Berisha: Azemi me studentët nënshtruan diktaturën/
Ish-Kryeministri Berisha ka vendosur mbrëmë kurora me lule në shattiren e Azem Hajdarit. “Në ato ditë në çdo shesh dhe rrugë, Azemi mbillte shpresë dhe besim”, tha Berisha.
“Erdhëm për të bërë homazhe para shtatores së tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, por dhe veprës epike të studentëve të dhjetorit të vitit 1990, të cilët me një guxim, që fatmirësisht sot, mendja e atyre që lindën në 90-tën nuk mund ta rrokë kurrësesi.
Me një trimëri të vendosur për të paguar çdo çmim për lirinë, u përballën në rrugët e këtij qyteti me diktaturën më të egër në Europë. Azem Hajdari, që udhëhoqi ata qindra studentë të natës së 8 dhjetorit të vitit ‘90 dhe ditëve në vazhdim që iu bashkuan, dolën në rrugë me një vendim, i cili mund t’u kushtonte atyre çdo gjë të shtrenjtë që ka njeriu, dolën për ta bërë këtë qytet rinor të lirë dhe ata në 24 orë shndërruan qytetin Studenti në kështjellën e parë të lirisë së shqiptarëve.
Azem Hajdari me studentët e tjerë që iu bashkuan, në një hark kohor të shkurtër gjunjëzuan nomenklaturën, klikën e Ramiz Alisë dhe imponuan pluralizmin politik.
Duke soditur së bashku me ju shtatoren e Azem Hajdarit çfarë më erdhi në mëndje. Më erdhi në mëndje një paralelizëm në të kundërt. Asokohe në çdo shesh mbillte tmerr dhe terror shtatorja e Enver Hoxhës. Në atë kohë, në çdo shesh mbillte shpresë dhe besim tribuni i lirisë Azem Hajdari, që do shkonte nga Jugu në Veri të Shqipërisë, nga Lindja në Perëndim për të trokitur, zgjuar në ndërgjegjen e qënieve tmerrësisht të shtypura, të indoktrinuara por dhe të poshtëruara, nga kulti i satanit për t’i zgjuar ata dhe dalë dhe një herë si njerëz të lirë.
Kështu që edhe dua të shpreh mirënjohjen më të thellë, respektin më të madh për Azemin por dhe ata bashkë studentë të tij, disa qindra më pas edhe mijëra, që u përballën në këtë shesh me regjimin më të egër, më diktatorial, regjimin që i vriste të rinjtë në kufi, regjimin që zvarriste kufoma në sheshet e qyteteve për të mbjellë tmerr tek qytetarët e tyre dhe bënë për lirinë e shqiptarëve më shumë se çdo kush tjetër. Nderim të madh atij dhe studentëve liberatorë”, u shpreh Berisha.
Lulzim Basha takim me të rinjtë në ‘Qytetin Studenti’/
Kreu i PD-së, Lulzim Basha takim me të rinjtë në ‘Qytetin Studenti’, aty ku filloi lëvizja studentore e 26 viteve më pare/
*Basha: Sot kemi autokraci me pushtet në duart e kryeministrit – së bashku të shembim sistemin e dështuar
*Premtimi/35% e grupit të ri parlamentar të PD-së do të jenë të rinj e të reja të zgjedhura me votën tuaj e sipas aftësisë së tyre
Pas protestës para kryeministrisë të rinjtë e forumit rinorë, vazhduan tubimin drejt qytetit Studenti, në një bashkëbisedim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili tha se sot pas 26 vitesh liria dhe demokracia mbeten akoma aspiratë për Shqipërinë. Basha tha se të rinjtë dhanë mesazhin se janë të gatshëm të ngrihen për ti rikthyer vendin lirinë dhe demokracinë. Kryetari i PD-së u shpreh gjithashtu se protesta e të rinjve në Tiranë dhe anembanë Shqipërisë ka për qëllim t’i kthej lirinë, qeverisjen, shqiptarëve përmes fuqizimit të demokracisë. Sot, pas 26 vjetësh, liria dhe demokracia mbeten ende aspirate të paplotësuara deklaroi kreu demokrat. “Të bëhemi të djathtë dhe të majtë për një Shqipëri europiane. Pse edhe pas 26 vitesh jemi të fundit, pse s’jemi si sllovakët, çekët?! Çfarë shkoi keq, çfarë duhet të ndryshojmë? Më lejoni të jap reflektimet e mia për atë që duhet të ndryshojmë. Sot nuk kemi demokraci, por autokraci, pushtet i pakufizuar në duart e njerëzve, pushtet në duart e kryeministrit. Sot nuk ecën përpara sipërmarrësi i ndershëm, që konkurron me produkte, por ai që përcakton i plotfuqishmi i katundit, i qytetit, i kryeministrisë dhe përcakton nga zyra e tij, telefoni i tij, se cili biznes do të ecë, se ku do të shkojë taksidari dhe doganieri për të terrorizuar sipërmarrësit. Kemi parti politike që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre dhe jo për qytetarin. Asgjë nuk është më në duart e qytetarëve. Frika dhe terrori që kjo kastë e inkriminuar sundon ekonominë dhe institucionet, shpirtin dhe mendjet e shqiptarëve, ky është armiku i vërtetë i shqiptarëve dhe unë jam i bindur se të rinjtë si ju nuk u ngritën kundër disa figurave, por dhanë sot më 8 dhjetor 2016, kushtrimin se rinia demokrate dhe rinia shqiptare kanë vendosur të ringrihen përsëri t’i kthejnë çdo shqiptari të drejtën që është e tyrja për të vendosur me demokraci, për të arritur lumturi, siç e mendojnë, jo siç e përcakton “njëshi” në Kryeministri. Dua t’jua them se nga ky shesh i frymëzimit për liri dhe demokraci se liria është zgjidhja për gjendjen e tmerrshme ku ndodhet vendi, liria për të kritikuar këdo dhe thënë atë që mendoni, liria për të mos qenë servilë të kryetarit apo deputetit, liria për të qenë forca më e madhe e ndryshimit, forca e së nesërmes. Lindëm si parti jo si e partisë, jo si parti që donte të vinte në pushtet, por si parti e shpresës, me idealet tonë që duam të arrijmë, me gabimet tona për të cilat reflektojmë, por mbetemi parti e shpresës. Ne duhet të ndryshojmë edhe mënyrën si jetojmë në shtëpinë tonë, t’i japim mundësinë të shprehë idetë”, tha Basha. Në vazhdim të fjalës së tij para studentëve, lideri i PD-së tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa bashkë me ju të shembim këtë sistem të falimentuar, të dështuar, të korrupsionit dhe krimit që nderon të dënuarit për drogë, i bën deputetë e kryetarë bashkish dhe ndëshkon të aftët, të mirët, të zotët. “Këtë mund ta bëjmë vetëm duke shembur kolonat e sistemit, duke shembur pushtetin e pakufizuar të qeverisë, duke i dhënë pushtet qytetarit të vendosë se kush do të jenë përfaqësuesit e tij. Brenda Partisë Demokratike kjo do të thotë t’i japim pushtet anëtarëve të Partisë Demokratike, të rinjve në Partinë Demokratike, që të vendosin, madje të diktojnë, përfaqësuesit e ardhshëm demokratë në institucionet ku merren vendime për qytetarët; në parlament por edhe kudo tjetër ku merren vendime për jetën e qytetarëve, për mirëqenien e qytetarëve, për shëndetin e tyre, për arsimin e tyre, për arsimin e tyre, për shërbimin ndaj tyre. Po e bëmë këtë dhe jam i bindur se me ndihmën tuaj, me ndihmën e rinisë do t’ia dalim me sukses të vendosim këtë standard evropian në PD, atëherë rruga është e hapur dhe besimi i shqiptarëve do të jetë i palëkundur që të njëjtët do të afrojnë për ta nesër në qeverisje: – një ekonomi të çliruar nga monopoli, që do të thotë një ekonomi që çliron më shumë vende pune, më shumë mundësi për të rinjtë, për të gëzuar jetën e tyre këtu në Shqipëri në vend që t’i drejtohen alternativës së largimit. – një politikë e çliruar nga krimi dhe korrupsioni do të thotë më shumë mundësi për rininë, që të sigurojë jo vetëm përfaqësim, por edhe vendimmarrje në institucionet shtetërore, jo sipas militantizmit, por sipas profesionalizmit, sipas meritës, sipas aftësisë. Nuk ka rrugë tjetër. Asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara duke nderuar krimin, duke e kthyer drogën në aktivitetin kryesor ekonomik. Asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara duke fuqizuar pushtetarët dhe duke shfuqizuar qytetarët. “Liria mua më dha mundësinë kur isha fare i ri të shkoja në një vend perëndimor dhe të studioja. Liria, hapja e Partisë Demokratike në vitin 2005 më dha mundësinë të jap kontributin tim për ndryshimin e madh të vendit. Në vitin 2005, pra, unë vetë e di, e kam provuar, e kam shijuar avantazhin e lirisë dhe sot, misioni im i shenjtë është që gjithsecili prej jush dhe çdo i ri shqiptar dhe çdo qytetar shqiptar ta gëzojë avantazhin e lirisë” theksoi Basha. Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë me rastin e 8 Dhjetorit, kreu i opozitës Lulzim Basha është shprehur se 35% e grupit të ri parlamentar të PD-së do të jenë të rinj e të reja. Në këtë mënyrë ai ka lënë të kuptohet se do të ketë spostim të “xhaketave” të vjetra në Partinë Demokratike. “Reflektimi im për rininë i qartë. 35% e grupit të PD do të vijë nga ju dhe do t’i zgjidhni ju lirisht me votën tuaj, sipas aftësisë së tyre, sipas bindjes suaj. Pushtet për qytetarët dhe jo për politikanët. 26 vite më parë, heronjtë tanë e hapën rrugën. Sot ju bëj apel ju të rinjve, pas 26 vitesh a jeni gati të merrni në dorë fatin e vendit. Para 26 vitesh ekzistonin dy botë, bota e Bllokut, dhe nga ana tjetër Shqipëria reale. Edhe sot është kështu, ka një botë me krokodilë të korrupsionit, dhe një botë tjetër me njerëz në varfëri, pa mundësi, pa shëndetësi, të rinj pa të ardhme. Janë dy botë, dhe njësoj si para 2+ vitesh, kur udhëheqësi krenohej se jemi populli më i mirë ushqyer, ndërsa shqiptarët nuk merrnin as vlerat kryesore ushqimore”, tha Basha. Më pas, e mori fjalën një student që specializohej në Suedi, i cili vuri në dukje se nuk kishte pasur asnjë mundësi të specializohej në mjekësi në Tiranë, por e fitoi pa pagesë të drejtën, në Suedi. Duke e marrë shembullin e Jurgenit, kreu i opozitës, Basha, bëri një ndërhyrje: “Jurgeni po specializohet në Suedi për mjekësi, një fushë shumë konkurruese, ndërkohë që këtu i kërkuan 45 mijë euro! Nuk dua të bëj moral, sepse morali është vetë këtu, po ky është ndryshimi i standardit të lirisë mes nesh dhe një prej vendeve me standardet më të larta të demokracisë në botë”.Të rinjtë protestuan para qeverisë dhe bashkisë/
Dita e Rinisë është shndërruar dje në një ditë protestash masive para katër institucioneve qeveritare nga ana e të rinjve të Forumit Rinor të PD-së, nën moton “Rama ik”. Thasë të improvizuar me plehra, apo pako me kanabis u vendosën para Kryeministrisë, si simbol i kanabizimit të vendit apo idetë e Ramës për të importuar plehra nga jashtë. Protesta e djeshme, e zhvilluar në ditën kur 26 vjet më parë, të rinjtë e këtij vendi u ngritën për të rrëzuar diktaturën, erdhi me një mesazh. Të rinjtë e këtij vendi, nuk duan kanabis, nuk duan të largohen, nuk e pranojnë korrupsionin në arsim, në shëndetësi. Ata duan të jetojnë në një vend të shëndetshëm dhe pa plehra, ku të rinj si Arditi mos bëhen viktima të varfërisë dhe makutërisë së Erion Veliajt, apo dhe të tjerëve si ai. Simbolika ishte e qartë, të rinjtë e këtij vendi duan ndryshim. Dhe ky ndryshim nuk mund të vijë me Edi Ramën, Erion Veliajn, apo të gjithë të tjerët përgjegjës për rrënimin e këtij vendi. Të rinj me pankarta në duar u pozicionuan para Bashkisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme në të njëjtin orar. Duke rikujtuar 8 dhjetorin, ditën e ndryshimit të madh që solli forca e të rinjve, ata kanë kërkuar dorëheqjen e drejtuesve e të institucioneve. Protesta nisi në orën 11:00, dhe nën parulla të tilla si “Kundër reformës në arsim” apo “Dorëheqje ministrja Nikolla” një pjesë e të rinjve protestuan para Ministrisë së Arsimit. Kundër importit të mbetjeve, kundër taksave, apo drejtësi për Arditin, që u vra në Sharrë apo “Erion thuaj një herë shefit jo””, ishin thirrjet që u dëgjuan nga protesta që u mbajt para Bashkisë së Tiranës. Vëllai i Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që humbi jetën në landfillin e Sharrës iu bashkua protestës së Partisë Demokratike përpara Bashkisë. Në një fjalim të shkurtër të mbajtur para protestuesve, ai akuzoi Veliajn për vrasjen e vëllait. “Në Ditën e Rinisë askush nuk i ka kërkuar falje familjes sime. Në Ditën e Rinisëm dua të kërkoj ty Veliaj, dil përpara drejtësisë dhe jep llogarim sepse e thirre vëllain tim për punë dhe pastaj e vrave. Familja ime nuk ta fal kurrë”m tha ai. Ndërsa tek Ministria e Shëndetësisë të rinjtë protestuan me arkivol në krah si simbolikë të shëndetësisë që nuk është për qytetarët. Protesta e të rinjve demokratë kulmoi përpara Kryeministrisë. Nuk munguan veprimet simbolike për situatën e kanabizimit në vend, keqmenaxhimin në landfillin e Sharrës, koncesionet, duke ju rikthyer edhe thirrjes historike të vitit 1990: “Liri Demokraci”.
“Përpara me Lulzim Bashën do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Rama rinia nuk të do më. Ti je e shkurara ne jemi e ardhmja”, tha kreu i FRPD, Belind Këlliçi. Në të njëjtën kohë protesta nga të rinjtë u zhvilluan dhe në Kukës, Sarandë, Delvinë e Korçë. Ashtu si në Tiranë dhe në këto qytete, të rinjtë demokratë hodhën thirrje kundër varfërisë, mungesës së investimeve në shëndetësi apo arsim, si dhe kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës, nga posti i kryeministrit.