Ne Foto: Shqiptaret gjate Luftes se Pare Boterore, ne radhet e ushtrise Austrohungareze. Foto e publikuar nga Revista “Perparimi”, New York, Qershor 1916. Fotografia ka kete nenshkrim:” Vetedashes shqiptare, bashkeleftojne me Austro Germanet, kundra serbeve. /
PARIS, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik 1914 dhe zgjati deri më 11 nëntor 1918. Konflikti i parë i madh botëror i shekullit XX, “Lufta e Madhe”, që mobilizoi 70 milionë ushtarë nga të gjitha kontinentet, shkaktoi vdekjen e 10 milionë personave, plagosjen e 20 milionë të tjerëve dhe rënien e katër perandorive (ruse, austro-hungareze, gjermane dhe otomane).
Më poshtë vijojnë datat më të rëndësishme të kësaj lufte:
1914
28 qershor – Vritet në Sarajevë trashëgimtari i fronit të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinandi i Habsburgëve, nga një student nacionalist, i serbëve të Bosnjes, Gavrilo Princip.
28 korrik – Lojërat e aleancave mes fuqive të mëdha do të trondisin krejtësisht botën me një konflikt të paprecendetë. Austro-Hungaria i shpall luftë Serbisë. Në datën 30 korrik mobilizohet Rusia e cila do që të mbrojë Serbinë, të cilën e ka aleate strategjike.
1 gusht – Gjermania dhe Franca dekretojnë mobilizimin e përgjithshëm. Gjermania i shpall luftë Rusisë.
3 gusht – Gjermania i shpall luftë Francës. Trupat gjermane pushtojnë Belgjikën që kishte shpallur neutralitet.
4 gusht – Britania e madhe i shpall luftë Gjermanisë.
19-24 gusht – “Beteja e Kufijve”, në kufirin franko-belg në veri dhe atë franko-gjerman në lindje, trupat franceze dështojnë dhe tërhiqen me 200 kilometra për t’u riorganizuar në Marne. Data 24 gusht do të jetë dita kur trupat franceze humbasin më shumë njerëz gjatë gjithë luftës, rreth 27 mijë.
23 gusht – Japonia i shpall luftë Gjermanisë.
26-30 gusht – Beteja e Tanenbergut, gjenerali gjerman Hindenburg rrethon trupat ruse, që kishin sulmuar më 17 gusht, më herët se sa kishte parashikuar Berlini, në frontin e Prusisë Lindore.
6-9 shtator – Beteja e Marnesë, ku një kundërofensivë franko-britanike bllokoi avancimin e Gjermanisë vetëm 40 kilometra larg Parisit duke i shtyrë drejt veriut. Rreth një milion ushtarë aleatë përballen me 800 mijë gjermanë. Gjatë luftimeve pati rreth 500 mijë të vdekur dhe të plagosur.
Shtator-Nëntor – Në frontin lindor është duke u zhvilluar “gara për detin”, mes trupave franko-britanike dhe atyre gjermane, të cilat përpiqen që të rrethojnë njëra tjetrën, në 17 nëntor luftimet u kryen në Detin e Veriut. Fronti që tashmë shtrihej deri në kufirin zviceran, nuk do të ndryshojë më deri në pranverë të vitit 1918. Fillon lufta e transheve, që kishte si synim mbrojtjen e kufijve lindorë dhe jugorë. Ky lloj luftimi do të zgjasë gjatë gjithë konfliktit.
1 nëntor – Perandoria Otomane hyri në luftë në krahë të Perandorive të Qendrës, pasi frenoi anvancimin e trupave ruse dhe e izoloi atë.
1915
18 mars-dhjetor – Fillon një ofensivë detare dhe tokësore e Aleatëve në Dardanele, që kishte për synim lirmin e ngushticës dhe goditjen në zemër të Perandorisë Otomane, por doli një dështim i plotë. Më 25 prill, trupa angleze, neozelandeze, australiane dhe franceze zbarkuan në gadishullin Galipoli por u bllokuan nga forcat turke. Ato do të evakuohen përfundimisht në janar të vitit 1915. Gjatë këtij operacioni humbën jetën 180 mijë aleatë, mes të cilëve 30 mijë francezë ndërsa nga pala tjetër, 66 mijë turq. Fronti jugor do të mbetet i bllokuar deri në vjeshtën e vitit 1917.
22 prill – Gjermanët fillojnë sulmin e parë me gaz toksik kundër trupave franceze dhe kanadeze pranë Ypres në Belgjikë.
24 prill – Arrestohen dhe masakrohen më shumë se 2 000 armenë në Konstandinopojë. Ky është fillimi i gjenocidit armen në Perandorinë Otomane që do të marrë jetën e 1,5 milionë personave deri në vitin 1917, por 250 mijë deri në 500 mijë sipas Turqisë.
7 maj – Fundoset transatlantiku britanik ”Lusitania”, në brigjet e Irlandës nga një nëndetëse gjermane ku u mbytën 1 198 persona, mes të cilëve 128 amerikanë, veprim ky që tronditi demokracitë perëndimore.
23 maj – Italia hyn në luftë përkrahë Aleatëve
5 tetor – Zbarkonjnë trupa aleate në Selanik. Hyn në luftë Bullgaria përkrahë Gjermanisë.
1916
21 shkurt – Fillon beteja e Verdunit me një ofensivë gjermane që thyen linjat franceze. Trupat franceze nëpërmjet luftimeve të përgjakshme që zgjatën deri në qershor, arritën të mbajnë nën kontroll sulmin gjerman. Të paktën 300 mijë ushtarë francezë dhe gjermanë vdiqën në “ferrin e Verdunit”, që simbolizon në kujtimet e francezëve heroizmin e “poilus” (quanin francezët në mënyrë informale trupat ushtarake tokësore).
9 mars – Marrëveshjet “Sykes-Picot” vendosin në Lindjen e Afërt zonat e influencës franceze dhe angleze.
7 qershor – Fillon revolta arabe kundër Perandorisë Otomane, e nxitur nga britanikët dhe kryesisht nga i famshmi “Lorenci i Arabisë”.
1 korrik – Fillon beteja e Sommesë, më e përgjakshmja e Luftës së I Botërore, ku më shumë se tre milionë trupa përballen deri në 18 nëntor. Më 15 shtator, britanikët përdorën për herë të parë tanket. 1,2 milionë trupa vdiqën, u plagosën dhe u shpallën të humbur gjatë kësaj beteje, e shenjtëruar në Britaninë e Madhe por edhe në Gjermani.
1917
1 shkurt – Fillon lufta nëndetare me përparësi të Gjeramanisë, kjo solli edhe prishjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në.
8-15 mars – Revolucioni Rus (i quajtur edhe “Revolucioni i Shkurtit” sipas kalendareve Julianë që përdoreshin në atë kohë në Rusi). Rrëzohet dinastia e Romanovëve dhe cari NiKolla II abdikon.
6 prill – SHBA-ja hyn në luftë kundër Gjermanisë pasi kjo e fundit fundosi shumë anije amerikane në oqeanin Atlantik.
16 prill-9 maj – Dështim i thellë i një ofensive franceze në “Rrugën e Zonjave”, në frontin e Shampanjës, ku humbën jetën me mijëra ushtarë vetëm në pak ditë. Manifestime të ndryshme filluan në radhët e ushtarëve francezë. Edhe ushtritë e vendeve të tjera do të goditen gjithashtu nga manifestime dhe pakënaqësi gjatë gjithë vitit.
5-6 nëntor – Revolucioni i dytë rus (“Revolucioni i Tetorit”) sjell Leninin dhe komunistët bolshevikë në pushtet.
9 dhjetor – Britanikët hyjnë në Jerusalem, një muaj përpara deklaratës së Balfurit, ku Britania e Madhe deklaroi se ishte pro krijimit të një vatre për popullin izraelit në Palestinë.
15 dhjetor – Nënshkruhet një amnisti në Brest-Litovsk mes Rusisë dhe Perandorive të Bllokut. Rusia më pas do të shtyjë nënshkrimin e Traktatit të Paqes që parashikohej më 3 mars 1918, pasi Gjermania kishte hyrë në thellësi të territoreve ruse.
1918
8 janar – SHBA-ja shpall hyrjen në luftë me një deklaratë të njohur si “Katërmbëdhjetë Pikat”, që do të shërbejë si bazë për traktatet e pasluftës. Ndërhyrja ushtarake amerikane, që do të fillojë në pranverë, do të jetë vendimtare për t’i dhënë fund luftës.
21 mars – Gjermanët lëshojnë sulmin e parë të një serie prej katër ofensivash, në frontin perëndimor, me shpresën që të arrijnin fitoren pëpara se trupat amerikane të zbarkonin. Ata arritën të thyejnë frontin për herë të parë që prej vitit 1914, duke kërcënuar sërisht Parisin. Francezët dhe britanikët u tërhoqën por arritën të rezistojnë.
15 korrik – Kundërofensivë fitimtare e Aleatëve në Villers-Cotterêts, ku mbështetja e trupave amerikane dhe përdorimi i tanKeve shtynë trupat gjermane përtej Marnesë, këtu fillon një tërheqje e Gjermanisë pa kthim, që përfundon me nënshkrimin e armëpushimit. Trupat aleate avancuan gjithashtu edhe në Ballkan dhe në frontin lindor.
Shtator-Nëntor – Bie një pandemi gripi e quajtur “gripi spanjoll” që do të shkaktojë vdekjen e më shumë se 20 milionë personave në të gjithë Evropën brenda dy viteve.
30 tetor – Perandoria Otomane kërkon një armëpushim, që do të ndiqet më 3 nëntor nga Austro-Hungaria.
9 nëntor – Perandori Vilhelmi II abdikon. Filluan manifestime të fuqishme në Berlin.
11 nëntor – Aleatët fitojnë. Armëpushimi me Gjermaninë u nënshkrua në një vagon, në Rethondes, dhe hyri në fuqi në orën 11:00. (materiali u mor nga ATSH)
SPECIALE- DORËHEQJA E BENEDIKTIT XVI NGA MISIONI I TIJ PAPNOR
Lajm historik, i papritur e i përvuajtur i Papës Benediktit XVI dhënë sot gjatë Koncistorit kardinalor publike mbajtur sot paradite në Vatikan, ai i dorëheqjes nga papnia, ai i dorëheqjes nga shërbimi ipeshkvnor në selinë e Pjetrit. Nga data 28 shkurt 2013, ora 20.00 Selia e Shenjtë do të jetë seli vakante.
Pra në Koncistorin e sotëm për shpalljen e shenjtorëve të rinj, Papa Benedikti XVI bënë një deklaratë pa precedent, me të cilën shpall dorëheqjen nga shërbimi tij ipeshkvnor në selinë e Pjetrit, më 28 shkurt, pra në fund të këtij muaji. Ja deklarata e plotë:
“Të dashur Vëllezër,
ju thirra në këtë Koncistor jo vetëm për tre shenjtërimet, por edhe për t’ju komunikuar një vendim me rëndësi të madhe për jetën e Kishës. Pasi rrëmova shumë herë ndërgjegjen time para Zotit, jam tashmë i sigurtë se forcat e mia, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të mjaftueshme për të ushtruar si duhet shërbimin tim petrin. Jam mëse i vetëdijshëm se ky shërbim, për thelbin e tij shpirtëror, duhet të kryhet jo vetëm me vepra e me fjalë, por jo më pak, edhe duke vuajtur e duke u lutur. Gjithsesi, në botën e sotme, e cila u nënshtrohet ndryshimeve të shpejta e shqetësohet nga çështje me rëndësi të madhe për jetën e fesë, për të drejtuar barkën e Shën Pjetrit e për të shpallur Ungjillin, është e nevojshme si fuqia e trupit, ashtu edhe e shpirtit, fuqi, që gjatë muajve të fundit, më ka lënë aq, sa të pranoj se nuk jam më në gjendje ta kryej si duhet shërbimin, që m’u besua. Për këtë, mëse i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij akti, me liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën Pjetrit, që m’u besua përmes kardinajve më 19 prill 2005, në mënyrë të tillë që, nga 28 shkurti 2013, në orën 20.00, selia e Romës, selia e Shën Pjetrit, të jetë vakante e të thirret nga ata, që e kanë për detyrë, Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri.
Të dashur vëllezër, ju falenderoj me gjithë zemër për gjithë dashurinë e punën me të cilën keni mbajtur bashkë me mua, peshën e ministerit tim, e ju kërkoj falje për të gjitha të metat e mia. Tani, t’ia besojmë Kishën Shenjte kujdesit të Bariut të saj, Zotit tonë, Jezu Krishtit e, t’i lutemi Marisë, Nënës së tij të shenjtë, që t’i ndihmojë me mirësinë e saj amnore etërit kardinaj në zgjedhjen e një Pape të ri. Përsa më përket mua, edhe në të ardhmen, do t’i shërbej me gjithë zemër, me një jetë kushtuar lutjes, Kishës së Shenjtë të Zotit.
Nga Vatikani, 10 shkurt 2013”
Kardinali Sodano: ylli i papnisë së Tij do të vezullojë përgjithmonë mes nesh
Shenjtëri, i dashur dhe i nderuar Pasardhës i Pjetrit, si një rrufe në qiell të kthjellët, jehoi në këtë sallë mesazhi juaj prekës. E dëgjuam të përhumbur, si dëgjohet një kumt gati-gati i pabesueshëm. Në fjalët tuaja vërejtëm dashurinë e madhe, që keni pasur gjithnjë për Kishën Shenjte të Hyjit, për këtë Kishë, që ju e deshët aq shumë. Tani, më lejoni t’ju them, në emër të këtij çenakulli apostolik, kolegjit kardinalor, në emër të këtyre bashëkëpunëtorëve tuaj të dashur, më lejoni, pra, t’ju them se jemi më shumë se kurrë pranë jush, ashtu si ishim gjatë këtyre tetë vjetëve të ndritshme të papnisë suaj. Më 19 prill 2005, me sa më kujtohet, në përfundim të Konklavit, unë ju pyeta, me zërin, që më dridhej nga emocioni: “A e pranoni zgjedhjen tuaj kanonike si Papë?”. E ju nuk vonuat, ndonëse me emocion, të përgjigjeshit. Pohuat se e pranoni, duke u mbështetur në Hirin e Zotit e në ndërmjetësimin amtar të Marisë, Nënës së Kishës. Ashtu si Maria, edhe ju, në ato ditë, thatë ‘po-në’ tuaj dhe e nisët papninë tuaj të ndritshme, në hullinë e vazhdimësisë, të asaj vazhdimësie, për të cilën ju na keni folur aq shumë në historinë e Kishës; në hullinë e vazhdimësisë me 265 paraardhësit në katedrën e Pjetrit, gjatë dymijë vjet historie, nga Apostulli Pjetër, peshkatar i përvuajtur i Galilesë, deri tek Papët e mëdhenj të shekullit të kaluar, duke nisur nga Shën Piu X, deri tek i Lumi Gjon Pali II.
Atë i Shenjtë, para 28 shkurtit, siç thatë edhe Ju vetë, ditë, në të cilën dëshironi të thoni fjalën e fundit të shërbimit tuaj papnor, kryer me aq dashuri e përvuajtëri, para 28 shkurtit, do të kemi mundësinë t’jua shprehim më mirë ndjenjat tona. Kështu do të bëjnë gjithë barinjtë e besimtarët, përhapur nëpër botë, e po kështu, edhe njerëzit vullnetmirë, njëherësh me autoritetet e shumë vendeve. Pastaj akoma, në këtë muaj, do të kemi gëzimin ta dëgjojmë zërin tuaj prej bariu të mërkurën, ditën e Përhimjes, e pastaj edhe të enjten, me klerin e Romës, në lutjet e Engjëllit të Tënzot të këtyre të dielave e në audiencat e të mërkurave. Do të kemi, prandaj, edhe shumë raste të tjera për ta dëgjuar zërin tuaj atëror. Por misioni juaj do të vijojë. Ju na thatë se do të jeni gjithnjë pranë nesh me dëshminë tuaj e me lutjen tuaj. Sigurisht yjet në qiell do të vijojnë të vezullojnë e kështu do të vezullojë mes nesh edhe ylli i papnisë suaj. Jemi pranë jush, Atë i Shenjtë, e na beko!
Papnia e Benediktit XVI: 8 vjet nën shenjën e fesë
“Unë, shërbëtor i ligshtë i Zotit, duhet ta marr mbi vete këtë detyrë të pashembullt, që e kapërcen çdo aftësi njerëzore”. Me këto fjalë, shqiptuar në homelinë e 24 prillit 2005, e niste papninë e tij Benedikti XVI.
E, në Meshën për fillimin e papnisë, shpjegonte: “Programi im i vërtetë i qeverisjes, është të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia, por të vihem, me gjithë Kishën, në dëgjim të fjalës e të vullnetit ë Zotit e ta lë veten të më prijë Ai vetë”.
U zgjodh në fronin e Shën Pjetrit më 19 prill 2005, në moshën 78 vjeçare, duke u bërë Papa i shtatë gjerman në historinë e Kishës, pas një Konklavi, që zgjati vetëm dy ditë, me katër numërime votash. Zinte vendin e Gjon Palit II.
Në fjalimin e parë të Benediktit XVI, ndjekur nga bekimi Urbi et Orbi-Romës e Botës, nuk mungoi kujtimi për paraardhësin “Pas Papës së madh Gjon Pali II, zotërinjtë kardinaj më zgjodhën mua, punëtorin e thjeshtë e të përvuajtur në vreshtin e Zotit. Më ngushëllon fakti se Zoti di të punojë e të veprojë edhe me mjete të mangta e, posaçërisht, mbështetem në lutjet tuaja”.
Me rastin e audiencës së parë të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, më 27 prill 2005, shpjegonte arsyet e zgjedhjes së emrit papnor: “Desha të quhem Benedikti XVI për t’u rilidhur simbolikisht me papën e nderuar Benedikti XV, i cili i priu Kishës në një periudhë tejet të trazuar, për shkak të luftës botërore. Qe profet guximtar e i vërtetë i paqes e punoi me qëndresë burrërore, një herë për ta shmangur dramën e luftës, e pastaj për t’i kufizuar pasojat e saj orgurzeza. Dëshiroj të ec mbi gjurmët e tij, në shërbim të paqes e të harmonisë ndërmjet njerëzve e popujve, me bindje të thellë se e mira e madhe e paqes është, mbi të gjitha, dhuratë e Zotit, ndonëse tejet e brishtë dhe e çmuar, për të cilën duhet të lutemi e ta ruajmë, duke e ndërtuar ditë për ditë me ndihmesën e të gjithëve”.
Më 7 maj 2005, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, gjatë Meshës për fillimin e papnisë, Benedikti XVI e përsëriti edhe një herë konceptin e “shërbëtorit të ligshtë të Zotit”: “Ai, që kryen misionin papnor, duhet të jetë i vetëdijshëm se është njeri i brishtë e i ligshtë – siç janë të brishta e të ligshta forcat e tij – e gjithnjë nevojtar për pastrim e pendesë”.
Gjatë pothuajse tetë vjetëve të papnisë, Benedikti XVI e vuri gjithnjë fenë, në qendër të çdo veprimtarie. Një primat, që e pati theksuar në Eukaristinë Pro Eligendo Romano Pontefice kur, si dekan i Kolegjit kardinalor, aso kohe ende Jozef Ratcinger, pohonte: “ Një fe, që ndjek valët e modave dhe të renë e fundit, nuk mund të themi se ka fituar pjekurinë. E rritur dhe e pjekur është feja e ngulitur thellësisht në miqësinë me Krishtin. Është kjo miqësi, që i hap rrugën gjitha të mirave e që na jep kriterin për të dalluar çiltërisnë, nga mashtrimi; të vërtetën, nga gënjeshtra”.
Gjatë papnisë së tij, Benedikti XVI shkroi e shpalli tri Letra enciklike (“Deus caritas est”, “Spe salvi” dhe “Caritas in veritate”).
Veç tyre, botoi katër Nxitje apostolike pas sinodale: “Sacramentun Caritatis”, kushtuar Eukaristisë si burim e kulm i jetës dhe i misionit të Kishës (22 shkurt 2007), “Verbum Domini”, kushtuar Fjalës së Zotit në jetën dhe misionin e Kishës (30 shtator 2010); “Africa munus”, kushtuar Kishës në Afrikë, në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e paqes (19 nëntor 2011); “Kisha në Lindjen e Mesme: bashkim e dëshmi” (14 shtator 2012), kushtuar pikërisht Kishës së kësaj zone të trazuar të botës.
Botoi tre libra personalë, kushtuar figurës historike të Jezu Krishtit: “Jezusi i Nazaretit”(2007); “Jezusi i Nazaretit. Nga hyrja në Jeruzalem deri në ngjallje”(2011); dhe “Fëmijëria e Jezusit” (2012).
Benedikti XVI shtegtoi në 21 vende të të pesë kontinenteve: vizitoi tri herë Gjermaninë (shtegtimi i parë apostolik jashtë kufirit, ai për Ditën Botërore të Rinisë të Këlnit); pastaj Poloninë, atdhe i Gjon Palit II; Spanjën (tre shtegtime, një për Ditën Botërore të Rinisë); Turqinë, Austrinë, Francën, Republikën Çeke, Maltën, Portugalinë, Qipron, Mbretërinë e Bashkuar, Kroacinë dhe San Marinon.
Shtatë, shtegtimet e tij apostolike ndërkontinentale: në Brazil, SHBA, Meksikë, Kubë, Australi, Afrikë (Kamerun, Angola e Benin); Liban e Tokë Shenjte (Jordani, Izrael).
Tridhjetë, vizitat apostolike në Itali: në Bari (29 maj 2009, në përfundim të Kongresit XXIV Eukaristik Kombëtar); në Shenjtëroren e Fytyrës së Shenjtë të Manopelos (1 shtator 2006); Veronë (19 tetor 2006, për Takimin IV Kombëtar të Kishës italiane); Vigjevano e Pavi (21-22 prill 2007); Asizi (2 herë: 17 qershor 2007 per 800-vjetorin e Kthimit të Shën Françeskut dhe më 17 tetor 2011, për Ditën e reflektimit, dialogut dhe lutjes për paqen e drejtësinë në botë); Loreto (2 herë: më 1-2 shtator 2007, me rastin e takimit të të rinjve italianë; më 4 tetor 2012 në 50-vjetorin e shtegtimit të Gjonit XXIII); Veletri-Senji (23 shtator 2007); Napoli (21 tetor 2007); Savonë e Gjenovë (17-18 maj 2008); Santa Maria di Leuka e Brindizi (14-15 qershor 2008); Caliari (7 shtator 2008); Shenjtërorja Papnore e Pompeit (19 tetor 2008); zonat e dëmtuara nga tërmeti të Abruzeve (28 prill 2009); Casino e Montecasino (24 maj 2009); San Giovanni Rotondo (21 qershor 2009); Viterbo e Banjoregjo (6 shtator 2009); Bresha e Conçesio (8 nëntor 2009); Torino (2 maj 2010); Sulmona (4 korrik 2010); Karpineto Romano (5 shtator 2010); Palermo (3 tetor 2010); Akuileia e Venecia (7-8 maj 2011); San Marino-Montefeltro (19 qershor 2011); Ankona (11 shtator 2011 për përfundimin e Kongresit XXV Eukaristik Kombëtar); Lamecia Terme e Serra San Bruno (9 tetor 2011); Areco, La Verna e Sansepolkro (13 maj 2012); Milano (1-3 qershor 2012 per Takimin VII Botëror të Familjeve); në zonat e dëmtuara nga tërmeti të Emilia-Romanjës (26 qershor 2012).
Më 11 shkurt 2013, njoftimi për dorëheqjen gjatë Koncistorit për disa çëshje shenjtërimi. Shkruhet në Kodin e së Drejtës Kanonike, në paragrafin e dytë, neni 332: “Në rast se Papa i Romës heq dorë nga detyra e tij, kërkohet, për vlefshmëri, që dorëheqja të bëhet lirisht e të shprehet siç i takon. Nuk kërkohet, ndërkaq, që ndokush ta pranojë”.
Përmbledhje nga takimi i atë Lombardit me gazetarë për dorëheqjen e Papës
Papa na zuri paksa në befasi e pastaj, në një ditë që, kemi parasysh Vatikanin, është festive, prej këndej, na u desh të organizohemi shpejt e shpejt për këtë ngjarje tejet të rëndësishme. Siç e dinin shumë nga ju, sot paradite do të mbahej Koncistori i zakonshëm publik për disa çështje shenjtërimesh e, prej këndej, do të caktohej edhe dita e shenjtërimit të disa shenjtorëve të rinj. Me këtë rast u thirrën – prandaj quhet koncistor publik – kardinajtë, të gjithë kardinajtë, që janë në Romë e që mund të marrin pjesë. Ishte, prandaj, një numër i madh kardinajsh. Kush mundi t’i ndjekë edhe pamjet, e unë munda t’i ndjek, pa se në sallën e Koncistorit, rreth Atit të Shenjtë, ishin shumë kardinaj. Mund të themi se Papa e zgjodhi këtë rast, posaçërisht domethënës, në mes të kardinajve, së paku atyre që janë këtu në Romë, për ta dhënë këtë njoftim kaq të rëndësishëm.
Tekstin e dorëheqjes Papa e lexoi në gjuhën latine, në përfundim të Koncistorit.
Në të Ati i Shenjtë thekson se e rrëmoi vazhdimisht ndërgjegjen para syve të Zotit. E kështu arriti tek ky përfundim personal, i thellë, i marrë në atmosferën e lutjes përballë Zotit, nga i cili e ka marrë misionin, që po kryen. U bind, kështu, se forcat e tij, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të përshtatshme për të ushtruar si duhet ministerin papnor. E ky është edhe shkaku kryesor i vendimit. Rrëmimi i ndërgjegjes për forcat, në lidhje me ministerin, me detyrën, që duhet kryer. Vijon, pastaj, duke pohuar se është plotësisht i vetëdijshëm që ky minister, për natyrën e vet shpirtërore, duhet kryer jo vetëm me vepra e me fjalë, por edhe me vuajtje e me lutje, prej këndej, është edhe vlera e vuajtjes dhe e lutjes në këtë minister.
Ndërmjet shkaqeve të dorëheqjes së Papës, siç vërehet në fjalët e tij, janë edhe rrethanat e botës së sotme, në krahasim me të kaluarën, posaçërisht impenjative, për shpejtësinë e cilësinë e ngjarjeve e të problemeve, që krijojnë e, prej këndej, edhe kërkesa për më shumë energji, se në të kaluarën. Energji, që Papa pohon se i janë pakësuar muajt e fundit.
Domethënëse fraza: “Mëse i vetëdijshëm për këtë akt, me liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën Pjetrit”. Kjo është deklarata, si të themi, formale, e rëndësishme në këndvështrimin juridik. Në Kodin e së Drejtës Kanonike, neni 332, paragrafi 2, lexojmë: “Në rast se Papa i Romës heq dorë nga detyra e tij, kërkohet, për vlefshmëri, që dorëheqja të bëhet lirisht e të shprehet siç i takon. Nuk kërkohet, ndërkaq, që ndokush ta pranojë”.
Dy pikat themelore janë liria dhe shprehja e duhur.
Liri e shprehje publike, siç është publik Koncistori, në të cilin Papa shprehu vullnetin e tij.
Benedikti XVI do të vijojë t’i kryejë plotësisht funksionet e shërbimit të tij, deri më 28 shkurt, në orën 20.00. Nga ky çast, nis situata e selisë vakante, e cila rregullohet në këndvështimin juridik e kanonik, nga tekstet, që kanë të bëjnë me selinë vakante në Kodin e së Drejtës Kanonike dhe në Kushtetutën Apostolike të Gjon Palit II ‘Universi dominici gregis’ mbi vendin vakant të Selisë Apostolike.
Deklarata e Papës, pra, është në përkim të plotë me atë, që pati deklaruar edhe në librin-intervistë “Drita e botës”, të Peter Seewald, në të cilin lexojmë dy pyetje të sakta, që hamendësojnë mundësinë e dorëheqjes.
Seewald-i e pati pyetur Papën, e kjo ishte pyetja e parë, për situatat e vështira, për peshën e tyre mbi papninë e për ndikimin mbi një dorëheqje të mundshme. E Papa u përgjigj: “Kur rreziku është i madh, nuk mund të ikësh, e ja pse ky, sigurisht, nuk është çasti për të hequr dorë(bëhej fjalë për çështjen e shpërdorimeve e kështu me radhë); pikërisht në çaste si ky, është e nevojshme të qëndrosh e ta kapërcesh situatën e vështirë. Kështu mendoj unë. Mund të hiqet dorë në çaste të qeta, ose kur nuk mundesh më, sepse të shterrojnë forcat. Nuk mund të ikësh në çastin e vështirë e të thuash: ‘Le të meret dikush tjetër me të”.
Papa, pra, kishte thënë, kështu, se nuk ishin vështirësitë ato, që mund ta shtynin për të dhënë dorëheqjen, madje ishin për të mos e dhënë.Pyetja e dytë e Seewald-it: “Prej këndej, mund ta marrim me mend se ka edhe situata, që ju ju duken të përshtatshme për dorëheqjen e papës?”. Përgjigjja ishte: “Po, kur Papa bindet plotësisht se nuk është më në gjendje fizike, mendore e shpirtërore ta kryejë detyrën, që i është besuar, atëherë ka të drejtë, e në disa rrethana, edhe detyrë, të heqë dorë”.(Kortezi-Radio Vaticani)