Nga Tahir Kolgjini: Ja bilanci kriminal i pushtetit komunist/
Shkrim polemik i botuem në 4 pjesë në “Lajmtari i të Mërguemit”, Tetor 1971, Gusht e Dhjetor 1972 e Qershor 1973/
I-Fletorja e përmuejshme “Shqipëria e re”, qi botohet në Tiranë, âsht organ propagandistik i partís komuniste. Tirana e kuqe, me kët gazetë iu drejtohet shqiptarëve, qi jetojnë jashta atdheut. Nepërmjet letërkëmbimeve dhe me anën e agjentave të sajë, Tirana, ka mësue mjaft adresa shqiptarësh. Dhe kët gazetë iau dergon atyne, qi nuk e refuzojnë. Me këtê, komunizmi, synon me iau lamë trût edhe shqiptarëve në botën e lirë. Don me iu shërtue bindje e besim se, në Shqipní çdo gjâ, shkon mbarë e për bukurí…
Janë disá njerz të pakët, qi fletushkës në fjalë i besojnë, për shkak se nuk janë në shkallë me gjykue. Nuk janë në shkallë me i krahasue ngjarjet, tue i lidhun me njâna tjetrën. Këta, nuk e njofin regjimin e gjaksorëve, prandej, janë të cekët e naiva. Mullini i tyne, nuk bluen hollë. . .
Kjo kategori, duhet ndriçue.
Janë disa njerz tjerë, qi e dijnë fare mirë gjendjen e vështirë, në të cillën po përshkohet populli i mjerë shqiptar; por, me nji mjeshtri hipokrizije shtiren sikur i besojnë fletores së nâltpërmendun. Nji pjesë e këtyne, âsht e pagueme prej Tiranës në të holla. Pra, âsht e shitun. Ata, qi bâjnë pjesë në kategorín e shitun, nuk njofin ndërgjegje; nuk kanë ideal; nuk ndiejnë dashuni për popull dhe nuk iu bân përshtypje asnji e keqe. Këta, janë njerz të verbuem, qi ndjekin vetëm interesat personale e, tue përbuzun të mirat e vendeve, ku jetojnë, e përkrahin dhe e përhapin propagandën komuniste të Tiranës.
Kjo kategori, duhet të demaskohet e të luftohet nga mergata nacionaliste në mënyrë qi të mos i zânë kâmbët vend në rrethet shqiptare.
Nji pjesë tjetër e shqiptarëve, bân oportunitet, tue i hjedhun kâmbët simbas valles. Dikush, për me mund me nxjerrun nji vizë për të shkue si turist në Shqipní. Dikush tjetër, tregohet i pajtueshëm me gjendjen, për të mos iu sjellun ndonji dâm njerzve të vet, qi ka atje. Kemi njoftun shqiptarë, qi kanë shkue si turista dhe kanë depozitue në bankën e shtetit në Tiranë, të holla në divizë. Mandej, herë mbas here, e autorizojnë me shkrim bankën qi t’i ape akcillit nji sasí lekësh nga llogaríja e tij rrjedhëse.
Për kët kategori nuk kemi se ç’thomi. Vetë, nuk shkojnë me banue në paradizin komunist, pse nuk iu pëlqen. Janë të shqetësuem për të ngatët e tyne. Vetë sjellja e tyne, përbân nji argument, qi shpreh gjendjen në Shqipní. Mjerim përmbi mjerim…
Sido qi të jetë, na, duhet të dijmë se, fletorja “Shqiperia e re”, âsht nji farkë gënjeshtrash dhe se, vetëm kur harron, shkruen ndonji të drejtë.
“Shqiperia e re”, në numrin 2 të Shkurtit 1971, tue iu referue numrit 1 e tue bâmë fjalë mbi mbledhjen dhe komunikatën e plenumit II të komitetit qendror të partís komuniste e mbi raportin e byros politike, lavdon përparimin, qi âsht arritun në lâmën e shëndetsís në Shqipní dhe shenon tekstualisht:
– “Në saje të kujdesit që tregohet për mirëqenien e njeriut dhe për mbrojtjen e shëndetit të tij, sot rritja natyrore e popullsisë së vendit tone është nga më të lartat n’Evropë. Zgjatja mesatare e jetës ka arritur në 68 vjet, nga 38 vjet që ishte në vitin 1938.” Dhe vazhdon:
– “Prandaj tek ne çmimet e mallrave të konsumit të gjërë jo vetëm që nuk mbahet mend të jenë ngritur ndonjë herë, por përkundrazi ato ulen vazhdimisht. Punonjësit tonë kanë të siguruar me ligj dhe në jetë të drejtën e punës, të arsimit dhe të mjekimit falas, të pushimit të paguar, të pensionit etj.”.
“Shqiperia e re”, nuk mjafton me kaq. Zhytet e mbytet në tâjë – batakllëk -, tue thânun se, në vendet kapitaliste institutet shëndetsore, përdoren për shfrytzimin e “punojësve” dhe, mandej, propagandën e borgjezís e cillëson si mashtrim.
Tue lanun në nji anë stilin e shkatrruem gjuhësuer dhe përmbajtjen e dobët të shqipes, qi duken sikurse me i pasë shkrue nji i huej, para se me hymë në themel, po më duhet me i kujtue pendarit të fletores -Dritë pasti Shpend Bardhi, atyne, qi dhunojnë gjuhën t’onë me shkrimet dhe shkarravitjet e veta, iu kushtonte cillësín si pendár, dmth. njerz për të ngamë pendën e qéve, – kët proverb: – Haekeq e hundëkuq, s’ka kund!…
Mbas këtij proverbi, bashkë me lexuesat t’onë, po fillojmë me e lënorun çâshtjen objektivisht:
1. Regjimi komunist në Shqipní, ia ka grabitun popullit të gjithë gjanë e gjallë dhe ia ka shtetizue me rrugë kollektivizmi.
Në kollektivë, sasija e gjâs së shtetizueme, ngapak e përdit, ka ardhun tue u paksue, për mungesë ushqimi dhe për arsye se, personat e ngarkuem me ruejtjen e gjas së gjallë, nuk janë tregue dhe nuk tregohen të kujdesshëm, mbassi ajo, si pasuni shteti, nuk iu ep zellë qi t’i kushtojnë mundimin e tyne, si duhet. Bariu, lopari, nuk e çanë kokën me tregue interesim në ruejtjen e gjâs së gjallë të shtetit, sikurse mund të tregoje interesim në ruejtjen e pasunís private. Kur ka tufën e vet të berreve, aj, çohet heret; bje vonë; i ushqen me regull; iu ep ujë në kohë; i krypë në bazë të njij programi; i pruen nga lazhda e nga brima qi të mos metilen; iu shërben e i përbûnë, simbas stinës dhe iu rrin në kâmbë e iu digjet si qerini.
Aj, përkundrejt këtyne mundimeve, gëzon. Kurse gjâja e gjallë në kollektivë, âsht e babës devlet. Prej saj nuk gëzon gjâ. Prandej, aj, nuk ka as lakmi, as zellë dhe as vullnet në ruejtjen e gjâs së kollektivës, sepse nuk gëzon. “Bàj vênë e pi ujë!”, nuk shkon. Animâ për shqipot!
Katundarit i âsht njoftun e drejta qi të mbaje vetëm nji lopë pllé. Edhe këtê, s’mund t’a rueje, mbassi nuk ka ushqim. Si ka me pasun ushqim, me qenë se pronat i janë shtetizue ? Sod, aj, nuk ka as arë, as livadh. Për mâ tepër, detyrohet me i dorëzue qeverís, në çdo ditë, nji litre tâmbel për kët lopë. Por, edhe ky tâmbël, katundarit i ka dalun për hundësh. Âsht nji skenë, ecilla, të tërqethë, kur t’a ndigjojmë: Katundari, çohet heret. Mjel lopën. E shtje tâmblin në nji ênë. Për me mund me zânun nji vend nga të parët në rresht, niset në kâmbë e shkon në qendër. Aty kanë ardhun edhe tjerë përpara tij me qinda. Hynë në rresht. N’ ora 8, -hapet zyra e shëndetsís. Kur i vjen radha, hynë të doktori. Ky shikon tâmblin dhe ep raportin se mund të merret në dorëzim. Mbi këtê, katundari, shkon në depo. Nëpunesi, e zbrazë qumështin çuuurrr në kazan të madh dhe nënshkruen mârrjen në dorëzim. Mbi këtê, katundari, shkon në sekretarí. Këtu, i ndalet raporti i mjekut dhe i epet nji diftesë, me të cillën vërtetohet se, akcilli prej këtij, ose atij fshati, e ka dorëzue detyrimin e tamblit të dates… Shoku sekretar, e shkruen, e nënshkruen dhe e vulosë diftesën e ia dorëzon katundarit. Katundari i gjorë, e ka kryem detyrimin e vet. Tash, këthehet po në kambë në shtëpin e vet. Këthehet; por, mbassi u lodh, mbassi hupi 4-5 orë dhe mbassi e shpenzoi nji pjesë t’ energjís së vet…
– E për shka?
-Për të dorëzue pushtetit nji litre qumësht për lopën qi e ruen!…
Në kët mënyrë e ka hangër dreqi katundarin bashkë me lopën, qi e ruen. Dhe ky sistem, na e ka emnin regjim socialist!…
Nejse! Të mos largohemi nga thema, se përshkrimi i tragjedinave, nuk ka mbarim.
Shtetizimi i gjas së gjallë, ka hapun rrugën qi Shqipnija, të vorfnohet keqas në lamën e blektorís. S’ka as bleg, as blegë. Dhe si përfundim, popullit shqiptar i mungon kulloshtra, tâmbli, kosi, dhallti, tëlyni, djathi, gjiza, hirra, thartori e ç‘do gjâ tjetër, qi e quejmë bulmet. Ngjitmas me këtê, i mungon dhe mishi, undyra, drobet e tjera. Me pak fjalë, i mungon luga kryekeput. I mungon krejtsisht edhe çdo lâng, qi zakonisht katundari me tê ngjyen kashatën.
Pra, popullit shqiptar i mungon ushqimi, i mungon kalorija dhe i mungon vitamina, qi sigurohet nga gjâja e gjallë dhe bulmeti.
2. Të vijmë në prodhimet tokësore:
Si e tham, në Shqipní, pronat, përgjithësisht, janë shtetizue. Shqiptari në Shqipní, nuk zotnon, mâ, arë, as livadh, as zabel, as poren, as ullishtë, as pêmishtë, as vëneshtë dhe asgjâ tjetër. Aj, âsht këthyem në proletar dhe âsht bâmë si gjishti i dorës. Toka, mbitoka, nentoka dhe çdo gjâ tjetër, âsht e shtetit.
Shteti, në nji anë, kinse po industrializon vendin, e n’anë tjetër, për të përballue shpenzimet propagandistike, qi po i bân në sasina kolosale, për të përhapun komunizmin në botë, prodhimet tokësore, po i eksporton. Po eksporton vojin, rrushin, mollën, dardhën, arrën, laknën, specin, patllixhanin, domaten, limonin, qitron, portakallin dhe çdo pêmë e perime, qoftë të kualitetit të parë, qoftë të kualitetit të dytë. Të gjitha, po venë në Jugosllavi, në Çekosllovaki, n’Austri, në Gjermani dhe në vende të ndryshme t’Afrikës. Nji pjesë e vogël, qi po mbetet në Shqipní, nuk âsht tjetër veçse funderrinë – qi s’vlen gjâ – e këtyne prodhimeve. Por, populli i shkretë, edhe prej këtyne shkundërinave nuk mund të bleje sa të doje, me gjithë qi i duhet me hymë në rresht përpara magazines shtetnore, ku shiten “gjërat e konsumit të gjërë” e me pritun me orë e me orë.
Kemi lajme të sigurta: Punëtorët, qi merren me vjeljen e rrushit, me mbledhjen e pêmëve të ndryshme dhe me ambalazhimin e tyne, janë të ndaluem rrebtësisht me hangër në to. Të besoni, janë të ndaluem si Adami dhe Eva nga mollat e paradizit. Vetëm nji herë në javë, të shkretët, mund të hanë aq sa t’iu ape përgjegjësi politik i punës në nji tepsi. Por, edhe kësaj here, nuk ngopen. Nuk ngopen, sepse iu epet o me peshë, ose me numrim.
Të mos e zgjatim: Edhe në perime, në pêmë, në rrush, n’ullij, në voj e, përgjithësisht, në prodhimet tokësore, popullit të mjerë i mungon ushqimi. Nuk ka se si merr vitaminë e kalori. Aj, mbassi nuk ka, âsht mësue detyrimisht me e shtërngue brezin. I âsht bâmë barku petë. Aq e vertetë, sa, dikush në Shqipní, kur mendon me shkue diku si mik, racionin e vet të bukës e merr në strajcë, tue mendue se, në shtëpi, te ecilla shkon, mund të mos ketë bukë. Këtê e pranon, tërthoras, edhe Enver Hoxha vetë, tue komentue parime të doktrinës komuniste, kur thotë se, mikpritja dhe bukëdhâníja, janë cillsina borgjezije, mbassi mikpritësi dhe bukëdhâni, tue u sjellun në kët mënyrë, duen me u veshun me nji farë superioriteti përmbi tjerët me anë bujarije.
Tuuuhhh!…
Komunistat e Tiranës, në mos tjetër, duhet t’a lodhin nji fije menden se, përse partija komuniste jugosllave, të cillën e kanë pasun të vetmen tytore, e la popullin krejt të lirë për të ruejtun gja të gjallë e për të prodhue prodhime tokësore!…
Janë bâma të pa kundërshtueshme, këto!
Atëhere, na hapet rruga qi t’i pyetim botënisht shkruesat e fletores “Shqiperia e re” dhe komunistat e Tiranës:
– Mbassi popullsís shqiptare, gjatë regjimit komunist, gjithënji i ka mungue çdo ushqim, me ç’farë mrekullije i paska arritun jeta normale mesatare në 68 vjet?
– Me ç’farë magjije rritja natyrore e popullit shqiptar, paska arritur nga më të lartat n’Evropë ?
– Në ç’menyrë janë bâmë krahasimet medis vjetit 1938 dhe 1971?
Shum njerz, e kanë pamë popullin shqiptar se sa i hikrruem âsht. Edhe fotot, qi shofim aty-këtu nepër fletët e organeve të jueja propagandistike, na tregojnë ftyra të zbeta e gropa gropa. Anima, ato foto familjare, qi iu dergohen, farefisit… Nuk hynë shtiza në thes.
E pranojmë se prijësat e komunizmit, janë shëndoshë. Shum të shëndoshë. Dhe e dijmë se, ata, përbajnë klasën e privilegjueme në çdo pikëpamje. Kjo, âsht nji tjetër çâshtje. Na, po flasim për popullin… Për atë të gjorin, qi po llomotitë “Shqiperia e re”.
– Vazhdon –
Marrë nga “Lajmtari i të Mërguemit”, Tetor 1971
***
…(Marrë nga “Lajmtari i të Mërguemit”, Gusht 1972)
Na pasëkan kujdes për njeriun
“Shqipëria e re” farkon gënjeshtra
II
N’artikullin t’onë të ma parshëm patëm provue me fakte se, fletorja “Shqipëria e re”, qi botohet në Tiranë, me artikujt e vet përpiqet me iu hjedhun hî syve të popullit shqiptar, icilli, ndodhet i ngujuem mbrenda katër kufijve të njij kampi të madh, si ç‘âsht sod Shqipníja. Gjithashtu, përpiqet me mashtrue edhe mërgatën shqiptare, qi ndodhet në vende të ndryshme të botës së lirë demokratike. Patëm çfuqizue nji nga nji pretendimet e saja rrenacake, me të cillat përpiqej me bindun opinionin se, në Shqipní, përsa i përket higjenës dhe mjekimit, kujdesi, âsht mâ i madh se aj i botës kapitaliste. Lemisht, kur “Shqipëria e re”, përmend botën kapitaliste, ka për qellim me shenue vendet, ku nuk sundon regjimi gjaksuër komunist si Austri, Itali, Svicër, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Francë, Shtetet Skandinave, Britani e Madhe, Kanada, U.S.A. e tjera…
Sa turp! Gjuha, koc nuk ka. Kah t’i apish, shkon…
Fletorja në fjalë, për veç sa patëm riprodhue n’artikullin t’onë të maparshëm, vjell edhe këto:
-“Vendimet e plenumit II të Komitetit Qendror të P.P.SH. janë një dëshmi tjetër e kujdesit të madh që tregohet në Shqipërinë socialiste për njeriun, që është kapitali më i çmuar i Shoqërisë s’onë.”
Oooo… Tash, i zateki sharra në gozhdë propagandistit rrênamadh.
Kujdes për njeri…
Aj, e din shum mirë se sa vleftë mund t’i epet njeriut në regjimin komunist kudo e, sidomos, n’atê të Shqipnís. E din; por, i shtrêmbënon bâmat “faktet” me qellim. Vallë, a mund të jetë i shtërnguem? Edhe kët probabilitet nuk duhet t’a përjashtojmë. Si dihet, çdo gjâ në regjimin komunist, pra, edhe shtypi, për çdo fjalë e për çdo fjali, qi do të shkruhet, ndodhet në dorën e partís komuniste. Ata, qi shkruejnë, n’asnji mënyrë nuk mund të shfaqin, ose të ringjallin mendime personale. Trût e tyne, janë të dënueme mos me funkcionue pavarësisht asnji herë.
Çdo kompozicion, iu diktohet s’nâlti prej suflerit. Sufleri, iu frynë në vesh dhe këta, i grahin pênës jermas. Ave, për të tërhjekun mirëshikimin e siperiorëve, fillon gara medis atyne, qi shkruejnë. Kush do të gënjeje mâ shum dhe kush do të propagandoje ma tepër… Përpiqen të shkretët, si zorra në prush, për të përfitue nji kothere, mbassi ndryshe nuk mund të jetojnë.
***
Tash, po e rrahim çâshtjen, për me nxjerrun në dritë se çfarë kujdesi tregon partija komuniste për njeriun, qi po na e cillësuekanë si kapital i socializmit:
1 – Nji herë, njeriu, nuk âsht kapital i shoqnís , âsht elementi, qi e përbân atê. Kapital, janë të gjitha landët dhe vetinat morale, qi përdoren si mjet për lumtunín e njeriut dhe të shoqnís , të cillën aj, e formon. Pra, kapitali, âsht bashkësija e mjeteve materiale e morale, qi e disponon personi, ose shoqnija për nji jetë të kanshme. Njeriu, âsht qellim e jo mjet.
Komunistat, e shofin se doktrina e tyne, qi s’pajtohet me natyrën e njeriut, nuk hecë. Atëhere, për t’u çfajsue, shtërngohen me vargjazitun në vistër rrêna e mashtrime. Dhe, tue u mundue me rrêjtun, bijnë në konfuzion.
I vetmi sistem âsht ky: Me mbajtun me shpresë popullin e me e ngushullue me nji paradiz, qi ka për t’u ndërtue në kohën e ardhshme. E ky paradiz, s’ka për t’u ndërtue kurr. Si mund të ketë paradiz në mjerim e në robni?…
2 – Regjimi komunist, nuk parasheh ndonji kujdes për njeriun. Aj, në kundërshtim me dëshirin e shoqnís , të cillën e përbân elementi njeri, vjen në fuqi tue vramë, tue premë, tue djegun, tue pjekun e tue zbatue llojë llojë torturash. Vjen në fuqi, tue përdorun të gjitha mjetet dhe sistemet e kriminalitetit, qi mund t’i përftyroje nji tip i egër, nji tip barbar. Vjen në fuqi me dhunë. E përbuzë, e shkallmon dhe e flakë poshtë dëshirin e njeriut e të shoqnís .
Ma e keqja, âsht se, komunizmi, kriminalitetet e veta, i nisë dhe i vazhdon me rrêna, me mashtrime e me shpifje. Jo veç në Shqipní, qi po na kujtohen barbarizmat e pa shoqe, sikur t’ishin zhvillue dje; por, kudo në botë, kriminaliteti komunist, për të marrun pushtetin në dorë, shfaqet në kët mënyrë. Nuk ndryshon; nuk lakon asnji milim. Për komunistat, qellimi, justifikon mjetin, sado qi të jetë ma i madhi krim në botë.
Për të provue pretendimet t’ona, po sjellim disa shembuj:
A – Shkruesat, qi punojnë në “Shqipëria e re”, sigurisht, duhet t’a kenë koleksionin e saj në zyrën e administratës. Po t’a shfletësojnë me kujdes dhe po të kenë mundësi me përtërîmë kujtesën e tyne, në nji nga numrat e vjetër të kësaj gazete, do të gjejnë nji telegram, qi të dridhë shtatin. Nji djalosh nga jugu, dënohet me vdekje për antikomunizmë dhe ekzekutohet në Tiranë. Babai fatkeq i këtij djaloshi, i dergon nji telegram përçmimi Enver Hoxhës. I shkreti, në kët telegram akuzon të birin si tradhëtar dhe armik të popullit; shfaqë edhe kënaqsín e thellë shpirtënore për ekzekutimin e tij. Përuron Enverin; e ngrê në qiell si shpetimtar, tu’e adhurue për veprën e lavdishme qi i ekzekutoi të birin.
Jo nji baba, qi âsht njeri; por edhe kafshë sikur të jetë, nuk kënaqet pse iu ekzekutue i biri. Edhe bishës me ia mbytun ndonji klysh, ma tepër nuk din me e shfaqun gjendjen e vet të tronditun dhe me protestue shprehimisht; por, t’i ngulë syt e të vren me nji habi përbuzëse.
Le t’a kërkojnë se e gjêjnë në koleksion.
B – Shkruesat e fletores “Shqipëria e re”, bashkë me komunistat tjerë kryesorë të Tiranës, po të mos i kenë harrue ngjarjet e kohës së kalueme, do të kujtohen se, Safedin Hadirin nga Gjinokastra, e pat vramë i biri me urdhënin e partís. Edhe Aqif Tetovën nga Gjillani – të cillin, qeverija mbretnore jugosllave, ma se njizet herë, e pat lidhun për shtyllash telefoni nga shkaku se kërkonte të drejta shqiptare, – e pat vramë i biri po me urdhënin e partís.
Shofim se, në komunizmë vret i biri t’anë me urdhënin e partís!…
Dhe “…komunizmi, kujdeset për njeriun…”. Gjepura!…
C – Isuf Koka prej Bicaj, a nuk u pushkatue prej sigurimit, për të vetmin shkak se kishte mbajtun nji armë të gjatë pa leje? U pushkatue. Dhe me ceremoni. U nxorrën jashta pjesëtarët e familjes. U mblodhën të gjithë banorët e lagjes. Të gjithë u vûnë rresht në kurt – n’oborr-. Dhe para syve të tyne Isufi, u pushkatue: Gëëërrr, gëëërrr!…
Kishte mbajtun nji armë pa leje tradhëtari!…
Dhe komunizmi, në kët mënyrë, duhej të kujdesohej për tê, si njeri, qi ishte. Edhe spektatorët e kësaj tragjedije, njerz ishin…
D – Shkruesat e rij të gazetës “Shqipëria e re”, le t’a hetojnë se sa gra me djepa në shpinë dhe sa çupa, u derguen prej Veriu gjoja si punëtore vullnetare për të thamë moçalet e Myzeqés, për të punue në punë të randa bonifikimesh e ndërtimesh hekurudhore. Po flasim për ato, qi nuk këthyen ma në votrat e tyne përjetë të jetës.
Dhe komunizmi, po, kujdeset për njeriun!…
E – Këta klysh të Stalinit, këta pulesha, tue lanun në nji anë “KËNETA”-n e Fatmir Gjatës, le t’interesohen se sa shqiptár e shqiptarka, u mbytën në batakun e Maliqit. Pa grânje e pa pimje. Dimnit në ngrî shtangëtuese e verës në vapë tërmegëse! Edhe faraonët e Egjiptit, shum shekuj para Krishtit, kështu e patën shkatrrue popullin e tyne në ndërtimin e ehrameve, tue i ngarkue njerzt sa nuk bajshin. Ndryshíja, qendron vetëm në pikën se, komunistat shqiptarë, të njêjtin sistem po e zbatojnë njizet shekuj mbas Krishtit.
Sa kujdes i mirë për njeriun!…
F- U banë ndeshje medis komunistave e antikomunistave në Shqipní. Kjo e zezë, u fillue prej komunizmit. Ishin komunistat, qi dojshin me ardhun në fuqí me përdhuní. Prandej, agresorë, ishin ata.
Lufta, ndeshja, janë për burra. Vdekja me pushkatim, ose me litar, âsht për burra. Edhe burgu, internimi, janë për burra. Por, gjithmonë, trajtën, duhet t’a kenë njerzore. Sidomos ndër shqiptarë…
Ligjet shqiptare dhe ligjet njerzore, nuk lejojnë qi anmikut t’i çupojsh veshët, t’i cungojsh hundët, t’i shkarritish krahët, t’i shkurtojsh gjuhën e t’i presish buzët. As për s’gjalli, as për s’dekuni. E vret dhe mbaron!…
Ligjet shqiptare dhe njerzore, nuk të lejojnë qi kufomës s’anmikut t’ia lidhish kambët për shulin e qerrit dhe t’a terhjekish zvartas nepër rrugat e katundit dhe të qytetit në mënyrë të shëmtueme, tue iu përplasun rradungja e krés për gurt e sokakut.
Kët shëmtim, qi iu shtje lëngjirën fëmijve, zakonet t’ona, nuk e kanë lejue kurr.
Mësoni me nderue të vdekunin! Edhe anmik t’a keni.
Zakoni shqiptar, nuk pranon qi anmikun, mbassi t’a keshë vramë, t’a hipish në gomár; t’a mbërthejsh për samari me kështalla, o me hatulla; tue e lidhun me konop; t’i vejshë nji kësule të gjatë e të ftutlueme në krye; t’i rrasish nji cigarishte të gjatë në gojë e t’a këthejsh me të gjitha në nji karnaval dhe, mandej t’a shetitish nepër katunde e nepër qytete.
Jo! Asnji zakon, nuk e lejon. Pardon se gabova : E lejon aj i komunizmit.
G – “Aman, ju lutem, mbytnie djalin t’em !”, tha e ama e shkretë e Dom Lazër Shantojës, kur shkoi për të pamë të birin në burg. Atij i kishin thyem fejt e krahëve dhe fejt e vegëve e ia kishin mbushun palcën rrastë me krypë, për t’ia mârrun shpirtin me gazep. Ishte po, nji antikomunist; por, tekembramja, ishte nji poet dhe nji prozator i shquem. lshte nji autoritet në gjuhësi.
Nji nânë plakë, i lutet policís qi t’i mbysin të birin!
Shyqyr mori tokë, qysh po na bànë…
***
I kemi ramë shkurtas dhe për korje, tue prekun disa ngjarje, për të tregue sjelljet e komunistave. Të tilla tortura, janë me mija e me mija. Nuk mund të përshkruhen, jo në nji artikull, por, në volume.
Të tilla tortura, nuk mënd t’i baje kërkush tjetër. I bâjnë vetëm komunistat, qi janë bamë bishë nepërmjet të sistemit të terrorit. Klysht e Stalinit, e ushtrojnë kët zanat.
Këto tortura, ç’i shtuen komunizmit ? Kurrgja. Veç se përbuzje, mënî e mallkim…
Dhe fletushka “Shqipëria e re”; tue mos dashtë me i kujtue këto faqe të zeza, të cillat, na kanë njollëzue e po na njollëzojnë si komb, don me na e mbushun menden se, regjimi i kuq, kujdesohet për njeriun…
***
3 – “Shqipëria e re”, ndoshta, nuk e din; ose e din; por, ashtu i kânet, se don me përkrahun vallen e partís komuniste, tue e lavdue përpara popullit. Por, po I kallzojmë na:
U shpërthyen në bark familjet shqiptare në Shqipní, tue kërkue barna e vitamina prej miqve e prej dashamirëve, qi ndodhen në botën e lirë demokratike. Edhe Shqipnija i pranon lirisht e nuk merr as taksin doganuër, në qoftë se barnat, janë shoqnue me raport mjeku.
Ç’kuptim ka kjo kërkesë kaq e dendun?
Kjo, na ep me kuptue se, në Shqipní mungojnë barnat, mungojnë vitaminat. Apo jo?
Nuk iu zâmë faj. Shqipnija, nuk ka arritun në shkallë për të fabrikue barna. Âsht nji shtet i rí. Mandej, përpunimi i barnave, don kapital; don pajim në kulturë; don zotsi e kompetencë. Çâshtja e barnave, âsht nji oqean.
Nuk âsht turp. Âsht nji mungesë. Âsht turp me gënjyem. Dhe rrena i ka kâmbët e shkurta.
Albimport-eksporti, në vjetët e fundit, ka tentue me bamë marrëveshtje me shtete kapitaliste në çâshtje barnash, sepse, edhe motrat e saja komuniste, s’kanë barna në sasi të mjaftueshme.
Na shqiptarët në mërgim, si shtresa të gjëra, ndoshta, mund të mos dijmë me hollësi ndonji gja tjetër; por, qi nuk mund të bahet mjekim pa barna, këte e dijmë. Atëhere, pyesim :
Mbassi në Shqipní barnat, mungojnë, Kom. Q. i P.P.SH. në ç‘mënyrë mundka me tregue kujdes për njeriun, tue i sigurue mjekimet e duhuna ?
Do t’iu besojmë, në qoftë se komunistat e Tiranës, do të përmirësojnë sjelljet e tyne, tue i prumë në shkallë njerzore. Atëhere, tue i harrue të kaluemet, ose tue u përpjekë me i hjedhun mbas shpine, do thomi:
-“Këta, janë njerz. Prandej, kujdesohen për njeriun.”.
-vazhdon-
(Marrë nga “Lajmtari i të Mërguemit”, Gusht 1972)
….(Marrë nga “Lajmtari i të Mërguemit”, Dhjetor 1972) V.3, nr.6
Kush i mashtron punëtorët?
“Shqiperia e Re” farkon gënjeshtra
III
Prap e kemi fjalën për fletushkën komuniste, “Shqipëria e re” të Tiranës. Si e shenuem edhe në pjesën e I. të këtyne artikujve në seri, ajo, o për t’iu mbushun menden atyne, qi nuk e njofin botën, ose për të respektue urdhënat e diktuem nga nâlt, përhapte propagandën e vet helmuese, tue theksue se, institutet shëndetsore në vende kapitaliste, përdoren për shfrytzimin e punonjësve; dhe, mandej, propaganden e borgjezís e cillësonte si mashtrim.
Me hymë, në kët mënyrë, vá e pa vá, vërtetë, âsht nji sjellje, qi përban turpin e shkallës mâ të naltë për kët fletore. Por, në fjalorin e komunizmit fjala turp, nuk ndodhet. Prandej, shtek e pa shtek, folin, pretendojnë, propagandojnë e bajnë çmos. Nuk mërziten pse iau përplasim rrênat në ftyrë. Nji herë e për gjithmonë, e kanë mohue burrënín shqiptare, qi duhet t’a kishin trashigue prej të parëve. Nuk kanë mjaftue vetëm me mohim. Kanë shkue ma përtej: I kanë përbuzun cillësínat burrënore shqiptare kryekeput. Diktatori i Shqipnís, ka mbërrimë me pretendue se, bujarija, âsht nji shênjë borgezije. Simbas këtij parimi të mjeshtrit marksist, qi i thotë mendja se me pikëpamjet e veta doktrinale do të shtrije komunizmin në të gjithë botën, bukëdhânja dhe mikpritja, për shqiptarët âsht e ndalueme.
Vetëm kjo pikë, mjafton për shqiptarët, kudo qi të jenë, me formue nji mendim se se ç‘âsht komunizmi dhe ç’janë komunistat…
Me kët rasë, due me iu parashtrue lexuesave të Lajmtari’t se, na, tue kritikue numrin 2 të Shkurtit 1971, quhet se kemi kritikue të gjithë numrat e kësaj fletorje, mbassi âsht porsi nji disk gramafoni, qi sjellet vazhdimisht, tue mos u ndërrue me ndonji tjeter. Âsht krejt monotone dhe e porositun. E kur kemi kritikue kët, kemi kritikue regjimin komunist, tue I nxjerrun të pa lamet në shesh, mbassi “Shqipëria e re”, âsht organ i partís.
***
“Shqipëria e re”, as vetë, nuk iu beson atyne, qi shkruen. Pikërisht për kët arsye, vjen vërdallë me nji dialektikë mashtruese, tue përdorun fjalën “punonjësi” për fjalën punëtorë. Dhe, tue e shumësue me nji ‘i’ në fund, ajo, përpiqet me tregue progresin e komunizmit në lâmën e gjuhësís. Kurse mbiemna të tillë, në shqipen t’onë, shumësohen vetëm me a-. Nejse!…
Kaq pritet prej komunizmit…
E tregojnë: Nji punëtuer amerikan, paska pasë shkue në Rusi dhe qenka shoqnue me nji punëtuer rus. Të dy bashkë, paskan pasë shkue në nji fabrikë veturash. Amerikani e pyet:
-Të kuejat janë këto vetura, qi ndodhen në depo të fabrikës ?
-Janë t’onat; janë të popullit.
– Po ajo vetura, qi ndodhet e veçueme atje përtej ?
– Ajo, âsht e shokut direktor!
Nji ditë prej ditve, punëtori rus, vete n’Amerikë, ku miku, e pret me kënaqsí. Dhe bashkë shkojnë në fabrikën e veturave. Rusi:
– Të kuejat janë ato vetura në depo?
– Ato, janë të Fordit.
– Po ajo vetura luks, qi ndodhet afër zyrës ?
– Ajo, âsht e drejtorit të fabrikës.
Tue tregue me gjisht tjerat, qi ndodheshin të rendueme si buellica të zeza në sheshin e gjânë prânë fabrikës:
– Po ato atje në shesh?
– Ato, janë t’onat; janë të né punëtorëve.
– …………………………………………………..
Përveç njij heshtjeje, qi të përvlon zemrën, s’kishte rrugë tjetër rusi i shkretë…
***
Tash, po i cakasim voet me fletoren komuniste të Tiranës dhe po i hyjmë njij krahasimi, për të kuptue se cilla botë i mashtron punëtorët. Bota kapitaliste, apo bota komuniste?
1. Në botën e demokracís së lirë, ku âsht njoftun e drejta e kapitalit, punëtorët, plotsisht gëzojnë të drejtën me e zgjedhun vetë punën e tyne. Në kët botë, ata, zgjedhin punën, qi iu pëlqen. Kur nuk iu pëlqen, janë të lirë me e lânun atê dhe me kërkue e me iu pervjelun njij tjetre. Kët të drejtë nuk mund t’iau ndaloje dhe t’iau mohoje njeri i gjallë, qoftë edhe mbreti vetë, ose presidenti i republikës.
Në regjimin komunist, nuk qendron puna kështu. Atje punëtori, kët të drejtë nuk e sheh as n’ândërr. Në regjimin komunist, kemi vetëm nji punëdhânës: Shtetin. Dhe shteti, me anë të zyrës kompetente, e urdhënon individin me shkue në punën, qi ia ka caktue. Edhe punëtori, âsht i shtrenguem me e zbatue, pa tjetër, kët urdhën. Në sistemin e komunizmit luen rol interesi, dashunija, mënija dhe përgjithësisht ndiesinat. Dhe, fjala vjen, njeriu i muzikës, dergohet me thyem gur; njeriu i llogarís, dergohet me premë lândë; njeriu i vizatimit, dergohet me punue punë bujqsije dhe aj i bujqsís, dergohet me punue në ndertime. Si t’i teket këshillit, ose përgjegjësit të zyrës.
Në regjimin komunist, njeriu i punës, n’âsht se nuk zbaton urdhënin dhe nuk i përshtatet dëshirit të përgjegjësit, âsht i dënuem me ngordhun për nji kashatë bukë të thatë.
Me fjalë tjera, punëtori, shpesh herë ngarkohet me nji punë, së cillës nuk ia ka as kryqet, as zotsin. Prandej, i mungon vullneti. E për mungesë vullneti, i mungon edhe rendimenti. (Ma thanë: Nji grue nga Shqipnija, paska shkue në Stamboll si turiste te e motra. Dalin bashkë në treg për të blemë pemë, perime e tjera. Dhe në kët rasë, turistja shqiptare, vazhdimisht, e pyetka motrën e vet: A mund të merrni sa të doni; a mund të merrni sa të doni?…).
Në komunizmë, i vogli, âsht rob i të madhit. Dhe me rend, ky sistem, shkon e zatekë deri në diktatorin…
2. Në botën e lirë demokratike, punëtori, gëzon të drejtën me zgjedhun vendin e punës. Në qoftë se vendi, nuk i pëlqen, âsht i lirë qi të largohet e të shkoje në vendin tjetër, qi i pëlqen. Nuk e pengon kerkush.
Në regjimin komunist, punëtori, nuk e gëzon të drejtën me e zgjedhun vendin, ku do të punoje. Këtê, ia shenon punëdhanësi, d.m.th. shteti me anën e zyrës së punës. Pra, punëtori, domosdo, duhet të shkoje në vendin e shenuem prej autoritetit kompetent të punës. Nji ditë larg, dy dit larg, trí dit larg! S’ka rândësi pse largohet prej të shoqes e prej fëmijve. Po të mos shkoje, mbetet pa punë dhe vdes në rrugë të madhe. Vdes në rrugë të madhe, sepse, nuk mund të bâje ndonji tjetër punë në vehte, mbassi shteti, ia ka mârrun të gjitha, tue e lânun si gjishti i dorës. E ka bâmë proletar. Dhe si i tillë, asnji hû ngulë nuk e zotnon.
Na, i dijmë me emna disa, qi e kanë pusue kët fatkeqsí. Ç’të bâjnë të shkretët? Kush bjè në detë, mbahet për shkume….
Âsht regjimi komunist, qi e dánë burrin prej grues e babën prej fëmijve. Njerzí âsht kjo? Komiteti Qendruer i P.P. Shqiptare, mbassi u kujdesueka kaq shum për njeriun, përse nuk i heton dhe nuk i ndreqë këto padrejtësina?… Na lodhi e na neveriti propaganda e dendun me fjalë të thata, sikurse me i ramë njij lodre me topuz: Dâng, dâng, dâng dâng! Populli, don fakte e jo fjalë…
3. Në botën e lirë demokratike, qi fletorja, e cillëson botë kapitaliste, punëtorët, gëzojnë të drejtën me formue lirisht sindikatat e tyne, tue u damë më grupe, simbas punës, qi bâjnë. Mandej, janë të lirë me formue federacione e konfederacione. Kanë edhe organet e tyne të shtypit.
Me anë të këtyne formacioneve dhe me anë të organeve të tyne, kur iu bahet nji e padrejtë, qahen, ankohen, protestojnë kundra punëdhânësit dhe e ngrejnë zânin e tyne në kupë të qiellit. Prandej, asnji punëdhanës, nuk guxon me dhunue të drejtat e punëtorëve, qi janë parapamë me ligjë, me regullore dhe me norma të pranueme si zakon, perkitas me të drejtat dhe me detyrat e klasës punëtore.
Në Shqipnín komuniste dhe përgjithësisht atje, ku sundon sistemi marksist-leninist, këto të drejta, aspak nuk janë të njoftuna e të pranueshme. Në Shqipní, vetëm me ia nisun këtij organizimi punëtorësh, gjykata e ashtuquejtun popullore, këcen kundra nismatarëve si ujku në gomar, tue dhanun dënime me vdekje, ose me burgime të përjetshme. Dhe arsyet i katë gatshme: O sabotazhe kundra ekonomís nacionale, ose veprimtari për të përmbysur regjimin…
Radio Tirana, iu flet mjaft punëtorëve të botës së lirë, tue qamë hallin e tyne dhe tue iu dhanun udhëzime. Këta, o s’e ndigjojnë fare, ose kur e ndigjojnë rasësisht, qeshin dhe luejnë koqes me ‘tê. N’anë tjetër, edhe Rusija, nuk mungon me i futun hundët në konfederacionin e punëtorëve internacional, me qellim qi të shkaktoje trazime në botën e lirë.
Komunistat, në vendin e tyne, këto organizata punëtorësh, nuk i kanë dhe nuk i pranojnë. Por, iu kânet me këcyem në darsëm të huej…
4. Në botën e lirë demokratike, kur nuk janë d’akord me punëdhanësin, punëtorët, gëzojnë të drejtën me bamë grevë, mbassi palët, t’i jenë shtrue njij arbitrazhi dhe të mos kenë ramë në mârrëveshtje.
Grevat “Shqipëria e re” i din se të shakalitin në themel; të tronditin thellë. Greva, për të cillën flet dendun radio e Tiranës, kur ep lajme mbi botën e lirë, âsht arma e tmerrshme e punëtorís.
Kët të drejtë, sistemi komunist, qi u kujdesueka për njeriun, e ka mohue prémas.
Pà le të bâjnë grevë nji here “punojësit” në Shqipní. Për até, qi nuk flê, as nuk kotet, pendohen pse kanë lemë. Si lavarë shkojnë në litarë.
Në kët mënyrë, kujdesohet Komiteti Qendror i P.P. Shqiptare për punëtorin e për njeriun. Gjepura!
Na, prap, do të sjellemi bujarë dhe do t’i urojmë: -“Sikur kujdesohet Komiteti Qendror i P.P. Shqiptare për njeriun dhe për punëtorin, ashtu u kujdesoftë nji fuqi e madhe për ‘tê.”…
5. Punëtori, në botën kapitaliste âsht i siguruem: Gëzon të drejtën e pensionit, simbas ligjës. Aj vetë, e shoqja, fëmijt e tija të mitun, vizitohen dhe mjekohen pâ të holla. Iu ndreqen dhâmbët falas. Lejen e përvjetshme e përdorin, tue u pague regullisht dhe e kalojnë ku të duen, pa pasun nevojë me mârrun letër qarkullimi prej ndonjij zyre. Iu mjafton letra e identitetit. Kurse në Shqipní, njeriu, për të kalue prej njij katundi, ose qyteti në tjetrin, âsht i shtërnguem me mârrun leje kalimi prej sigurimit.
Në qoftë se regjimi komunist i Shqipnís, don prova, le t’iu hape portat punëtorëve të botës kapitaliste qi të hyjnë në Shqipní si turista. Atëherë, e sheh vetë të vertetën me dy syt e ballit.
Po! Në disa pika, përnjimend, bota komuniste, ndryshon nga bota e qytetnueme kapitaliste:
A. Në botën kapitaliste, sidomos në Shtetet e Bashkueme, qi i lufton Tirana kaq tepër me të gjitha mjetet e saja propagandistike, aj, ose ajo, qi ka mbushun 65 vjett, merr nji rrogë jetike, për gjatë kohës sa t’i rraktoje zemra, edhe sikur të mos jetë i siguruem, për shkak se nuk ka funkcionue si punëtuer. Bota e qytetnueme, bota, qi kujdesohet për njeriun, ia ka ngarkue vehtes si detyrë me e mbajtun nji njeri të moshës së kalueme. Si detyrë njerzore! Edhe sikur të ketë djel e vajza.
Ndërsa, në Shqipnín komuniste, për moshën e kalueme nuk âsht parapamë asnji asistencë sociale, asnji ndihmë shoqnore. Kategorija e moshës së kalueme, qi nuk përfshihet në klasën e punëtorëve, âsht lânun në mëshiren e fëmijve. Po kur nuk ka fëmij, ose kur këto, nuk janë në gjendje për t’a mbajtun plakun, ose plakën?… Komunizmi, plakut dhe plakës iau ka mârrun të gjallët, tue i këthyem në proletarë; por, nuk âsht kujdesue fare për jetesën e tyne. Ndoshta, i quen të tepërt, pse janë vjetrue shum e nuk i hyjnë ma në punë.
Na, i dijmë mirë këto çashtje…
Ani, na dalin përpara picingul e na thonë se, kujdesohen për njeriun…
B. Bota kalitaliste, punëtorit ia ka njoftun të drejtën e fitimit dhe të zotnimit. Aj, âsht i lirë me zotnue shtëpi në vehte, me blemë tokë e me pasun do gjâ. Âsht i lirë me pasun edhe vetura e qerre tjera, sa të doje. Gëzon çdo gjâ të luejtshme e të paluejtshme me djerst e vet. Kurse në Shqipnín komuniste, edhe nji motosikletë, i shifet e tepërt punëtorit. Regjimi komunist, trêmbet se, me nji motosikletë, punëtori, mund të bâhet kapitalist. Kështu i dekllaroi ministri i mbrendshëm i Shqipnís, njij gazetari të huej, qi pat shkue para shum vjetve në Shqipní dhe e pat pyetun ministrin në se nji shqiptar, âsht i lejuem për të zotnue nji motosikletë. Ishte nji farë ÇETINER-i, aj, qi e pyeti…
Sod, kushdo prej mërgatës shqiptare, qi ndodhet në botën e lirë demokratike dhe qi âsht i zoti me e përçue, zotnon nji veturë luks, ose ma tepër dhe, mbrenda regullave të trafikut, pash më pash i bjè vendit kah të doje e si të doje. Gëzon lirin e shenjtë… Ndërsâ, punëtori shqiptar në Shqipní, si e tham, duhet të marrë leje kalimi edhe kur shkon prej nji fshati në tjetrin aty afër.
Prandej, askush, nuk âsht këthyem e nuk këthehet në Shqipní. Prandej, bota, hikin prej komunizmit.
Po, janë këthyem njâ katër a pesë të shkretë në Shqipní, shkaku i fëmijve të tyne; por, prej tyne nuk doli mâ asnji zâ. Si duket, ligjet e zeza. Iu ndodhi si skjapi te kasapi. As selam, as kelam prej tyne…
6. Në botën kapitaliste, vjeta e punës, âsht ajo e kalendarit. Nuk mban as ma pak, as ma tepër se 365 dit. Në katër vjet nji herë, Shkurti, mban 29 dit, kur bje vjeta prosup. Po t’i nxjerrim festat kombtare e fetare dhe të diellat, si dit pune, simbas vendit, nuk mund të kemi mâ tepër se 300 dit në vjetë. Dhe në çdo ditë pune, punëtori në botën e lirë, punon vetëm tetë orë. Por, edhe kjo kohë, ia ka fillue me u dukun si tepër. Prandej, në disa vende po zbatohen 40 orë pune në javë, tue punue vetëm 5 dit.
Po në Shqipní, si qendron puna ?
Këtê nuk e prekin komunistat. As fletorja e tyne, i trazon kjo çâshtje, E kapërcejnë në heshtje, sepse, kjo, nuk iu vlen per propagandë. Prandej, shterngohemi na me ia njoftue opinionit:
Në Shqipní, vjeta e punës, âsht plotsisht 450 dit. As ma tepër, as ma pak.
Llogarija, âsht krejt e lehtë : janë pranue 300 dit pune. Punëtorit, tue iu ngarkue 12 orë, ditve të punës, u janë shtue 50%. Dhe kështu, vjeta e punës, i âsht llogaritun 450 dit. Llogari komuniste…
Pra, punëtori në Shqipní, punon plotsisht 12 orë në ditë.
Punëtori në Shqipnín komuniste, nuk âsht i lidhun vetëm me orë; por, âsht i detyruem qi të kryeje dhe normën e caktueme: Kaq m3 murë, kaq m3 dhé, kaq m3 drû e tjera kësodore. Mjerë aj, qi nuk e kryen normën…
Sa bukur u kujdesueka K.Q. i P.P. Shqiptare për njeriun!…
Tash, po pyesim : -”Kush i mashtron punëtorët – d.m.th. punojësit-?”.
***
“Shqipëria e re”, me anën e poetit të saj “zamadh”! shifni se si e përshkruen çupën shqiptare:
Ti, moj pëllumbeshë
Sikur më s’je çupë
Se je trimëreshë
Në sup kazm e pushkë.
Të lumtë, bre vjerrshtor’ i përsosur. Sa mirë po e përshkruen gjendjen. Verte paske pasë qenë i mbaruar.
Në qoftë se lexuesat, nuk do të më kenë mërzí, edhe unë, do të përpiqem me e pershkrue gjendjen e çupës socialiste shqiptare në vjerrshërim, tu u mundue me ia përgjamë poetit penështërpuem:
I
Njërin sup me armë
Ngjitesh karmë në karmë.
Në tjetrin me kazmë
Dukesh si fantazmë.
Në të djathtë supatën,
Në tjetrën lopatën,
Vrapon nepër fushë,
Porsi një arushë,
Endesh medis malit,
Por si bisht’ i kalit
Vërdallë vjen në pyllë
Me zorrët si fyellë
Kinse socializmin
Kinse komunizmin.
Mirë për t’a ndërtuar
Mbete e hutuar…
II
Po pllumbeshë na ishe
Kur lirin’ e kishe ;
Por, tash, çup’ e bukur
Më nuk je një flutur
Me krahë të shkruar
Me trup të praruar
Nuk je më pllumbeshë,
Por, je një robreshë
N’duar të tiranëve
Ndër thonj të titanëve
Veç nuk ke një palë
Mustaqe si halë
Dhe t’mungon një mjekër
Edhe dishka tjetër…
Qe t’jesh vetë lugati
Si t’perbuzi fati…
***
-vazhdon-
Marrë nga “Lajmtari i të Mërguemit”, Dhjetor 1972, viti 3, numër 6
(….Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, Qershor 1973, viti 4, nr.7)
SHTETI KOMUNIST, ÂSHT ILEGAL
“Shqiperia e Re” farkon genjeshtra
IV
Do t’a vazhdojmë fushatën kundra fletushkës rrenacake të Tiranës, qi me disa fraza të porosituna të partís komuniste, pandehë se do të mashtroje popullin shqiptar dhe mërgatën t’onë nacionaliste. Ajo, si organ i partís komuniste, vërtitet andej-këndej, tue dashtë me na e mbushun menden se, K.Q. i P.P. Shqiptare, kujdesohet për njeriun. Dhe se, pra, Shqipníja, nên regjimin komunist, âsht bâmë lulja e paradizit.
Para se me shpalue pikëpamjet t’ona në themel, po duem me prekun shkurtas, se ç’âsht njeriu? Vepra me volume janë shkrue për tê. Me mija parime, janë vûmë për tê. Janë krijue proverba të panumrueshëm; janë ligjue nene e regulla të pambarueshme për tê. Kanë ardhun profetën; janë sajue faltina; janë ngrehun institute për tê. Çdo gjâ, qi ka bâmë njeriu, e ka bâmë po për atê vetë.
A mund të përshkruhet njeriu? Sidomos prej meje, qi më mungon pena dhe pajimi për t’i hymë këtij oqeani, icilli, nuk ka as skâj, as fund?
Nji poet filozof arap, tue iu dorëzue vleftës së nâltë të njeriut, i drejtohet në kët mënyrë: –
“Ti, pandehë se jé nji volum i vogël ;”
“Por, në Ty âsht palue e madhja gjithësí.”
Unë, pra, tue qenë i shtërnguem me heshtun, përsa i përket përshkrimit të njeriut, dëshroj me iu dhânun komunistave vetëm nji tabllo fare të thjeshtë mbi njeriun:
Njeriu, i hipi njij anije, qi e shpiku dhe e ndërtoi vetë; dhe, tue notue në hapsinën trishtuese, shkoi në Hanë. Dhe, mbassi qendroi do kohë atje, prap po me atë aní këthei në shtëpí të vet.
Me pak fjalë, ky, âsht njeriu. Nuk ka nevojë, mâ, as me e cillësue, as me e përshkrue. Mbas kësaj vepre, qi na habiti, âsht krejt kot me vargjazitun fjalë e fjalina për tê.
Aj, ndoshta, nesër, mund të bâje ndonji mrekulli edhe mâ të madhe. Nuk ndalet me kaq. Do të përpiqet me depërtue edhe në mistere tjera.
Ky njeri, pra, jo veç kujdes, por, meriton edhe mâ të madhin respekt.
Ahhh! Sa bukur do t’ishte qi Komiteti Qendror i Partís së Punës Shqiptare, të kishte tregue kujdes, lêne mâ për njeriun në përgjithësí, por, të paktën për njerzt e vet, të cillët i sundon.
Por, ofshetè!… Drejtuesat e komunizmit, ndodhen larg vetinave njerzore për të mund me u kujdesue për njeriun. Ata, qoftë si theorí, qoftë si zbatim i kësaj, janë kredhun në pellgun e ilegalitetit. Veprimtarin e tyne e kanë nisun nga pika e ilegalitetit dhe po e vazhdojnë po me ilegalitet. Dhe, kur mungon legaliteti, vendin e tij e zê kriminaliteti. S’ka ndonji rrugë tjetër të mesme. Në qoftë se respekton ligjet, administrimi, merr formë të njerzishme. Në qoftë se nuk i respekton, administrimi, merr trajtën kriminale. Këtê e dijnë dhe e pranojnë të gjitha shtresat e njij shoqnije, edhe pse nuk janë të dipllomueme në Moskë, ose në Pekin…
Komunizmi, si doktrinë shoqnore dhe komunistat, si besimtarë dhe ndjekësa të kësaj doktrine, athue a kanë respekt për ligjet njerzore dhe për njeriun vetë, qi âsht nji krijesë e shqueme?
Po e shoshitim kët pikë me gjak të ftoftë e pa u ndikue aspak prej macës së zezë, qi na ka hymë medis nesh e komunistave, për shkak se kemi kundërshtime të pakapercyeshme në mes t’onë;
1.Komunistat, medis tjerave, për të shkaktue nji kalaveshje – konfuzion – në mendimin e popullit, pretendojnë se kanë krijue nji demokrací. Dhe kët demokraci e mbiemnojnë “demokraci popullore”.
Demos-Popull. Kratos-Autoritet, qeverisje, sundim. Demokraci-Qeverisje popullore, sundim populluer.
Kuër sundon populli? Populli, sundon vetëm atëhere, kur t’i njifet e drejta me votue lirisht. Aj, në ditën e caktueme prej ligjës, do të shkoje lirisht në vendin e shenuem; do të votoje lirisht e në mënyrë të msheftë dhe votat e tija, do të shqyrtohen haptas prej njij komisioni të kryesuem nga nji gjyqtar i pa anshëm. Kjo, âsht demokracíja. Populli, dergon përfaqsuesat e vet në parlament dhe sundon me anën e tyne. Pra, kjo âsht edhe demokrací popullore, në qoftë se duem me e cillësue drejt.
Në komunizmë, ky sistem, nuk âsht i pranueshëm. Diktatori, i rrethuem prej klikës dallkavuke, mendon, ose bân sikur mendon se, veprimet e tija, i përshtaten vullnetit të popullit. Diktatori, gënjen dhe genjehet. As aj, e përfaqson popullin, as populli, sundon. Diktatorin e gënjejnë duertrokitjet hipokrite…
Tashmâ, në botën komuniste nuk po përdoren fjalët demokraci dhe demokratike. Vendin e tyne e kanë zânun fjalët: Popullore, socialiste e tjera. Vetëm Gjermanija Lindore, enè, âsht kah e përdorë. Kjo, demokracín e saj, po mundohet me e provue me murin e madh të turpit, qi ka ndërtue për të damë pjesën e lindjes të Berlinit prej pjesës së perëndimit… Na, kësaj demokracije mund t’i thomi: Demokracija e Ngujueme në Murin e Turpit. – T’onët, edhe këta, popullin e kanë ngujue ; por, deri tash, nuk kanë ndertue mure të dukshme të medhaja. S’âsht çudi qi nji ditë, për t’ia përgjamë Kinës, t’ia fillojnë ndërtimit, mbassi të kenë mârrun pëlqimin e Maos. –
Kët pikë e prekëm teksa për me tregue se, komunizmi, atij njeriu, qi fluturoi e shkoi në Hânë dhe, mandej, prej saj këthei triumfalisht në shtëpín e vet, nuk i ka njoftun ndonji të drejtë. Asnji grimë…
2. Komunizmi, si ç’po shifet, edhe në praktikë, njerzt i ka damë në dy grupe: Komunista e jo komunista. Ose me fjalë tjera, në proletarë e në kapitalista. Me fjalën kapitalist nuk ka për qellim me tregue vetëm njeriun pasanik. Për te kapitalist âsht, kushdo qi nuk përveton sistemin marksist – leninist, qoftë edhe i pa pasun.
Komunizmi, në dialektikën e vet, grupin, qi nuk âsht komunist e cillëson edhe me këto shprehje njollëzuese: Reakcionar, anmik i popullit, monarkofashist, tradhtar, kulak, i shitun, spekulator, spiun e tjera e tjera. Tash s’voni, âsht bâmë e modës qi të gjithë ata, të cillët, nuk e kanë në zemër sistemin komunist, të cillësohen si fashista. Kurse dikuër, komunistat shqiptarë, para datës 21/6/1941, na thojshin se, tërthoras, kanë aleancë me fashizmin, mbassi edhe ky, deri diku, âsht kundra kapitalizmit. Fashizmi, u bâ i keq për ta, vetëm, mbassi ushtríja gjermane, msyni Rusín.
3. Komunizmi, mbassi e din premas se, nuk mund të vije në fuqi me votat e popullit, me afate të paracaktueme, simbas rasës, përpilon programin për të shtimë në dorë pushtetin, tue bâmë kryengritje e tue derdhun gjak. Përpiqet me tërhjekun për vehte disa njerz të pa provuem, ose t’etshëm për pozita, me nji propagandë rrenacake. Mbjell helmin e anmiqsís medis dy grupeve, qi u treguen pak mâ nâlt. Shkakton dasín medis tyne. Këndellë mënín kundra grupit jo komunist. Stërvitë rinín femna e mashkuj, qi nuk janë në gjendje me gjykue e me pamë përtej hundës së vet. E ushtron këte, tue e mësue shkallë shkallë se si me mundue, me friksue, me terrorizue, me vramë e me zhdukun njerz. Të rij si engjej, i sjell në gradën e njij bishe. Dhe kështu, kadal kadal, vjen në gjendje me perdorun armët e asgjâsimit kundra popullit, qi i kundërshton për të mos hupun rendin dhe lirín.
Komunizmi, fillon msymjet, në çdo anë, me propagandë, me armë, me zjarm e me ç‘të ketë në dorë. Tash, ka fillue revolucioni. Vret, pret, djeg, pjek, pervëlon, shkatrron, shkallmon, trembë, shembë e bân njimijë kobe.
Ky, âsht revolucioni komunist, të cillin, doktrinarët, e quejnë revolucion i proletarëve.
Dhe, me kët revolucion komunistat, vijnë në fuqí. Mârrin pushtetin në dorë në kundërshtim me vullnetin e popullit. E mârrin fuqín në dorë me grykë të pushkës, tue vramë djali babën, vëllai vellán e fisi fisin.
Kështu ka ndodhun në revolucionin e 1917-ës në Rusí e po kështu ka ndodhun edhe në Shqipnín t’onë e kudo, qi âsht vendosun komunizmi.
4. Po. Për fat të keq, pikërisht kështu ka ndodhun edhe në Shqipní.
Mbassi nji pjesë e shqiptarëve në mërgim, nuk i ka jetue ngjarjet, nuk i din me hollësína. Nuk mund t’i dije, sepse, ka qenë në skaj të botës. Prandej, po e gjykoj të nevojshme qi të bâj nji përmbledhje të shkurtë, aq sa më lejon artikulli.
Kur e pushtoi ltalija fashiste Shqipnín me 7/4/1939, komunistat shqiptarë, nuk qenë t’organizuem. Prandej, nuk ndoqën ndonji drejtim të qartë. Dikush, mori pjesë në këshillin e shtetit; dikush, mori pjesë në partín fashiste, tue veshun këmishën e zezë e dikush tjetër, zûni vend nepër ministrína të ndryshme, ose në zyrat e tyne varëse. Si e theksuem edhe mâ nâlt, ata, n’atë kohë, thojshin se, me fashizmin kanë nji farë aleance nga pikëpamja e luftës kundra kapitalit e kundra botës kapitaliste.
Shum prej tyne, depertuen në radhët e Ballit Kombtar, qi u formue në vjeshtë 1939. Prej shtatë themeluesave të Ballit, sod, vetëm zotni Hasan Dosti, rron në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës. Tjerët, të gjithë, kanë ndërrue jet. Paçin dritë atje, ku kanë ramë.
Formimi i Ballit Kombtar, kishte për qellim dy pika :
-E para : Me krijue nji rezistencë kundra boshtit Romë-Berlin, për të sigurue përkrah jen e aleatëve në favor të Shqipnís, mbassi të mbaronte lufta.
-E dyta : Me përgatitun gjendjen për të pengue riardhjen e mbretit Zog, kur Shqipníja, do të kishte rifitue pavarësín e vet me fitoren e aleatëve.
Partija komuniste në Shqipní, u formue me datën 8/11/1941, atëhere, kur ushtrija gjermane, ishte tue marshue mbrenda tokave të Rusís.
U formue me udhëzimet e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës e vetëm si bisht i partís komuniste jugosllave. Me fjalë tjera, partija komuniste shqiptare, ishte nên urdhënin apsolut të partís komuniste jugosllave. Dhe kjo varësí, ka vazhdue deri në vjetin 1948, atëhere, kur u formue kominformi.
Le të mos harrojmë se, prandej, prîjësíja komuniste shqiptare, tue lânun në nji anë festën kombtare t’Indipendencës, d.m.th. 28 Nândorin, ka pranue datën 29 Nanduer 1944, të cillën e kremton për festë shpëtimi dhe Jugosllavija komuniste. Ata, qi duen me u ndriçue mbi sa po pretendojmë, le të kërkojnë librin italisht “Il Sangue Tradito”, qi âsht përkëthyem prej jugosllavishtes. Këtu kanë për të gjetun njoftime të dobíshme historike dhe se si parësíja e komunizmit shqiptar, me sjelljet e saja poshtalake, iu ka shërbyem Miladinit e Dushanit. Njeriu, kur t’a lexoje kët libër, përnjimend, sheh se âsht hjedhun shum poshtë sedra shqiptare.
Si shkel e shko, na duhet të shenojmë se, komunistat, në kët kohë, i patën vazhdue marrëdhaniet, në mënyrë djallëzore, edhe me Abaz Kupin, qi pat ardhun, për nji kohë të shkurtë, në kryesín e komitetit të shlirimit kombtar, titull, të cillin, vrik e vrik, e përvetuen komunistat në formën “Komiteti Nacional Shlirimtar”, tue mos bashkëpunue me zotni Kupin.
Po i bijmë shkurt, se s’na premton Lajmtari.
Në kët kohë, Kosova, Dibra dhe Struga, i qenë mbathun – aneksue – Shqipnís. Mirë, ose keq, thuej se ishte bashkue kombi shqiptar… Për të parën herë, vërtetohen dy atentate: Vriten prej komunistave Haxhi Luba në Prizren dhe Skender Çami në Korçë. Haxhi Luba, ishte nji bankier serb. Skender Çami, ndodhej drejtor i policís në Korçë. Aj, ishte njeri mâ se i ndershëm dhe i kishte shërbyem Shqipnís si oficer gjindarmerije në shum qarqe.
Njani prej therorëve ishte sllav e tjetri, ishte shqiptar. I pari, gëzonte nji pozitë si pasanik. I dyti, ishte nëpunës. Pra, ky, ishte nji atentat i kombinuem nga partija komuniste jugosllave. Kjo, në bashkëpunim me bishtin e saj, me partin komuniste shqiptare, fillonte terrorin kundra dy grupeve shoqnore: Kundra grupit pasanik dhe kundra grupit, qi kishte pranue ofice zyrtare.
Nuk po mundem me u përmbajtun: Prefekti i Korçës, aspak nuk e lodhi kokën për vrasjen e Skenderit. Mandej, ma vonë, edhe vetë, mbaroi si âsht mâ keq.
Zhvillohen ngjarje.
Komunizmi; hidhet në skenë me kushtrim: Luftë kundra okupatorit dhe bashkëpunetorëve të tijë tradhëtarë. Balli dhe mbretnorët, gjestin e komunistave e presin me gjak të ftoftë, mbassi i përshtatej dëshirës inglize.
Zhvillohen ngjarje.
Komunizmi, fillon me u forcue.
Por, enè, nuk paraqitet i rrezikshëm për organizatat e rezistencës. Kështu e kërkon politika inglize, thonë ato. Sido qi të jetë, komunizmi, nuk fiton. Prandej, le t’a vazhdoje luftën kundra okupatorit e bashkëpunetorve të tijë.
Komunizmi, u forcue, sâ mâ tepër. Populli, fillon me iu veshun, sepse i pëlqen lufta kundra okupatorit; i pëlqejnë premtimet e komunizmit dhe për veç këtyne, druen edhe terrorin, qi aj, ka fillue me vumë në zbatim aty këtu.
Organizatat kombtare, nuk duen me pranue përgjegjësin historike të vëllavrasjes.
Ngeci në Stalingrad, ushtrija gjermane. Italíja, kapituloi. Për komunizmin, u dukën orizontet e fitores. Aj, s’po ka nevojë, mâ, me luftue kundra okupatorit. Tash, duhej të luftoheshin forcat kombtare, qi formojshin nji pengim për tê.
Komunizmi, iau këthei pushkën organizatave kombtare. I atakoi hapët forcat e tyne. Muer pozicion të premë, tue fillue luftën frontale të shoqnueme prej asaj të çetave. Kundra nacionalizmit mbarë e me rend… Në çdo krahinë e në çdo vend. U lëshue si rrebeshi kundra shqiptarëve. Ashtu kishte marrun urdhënin prej siperiorëve slave…
Vrau, preu, mbyti, pushkatoi, terrorizoi, dogj e poq dhe përdori çdo barbarizmë e kriminalitet, qi as dreqi i mallkuem nuk mund t’i sajoje… E shtrîni për dhé popullin shqiptar, vetëm për t’ardhun në fuqi. E mbyti popullin shqiptar në gjak; vetëm për të grabitun pushtetin.
Dhe e grabiti!…
Në fund, qé edhe nji bilançio trishtuese:
A – Simbas ATSH, partizanë, d. m. th. komunista të vramë 30, 000
B – Përballë këtij numri, nacionalista të vramë 30, 000
C – Nacionalista të mërguem e të vdekun nepër burgje 40, 000
Shuma trishtuese . . . . . . . . . . . . . . 100, 000
Këta njiqindmijë shqiptarë, nuk janë njerz sido-kudo. Nuk janë fëmij, ose pleq e plaka. Janë ajka e shqiptarit. Njerz të dalluem për kah zotsija e cillësija.
Në këta njiqindmijë njerz nuk janë të përfshimë vëllazënt t’onë shqiptarë, qi janë asgjâsue prej partís komuniste jugosllave e qi, simbas gjasave, mund të mbërrijë në 60, 000 vetë. Çdo shqiptar, duhet t’a regjistroje në trût e veta se, në zhdukjen e shqiptarëve në Jugosllaví, partija komuniste shqiptare, ka ndihmue me çdo mjet. Ka ndihmue, sepse, n‘atë kohë, ishin nânë e bij me njâna tjetrën.
Agjensija Telegrafike Shqiptare (ATSH) qi u shenue në germën A-, shum vjet ma para, na impostohej nga Parisi.
Përmbyllje:
Shteti komunist, âsht shtet ilegal. Dhe âsht i gatuem me kriminalitet.
Mbas këtyne parashtrimeve, a mund të besojmë se Kom. Qend. i P.P. Shqiptare, kujdesohet për njeriun?
Kishim me besue dhe me e urue, atëhere, kur të ndryshoje sjelljet. Kur të zbatoje nji sistem njerzuer. Vetëm atëhere…
* * *
Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, Qershor 1973, viti 4, nr.7, fq.26-31