Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ambasadori Amerikan në Tiranë Alexander Arvizu nuk është si gjithë ambasadorët e tjerë që kanë përfaqësuar SHBA në Shqipëri. E kam fjalën për shtatë pararendësit e tij që prej vitit 1991 kur SHBA dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një pauze të gjatë, shkaktuar prej regjimit komunist,që e shndërroi vendin e shqipeve në një bunker të izoluar, por pa mundur që të presë rrënjët e lidhjeve me shqiptaro-amerikanët, e larguar si armiq të regjimit apo atyre që emigruan shekullit të shkuar. Faik Konica dhe Fan Noli ishin ura lidhëse midis Botës të Lirë me Tokën e Robëruar.
Vargjet e Fan Nolit “Mbahu Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”, që rastësisht i kishin shpëtuar censures kriminale, ushqenin nënkoshiencën e shqiptarëve me një shpresë që dukej e fikur, por që u ringjall prej tingujve marcialë të radios Zëri të Amerikës dhe ardhjes së Sekretarit të Shtetit James Baker në qershorin e 1991.
Prej përmbysjes së diktaturës, SHBA shihen nga populli shqiptar si Aleati jetik i shqiptarëve, paradigmë që në fakt daton prej fillimit të shekullit të shkuar kur President Woodrow Wilson mori në mbrojtje vendin e bërë të vogël nga makutëria e fqinjëve me tendencë për ta zvogëluar sa më tepër. Kjo Aleancë do të rivitalizohej gjatë përmbysjes së diktaturës, Luftës në Kosovë dhe prej emigracionit të ri, që është si ringjallje e atij të vjetër
Zakonisht Ambasadorët e SHBA në Tiranë janë gjykuar politikisht – pozitivisht nga njëri krah dhe jopozitivisht nga krahu tjetër, një lloj ping pongu konstant ky, ndërkohë që qeveritë shqiptare prej 23 vjetësh kritikohen për mospërmbushje të obligimeve ndaj qyteterëve të tyre. Politika shqiptare mjerisht për këtë dështim të saj personal ka penalizuar shpesh ambasadorët amerikanë. Edhe Ambasadori Arvizu nuk i shpëtoi këtij rregulli. Atij here pas here i është dashur të përballet me cinizmin e gazetave të Tiranës në shërbim klientelist të politikës apo me mosmirënjohjen e politikanëve shqiptarë të pangopur asnjëherë me pushtet.
Si e kam përmendur edhe më parë, Ambasadori Arvizu preferoi ta njohë vetë realitetin e komplikuar shqiptar, të mos mbetet peng i përkufizimeve dhe sharjeve që politikanët shqiptarë i rezervojnë njëri-tjetrit. Dhe mund të thuhet se është një njohës i shkëlqyer i këtij realiteti. Ai njeh personalisht politikanët, shoqërinë civile, gazetarët, njerëzit e thjeshtë. Ai njeh gazetat, televizionet, programet,anchormenët shqiptarë, njeh klerikët, botën artistike, njerëzit e zakonshëm, elitën…
Ai është një komunikues i palodhur për të shpjeguar e sqaruar gjithçka, ku gjithçka që ka thënë dhe thotë e mbështet në një themel mirëbesimi dhe sinqeriteti. Gazetarët kur duan ta kapin në “gabim” e pyesin “po ju keni thënë kështu” dhe ai ka gjithnjë koherencë me atë që ka thënë. Sikur këtë kërkesë llogarie që e mbajnë ndaj Ambasadorit Arvizu, gazetarët shqiptarë ta mbanin ndaj politikanëve të tyre, vendi ynë do të ishte shumë më mire.
Politikanët shqiptarë, kur u janë cënuar interesat e tyre për pushtet, i kemi parë të sillen ndaj tij në mënyrë të pacipë,sa që zyrtarët më të lartë të shtetit Amerikan janë detyruar të shprehen shpesh se qëndrimi i Ambasadorit Arvizu është pikë për pikë ndaj qëndrimit zyrtar të shtetit.
Ambasadorit Arvizu i është dashur që të dalë jashtë rregullave të kurtuazisë diplomatike, ku çdo gjë është me masë dhe gramaturë. Duke dëshmuar kompetenca të plota, për të dhënë përgjigje dhe rrugëzgjidhje për ngërçet shqiptare,ai ka shfaqur profilin e njeriut me sensibilitet të lartë human, siç ishte rasti i grevës të urisë të ish-të përndjekurve politikë.
Kundër SHBA dhe amerikanëve diktatura komuniste për gjysmë shekulli ka harxhuar mijra tonelata bojë dhe letër – me reminishenca deri sot – por Ambasadori Arvizu ka demonstruar se qëndrimi Amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk është profiter, por ai i një Aleati të provuar në ditë të vështira.
Autorja e këtij shkrimi nuk e ka natyrë që t’u thurrë hymn ambasadorëve të SHBA. Kam kritikuar për shembull Marisa Linon. Nuk më ka pëlqyer kurrë afeksionimi në favor të njërës palë e në disfavor të tjetrës. Jam për meritën. Sipas shprehjes: “Give to Caesar what is due to Caesar”. Dhe Ambasadori Arvizu e ka shmangur tunelin e ndikimit prej palëve dhe ka mbajtur një qëndrim të hapur mbi palët në të mirë të popullit shqiptar, ndryshe nga politikanët shqiptarë, të cilët janë sjellë me të si ballkanikë, here miqësorë dhe here armiqësorë,gjithnjë sipas interesave personale dhe assesi sipas konsitucionit shqiptar kur Miku është Mik, është i shenjtë.
Ambasadori Arvizu i ka dhënë të gjithë klasës politike shqiptare një mësim tolerance dhe njëfytyrësie.Sikur klasa politike shqiptare të kishte ndjekur këshillat e tij, duke pranuar çelësin e kompromisit në vend të drynit të ngërçit dhe gjuhës së urrejtjes, Shqipëria dhe shqiptarët do të ishin shumë më mirë – edhe vetë politikanët po ashtu, jo si si na shfaqen çdo ditë në Parlament si aligatorë të gatshëm për ta shqyer njëri-tjetrin.
Ambasadori Amerikan Alexandër Arvizu ka demonstruar të jetë një Amerikan i shkëlqyer, por ndërkohë edhe një shqiptar brilant. Kur të mbarojë misionin në Shqipëri, unë si gazetare do ta ndjej mungesën e tij. Do ta ndjejë edhe politika, sado e pafytyrë qoftë, sepse ai ka mbajtur si duhet etalonin e të drejtës dhe të vërtetës, pa marrë parasysh se kjo ka qenë sikur të kalonte mbi një fill teli 100 metër lartësi.Dhe ia ka dalë. Duket se Zoti ka qenë me të. Sepse ai është pjesë e atij vendi ku kumbon fort lutja God Bless America.(Ne Foto:Ambasadori Amerikan Alexander Arvizu ne Konferencen Shkencore ne New York”Vatra, 100 vjet en sherbim te Kombit”