“Françeskanët e Shqiperisë e kanë prej vetes pregjudicialen e atdhetarizmit dhe kundërshtarët e tyre nuk mund ta mohojnë veprën e dobishme që këta kanë zhvilluar per liri e unjisi të kombit”.
Faik Konica/
Nga KOLEC ÇEFA/
Jeta e njerëzve të mëdhaj e vepra e tyne të terheqin në rrugën e idealeve; jeta e virtytshme dhe pastërtia shpirtnore të tërheqin në rrugën e moralit; forca e karakterit e vuejtja per ta mbajtë të paperlyem atë, të terheqin në rrugën e së drejtes. Këtê hov shpirtnor shijon lexuesi, tue lexue veprën e Át Zef Pllumit “Françeskanët e mëdhaj”.
Nostalgji kujtimesh, episode bashkëjetese, copa jete e jetë idealistësh, ide e projekte martirësh personazhe, ndiesi vlerësimi e stime ia ngrohën zemrën fratit të persekutuem; ia ndezën mendjen e lodhun nga ndeshtrashat; ia forcuen dorën e pafuqishme e Pader Zefi shkruen per Imzot Vinçencin e ndiejshëm e të dashun që u shue në burgun e vuejtjeve e të dhimbjeve tue kërkue “Mehr Licht”; per Át Antonin që thonte: “Sulmet ma të mëdha popullit nuk ia bajnë anmiqtë, por veset”, e vetë hyni në Regjencë me sandale e kambëzbathë e doli nga Regjenca po me sandale e kambëzbathë; per Át Ambrozin per të cilin Justini në një autobiografi “ad simplicem usum” shkruente: “Mësuesi em, kolegu em, frati per zemër teme, ma i miri e ma i meçmi i Provincës… Kam shkue me pa aulën (ku ka dhanë mësim në Romë, K.Ç) e e kam puthë me nderim ku kishte mësue Dogmatikë…”; Át Justinin e paralizuem, por sistematik e me vullnet pune të palodhshëm që punoi me piskërr gjuhëtari per të zbulue visaret e gjuhës sonë; Át Marinin e butë e të dhimbshëm ndaj vuejtjeve njerëzore, por të fortë e të paperkulshëm ndaj dhunës komuniste; Pader Bernardinin e Pader Donatin, falë zellit të të cilëve sot shijojmë ajkën e folklorit tonë; Pader Palin, nyjë e pastër historike që na fali ditarin e vet objektiv e plot vertetësi ngjarjesh historike; Pader Benediktin, të palodhunin enciklopedist e Pader Gjon Shllakun e shkëndijave të gjenialitetit e mbi të gjitha: kolosët shpirtnorë e kulturorë të popullit tonë: Fishtën e Gjeçovin.
Këta françeskanë me zemër të madhe, mendje të ndritun e emën të paharrueshëm, jetuen në atë Kuvend shndërrue në burg ku dhuna u mundue të shuente shpirtin e dashunisë, ku mediokriteti vulgar desh të zhdukte ajkën e intelektualizmit shqiptar, ku antivlera desh të errësonte e të perlyente vlerën e njëmendtë e të shkatërronte atë vend ku idealet e verteta të binomit “Fe e Atdhe” lulëzuen perherë plot gjallní, freskí, fisnikërí.
Pader Zefi, i rritun ndër ta, na tregon, se ata françeskanë të thjeshtë e të vuejtun qenë etën të mëdhaj, etën të fesë, të kombit, të kulturës e të karakterit tonë; etën që ruejtën virtytet tradicionale; e ata etën nuk mund të vdesin, nuk mund të perlyhen, nuk mund të harrohen! Ata qenë “drita e krypa” e shoqnisë sonë shqiptare!
Kush i njohu, i deshi; kush i studioi, perfitoi; kush i shkoi mbrapa, u ba i dobishëm, sepse ata qenë idealet “Fe e Atdhe” me fjalë, me shembull, me jetë. Ata harxhuen tanë energjitë e veta njerëzore: forcën e virtyteve të tyne shpirtnore, forcën e dijeve të tyne, fitue me mund në universitetet ma të mira europiane, forcën e karakterit të tyne të pathyeshëm, të paperkulshëm, farkue gjatë një jete të vështirë, plot vuejtje e ndeshtrasha.
Autori i këtyne mbresave ka pasë fatin e bardhë të njohë mirë e të rrijë me: Pader Justinin, letrat e reliket e të cilit i ruen me dashuni e i shikon sa herë “kur vjen ma i thershëm malli me më trazue”; Pader Vitorin i cili i shkruente, në atë kohë, letër Justinit: “Çka të keshë, thueja Kolecit se ai di ku me më gjetë”; Pader Marin Sirdanin të cilit i fsheha librat në arkën e pajës së nanës; Pader Donatin që më fali dorëshkrime; Pader Franon që na thonte me nervozitet: “Shkolla juej (shtetnore) ka qitë nxanësit me flamur me pritë fashistat, shkolla jeme (ka qenë drejtor i shkollës së fretenve) nuk ka pranue me i nxjerrë”; Pader Benediktin, vepra e të cilit u muer në raftet e Degës së Punëve të Brendshme e u botue në emen të tjerakuj; Pader Agustinin e heshtun që vuente në shpirt martirizimin françeskan e Pader…, Pader…
Sa herë kaloi kah ai Kuvend, mendoj per ata virtyte që nuk u perlyen; per ata penda të papagueme që nuk rrëshqiten; per ata karaktere që nuk u thyen, e tham me vete:
Këtu kanë jetue françeskanët e mëdhaj!