Nga data 16 deri 17 shtator në Ohër të Maqedonisë u zhvillua Konferenca e Shefave të Shtabeve të ushtrive pjesmarrëse në Kartën e Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partnerë të anëtarëve të grupit A5. Ishin të pranishëm përfaqësues nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Republika e Kosovës ishte në cilësinë e të ftuarit të posaçëm dhe përfaqësohej në këtë takim nga Gjeneralnënkolonel, Rrahman Rama, Komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi u diskutua kryesisht mbi sigurinë rajonale dhe globale dhe përpjekjet e përbashkëta për arritjen e qëllimeve të NATO-s, të partnerëve të saj si dhe aftësive operacionale të forcave të tyre për përballimin e cdo sfide të sigurisë në rajon.
Presidenti Maqedonas Ivanov, foli për nevojën e zhvillimit të “mekanizmave parandalues në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit të luftëtarëve terroristë” dhe theksoi se vendet e grupit të Adriatikut duhet të integrohen në arkitekturën e sistemit të sigurisë së NATO-s dhe Bashkimit Evropian me një qasje të lirë deri tek të gjitha bazat e të dhënave.
Në vijim Shefi i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli të Italisë, Admirali Mark Ferguson, nënvizoi se dyert e NATO-s mbeten të hapura, gjë e cila mund të jetë një sfidë më e madhe se ajo e vitit 2003. Takimi i parë i vendeve të A5, Kartës së Adriatikut, është mbajtur në Shqipëri në vitin 2003. {SH.K]