Për dy netë, të Hënën dhe të Martën, janë bërë homazhe pranë arkivolit të të ndjerit Tahir Hysa, i cili ndërroi jetë fundjavën që shkoi nga një sëmundje e rëndë. Shumë bashkadhetarë ngushëlluan bashkëshorten, vajzën , të afërmit miqtë e të ndjerit.
Edhe mbrëmjen e së Martës salla e Qendrës Islame Shqiptare në Queens ka qenë për tre orë e mbushur plot me bashkadhetarë. Nën drejtimin e Imam Edin Gjoni janë përcjellë Lutje Fetare për Shpirtin e poetit Tahir Hysa.
Një ndër miqtë e të ndjerit, Ahmet Hoti, pasi ka ngushëlluar familjen, i ka bërë një përcjellje të vecantë shpirtit të poetit, duke lexuar poezi nga libri i Tahir Hysës ”Shqip-Shqipëri”, libër i botuar në vitin 2005. Poezi të tilla si “Kam ardhë në Këtë jetë”, “Cmallje”,”Tek Ty nënë Shqipëri”, e të tjera krijuan një atmosferë përlotjeje.
Tahir Hysa pat lindur me 31 tetor 1948. Ai emigroi në ShBA për një jetë më të mirë. Ishte aktiv në komunitetin shqiptar dhe poezitë e tij ishin bërë pjesë e këtyre veprimtarive.
Në përcjelljen e fundit që i dha mbrëmjen e së martës komuniteti shqiptar i Nju Jorkut të ndjerit Tahir Hysa, ishte e vecantë; ia bëri të gjitha nderimet. Trupi i tij udhëton sot, e mërkurë, drejtë Atdheut, duke cuar në vend amanetin e tij.