Nga Koço Sterjo /
Ashtu siç ishte planifikuar, më 17 Qershor, në Bronx të Nju Jorkut, u zhvillua Takimi i një grupi të vogël numerikisht të hoshtevjatëve të SHBA dhe vizitorëve të ardhur nga Atdheu.
Ky Takim u iniciua nga bashkëatdhetari dhe bashkëfshatari ynë, z. Mitro Saqëllari, aktualisht në Tiranë edhe me detyrën e Nënkryetarit të Shoqatës Atdhetare- Kulturore “Zagoria” dhe u mundësua nga organizatorët: Filip Kristani e Koço Sterjo si dhe vetë pjesëmarrësit.
U listuan për këtë Takim gjithësej 30 vetë, nga të cilët u njoftuan 25 dhe ishim në pritshmëri nga publiku edhe të emrave të tjerë që mund të na kishin shpëtuar nga kujtesa. Në Takim morën pjesë 13 vetë. Nuk arritëm dot të gjenim adresat apo numrat telefonikë të Koço Dilos, Robert Priftit e Liljana Puleshit (bashkëshortë) si dhe u kujtuam me shumë vonesë për Vasil Saqëllarin dhe Eduart Tartarin, të cilëve, personalisht, iu kërkoj ndjesë.
Në Takim morën pjesë: Dhimo Nasi, Aristotel Ndreko, Adelina Duri, Filip Kristani, Hektor Kristani, Vladimir Telo, Katerina Telo, Mitro Saqëllari, Mirela Saqëllari, Artemis (Telo) Baçi, Alfred Baçi, Elio Qirko dhe Koço Sterjo.
NGA “VATRA”…
“VATRA” e ka me vete emrin se ç’ ndjen njeriu, kur e viziton Atë…Po sa mirë ia kanë gjetur emrin: Shtëpia e “VATRËS”! Sa mirë që e kanë pagëzuar kështu! Shtëpi dhe Vatër- dy elementë të qenësishëm historikë e jetikë për shqiptarin…
Ndjenjat që përfton njeriu, kur viziton Shtëpinë e “VATRËS” në Nju Jork, janë të njëjta me ato, kur shkon pranë sheshit, gllanikut e oxhakut të Vatrës në Shtëpinë tënde të Vendlindjes…(Dy “Oxhakët” e mëdhenj të “Vatrës” nuk i gjetëm dot fizikisht më këmbë, por i gjetëm dhe i gjen, jo vetëm nëpër fotografitë e stërmëdhaja nëpër muret e kësaj Shtëpie, por në çdo milimetër të saj dhe kudo ndër zemrat e shqiptarëve të Amerikës dhe të të gjithë Shqipërisë…)
Ishte kënaqësi e papërshkruar të vizitoje “VATRËN” e të gjithëve. Editori i gazetës më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, ndoshta dhe të të gjithë shqiptarëve, i nderuari z. Dalip Greca, e kishte hapur Derën e Shtëpisë shumë kohë përpara orës së lenë të Takimit, orës 12:00 të mesditës. Kur unë e vëllezërit Kristani mbritëm aty, në 11:30, Z. GRECA bisedonte me Dhimo Nasin. Dhimo Nasi ishte hoshtevjati i parë i këtyre viteve që “bëri këmbë” te “Vatra” jonë. Dalip Greca është një atdhetar i njohur, intelektual i spikatur e gazetar i kompletuar për kulturën gazetareske. Ai e filloi Ciceronin që me të parin dhe e përsëriti atë me seicilin prej nesh që vinte me diferencë kohe në takim deri në orën e caktuar. Dhe, më në fund, e përsëriti atë për të gjithë në një përmbledhje të historikut të “Vatrës”, shoqëruar me spjegimin e të gjitha foto-ve që vishnin muret.
Për mua që e kisha për herë të parë një vizitë të tillë dhe i kisha drejtuar kërkesën Editorit në fjalë, edhe për faktin se ishte ditë pushimi, e diel, feste dhe kampionati botëror të futbollit, ishte e papritur ardhja pas pak e Zëvendës Kryetarit të “VATRËS”, z. Agim Rexhaj, nga Kosova, me të cilin pata një bisedë shumë të ngrohtë, para takimit “zyrtar”. Dhe akoma më e papritur, kur në orën 12:00, në orën e zenitit të Diellit, ia behu para nesh vetë Kryetari i Organizatës më të Madhe Panshqiptare të Amerikës, z. DRITAN MISHTO, i shoqëruar nga Anëtari i Kryesisë, z. Zef Balaj.
Ishte kënaqësi e veçantë të dëgjoje në bashkëbisedim MISHTON, këtë djalë të ri, intelektual dhe energjik, ish Konsullin e Shqipërisë në Nju Jork. Ai e mori fjalën i pari dhe na uroi mirë se ardhjen. Foli shkurtimisht për “Vatrën” dhe misionin historik të saj e realizimin e tij, qysh nga themelimi në vitin 1912 si dhe detyrat për të ardhmen e rëndësinë e mbushjes së radhëve të saj me fuqi të reja.
Më tej, Mishto po zbritte, si pa kuptuar, drejt Zagorisë e Hoshtevës, duke na lenë të kuptonim se i njihte problemet shqetësuese atje, pothuajse, po aq si ne. Foli me ndjenjë dhembjeje e shqetësimi për udhët e rrënuara, rënien e monumenteve të kulturës, si rasti i Urës së Hoshtevës dhe që mund të përsëritet te Kisha në qendër të Fshatit,…etj. halle të mëdha të atjeshme. Dritan Mishto erdhi në Takimin tonë me një djalë të ri, student në SHBA, që ne nuk e njihnim. “Ju solla,- tha Ai,-fidanin më të ri të Hoshtevës. Quhet Elio Qirko. Është djali i Kiço Qirkos…” Dhe, më tej, spjegoi lidhësinë që kishte ai vetë me djalin e Jorgo Qirkos, që e njihnim të gjithë. Dikush aty përsëriti një sentencë që e kisha dëgjuar për herë të parë nga djali im i vogël, pas vizitës në shtëpinë tonë të kushëririt tim nga Argjentina, Nicolas Bochides: “Thonë mirë: Sa e vogël është Bota!”
Pas përfundimit të fjalës së Tij të koncetruar, Z. MISHTO ia dha fjalën Koço Sterjos, njerit prej organizatorëve të takimit, i cili, pas falnderimeve të rastit, shpalosi një prezantim të shkurtër të Hoshtevës historike dhe emigracionit të saj drejt Amerikës, qysh prej fillimeve të shekullit XX, duke vënë në dukje se lidhjet e këtij fshati me Amerikën janë evidente edhe nga vetë “goja” e shifrave, ku, nga një provincë kaq e vogël, në lartësitë e maleve të Çajupit, Dhëmbelit e Nemërçkës, vetëm në harkun kohor 1900-1939, kanë emigruar 101 vetë. Shumë prej tyre themeltarë dhe antarë të “Vatrës”. Një pjesë dhe drejtues të lartë të saj apo të degëve të saj nëpër Amerikën e Veriut. Prezantuesi u tregoi pjesëmarrësve, prej faqeve të librit “Hoshteva dhe hoshtevjatët”, fotografinë e qershorit 1912, që paraqet 24 burra hoshtevjatë, dalur në qytetin Bidford të shtetit Mein (Biddeford- Maine). Gjithashtu, Editori i “Diellit”, Z. Dalip Greca, e shfletoi këtë fotografi nga njeri prej Albumeve të “Vatrës”.
Referuesi në fjalë e shtriu paraqitjen për të gjithë Zagorinë e zagoritët kontribues të “Vatrës”, mbështetur në dy librat që kishte marrë me vete: “Hoshteva dhe hoshtevjatët”, të bashkautorëve Llukan Saqellari e Milo Kristani, dhe “Zagoria, zakone dhe tradita”, të autorit Evjen Peri, duke përmendur figurat më të njohura të saj: STATH SULI, Stath Andoni, Ilia Andoni, Stefan Lesho, Lipe Kasapi, Xhorxh Puleshi, Stath Kondi, Sokrat Nashi, Qirjako Bita, Vangjel Stefani, Perikli Suli etj. Koço Sterjo u tha drejtuesve më të lartë të “Vatrës” sot se mësuesi i pari i fshatit tonë, Stath Puleshi, u dërgua me mision prej “Vatrës” për të hapur shkollën e parë shqipe në Zhej, Hoshtevë, Konispol e gjetkë. Po ashtu, nga faqet e librit, u bë e njohur një faksimilie e kontributit të zagoritëve në ato vite për “Vatrën” si dhe pjesë të shkëputura nga gazeta “Dielli” e 23 shkurtit 1923: nekrologjia e vdekjes së “antarit të nxehtë të Vatrës nga Hoshteva” Qiro Pepe. Disa prej këtyre çasteve të përmendura u konsumuan para fjalës së prezantimit “zyrtar”.
Pas këtij prezantimi, Kryetari Mishto ia dha fjalën z.Mitro Saqellari, mysafirit të sapoardhur nga Shqipëria, i cili falnderoi drejtuesit e “Vatrës” për gjetjen e kohës në këtë ditë pushimi dhe feste dhe impenjimin e tyre për të qendruar e spjeguar pranë nesh. Ai foli për rëndësinë e antarësimeve të reja zagorite në këtë Organizatë Shqiptare kaq të madhe si dhe në Shoqatën e krahinës. “Vatra,- tha ai,- do bëjë dhe politikë, politikën kombëtare, atë që le mangut qeveria. Ashtu siç e ka bërë dhe në vitet ’20 të shekullit të kaluar për mbrojtjen e kufijve të Atdheut.”
Kryetari kërkoi dhe fjalën e vizitorëve të ardhur direkt nga fshati, ku Katerina Telo foli për shqetësimet që has fshati e krahina si dhe përpjekjet e tyre atje e të të gjithë njerëzve për kapëcimin e vështirësive të panumurta, të cilat janë sa objektive po aq dhe subjektive.
Në diskutime morën pjesë edhe Dhimo Nasi, Agim Rexhaj, i cili bëri një ekspoze të “Vatrës” qysh nga fillimi dhe momentet kryesore të ndihmesës së saj për Kombin etj., Zef Balaj etj. Midis tyre, u vu në pah ideja që misioni i shoqatave të tilla, si “Vatra’, “Zagoria” etj. të natyrave të pavarura, realizohet më së miri, kur ato ngrihen mbi krahët politikë të momentit…
Në përfundim të fjalimeve të Takimit në “VATRA”, fjalën e mori Editori i “Diellit”, i cili rezume-në historike të “Vatrës” e shoqëroi me tregimin dhe spjegimin e fotografive më kryesore të shpallura dukshëm e zmadhuar krenarishëm në të katër muret e Shtëpisë.
Momentet më sinjifikative të Takimit te “VATRA” ishin:
1. Me të hyrë në zyrën kryesore, përballja me një foto të madhe në mur, ku në Komisionin Qendror të “Vatrës”, në vitet 1917-1918, dallohet edhe emri e pamja e atdhetarit të madh hoshtevjat STATH SULI.
2. Nga shfletimi i Albumit të “Vatrës”, 1953-54, ku patrioti Xhorxh Puleshi (George Pouleshi) ka vendosur fotografinë e famshme hoshtevjate të 1912 , me 24 burra, u spjeguam zotërinjve drejtues të “Vatrës” lidhjen mes emrave të fotos dhe pjesëmarrësve të ditës së sotme. Midis tyre, Filip Kristani është gjyshi i këtyre dy djemve që shihni sot këtu: Filip dhe Hektor Kristani. Po ashtu, edhe Anastas Konomi është stërgjyshi i tyre nga nëna. Mitro Saqellari,- u thashë,- që është duke ardhur këtu, ka patur emigrantë në Amerikë gjyshin e vet Mitro Saqellarin dhe 3 vëllezërit e tij: Rakon, Vangjelin dhe Anastasin. Pikërisht, Vangjel Saqellari është në këtë foto. Këta me mbiemër Kasapi janë dajo të mëmës sime dhe të tjerë me këtë mbiemër-kushërinj të parë të joshës sime.
3. I gjithë sfondi i mureve të kësaj Shtëpie i mbushur me fotografi madhore të Nolit e Konicës dhe shumë të tjera, ku pasqyrohen veprimtaritë më të fuqishme të “ Vatrës” ndër vite, na ktheu në nxënës.
4. Mikpritja tipike shqiptare e të gjithë drejtuesve të Shtëpisë dhe fjalët e tyre të mençura.
5. Në fund të Takimit, inxhinier Filip Kristani i dhuroi Kryetarit të “Vatrës”, Z. Dritan Mishto, dy kopje të librit “Hoshteva dhe hoshtevjatët”, në emër të autorëve të librit.
6. E fundit fare, një sërë fotografish me të gjithë pjesëmarrsit.
Dhe… të mos harrojmë, të dashur bashkëfshatarë, edhe një herë, pjesëmarrjen e Elio Qirkos…, mesazhin domethënës që ajo përcjell ndër breza!…
Mirutakofshim herësh të tjera më shumë dhe më mirë!(Vijon)