Pregatiti per DIELLIN: Ing.Teuta Lenja/
Në këtë përvjetor të pesëmbëdhjetë, nuk kemi si mos të kujtojmë Mikun tonë të nderuar, studiuesin e madh arvanitas, të përmasave kombëtare e ndërkombëtare, Aristidh Kola. Nuk ka shqiptar, i cili, e cila ka jetuar në Athinë , qoftë në Atikë apo periferi, para viteve 2000 që të mos ta ketë njohur Aristidhin personalisht ose të ketë dëgjuar për të Arin, sikundërse i flisnin të gjithë ata që e njihnin nga afer.
Duke u lindur në Thiva, afër Athinës, në një krahinë të populluar totalisht me Arvanitas, gjuha e tij shqipe ishte mjaft e pasur, krahasuar me shumë arvanitas që ne njohëm aty. Me Aristidh Kolën u njohëm në një Panair libri në Ario Pagus, ku, aty, ai paraqitej me një stendë të vetën të Shtëpisë së tij Botuese “Thamiris”. Dhe nuk kishte si mos binte në sy nga ne shqiptarët kjo stendë me titujt e librave të tij si : “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, “Gjuha e perëndive” e tjerë…. Ndalova te stenda, ku ishte një vajzë simpatike, Albana Hysa Prifti, nga Elbasani dhe, pasi bleva librin “Greqia nën kurthin Serb të Milosheviçit”, e pyeta kush ishte shkrimtari. Ajo më tregoi se ku ndodhej dhe kështu u prezantuam. Ari ishte me xhaketë të hedhur supeve dhe, si gjithmonë, me llullën e tij karakteristike… Pas prezantimit filluan diskutimet, sikundërse veprojmë ne shqiptarët që e duam Shqipërinë, kur jemi larg dhe pyesim pambarim. I papërtuar Ari të sqaronte, për çdo gjë. E kishte në majë të gjuhës përgjigjen admiruese.
Më bëri përshtypje mosha aq e re dhe dija e aq shumë gjërave për prejardhjen…. se, zakonisht, këto i dinë gjyshët dhe stërgjyshët e tyre. Te Ari, përveçse diturisë, bashkohej dhe edukata e niveli i lartë, si studiues i thellë në ato që shkruante e paraqiste. Nuk i mbronte shkrimet e tij me fanatizëm, por me argumente shkencore, bindëse. Pavarësisht se në profesion ishte jurist, ishte i apasionuar pas gjuhëve dhe për këtë ai kish ngritur dhe shtëpinë botuese “THAMIRIS” ( e konceptuar nga ana kuptimore “E tha mirë”). Kjo shtëpi botuese merrej kryesisht me botime që kishin lidhje me çështjen arvanitase brenda Greqisë. Të organizuar në një Shoqatë, Arvanitasit e Atikës dhe rrethinat e Athinës, për shumë vite, kishin kryetar të tyre Aristidhin, por, për arsye sëmundjeje, ai u tërhoq dhe kryetar u vu Jorgo nga Halkidha, një tjetër arvanitas shumë i përkushtuar për çështjen shqiptare, në përgjithësi.
Kam marrë pjesë në disa mbledhje të tyre, të cilat në atë kohë ishin të vakta, sepse presioni nacionalist grek ishte shumë i madh, ku kulmin e arriti me luftën e Kosovës. Dhe në mes të asaj “rrëmuje” e reaksioni , në vitin 1999, kur çështja e Kosovës shkaktoi për mediat greke, Ari del në një televizion dhe thotë: “Doni s’doni ju, ne me shqiptarët jemi vëllezër të një gjaku!..”. Kjo thënie e madhe ishte një bombë që i “çorientoi” nacionalistët grekë, sidomos një pjesë të deputetëve injorantë. ( Në këtë kontekst duhet thënë se nuk ka vetëm te ne deputetë injorantë, por edhe në demokraci më të gjëra. T.L.). Që nga ky moment shëndeti i Arit mori rrugën e përkeqësimit total… Ai më thoshte që gjithë kryetarët e Shoqatës Arvanitase janë eliminuar ndër vite (si Ministrat tanë të Brendshëm, T.L.)!…. dhe unë s’do ta kem të gjatë!…”. Atëherë këto fjalë më dukeshin si çudi, por, me kalimin e viteve, kjo duket më se e vërtetë. Madje, e ngacmoja me shaka, duke i thënë: ”Prandaj u tërhoqe nga kryetar, që mos e pësosh?”
Ai ishte njeri me pasion për punën e tij dhe asqë mund ta kuptoj, sesi u sëmur, kaq papritur!… Shpesh thoshte që kam pasë problem para dhjetë vitesh, por prapë dukej njeri i shëndetshëm, energjik me sytë mjaft simpatikë, të cilët shprehnin një shpirt shumë të pasur… I dhurova një libër të Lasgush Poradecit, të botuar në fund të viteve ‘80 dhe, kur shkruante, më thoshte: “ Më lexo vjershën e “Liqerit”…”. E përjetonte në mënyrë të përsosur dhe shprehej: “ Sa bukur, sa bukur!…”. Nuk guxonte ta përkthente, se i humbte bukurinë e vargut “muzikor”.
Një botim interesant i Thamiris ishte edhe revista “BESA”, e cila shkruhej në gjuhën greqisht dhe arvanitase, apo revista tjetër “ARVANON”. Numri i fundit i revistës “Besa” doli në mars të vitit 2000 dhe jo më. Veprimtaria e tij ishte shumë interesante, sepse për asnjë nga botimet e tij nuk ishte botuar për fitim…Një pjesë të të ardhurave, të cilat ai nxirrte nga profesioni, i shpenzonte për këtë çështje… U detyrua ta mbyllte Shtëpinë Botuese, sepse nuk mund t’i përballonte këto shpenzime edhe sëmundjen e tij që asnjëherë nuk e kuptova si erdhi!….
Një ditë më tha: “Teuta, e di pse ne e kuptojmë Odisenë e Homerit shumë mirë?… Sepse ne dimë gjuhën më të vjetër në Ballkan dhe nuk kemi nevojë për përkthime”. Mbante lidhje të rregullta me studiuesin arbëresh Antonio Belusci, në Kalabri të Italisë, për këtë edhe libri i tij i fundit i ishte dedikuar këtij njeriu. Bëmë prezantimin e librit në një nga anbientet Grand Hotel te Odos, Akademias, ku, sigurisht Ari, nuk ishte, sepse ishte i shtruar në spitalin “Evangjelizmos”. Si për ironi të fatit, gjithë ky spital nuk kishte një dhomë për 56 vjeçarin, por e kishin vendosur në holl të spitalit!…
Kur flasim për deduksionet në matematikë nuk duhet të harrojmë se po kështu ndodh dhe në shkencat shoqërore… Aristidhi, vetëm një herë e ka takuar Kadarenë, më 2 shkurt 1998 ne rrugën Sina 32 të Athinës, kur, ky i fundit, prezantoi librin e tij “Spiritus”.*
Studiuesit e hollë dhe të vërtetë, pavarësisht çfarë rruge ndjekin, arrijnë në të njëjtin konkluzion… Kadare ka shkruar: “Athiniot i vërtetë është ai që di shqip…”. Dhe këtë e kam vërtetuar në një tavolinë në vitin 1998, kur një zotëri, rreth të tetëdhjetave, u ngrit dhe më tha: “Të rrosh sa malet”, ndërkohë që po thoja ca batuta… Dhe të mendosh që gjithë kohën fliste greqisht! Epo, pija bën të vetën dhe thua të vërtetën… Aristidhi ka shkruar: “Përpara se të jesh grek, duhet të jesh arvanitas”. Janë dy thënie nga njerëz të ndryshëm të thëna në vende dhe kohë të ndryshme, por që kanë të njëjtin përfundim…
Kur i thashë këtë gjë Arit që ju të dy thoni të njëjtën gjë, por me fjalë të ndryshme, u mallëngjye.
Ai kishte shumë dëshirë të takonte Kadarenë dhe kish një plan për në Prishtinë, por sëmundja nuk e la. Hyri në spital për mos dalë më prej andej…Atë vit ishte dhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, ku u përpoqa me miqtë e tij, të sillnim një grup Arvanitas, por ishte e pamundur. Njerëzit nuk guxonin të organizoheshin… Lufta e Kosovës ju kujtoi grekëve që janë ortodoksë dhe harruan që grekët e vjetër kanë qenë paganë… Porosia e tij e vazhdueshme ishte: “Shkruani kudo dhe kurdoherë…”.
Kur mblidheshim në zyrën e tij të gjithë tregonim ngjarje të copëzuara (sidomos për racizmin grek), por që nuk reflektoheshin diku. Gruaja e tij, Nansi, e mbështeste shumë në pasionet e tij, si nga ana morale dhe financiare. Ai e kish krah dhe të mendosh që ajo kishte biznesin e vet shumë fitimprurës, po në rrugën Filipidhu (Athinë), ku dhe Ari kish zyrën e vet. Djali tij atëherë adoleshent, shumë simpatik, fliste rrjedhshëm gjuhën arvanitase. Them arvanitase dhe jo shqip, se nuk mund të vemë shenjën e barazimit, por të vëllazërisë dhe vazhdimësisë, se gjuha arvanitase ka fjalë më të vjetra, ndërsa shqipja e sotme është më e pastër në kuptim dhe më e re. Ndonjëherë mendoj, për shkak të presionit që Arvanitasit kanë pasur në Greqi, e kanë ruajtur dhe gjuhën kaq mirë. Po t’i krahasosh me Arbëreshët e Italisë, ku qeveritë atje kanë qenë më liberale, ndaj këtyre fenomeneve, gjuha nuk është ruajtur kaq mirë. Çdo e keqe ka të mirën e vet… Ari iku aq i ri , vetëm 56 vjeç, kur për një studiues është mosha e pjekurisë. Na mungon si studiues, si filoshqiptar, si prind … Dhe mbi të gjitha si njeri me dashuritë e shumta që reflektonte nga sytë e tij dhe shpirti i mrekullueshëm. Nuk kam për ta harruar atë të mërkurë (e mërkura e fundit e tij). Kishim ndeshjen me Serbinë (Tetor 2000 futboll, tani që po shkruj prap Tetor bie ndeshja me Serbinë dhe data afërsisht!…. ).
U ngrit nga krevati (i zbardhur komplet për dy muaj!) dhe tha: “Fituam!” Ne fituam atë ndeshje, por humbëm Aristidhin, këtë njeri të rrallë të shqiptarisë.
U prefsh në Paqe Mik…..
*Rreshtat në korsi i janë referuar shkrimtarit Kristaq. Sh.