përfolur këtë kohë për sa i përket turizmit është ai i turizmit të brëndshëm, destinacione që mund të arrihen lehtësisht në rrugë tokësore në pak orë. Nga kjo pikëpamje Shqipëria duket se ka një avantazh të madh duke qënë se një pjesë e konsiderueshme e turizmit bazohet nga ky lloj turizmi. Edhe Italia, Gjermania, Turqia, Greqia e shumë vënde të tjera, po punojnë në këtë drejtim me thirrjen për të pushuar brenda vendit, thirrje qëi bashkohen edhe operatorët turistikë shqipëtar “Eja pusho në Shqipëri” e cila duket si mënyra më e mirë për të shpëtuar turizmin e vëndit e për të bërë njëkohësisht të njohur në rang botëror atraksionet dhe vlerat tona kulturore si komb. Për të vazhduar në rrugën e suksesit që turizmi shqiptar ka njohur veçanërisht vitet e fundit, me një numër gjithmonë e në rritje të turistëve të huaj, ata që e vizitojnë për herë të parë e shumë të tjerë që rikthehen për të përjetuar e shijuar përsëri bukurinë e vendit tonë, bëje dhe TI Shqipërinë pjesë të axhendës tënde turistike këtë vit, ….Eja pusho në Shqipëri!

KUSH ËSHTË ANA CENO

Diplomuar në degën e Historisë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë në vitin 2012. Specializuar në fushën e Guidës Turistike dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas studimet post Master në Torino, Master Ndërkombëtar në fushën e Trashëgimisë Botërore dhe Projekteve Kulturore për Zhvillim organizuar nga UNESCO në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Torinos dhe ITCO. Me eksperiencë pune dhe trajnimesh si brënda ashtu edhe jashtë vendit, eksperienca e saj e fundit ka qënë në Buenos Aires, Argjentinë, ku ka punuar në Galerinë e Artit Kontemporan Latin, Rolf Gallery Art.

Filed Under: Featured Tagged With: Ana Ceno, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË BUDAPEST DHE HUNGARIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

June 12, 2020 by dgreca

Musa Ahmeti, Profesor Doktor i Shkencave të Mesjetës nga Qendra për Studime Shqiptare në Budapest, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, përballjen e shqiptarëve në Budapest me pandeminë globale dhe situatën në Hungari përgjatë betejës së shtetit ndaj Covid-19. Intervistëdhënë gazetarit Sokol PAJA.

HUNGARIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Budapesti është një nga metropolet më të bukura të Europës. Është shumë i veçantë me arkitekturën perandorake mesjetare dhe atë bashkëkohore, me një popullsi të civilizuar me kulturë të lartë dhe shumë miqsore, e cila shquhet për traditën e solidaritetit dhe respektimin rigoroz të ligjit. Qyteti frymon lirshëm me Danubin që e ndan përmes, me urat e bukura që lidhin dy brigjet, dy jetët, të lashtën me bashkëkohoren.Nuk e kishim menduar ndonjëherë që këtë qytet me një mori turistësh, me një gumëzhimë e lëvizje njëzet-e-katër-orëshe ta shikonim të boshatisur: pa lëvizje, pa njerëz, pa turistë, pa studentë e nxënës, pa qytetarë e mysafirë nga të katër anët e botës. Edhe kjo ndodhi! Ndodhi atëherë kur më së paku pritej. Lajmet për përhapjen e një Pandemie në shkallë botërore, në Hungari, në përgjithësi, dhe në Budapest, në veçanti, u pritën me dyshime derisa “kurba” filloi të pushtojë qytete e shtete. Qeveria hungareze mori masa të menjëhershme. Filloi aplikimi i lëvizjeve të kufizuara, gjë e pamenduar ndonjëherë, kujdesi i shtuar dhe përfundimisht mbyllja. Qyteti nuk frymonte më me gjallërinë e mëparshme. Rrugët e bukura, që shkëlqejnë nga pastërtia mbetën bosh! Nuk kishte as edhe një njeri të vetëm, përveçpolicisë. Banorët e Budapestit, filluan të zbatojnë me përpikmëri dhe korrektësi tërë udhëzimet qeveritare. Mbyllja në apartamente, shtëpi e vende të tjera u menduan se do ishin për një kohë të shkurtër, të përkohshme. Nxënës e studentë, punëtorë e bujqër, turistë, mysafirë etj, u mbyllën me një qetësi të admirueshme duke u kujdesur për shëndetin e tyre fillimisht dhe të tjerëve pastaj.

SHQIPTARËT NË BUDAPEST

Ne, një familje shqiptare, e ndodhur mu në zemër të Budapestit (në sheshin e Bazilikës), e përjetuam boshllëkun e pamenduar ndonjëherë, mjaft rëndë. Të mësuar me lëvizje të shumta, me punë në shkollë, universitet dhe angazhime të tjera ditore publike e zyrtare, u ndodhëm të befasuar. Komunikimi me shqiptarët që jetojnë në Budapest e Hungari, ishte vetëm me celularë! (Në Hungari jetojnë rreth tri mijë shqiptarë. Pjesa dërmuese janë bukëpjekës nga Kosova, disa familje nga Shqipëria, një numër i vogël nga Maqendonia dhe Lugina e Preshevës. Në këtë numër nuk janë llogaritur edhe rreth 350 studentë nga trojet shqiptare në të gjitha nivelet e studimeve të cilët janë krenaria jonë). Nga dita e parë e deri me sot, për fat të mirë, sipas informatave që ne kemi, nuk kemi asnjë të infektuar, e as të vdekur në komunitetin shqiptar në Hungari.Nga dritarja e apartamentit shikonim (duke filluar që nga 11 marsi) ardhjen e pranverës! Lulet e gjethet që zbukuronin rrugët dhe Sheshin e Lirisë që e kemi afër. Kjo ishte pakuptueshme për ne, si lulet, gjethet, bari dhe aromat e mrekullueshme pranverore të mos i shijonim dot. Ti shikonim, por mos t’i preknim, mos t’i ndjenim? Fëmijët filluan mësimin në platformën shkollore “Online”  ashtu si edhe Etleva.  Ne, me Etlevën, për të “vrarë kohën” iu kthyem mesjetës. Kjo sikur na bënte të shikojmë Budapestin nga një prespektivë tjetër, të rëndë, të zymtë dhe shumë krenar.

Nuk po kontrollonim kohën, nuk po pajtoheshim me mbylljen brenda apartamentit, por duke parë të tjerët, fqinjët, kolegët, mjekët… policët, e mbanim veten, me shpresë se neser do kemi një “lajm të mirë” që kjo “ëndërr e keqe dhe e papritur” iku. Ditët po iknin njëra pas tjerës, filluan numërimet e të infektuarve, të të shëruarve dhe të vdekurve! (Gjej rastin të shënoj informacionet zyrtate për Hungarinë rreth Pandemisë COVID 19: në karantinë: 8.805 persona, të infektuar: 4.027; të shëruar: 2355 dhe të vdekur: 551). Edhepse vetëm 250 metra larg Universitetit, apo 375 metra larg Danubit, ne filluam të lëshonim imagjinatën tonë, se si ishin apo dukeshin ato… dhe të tjerat, sheshet, rrugët, klubet, parqet, shkollat, këndet e lojërave, palestrat e shumta sportive, llixhat e mrekullueshme me ujin e tyre kurues, metrotë, dyqanet, restorantet… Na dukej sikur nuk kishim qenë ndonjëherë…

LIRIA PAS MBYLLJES

Dhe pas 64 ditësh mbyllje (më duket fjalë e rëndë izolim total) filluam të frymonim! Dalja e parë, ishte e çuditshme! Nuk po mësoheshim me dritën e fortë të diellit, me ajrin që të përkëdhelte me dashuri, sikur dëshironte të largonte tërë ato ditë zymtësi apartamenti. Çuditërisht, bashkëqytetarët ishin tërë me maska, me doreza, me syze (një modë e re do thoshte Hana)… uleshin në distancë, mbanin radhë kudo dhe kishin fituar një durim të pabesueshëm… Kjo na bëri shumë përshtypje. Kishim afër furrtarët hasjanë, miq e shokë të Argit. Na kishte marrë malli për ta, për Kamerin, Dinin e vëllëzërit e tjerë, të cilët gatuanin sipas porosisë për ne dhe të tjerët. Ishin të palodhshëm, të dashur dhe shumë korrektë.

Pamë Danubin nga Ura e Luanëve. Ishte i qetë. Nuk kishte as edhe një anije, varkë apo motoskaf! Nuk e kishim parë asnjëherë më parë të tillë… Buzë tij, qëndronte hijerëndë “Ura e Luanëve,” “Akademia Hungareze” dhe “Kisha e Shën Anës” të ndërtuara nga filantropë e biznesmenë shqiptarë, dy të parat nga familja e mirënjohur Sina dhe e treta (kisha e Shën Anës nga prifti shqiptar Gjergj Vladani). Rrugës, edhepse ishin hequr masat e ndalimit të lëvizjeve, nuk kishte lëvizje, turistë, qytetarë…. Jo vetëm në rrugë e kudo përreth, por edhe në shpirt ndjehemi bosh tha Ina me humorin e saj të hollë.

OPTIMIZËM: UNË JAM RRUGA, E VËRTETA E JETA

U ndalëm para Bazilikës, nga ku shihnim dritaret e apartamentit tonë, duke shikuar mbishkrimin ballor: “Ego sum via veritas et vita. /Unë jam rruga, e vërteta e jeta“ e ndjemë se sa të afërt kishim qenë me Zotin. Tërë kohës, me përkushtim e dëshirë kishim lexuar librat e shenjtë të kohës, por edhe të mesjetës. Dokumentet, dorëshkrimet, inkunabulat, librat antikuarë, të cilët mbushin raftet e bibliotekës sonë. Lexuam edhe mënxyra nga e kaluara që më parë, na dukeshin si përralla. Tani që i përjetuam vetë, besimi në Zotin, në të vërtetën, në shpirtin e shenjtë u bë diçka e kapshme, e afërt dhe e dashur thënë më mirë e pandashme në jetën tonë të mbetur për ta jetuar.Gjatë tërë kohës, prej më shumë se dy muaj (saktë 64 ditë), frika e vdekjes ishte e pranishme te shumica e atyre me të cilët bisedonim. Një frikë nga ajo që nuk kemi qenë të mirë, nuk kemi bërë vepra të mira, nuk kemi respektuar dhe nderuar tjetrin sa duhet, nuk kemi besuar sa duhet në Zotin, po na gërryente nga brenda. Qetësia e vetme ishin librat e shenjtë.

BASHKË GJITHNJË E MË TË FORTË

Jeta, dëshira për të jetuar, u bë një nga qëllimet parësore, duke bërë çfarëdo që na jepte rasti për të mundur të keqen. Solidarizimi, bashkëpunimi, adhurimi u bënë gjëra të përditshme. Ne filluam të kuptojmë dhe shikojmë botën me një sy tjetër. Kjo gjë, sot na bën të ndjehemi, shumë më të përgjegjshëm për besimin, për Zotin, për të vërteten, duke ndjerë se bashkarisht mund të ngadhnjejmë mbi të keqen. I gëzohem qëndrimit të mrekullueshëm të Inës, Argit e Hanës, të cilët me sjellje shembullore na ndihmuan të përballoljmë më lehtë çdo gjë, dhembje, mërzi, dashuri, pritshmëri…

Sot, shikon më pak lëvizje se një vit më parë; shikon bashkëqytetarë që me durim presin radhën në dyqan, në klub, në metro, në bus… kudo:një ves ky i ri i sjelljes së njerëzve i imponuar nga e keqja, që po duket se po bëhet përditshëri.Nga këtu ne ndjekim zhvillimet në Shqipëri e Kosovë e gjetiu. U gëzuam kur morëm informacion se me datën 15 qershor mund të udhëtohet me avion në Tiranë e Prishtinë. Ndjejmë mall, për familjarët, të dashurit tanë, kolegët e punës, stafin, gjuhën… për çdo gjë.

Jeta ka filluar t’i kthehet normalitetit, ngadalë, por me hapa të sigurtë. Rrugët, sheshet, klubet, bibliotekat, arkivat, universitetet, shkollat, muzetë, llixhat… kanë filluar të hapën ose po bëhen gati të hapen.Sjellja e bashkëqytetarëve budapestas është e mrekullueshme! Kemi ndryshuar të gjithë. Ndjejmë përgjegjësi për tjetrin, kuptojmë më mirë hallexhiun, respektojmë më shumë veten dhe ligjin… të gjitha këto, për hir të një të ardhmeje të bukur, të ndritshtme, për hir të jetës!

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Dr. Musa ahmeti, Shqiptaret ne Budapest, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË HONG KONG DHE BETEJA E SHTETIT AZIATIK KUNDËR COVID-19

June 11, 2020 by dgreca

Vanda Selimi, një shqiptare e suksesshme që jeton e punon në Hong Kong si Menaxhere eventesh dhe zhvilluese biznesi në “The Whisky Library”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën e shtetit aziatik ndaj Covid-19. Intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

HONG KONGU NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Hong Kong ka bërë një punë të shkëlqyer në monitorimin, përmbajtjen e shpërhapjes dhe kurimin e personave të prekur nga COVID-19. Deri më sot Hong Kongu ka regjistruar 1108 raste nga të cilat 672 janë raste të importuara (57%) që nga rasti i parë i konfirmuar më datë 23 Janar 2020 dhe vetëm 4 fatalitete. Hong Kongu ka një eksperiencë të vyer nga virusi Sars ku numri i të vdekurve ka qenë shumë më i lartë (300 në mos gaboj) dhe nuk mori asnjë shans për të nënvleftësuar apo injoruar virusin. Duke nxjerë mësime nga e kaluara në një kohë, kur e gjithë bota thoshte që është vetëm një grip i thjeshtë dhe do kalojë Hong Kong mori masa shumë serioze kundër kësaj pandemie globale. Personalisht unë jam me maskë që në javë të parë të janarit, me datë 31 dhjetor 2019 kam lexuar për herë të parë për këtë virus dhe duke pasur parasysh afërsinë që kemi me Kinën dhe mbi të gjitha lëvizjen masive të njerëzve e kam marrë shumë seriozisht situatën. Hong Kong ka një nivel shumë të lartë qytetarie dhe që nga Sarsi çdo njeri që ka simptoma sado të lehta gripi direkt vë maske dhe nuk paraqitet në punë në mënyrë që të mos infektojnë të tjerët përreth. Në fillim pati pak kaos dhe kishin mbaruar maskat dhe çdo lloj solucioni disinfektatë durash por pas vitit të ri kinez kishte stok mjaftueshëm.

MASAT QË MORI QEVERIA NË HONG KONG

Që pas vitit të ri kinez (pas datës 25 janar 2020), çdo kompani ndërkombëtare kryesisht dhe qeveria u ka kërkuar punonjësve të punojnë nga shtëpia me qëllim frenimin e përhapjes së virusit global dhe kjo situatë ka vazhduar deri në fund të majit. Po ashtu, kopshtet, shkollat dhe universitet kanë qenë të gjitha të mbyllura deri para një jave ku fëmijët e shkollave janë rikthyer nëpër banka por jo të kopshteve. Që nga Marsi, kur filluan të shfaqen shumë raste të importuara, çdo person i ardhur është pajisur me një ‘byzylyk’ me tracking system dhe ka bërë karantinë të detyrueshme për 14 ditë. Që nga fundi i marsit çdo person i mbërritur në aeroport është testuar për covid-19 dhe pavarësisht përgjigjes negative ka vazhduar të bëjë karantinën e detyruar në shtëpi, hotel apo qëndra të caktuara nga qeveria. Çdo person i testuar pozitiv, me ose pa simptoma është shtruar në spital dhe kuruar deri sa ka rezultuar negativ. Doktorët këtu kanë eksperimentuar një kurë me 3 lloje antiviralesh e cila ka rezultuar shumë e suksesshme dhe ka përgjysmuar kohën e kurimit; ngarkesën virale dhe ka ulur dukshëm rrezikun e infektimit të stafit mjekësor nga ekspozimi për kohë të gjata në ambjente me ngarkesë të lartë virale. Në çdo dyqan, kafeteri, zyrë, çdo njeriu i është matur temperatura në hyrje të godinës, nëse temperatura rezultonte mbi 37.5 janë njoftuar autoritete përkatëse të cilat janë marrë me rastin në fjalë. Pavarësisht se në Hong Kong s’ka qenë e detyruar me ligj përdorimi i maskave, të gjithë njerëzit vendosin maska pa përjashtim në rrugë, në transport publik, në zyra, dyqane, lokale e gjithandej. Pavarësisht se nuk ka pasur asnjë ‘lock doën’ njerëzit kanë qëndruar nëpër shtëpija dhe nuk kanë dalë pa arsye shumë të forta që në fund të janarit. Vetëm baret, karaoket, kinematë, spa dhe palestrat kanë qenë të mbyllura për një muaj pasi në disa raste lokalet kishin lidhje me frekuentimin e këtyre ambjenteve por çdo gjë tjetër ka qenë hapur dhe funksionale. Në Hong Kong s’ka qenë e nevojshme që të dalë policia për të ndarë njerëzit apo për ti thënë shkoni në shtëpija, të gjithë njerëzit e kanë kuptuar seriozitetin e virusit dhe të gjithë kanë bashkëpunuar duke mbajtur numrat shumë poshtë duke llogaritur që është një vend me popullsi shumë të dendur (7.5milion ne 1106km2). Edhe kur patëm 24 ditë pa asnjë rast të ri, asnjë njeri s’u relaksua dhe të gjithë vazhduan të mbajnë maska. Aktualisht situata është e mirë, rrugët janë plot dhe jeta i është riktyer pothuajse normalitetit por ka ndonjë rast sporadik që tregon që ka mbartës të fshehur dhe virusi nuk është zhdukur. Nëpër lokale e restorante janë në fuqi rregullat e distancimit dhe çdo njeri i respekton rreptësisht.

COVID-19 SI NJË PËRJETIM PERSONAL

Për mua personalisht ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe me vendime të mëdha. Vajza ime ishte vetem 4.5 muajshe kur çdo gjë filloi të dalë në sipërfaqe dhe kur mbushi 5 muajshe ne ishim në një situatë shumë të vështirë dhe që kur flisnim me familjarët apo shoqërinë nëpër botë s’na e kuptone dhe besonte njeri. Takimet për vaksinimin e vajzës apo me pediatrin ishin anulluar sepse nuk donin të ekspozonin bebet; unë isha e detyrur të shkoja në punë dhe çdo ditë pasi kthehesha nga puna dëgjoja në lajme se si rasti x kishte kaluar apo frekuentuar të njëjtat ambjente sikurse unë në të njëjtin hark kohor. Ishim izoluar në shtëpi në ditët e pushimit, nëpër supermarkete s’kishte më as ushqime  sepse njerëzit ishin në fazën e blerjeve nga paniku. Për një kohë shumë të gjatë s’kemi takuar asnjë njeri, as shokë, as shoqe as bahskëpunëtorë apo të afërm me qëllim për të evituar ekspozimet. Vajza jonë nuk del nga shtëpija, maksimumi një xhiro në park por asgjë më shumë. Po ashtu me shoqërinë shqiptare (jemi rreth 20 shqiptarë këtu) këtu komunikojmë gjithë kohën nëpër grupe po s’kemi takuar asnjeri që nga dhjetori. Ata që e kanë përjetuar më shumë kanë qenë familjet me fëmijë të vegjël, sikurse ne, janë dhe dy familje me fëmijë të gjithë nën 1 vjeç aktualisht dhe të gjithë kanë qenë në stres. Prej dy javësh, mund të them që gjërat janë më mirë, njerëzit janë pak më të qetë, dalin pak më shumë dhe takohen me shoqërinë por kuptohet duke ruajtur distancën. Përsa i përket situatës në Hong Kong është sensitive dhe më mirë të mos përzihem në këtë pjesë por shpresojmë që e ardhmja të jetë më e bukur sepse kemi kaluar një vit shumë të ngarkuar që nga fillimi i protestave.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Jam e gëzuar që komunikoj nëpërmjet këtij shkrimi me shqiptarët në Amerikë. Ata janë model për organizimin dhe rolin e tyre patriotik në dobi të çështjes kombëtare. Uroj me shpirt që të ndjekin modelin e Nolit dhe Konicës për një Shqipëri të bukur, të fortë, të zhvilluar, dinjitoze në sytë e botës dhe që diaspora nuk e harron kurrë. Kjo diasporë prej 1 shekulli ka qenë model dhe ka ndihmuar shumë në shtetformim dhe lobim. Mendoj se karakteri diplomatik dhe patriotik e bëjnë Vatrën dhe Diellin institucione të përjetshme atdhedashurie. Në këtë kohë pandemie uroj çdo patriot i yni në diasporë në USA dhe kudo të jetë mirë familjarisht. Mesazhi im për të gjithë lexuesit është që bëjë rolin e tij/saj në këtë betejë delikate; të mbajë higjenë të lartë, të mbajë maskë, të mos dalë kot sepse janë mërzitur në shtepi, kjo është diçka e përkohshme por pasojat në familjet që kanë humbur të dashurit e tyre do jetë e përjetshme. Të gjithë kemi diçka në dorë për të bërë për të ulur numrin e rasteve dhe shpërhapjen e virusit. Kini besim: ditë më të mira do të vijnë. Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Shqiptaret ne Hong Kong, Sokol Paja, Vanda Selimi

“HEDA ALBANIA” – JU FLET ASISTENTJA E SHËNDETIT TUAJ

June 10, 2020 by dgreca

Një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, (Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York), i studiuesve shqiptarë:Aldi Pupuleku, Denisa Baci, Erand Llanaj, Ina Mexhitaj, Irma Kuka, Julia Darragjati dhe Teuta Muhollari. pjesë e platformës dixhitale shëndetësore “HEDA ALBANIA”https://www.heda.al/: Në këtë rrëfim ekskluziv të ndarë në dy pjesë, studiuesit paraqesin konkluzionet më të fundit shkencore rreth kërcënimit global të COVID-19, fazat e zhvillimit, statistika, dukuri dhe veçori të virusit, analiza krahasuese ndërmjet vendeve të ndryshme dhe mbi të gjitha interpretime grafikësh e skeda shumë të domosdoshme për publikun në kushtet e një pandemie virale dhe mediatike. Në pjesën e dytë të raportimit, ekipi i studiuesve i “HEDA ALBANIA” do të na raportojë për luftën ndaj COVID-19 në shtete ku jetojnë e punojnë çdo ditë si Shqipëria, Italia, Spanja, Hungari dhe SHBA.

“HEDA ALBANIA” SHËNDETI NE FOKUS

HEDA (www.heda.al) është platforma online shëndetësore e cila ofron mbështetje, siguri dhe vërtetësi për të gjithë publikun duke promovuar shëndet të mirë e të sigurtë për të gjithë. Informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut mbi çeshtje shëndetësore janë qëllimi kryesor i kësaj platfome. Bashkëpunëtorët që aktualisht kontribuojnë pranë kësaj platfome janë profesionistë të fushave të ndryshme si : mjekë, farmacistë, psikologë, psikoterapeutë, doktorantë, post-doktorantë, lektorë e profesorë të angazhuar në institute kërkimore, universitete, organizata ndërkombëtare, kompani farmaceutike, akademi shkencore etj, të shpërndara në mbarë botën.  Platforma HEDA Albania është e vetmja platfomë informuese shëndetësore dhe shkencore shqipfolëse e cila ju përgjigj dhe vazhdon t’i përgjigjet emergjencës botërore COVID-19. Në terma të prekshëm, ekipi Anti-COVID i krijuar enkas për të mbuluar këtë emergjencë, ka publikuar vetëm gjatë kësaj periudhe mbi 130 përmbledhje artikujsh shkencorë; 6 përditësime shkencore mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19; 10 udhëzues skematikë dhe më shumë se 20 postera me informacione të përmbledhura në një imazh. Mobilizimi i këtij grupi studiuesish  ngjalli kureshtje e interes mes studiuesve të tjerë shqiptarë në mbarë botën dhe bëri që grupit tonë t’i vijnë në ndihmë dhe forca të reja.

1.ë cilën fazë të zhvillimit dhe të kërcënimit prej COVID-19 gjendet bota

Pandemia e COVID-19 e shkaktuar prej koronavirusit të ri SARS-CoV-2 ka prekur tashmë më shumë 7 milion njerëz nga të cilët më shumë se 400,000 kanë humbur jetën. Gjithsesi. masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni nga shumë vende në botë, bënë që situata të përmbahej disi në disa prej këtyre vendeve. Edhe pse në momentin e shkrimit të këtij botimi (7 Qershor 2020) kurba globale e vdekjeve është pjerrje për së poshtmi, ajo e infektimeve është ende duke duke manifestuar pjerrje për së sipërmi – gjë që tregon rritjen numrit të infeksioneve. Ky fakt risjell në vëmendjen tonë realitetin dhe na rikujton se virusi NUK është zhdukur, por gjendet ende mes nesh. Madje situata në disa vende situata vazhdon të jetë ende jashtë kontrollit, si p.sh. në Indi, Brazil apo ShBA. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet fakti se në vende të caktuara (si p.sh. në Iran, Arabi Saudite, etj.) me klimë të nxehtë dhe temperatura të larta (mbi 35°C) po vihet re se siutata epidemike po evoluon pavarësisht faktorëve temperaturorë që priteshin ta zbusnin. E gjitha kjo, po demonstron më së miri dhe njëherazi sfidon ‘legjendat urbane’ se situata do të përmirësohet (për shkak të rritjes së temperaturës) në vendet të cilat janë duke pritur ardhjen e stinës së verës. Studime serologjike të cilat janë kryer në vende të cilat u përballën me vdekshmëri të lartë, si: Anglia, Spanja, Italia po tregojnë se vetëm 5-9% e popullatës është e infektuar me COVID-19. Këto rezultate tregojnë se ‘imuniteti i tufës’ është praktikisht i pamundur për t’u arritur në këtë moment dhe në këto rrethana në të cilat ndodhemi. Bazuar në këto tendenca të dinamikës së pandemisë, mund të vazhdojmë të pafrikë të nënvizojmë mesazhin për të qenë të ‘KUJDESSHËM dhe VIGJILENTË’ sa më shumë të jetë e mundur. ‘Virusi nuk është zhdukur, është KËTU, mes nesh…’

2.Si parashikohet e ardhmja e COVID-19? A do të ketë valë të dytë apo të tretë? Cilët mund të jenë skenarët e mundshëm me të cilët do të na duhet të përballemi?

Pesë muaj pas shpërthimit të epidemisë, edhe pse njohuritë që kemi arritur të akumulojmë janë rritur me një shpejtësi të pa precedentë, ende nuk disponojmë mjaftueshëm detaje mbi sjelljen e virusit në matrica të ndryshme shëndetësore, mjedisore apo stinore. Këto informacione janë pa as më të voglin diskutim të nevojshme për të qartësuar dinamikën e pandemisë në të ardhmen. Megjithatë, mund të nxjerrim mësime duke qenë se ekzistojnë hulumtime që tregojnë se njerëzit janë prekur sezonalisht nga koronaviruse të tjera që kanë prodhuar një impakt më të lehtë në shëndetin e popullatës. Shembujt më tipik të koronaviruseve të tilla që janë në gjendje të infektojnë njeriun janë infeksionet prej koronaviruseve HCoV-OC43 dhe HCoV-HKU1, të cilat po njësoj si infeksioni i shkaktuar nga SARS-CoV-2 janë infeksione kryesisht asimptomatike dhe janë shkaktari më i zakonshëm i të ftohtit të zakonshëm (=ang. common cold). Duke përdorur të dhëna ekzistuese të këtyre koronaviruseve mbi sezonalitetin, imunitetin post-infeksionit apo eventeve ndër-imunitare (=imunitet i gjeneruar prej një koronavirusi që mund të mbroj nga një koronavirus tjetër) janë përdorur për të bërë hulumtime dhe parashikime (me përqasje përafruese) në lidhje me situatën që po përballemi, duke parashikuar valë të tjera pas-goditëse të infeksionit COVID-19 të cilat me shumë gjasa do të ndihen përgjatë sezonit të dimrit. Për këtë arsye, edhe ne (ekipi Anti COVID-19 i HEDA [HEalth Development for Albania]) kemi përgatitur një shkrim të shkurtër (dedikuar kësaj perspektive) me ilustrime në platformën tonë, krijuar posaçërisht për tu ardhur në ndihmë gjithë shqipfolësve në këtë situatë të jashtëzakonshme (https://www.heda.al). Më poshtë po i paraqesim edhe për ju këto 3 skenarë në një mënyrë të përmbledhur.

Këta tre skenarë paraqesin realitetet potenciale që mund të përjetojmë në muajt në vazhdim. Skenari i dytë është ai më i mundshëm, por ajo që do të përjetojmë saktësisht në valën e rradhës nuk e dimë. Pikërisht për këtë arsye, kultura jonë e të vepruarit në të ardhmen duhet të orientohet drejt parandalimit të ‘skenarëve të zinj’ dhe investimit serioz në shëndetin publik, shkencë dhe edukim në gjithë globin.

Për këtë kemi bërë një apel si ekip dhe si profesionistë shqiptarë, një apel dhe reflektim për të gjithë shoqërinë tonë shqipfolëse që përmblidhet si vijon:

Në këtë moment po futemi në një epokë tjetër të re dhe po vendosemi përpara zgjedhjes se si do të duam të duket Shqipëria pas kalimit në skenarin hipotetik e së ardhmes i një SARS-CoV-3 i mundshëm apo një pathogjen tjetër me potencial pandemik të shfaqet- ne si shoqëri të jemi në gjendje ta kontrollojmë brenda pak javësh e të vazhdojmë jetët tona. Pyetja që lind  është: A do ti japim vetes si vend dhe njerëzim arsye për të qenë krenar për zgjedhjet tona kolektive apo jo?

3.Pse bota po përjeton vështirësi në gjetjen e vaksinës?

Sfida më e madhe për nxjerrjen në qarkullim të një vaksine është koha që nevojitet për të konfirmuar nëse një vaksinë është efikase dhe e sigurtë për përdorim në njerëz. Për të arritur këtë, grupeve kërkimore shkencore ju duhen shpesh herë vite punë për të arritur zhvillimin e një vaksine, me qëllimin e vetëm shmangien e efekteve të padëshiruara mbi shëndetin e popullatës. Procesi i zhvillimit, testimit dhe liçencimit të një vaksine për përdorim të gjerë ne popullatë është i ngadaltë por i bazuar në evidenca shkencore dhe klinike pasi gabime të vogla mund të jenë me pasoja fatale për shoqërinë. Pak kontekst është shpesh herë i nevojshëm për të kuptuar realisht situatën në lidhje me vaksinat. FDA miratoi një vaksinë kundër virusit vdekjeprurës Ebola vetëm vitin e kaluar (43 vjet pas zbulimit te virusit). Shumë përpjekje janë bërë gjithashtu edhe për vaksinën kundër virusit HIV edhe pse ende nuk e kemi një të tillë në qarkullim. Mesatarisht duhen rreth 10 vjet për të zhvilluar një vaksinë. Urojmë dhe jemi optimistë që ky nuk do të jetë skenari i COVID-19. Prodhuesit e vaksinave po ‘garojnë’ për të zhvilluar vaksinën kundër SARS-CoV-2 dhe aktualisht 10 prej tyre janë në prova klinike. Një pjesë e ekspertëve të sëmundjeve infektive argumentojnë se 18 muaj për zhvillimin e një vaksine është kohë jo e mjaftueshme për të siguruar efikasitet të një vaksine përgjatë çdo hapi të krijimit të saj. Natyrshëm, ekspertët më optimistë besojnë se qindra miliona doza të vaksinës mund të jenë gati në fund të vitit 2020. Si përfundim, mund të themi se e gjithë puna e bërë nga komuniteti shkencor deri më tani është e vyer dhe për tu vlerësuar. Megjithatë mos të harrojmë që edhe nëse vaksina del në kohë dhe është efikase, historia ka treguar që shpesh grupe të caktuara shoqërore kanë penguar mbulesën vaksionre dhe kanë dëmtuar procesin e vaksinimit. Shpresojmë që kjo gjë të mos përsëritet.

4.Duke ju referuar të dhënave globale të numrit të vdekjeve në botë prej COVID-19, a mund të thuhet se përveçse një ankth, panik apo frikë globale e gjitha ishte një zmadhim i problemit real? A ish e gjitha një konspiracion apo një rrezik real global?

COVID-19 është një infeksion që paraqet një rrezik real për shëndetin publik në gjithë globin. Shifrat e mëdha të vdekjeve të prodhuara në një kohë të shkurtër, kolapsi i sistemeve të tëra shëndetësore, personeli shëndetësor i rraskapitur prej pagjumësisë, mbilodhjes, kolapsit mendor etj., anëtarë familjesh të ndarë prej njeri-tjetrit, kufizim i lëvizjes së lirë, pasoja psiko-sociale, kolaps i sitemeve ekonomike, njerëz që vdesin në kushtë vetmie dhe izolimi pa asnjë të dashur apo familjar pranë tyre, etj. janë arsye të mjaftueshme për të kuptuar lehtësisht magnitudën e kësaj pandemie. Pandemia e COVID-19 është një problem real i faktuar shkencërisht (por jo vetëm) që ende vazhdon të përbëjë një rrezik global.

Teoritë konspirative që kane qarkulluar në portale të ndryshme gjatë kësaj periudhe kanë krijuar shpesh mosbesim tek shkenca. Diseminimi i informacionit shkencor gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësor. Nëpërmjet dhënies së informacionit te saktë duhet te luftojmë teoritë anti-shkencore, pasi janë te dëmshme po aq sa vetë virusi. Nje shoqëri e mirëinformuar dhe e përgjegjshme është thelbësore ne fazën e bashkjetesës me virusin, sic është ajo aktuale.

Filed Under: Featured Tagged With: HEDA ALBANIA, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT