Gjatë ditës së enjte, 17 Janar, në Bruksel filloi raundi i katërt i dialogut në nivel të lartë politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, me takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.
Edhe kësaj radhe takimi zhvillohet në ndërtesën e shërbimit të jashtëm diplomatik të BE-së, saktësisht në zyrën e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme për siguri, e cila edhe është ndërmjetësuese në këtë dialog.
Sot në selinë e BE-së në Bruksel kanë konfirmuar edhe një herë se çështja e veriut do të jetë njëra ndër temat kryesore të këtij raundi të dialogut.
Të pyetur në lidhje me platformën apo rezolutën që ka Serbia për Kosovën, zyrtarët e BE-së kanë përsëritur që nuk dëshirojnë komentojnë.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Catherine Ashtonit, ka thënë se për Bashkimin Evropian me rëndësi është të merren konkluzat e ministrave të BE-së nga dhjetori, të cilat, sipas saj, shpjegojnë se kah duhet të shkojë zgjidhja për veriun e Kosovës.
Sot gjatë ditës, kryeministri Thaçi së pari u takua në një takim bilateral me baroneshën Ashton, pastaj përfaqësuesja e lartë pati takim të veçantë edhe me kryeministrin e Serbisë, në mënyrë që të pasohet me darkën e punës.
Përpos veriut të Kosovës, temat e diskutimeve thuhet të jenë edhe zbatimi i deritashëm i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, më saktësisht zgjidhja për mënyrën e mbledhjes të të ardhurave nga dogana, pastaj edhe Telekomi dhe energjia.
Ditëve të kaluara ka pasur takime në nivel të grupeve punuese, kështu që nuk përjashtohet mundësia, siç thonë në BE, që të arrihet marrëveshje edhe në këto drejtime.
Sa i përket Bashkimit Evropian, zyrtarët e BE-së përsërisin se presin që të dyja palët, si Prishtina, po ashtu edhe Beogradi, të vazhdojnë të jenë të përkushtuar në dialog, dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe serioze, që të shfrytëzohen muajt në vijim, për të arritur përparim të mëtejmë në këtë dialog.
BISEDIMET: Thaçi e Daçiq kthehen kah tema qendrore – veriu
Takimi i sotem ndërmjet kryeministrave të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, pritet të hapë për diskutim çështjet që kanë të bëjnë me komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe ku autoritetet kosovare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin e tyre.
Hapja për diskutim e kësaj teme, në Prishtinë po shihet në mënyra të ndryshme.
Përderisa analistët politikë rikujtojnë deklaratat e tyre të kamotshme se bisedimet Prishtinë – Beograd do të mund të përfundojnë me një marrëveshje për autonominë e komunave veriore të banuara më shumicë serbe, përfaqësuesit e partive politike, në anën tjetër, presin që kryeministri Hashim Thaçi t’u përmbahet qëndrimeve se nuk do të diskutojë me autoritetet serbe për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Megjithatë, analisti dhe publicisti Halil Matoshi mendon se procesi i negociatave po dëshmohet se është i karakterit të pastër politik që mund të përmbyllet me autonominë e veriut.
Pavarësisht disa vijave të kuqe që ka prezantuar të hënën kryeministri Hashim Thaçi, Matoshi thotë se agjendën e bisedimeve e përcakton Bashkimi Evropian.
“Agjendën e këtyre negociatave e përcakton Brukseli. Tashmë ka një konsensus edhe në vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, por edhe të SHBA-së, se ndarja e Kosovës nuk vjen në shprehje, se territori i Kosovës do të mbetet unik dhe i pandashëm dhe se pavarësia e Kosovës do të mbetet e pakthyeshme, ndërkaq solucioni do të jetë një autonomi, e cila praktikisht mund të justifikohet me Pakon e presidentit Ahtisaari”, vlerëson Matoshi.
Para takimit të radhës me homologun e tij, Ivica Daçiq, kryeministri Hashim Thaçi ka takuar përfaqësuesit e partive politike, të cilët i ka informuar me pozicionin e palës kosovare në këto bisedime.
Në qëndrimet e prezantuara nga kryeministri Hashim Thaçi thuhet se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të bisedojë me Serbinë për statusin dhe pavarësinë e Kosovës, tërësinë territoriale dhe organizimin e saj të brendshëm.
Ndërkaq, temat, për të cilat Qeveria e Kosovës është e interesuar të bisedohet, janë largimi i strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës, krijimin e rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e veriore deri te krijimi i komunës së re të Mitrovicës Veriore dhe rrethanave për organizimin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në këtë pjesë të Kosovës.
Duke iu referuar temave të takimit të 17 janarit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se Qeveria dhe kryeministri Thaçi mund të bisedojnë me Beogradin vetëm për shuarjen strukturave paralele serbe dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri, por jo edhe për ndonjë lloj statusi special për këtë pjesë.
Ismet Beqiri
“Ajo çka kushtimisht mund të flitet dhe nuk mund të injorohet është fakti se në veri të Kosovës ekzistojnë struktura ilegale e kriminale, banda serbe, dhe se çështja është se si ato të shpërbëhen dhe presioni do të duhej të bëhej mbi Beogradin. Por, asgjë më tepër kësaj nuk mund të bisedohet, sepse është e qartë se ne nuk do të pranojmë dhe do të ishte kundër interesave të vendit. Një mandat të tillë nuk e ka as zoti Thaçi”, thotë Beqiri.
Subjekti politik që kundërshton nga fillimi bisedimet me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje, ka ndërmarrë një nismë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit para se takimi Thaçi – Daçiq të mbahet këtë të enjte.
Megjithatë, Vetëvendosje nuk ka gjetur mbështetjen e nevojshme nga ana e partive tjera parlamentare.
Visar Ymeri, deputet i Vetëvendosjes, kishte sqaruar se kjo nismë kishte si qëllim nxjerrjen e një mocioni në Kuvend për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, pasi që ato tash, sipas tij, edhe praktikisht po prekin në rregullimin e brendshëm të Kosovës.
“Konsiderojmë që është e domosdoshme që Kuvendi të diskutojë para se të vazhdojë dialogu, pra për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme, e cila do të duhej të mbahej më së largu të enjten”, kishte thënë Ymeri.
Sidoqoftë, nga Brukseli është rikonfirmuar edhe një herë, përmes zëdhënëses së baroneshës Ashton, Maja Kociançiq, se çështjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, do të jenë tema qendrore të dialogut.
Në Bruksel, të martën janë takuar grupet punuese në kuadër të dialogut teknik, derisa të enjten më 17 janar, do të zhvillohet takimi i planifikuar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton-(Kortezi: ZIJADIN GASHI)
Mbahet sot takimi i radhës, Thaçi – Daçiq
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq do të takohen sot në Bruksel në bisedimet që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian. Që të dy kryministrat presin që të fokusohen në çështjen e pjesës veriore të Kosovës.
Në deklarimet e dy kryeministrave para këtij takimi është folur për veriun, por edhe për anëtarsimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Thaçi ka thënë se pas përfundimit të këtij raundi të bisedimeve, Kosova do të arrijë të fitojë ulësen e saj në OKB.
Me anë të një komunikate të lëshuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, Thaçi ka bërë të ditur se pjesë e këtyre diskutimeve nuk do jenë çështjet që kanë të bëjnë me statusin, pavarësinë dhe tërësinë territoriale. Ai gjithashtu ka thënë se diskutimet do të jenë vetëm në bazë të dokumentit të Ahtisaar-it.
Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se Kosova duhet që të ofrojë diçka në shkëmbim të ulëses në OKB. Por, kundër kësaj ideje ka qenë presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq. Ai ka hedhur poshtë mundësinë që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, duke e quajtur këtë vetëm si një iluzion.
Në takimin që mbahet sot në mes të dy kryeministrave, pritet të diskutohet për mënyrën e legalizimit të strukturave paralele serbe në veri dhe të gjendet një mënyrë që të njëjtat t’i binden organeve shtetërore të Kosovës.(
Thaçi: Në fund të bisedimeve, Kosova merr ulësen në OKB
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar sot kabinetin qeveritar në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel me homologun serb, Ivica Daçiq.
Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij se në takimin që do të ndërmjetësohet si zakonisht nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ai do t’i përmbahet agjendës e cila do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe Planin e presidentit Marti Ahtisaari.
Në asnjë mënyrë, sipas tij, pala kosovare nuk do të pranojë që në tavolinën e bisedimeve të shtrohen çështjet që prekin në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
Ndërkaq duke iu referuar tashmë temës qendrore të dialogut, asaj për gjendjen në veri të Kosovës, Thaçi tha se synimi i palës kosovare është shuarja e strukturave paralele atje dhe vendosja e institucioneve demokratike që do të punojnë në kuadër të sistemit kushtetues e juridik të Kosovës.
“Në asnjë mënyrë nuk do të bisedoj për statusin politik. Ai është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Pastaj për tërësinë territoriale që është e njohur e pranuar ndërkombëtarisht, për organizimin e brendshëm të Kosovës që është kodifikuar edhe me Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”.
“Ne synojmë që brenda një periudhe të shkurtër kohore të arrijmë largimin e të gjitha strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës. Pastaj transformimin e strukturave ekzistuese në veri në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale në struktura të qytetarëve të veriut të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiq është cituar të ketë thënë se Qeveria e Serbisë mund të bisedojë me palën kosovare edhe në lidhje me ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por si kundërshpërblim kishte kërkuar që edhe Kosova të jepte diçka.
Thaçi nuk ka komentuar këtë deklaratë, por ka shprehur bindjen e tij se në fund të procesit të bisedimeve palët do të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do t’i siguronte Kosovës edhe ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Kosova me të drejtë pret që kjo marrëveshje e cila mund të arrihet në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duhet patjetër që t’i mundësojë Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Prandaj është e domosdoshme që Kosovës t’i sigurohet anëtarësimi në OKB, t’i hapet rrugë sa më e shpejtë për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian”, është shprehur Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha po ashtu se bisedimet me Serbinë duhet të sjellin si rezultat shuarjen dhe largimin e strukturave ilegale serbe nga veriu të cilat i ka financuar shteti serb.
Ndërkaq nuk i ka mohuar të drejtën Serbisë që të investojë në komunat me shumicë serbe në Kosovë në fusha të caktuara si arsim, kulturë e shëndetësi, por ka kërkuar që fondet të jenë transparente dhe të menaxhohen nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës.
Kryeministrat Thaçi e Daçiq, pritet që nesër nën ndërmjetësimin e baroneshës Ashton të mbajnë takimin e katërt me radhë në Bruksel.
Risi e këtij takimi është paralajmërimi i Brukselit që të hapet për diskutim edhe tema e zhvillimeve në veri të Kosovës ku Prishtina zyrtare nuk ka qasje për shkak të pranisë dhe ndikimit të fuqishëm të strukturave paralele serbe të mbështetura nga Beogradi zyrtar.
Daçiq: Mund të flasim edhe për një karrige në OKB
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka porositur sot se Serbia mund të flasë edhe për një karrige për Kosovën në Kombet e Bashkuara, por në atë rast, sipas tij, edhe Prishtina duhet të ofrojë diçka.
“Ne mund të merremi vesh për çkado. Nuk po ikim nga kjo, nuk është kontestuese. Ne kërkojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por që ajo të arrihet, duhet edhe të jepet diçka”, ka thënë kryeministri serb, duke folur para gazetarëve në Beograd.
“Çfarë mendojnë ata, që ne të japim çdo gjë?”, është pyetur ai.
Mjetet serbe të informimit citojnë edhe deklaratën e tij se “rezolutën e Serbisë për Kosovën ia ka dorëzuar përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton“, e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë – Serbi, dhe se Hashim Thaçi, “nuk mund të vendosë se për çfarë do të flitet në takimin e ardhshëm”.
Deklaratën e kryeministrit të Kosovës, se rezoluta serbe do të jetë e papranueshme në tavolinën e bisedimeve, Daçiq e ka quajtur “për konsum të brendshëm”.
Sipas tij, edhe vetë baronesha Ashton, ka thënë se “do të nisin bisedimet mbi paralelizmat institucional dhe mbi veçantinë e serbëve dhe se nisur nga kjo, do të bisedohet edhe për rezolutën, edhe për platformën”.
“Kur them veçantinë e serbëve, mendoj se për të gjithë është e qartë se kjo nënkupton gjetjen e një zgjidhjeje, e cila nisur edhe nga deklaratat e mëhershme të zyrtarëve evropiane nënkupton një rajon të posaçëm”, ka thënë Daçiq, duke nënvizuar se të gjitha këto tema, “do të jenë të pashmangshme në takimin e rradhës”.
Takimi do të mbahet më 17 janar në Bruksel, ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.