Nga Ilir Levonja/Florida/
Me që stuhia e statuteve për 2 prillin ka pushuar. Furia e fb me elozhet për heronjtë. Le të bëjmë një bilanc të demokracisë sonë.
Madje të flasim me çunat. Me ata katër bij nënash. Portretet, idealet që ata kishin janë edhe motoja jonë.
Si tha vëllai i njërit prej tyre. Çdo përvjetor më bëni të njëjtën pyetje. Do i mësoni emrat e vrasëseve apo jo? Zoti vonon, por nuk harron…., etj.
Por ja që Zoti harroka vëlla. Harroka dhe me kujdes të pastër.
Djema u bënë njëzetë e pesë vjetë. Po një orë nuk kemi qënë në pushtet. Një orë sikur të kishim në dorë çelsat e shtetit. Diktaturat qënkan kaq të koklavitura sa dosjet ikin në drejtim të paditur. Dhe se kush shtiu mbi ju është gati e pamundur të zbulohet.
Se, ata, qëllojnë atje…, që të godasin këtu. Ndaj lavdi dëshmorëve si ju. Këtë punë po, dime dhe e bëjmë. Po e bëjmë me zell ama. Po vimë e këlthasim për padrejtësinë e kohës. E të demokracisë sonë. Këlthasim edhe kur gjëndemi aeroporteve të Evropit.
Dhe që ta dini. Demokracia jonë është si vijon.
Në këto njëzet e pesë vite, ngelëm me pushkë krahut duke luftuar komunizmën. Po një komunist nuk kemi vrarë.
Në këto njëzet e pesë vite ngelëm duke share bijtë e komunistëve. Që janë si etërit e tyre. Megjithatë me ata i kemi bërë aleancat.
Demokracia jonë? U ngritëm gërmadhash. Përmbysëm ca pasanikë të ideollogjisë. Për të krijuar ca miliarderë realë.
E kemi bërë vendin si një nga ato komplekset e rritjes dhe mbarështimit të gjës’ së gjallë. Prodhues të krahut të punës për botën karshi.
Demokracia jonë? Shëmbëm një diktator. Dhe kemi sajuar nja pesëmbdhjetë të tillë. Që zhdukin njëri-tjetrin me kamera të fshehta. Rrahin gjoksin. Ngrejnë dy gishtat. Ai shtrëngonte grushtin.
Demokracia jonë? Kemi prodhuar kaq shumë kuadro në një administratë që nuk ekziston. Sa shkon në punë pa brekë dhe pas një jave ke tre shtëpi. Tre makina… tre dashnore, tre restorante të preferuar. Ke edhe elektorat.
Veçse me ambasadën e Amerikës e kanë pak pisk. Nuk u jep vizë.
Demokracia jonë. Kemi shoqata me shumicë… qytetarësh, po qytetar nuk jemi. Shoqata gjithfarësoj. Ndaj gjithëfarësojesh jemi.
Demokracia jonë? Po tha i pari është e kuqe, është e kuqe. Po tha i pari është e zezë, është e zezë. Po tha i pari je armik, je armik. Po tha i pari nuk je armik, nuk je armik.
Demokracia jonë? Tek lapidarët e dëshmorëve, ditën flasin korifejt e demagogjisë. Natën flenë të pastrehët, të palarët, drogaxhinjtë. Të ngopurit dhe të pangopurit. Madje edhe zagarët e rrugës.
Demokracia jonë? Çfarë t’ju them… se, më janë bërë lëmsh arritjet. Shteti i së drejtës, tregu i lire, Europa, ngritja e pages, mirëqënia, arsimimi, kualifikimi, infrastruktura, shitoret e shëtitoret, xhirot, pedonalet, bujqësia, vandalizmi, tritoli, aeroportizmi, kalamajt, këndi lojrave, historia, data e çlirimit, lira dhe demokracia etj.
Sikur të ishit gjallë, ta dini se prapë do ishit armiq të kësaj demokracie. Dhe se prapë do u kishim vrarë.
Kështu siç po u vrasim përditë.