• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrëfehet Spanja PIPA me serenatën ndër buzë….

December 9, 2013 by dgreca

Intervistë ekskluzive për Gazetën DIELLI,  me Serenatisten e parë korcare, Spanja PIPA/

Bisedoi: Raimonda MOISIU/

Serenata – kjo “pupë korcare e bukur”, që të josh të prekësh, të ëmbëlson e të ndjesh deri në shpirt ngrohtësinë e ledhatimeve të  saj. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra,  këndon shpirti. Serenata – kjo lidhje  shpirtërore e fenomenit me esencën e ndjenjave dhe lindur nga perëndesha e tyre:Dashuria! Serenatat janë hymni i veneracionit të dashurisë eternale. Sa herë i kthehem vëndlindjes, aq më shumë më shtohet malli për to, që gjithmonë më shtyjnë në ngasje   për t’iu bashkuar nostalgjikëve të pandreqëshëm –serenatistëve të Korcës tonë, e cila prodhon çdo cast; Art dhe Artistë, që mbi të gjitha pëlqejnë Olimpin e heshtjes së lavdisë së tyre. Në magjinë e Olimpit të serenatave kanë vegjetuar e vegjetojnë breza të tërë serenatistësh. Në brezat e artë të serenatës, -Himnit të dashurisë korcare –sikundër shprehet Prof. Vangjush Ziko-në librin e tij,  ndër to është edhe serenatistja e parë korcare -Spanja PIPA-që duket sikur del nga Muzeu një shekullor e gjysëm i magjisë së këngës korcare, sikur del nga Epokat e Trashëgimisë të Artit e Kulturës qytetare korcare. Në këtë rrëfim emocionues e mbresëlënës, Artistja korcare rrëfen si kurrë ndonjëherë dashuritë e jetës së saj-Dashuria për Serenatën, Korcën dhe familjen. Dhe jo vetëm kaq! Me guxim intelektual e qytetar, me pjekurinë e saj artistike, me dlirësinë dhe brishtësinë e saj femërore, Spanja nuk ngurron e na tregon edhe për dashurinë e saj të parë që kalon përtej eternitetit. Me mirënjohje dashuri e respekt ajo përmend breza të tërë serenatistësh që nuk jetojnë më dhe   ata që sot vazhdojnë të mbajnë frymën e origjinalitetit të serenatës korcare. Por Spanja nuk është vetëm serenatistja e parë korcare, ajo është parodiste dhe aktore që ka luajtur krahas aktorit të shquar korcar të skenës, humorit e artit skenik, Aleko Prodani dhe aktores parodiste Lefkothe Kane,  Pandi Rraidhit, Sotiraq Bratkos etj.etj. Ajo c’ka e bën këtë intervistë shumë interesante të bukur e emocionale, është se Spanja cdo pyetje i përgjigjet me serenatën ndër buzë….

 

Përshendetje znj.Spanja, jeni me një karrierë të gjatë e të admirueshme  në artin e muzikës, e njohur si këngëtare e serenatave. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni kënduar për herë të parë dhe cila është kënga e parë? Cfarë viti?

 

Kam filluar të këndoj që në moshë të vogël, nuk e mbaj mend mirë sa vjece isha. Në shtëpinë time këndonin  që nga babai, motrat dhe vëllezërit e mij. Unë ulesha pranë tyre dhe mundohesha të kapja e bëlbëzoja fjalët e tingujt e këngëve që këndonin ata. Dëgjoja cdo ditë në radio Anita Take dhe Pavlina Nika, këngëtare që rrallë i vijnë një kombi. Gjithashtu miqësia e familjes sime me kompozitorin e shquar korcar Pavllo Sholla, i cili më dëgjoi mua dhe motrën time duke kënduar një duet, do të ishte fillesa e karrierës sime  në rrugën e bukur të muzikës. Dhe ishte pikërisht Pavllo Sholla që  bëri zgjedhjen time dhe më mbështeti. Kënga e parë që  kam kënduar ishte një  këngë kineze, e cila  doli me sukses për atë kohë. Që prej atij casti jam ndjerë se dicka mund të jepja në artin e muzikës,  megjithëse ishte shumë e vështire të këndoje atëhere për mentalitetin e kohës. Por origjina ime nga një  familja autoktone, intelektuale e qytetarise korcare, artdashës të kulturës e muzikës korcare,  më mbështetën mua në udhën e mrekullueshme e të bukur,  të artë të këngës,  vecmas asaj të traditës së qytetit tonë, serenatës, të cilën e vazhdova derisa dola në pension. Më pas u aktivizova dhe kam kënduar në estradën e ushtarit një këngë lirike dashurie  e cila ka lënë mbresa të jashtëzakonshme në kujtesën time:

“Kur u nis ushtar me tha nja dy fjale”. I këndoja dashurisë së një djaloshi që po largohej nga e dashura e tij, të kryente shërbimin e detyruar ushtarak të asaj kohe.

 

–Fillimet e karrierës tuaj  a konsideroheshin  thyerje e tabuve, për mentalitetin e kohës?

 

Në vitin 1960-ë fillova punë si këngëtare-soliste –në Estradën e Qytetit  të Korcës –me regjizor artistin,  Aleko Skalin dirigjent muzike dhe  me Abas Ajron, një  ndër kompozitorët më të mirë e të shquar të kulturës e muzikës korcare.  Ju më pyesni a ishte tabu kjo? Sigurisht që ishte! Me sakrifica,  guxim,  kurajo, talent dhe mbështetjen e artistëve e shoqërisë korcare, të prindërve të mij,  unë sfidova dhe vazhdoja të jepja sa kisha mundësi nga potenciali im artistik.

 

-Deri më parë, ato vajzat korcare  thjesht i kishin dëgjuar serenatat nga pas perdes, deri në momentin kur vetë edhe ju si Spanja do të bënit  dicka të tillë…Si e ke përjetuar këtë nismë artistike?

 

Shumë vetë më identifikojnë; “Spanja e Serenatave”-por unë nuk dilja të bëja serenatë, – unë i këndoja serenatat  mbas dritares duke mënjanuar perden,  teksa dëgjoja e shikoja  djelmurinë korcare të këndonin në rrugicat e Korcës-serenatat. Dhe kjo tashmë dihet se vajzave korcare, djelmuria u ka thurrur e kënduar  serenata, dhe ato si hyjnesha i dëgjonin mbas perdeve.  Serenata është dicka e fshehtë ashtu si vetë shpirti që është i fshehtë. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra,  këndon shpirti. Këngët e serenatës lindnin spontanisht.  Sigurisht kishte edhe nga ata që nuk ishin kompozitorë apo kantautorë të serenatave,  por kompozonin e krijonin serenata kaq të bukura. Dhe ne vajzat  i dëgjonim me kënaqësi, sepse ata  nuk shkonin vetëm te vajza që ata dashuronin, por shkonin e i këndonin me kitarë e mandolinë në dorë në të gjithë sokakët me gurë e të pastër të qytetit të dashur, Korcës sonë, si vetë dashuria e pastër dhe e sinqertë e të rinjve. Ne i dëgjonin këngët dhe e ndjenim veten se ishim brenda serenatës. Ato fjalë e tinguj na dukej sikur i përkisnin jetës sonë: Shpesh pyesja veten: Mos vallë po e këndojnë për mua këtë serenatë? Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se  kompozitori dhe fizarmonicisti  i shquar korcar Abaz Ajro ja u gjente “telat serenatave”. Këto ishin tamam serenatat,  si p.sh ka bërë serenatën “Sofati”.Kjo serenatë lindi për  dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati  duke qëndisur apo bënte centro me grep, pra pajën e saj:

“Shkoj përditë rrugës sate si më parë/por më parë të kisha ty/dhe sot kam mallë/”

Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh). Serenata tjetër e Abaz Ajros: “Ti më erdhe në netët e qeta”

Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartëte kjo  serenatë. Jeta ka caste të bukura  caste mërzitje e gëzimi, vecmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjece dhe isha nën”ethet” e  dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike dhe po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti:-Cfarë ke?

Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që do të  sillte tekstin e serenatës, që përmenda më lart: “Ti më erdhe në netët e qeta! Po ky cast melankolie e mërzitje  solli edhe këngën tjetër “Festë sonte ka e gjithë bota”

 

-Përvecse si këngëtare e  serenatave dhe muzikës popullore, cfarë talenti tjetër keni shpalosur?

 

Unë nuk kam kënduar vetëm serenata, por edhe aktore, luaja parodi dhe theatër. Kam luajtur parody, krahas parodistes Lefkothe Kane, dhe aktorit të  shquar të skenës e humorit shqiptar,  Aleko Prodanin, që ishte  miku im më   i mirë dhe i zemrës, miku  dhe bashkëpunëtori më i  ngushtë me rolet e mija në theatër. Kam qenë krenare dhe e lumtur që kam aktruar krahas këtij aktori të madh shumëdimensional i skenës shqiptare, por që fati u tregua kokëfortë me  ne të  dy -por edhe  të ndahej shumë shpejt nga jeta. I paharueshëm do të mbetet për mua si aktore  roli i Maries  në “Nata e 12-të”, e Shekspirit,  me rregji të të  shquarit Piro Mani. Kam luajtur në dramën e Namik Dokles “Era e lartësive”, rolin e Erës, vajzës gjeologe. Këtu kam luajtur në kitare,  duke i rënë vetë,dhe  duke kënduar me kolegët e mij si  Pandi Rraidhi e Sotiraq Bratko (loton e këndon): “Këndo kitarë me mua/por djalin mos ma zgjo/rri sonte ti me mua/tërë natën e këndo/edhe nesër kur të gdhihet/asgjë mos trego//se edhe unë përgjërohem/prandaj po të këndoj/.”

Kjo është serenata! Jo ajo e deformuara që këndojnë sot!

 

-Më lart ndave me mua një moment mërzitje, Pse ishe e merzitur? Lotët rrjedhin  o nga gëzimi o nga trishtimi dhe  një vajzë e bukur dhe me sytë jeshilë e të vecantë, si ju por edhe  e dashuruar, cfarë kishte ndodhur?

 

-Miqësia dhe kënga janë të lidhura me njëra tjetrën sikundër është dashuria me dhimbjen, apo ndarja, apo tradhëtia e mikut të zemrës – dhimbje e bukur është dashuria, apo jo…?(Buzëqesh dhe fillon të këndojë):

“Ti më erdhe në netët e qeta/në krahët e mij si demon/më dehe me puthjet e fshehta/ si ëndrra që vjen edhe shkon/” Kjo serenatë është për  dashurinë  time të  parë, për  mikun e zemrës sime….. Ajo serenatë solli edhe tjetrën e tjetrën, që janë zinxhir në kujtim të dashurisë e miqësisë sime të parë, që jeta na hodhi në kahe të kundërta,  por gjithsesi ajo vazhdoi me të mirat e të trishtat e ndarjes…. Sa e dëshpëruar isha aq edhe e lumtur, kur këndoja,  sepse këto këngë  ishin shpresë e optimizëm, për të përballuar humbjen e dashurisë, ndarjen, me dhanë forcë e kurajo, për të kënduar dhe gëzuar jetën në vazhdim…

“Sonte festë ka e gjithë bota/ botë moj gjithmonë pac gëzim/ verë e kuqe derdhet nëpër gota/ bora jashtë shtrohet si qilim/ Të gjitha shoqet në gostira vanë/ vetëm unë sonte nuk festoj/ trimi e zemrës, që se kisha pranë/ me mendime do ta shoqëroj…”. Miku im i zemrës   ngjiti shkallët e karrierës dhe u bë një nga artistët më të shquar të humorit, ekranit e skenës shqiptare, por që fatkeqësisht nuk jeton më. U prehtë në Paqe!

 

-Një moment i vështirë?

 

Momenti më i vështira në jetën time ka qënë  vdekja e nënës sime në moshë relativisht të re, por iku edhe me brengën që nuk më martoi. Nuk më hiqet nga mendja, nata e një koncerti  me pjesëmarrjen e njerëzve të pushtetit në Korcë. E  kemi dhënë te lulishtja e njohur me emrin simbolik “Panda”. Vetëm  pesë ditë,  që nëna ime e shtrenjtë  ishte ndarë nga jeta. Unë vërtet këndova, packa se zemra më këndonte dhe sytë  lotonin. Ishte moment tejet i vështirë e mbresëlënës në jeten time. Por edhe ideja se nëna ime ishte  në qiell dhe unë në tokë –këndoja  mes hyjnores e njerezores.

 

-Një situatë mbresëlënëse?

 

Pak kohë të ndarjes nga jeta të nënës tonë u fejua vëllai i madh. Ndjemë gëzim, aq më tepër, që ky gëzim erdhi mbas hidhërimit e dëshpërimit për nënën. Ashtu të trishtuar sikundër ishim në familje për mungesën e nënës tonë në orën  12 të natës dëgjojmë një grup djemsh që këndonin jashtë (shokët e vëllait) –që dëshpërimin ta kthenin në gëzim, duke i kënduar serenata vëllait e të fejuarës së tij. Ndërkohë  cohem dhe hap derën dhe i mirëpresim ata  djem duke kënduar serenatën:  “ Oh këtë dritare sa herë e kam parë/ hënën lozonjare dhe ne me kitarë”. Për një cast harruam trishtimin që kishte ngërthyer familjen tonë, dhe  na sollën gëzim e hare, së bashku me shpirtin e nënës që na vështronte nga qielli. Dhe dicka tjetër. Babai im ishte nostalgjik dhe dashamirës i pandreqëshëm i muzikës –e shpreh me fjalën popullore të dialektit korcar -“Bekri”- ia thoshte edhe gotës së rakisë dhe këngës. Ishte aq i dhënë pas muzikës sa babai para se të ndahej nga jeta gjithmonë shokëve iu thoshte në bisedë  e sipër: “ mos më qani kur të vdes/ por më këndoni! Ditën e parë të vdekjes së babait nuk  mundej të këndonim,  sipas traditës dhe riteve të lamtumirës së fundit, por ata shkuan më të nesërmen te varri i babait dhe kënduan me kitarë, si Ilo Trebicka, Mico Plluska,  Koli Toroveci dhe Lako Pema.

Momente mbresëlënëse kam shumë,  unë kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj në gëzime familjare, të motrës e vëllezërve, nipërve e mbesave. Gjitashtu  me shoqëri mbildhemi akoma dhë këndojmë. Kënga dhe Serenata më mbajnë optimizmin e shpresën, na mbajnë gjallë,  pamvarësisht se mosha bën të vetën dhe ne mplakemi (qesh me shpirt e nis këndon):

“Se do plakesh, do thinjesh si dele/do shurdhohesh, do krusesh një ditë/ do të shkojnë të ëmblat përkëdhelje/ dhe buqeta me lule mos prit!” Por mos u trishtoni se serenata dhe dashuria nuk njohin mplakje… kanë vetëm përjetësi…

 

-Ndryshimi mes serenatave të vjetra dhe atyre që këndohen në ditët e sotme…

 

Për mendimin tim  serenata e kohës sonë ka qenë një serenatë brilante. Ndjehem keq e kam shprehur gjithmonë se kur dëgjoj sot, ta deformojnë serenatën sipas dëshirave apo kopjimeve që i bëjnë nga muzika e huaj, dhe jo që  cdo këngë që krijojnë ta quajnë serenatë. JO,  cdo tinguj apo muzikë  quhet serenatë! Prandaj e përsëris me ndjenjën e artistit -serenatist, serenata qe sekreti i zemrës e këndonte sinqeriteti i zemrës, e  këndonte sekreti i shpirtit, këndonte ndjenja, këndonte dashuria-sepse këngës, muzikës,  po nuk i dhe ndjenjën, nuk mundesh ta këndosh.

 

-Përvecse serenatave dhe si aktore,  a keni kënduar këngë të muzikës së lehtë apo popullore ?

 

-Sigurisht që kam kënduar këngë popullore të kompozuara nga Abaz Ajro, Pavllo Sholla dhe nuk mund të lë pa përmendur me respekte e mirënjohje kompozitorin e shquar të muzikës së lehtë e popullore, Josif Mingën. Ja këngën e parë popullore që kam kënduar: “Të erdha në porta, gjeta ca fëmijë/brenda nuk hyra se nuk ishe ti/nëna sec më nxorri gotën e rakisë/unë nuk e piva se nuk ishe ti!” Po ju sjell një këngë popullore, që mu ngjit si “pullë postare’. E kam kënduar duet me Niko Qiricin: “ Që nga majë e malit/ta shtira dylbinë ty/nga të gjitha cupkat/ më e bukura je ti/-ndërsa unë i përgjigjesha: “ them të rri beqare/them të mos martohem/si vapë e korrikut/digjem përvëlohem”. Dhe vërtet u “përvëlova”, se unë nuk u martova, mbeta beqare.

 

-A i keni mbledhur serenatat që ju keni kënduar  në CD –I ?

 

Me sakrifica të mëdha, arrita të bëja një CD-i me serenatat e vjetra, të nxjerra nga “sëndyqi i serenatave”. Kënaqem kur i dëgjoj dhe mallëngjehem në të njëjtën kohë. Gjithashtu kënaqësia ime është kur shumë fansa të mij nostalgjikë të pandreqshëm të serenatës ma kërkojnë këtë CD-i. Ja një moment tepër mbresëlënës. Para do kohe më erdhi një mik i fëmijërisë, por edhe një nga fansat e mij më të “cmendur”, emigruar prej 10 vitesh në USA, 24 karat korcar -Orjon Trebicka. Për hir të së vërtetës edhe Orioni ka pasë kënduar serenatën dikur, si tërë djalëria korcare. Jemi takuar me plot mall e përzëmërsi, kujtuam plot mbresa dhe filluam të këndonim serenatat, që këndonim dikur te sofati i portës. Ajo c’ka më bëri mua krenare e të lumtur se ai i këndonte serenatat plot pasion, ruante me nostalgji e fanatizëm tingujt melankolikë e të ëmbël të serenatës, sa as vetë nuk e kuptonim që po këndonim, dhe lotë na rridhnin nga sytë e të dyve, sigurisht ishin lotë gëzimi, lotë malli –lotë miqësie e shoqërie.Të vecantë janë edhe dy vëllezërit e mij, që  vazhdojnë t’i këndojnë serenatat. Vëllai i madh ka kënduar  me djelmurinë korcare në rrugicat e pastra me kalldrëm të Korcës. Vëllai tjetër, megjthëse zanati i tij është doktor, i ruan dhe i këndon të gjitha serenatat origjinale dhe plot të tjera këngë, dhe është aq origjinal, sa bën edhe vërejtjet e duhura kur gabon ndonjë tingull apo stonon—duke më qortuar e thënë se  duhet kështu. Dhe pikërisht është ky vëlla doktor që ashtu sikundër jep ‘ilacin e duhur” për të shëruar pacientin e sëmurë, ashtu jep edhe mesazhin:Të ruajmë serenatën si një perlë e trashëgimisë e traditës së qytetarisë korcare.Mesazh të cilit i bashkohem edhe unë.

 

-Cfarë dëshiron të shtosh në mbyllje të kësaj interviste…?

Në mbyllje të kësaj interviste dëshiroj të bëj homazhin solemn e shpirtëror, për ata serenatistë të pandreqsheëm, kantautorë e artistë, njerës modestë, por shumë të nderuar e respektuar, që kanë dhënë shumë nga talenti dhe shpirti i tyre, por që nuk jetojnë më, sikundër: I mirënjohuri Piro Sulioti, do e quaj të madhin e të pavdekshmin Abas Ajro, Sotiraq Mite-apo Raqka i serenatave, një nga kantautorët më të njohur i viteve ’50, të shekullit të kaluar,  Sotiraq Qanon-princin e serenatave, të mrekullueshmen Afërdita Katundin, kantautorin e ndarë para pak viteve nga jeta Piro Visarin, dirigjentin Aleko Skali, kompozitorin e shquar korcar Pavllo Sholla, Naskë Bicollin, Nesti Miska, Aristidh Themeli, të paharruarin që shpresoj e besoj koha duhet ta vleresojë Nusret Frashërin,  Qeti Cicon,etj, etj. Dua të përshëndes, inkurajoj e falenderoj pasardhësit e brezit të artë të serenatistëve, brezin tonë e atë të ri,  që i kënduan e vazhdojnë t’i këndojnë serenatat, për ta ruajtur këtë perlë të pazvendësueshme të trashëgimisë sonë kulturore qytetare korcare, që nga e mirënjohura dhe e talentuara Fatbardha Hoxha, një nga këngëtaret më profesioniste të kohës.Megjithëse kanë kaluar dekada në e ruajmë miqësinë e bashkëpunimin, vazhdojmë të këndojmë serenatat kur mblidhemi me shoqërinë. Do dëshiroja shumë që kritika e artit të muzikës, të hedhë sytë nga Bardha Hoxha, duke i dhënë vlerësimin dhe vendin që asaj i takon në historinë e artit e kulturës shqiptare. Përshëndes e falenderoj Ermira Babaliun, që aty në Amerikën e Largët con peshë zemrat e emigrantëve  shqiptarë me serenatat korcare, -të mrekullueshmen e të mirënjohurën Eli Fara,  Laxarela Detin-vajzën korcare që i këndon me shpirt serenatat dhe këngën popullore korcare, Mimoza Paravelin –një nga këngëtaret më të spikatura të serenatës korcare, Jorgjeta Lalazin-korcaren 24 karat serenatiste e dalë nga  fisi Lalazi- i njohur për serenatat, së bashku me vëllain e saj Koco Lalazi, po ashtu nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli, Ritvan Shëllira,  Mihallaq Zallëmi, Naskë Kondili,  Kico Sholla, Gjergji Peleshi, Ilia Peleshi Mihallaq Andrea, Ilkë Vinjau,  Nonda Kajno, Ermira Kola Strati, vëllezërit Stefi & Endri Prifti, Vaskë Gaqi, Vaskë Nico, Devis Xherahu, Gena Lito, Maksi Kulla, etj, etj.

Ju faleminderit!

Ne Foto: Spanja Pipa duke i rene kitares te drama “Era e Lartesive” e Namik Dokles ne rolin e vajzes gjeologe  dhe rrotull saj kendojne aktore te shquar si Pandi Rraidhi Sotiraq Bratko etj,.

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Raimonda Moisiu, Spanja Pipa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT