Nga George PANI/ Hartford CT/
Shqiptarët e Hartfordit dhe rrethinave përreth festuan me madhështi e krenari kombëtare së bashku Festën e Pavarësisë. Në një atmosferë të ndezur festive plot krenari, gëzim e shqiptari, qindra pjesëmarrës për rreth 6 orë, dëfryen nën muzikën shqiptare dhe këngët e kënduara nga Ylli Baka dhe Entela Ilirjani. Në sallë ndodheshin rreth 250 Shqiptarë dhe Shqiptaro-Amerikanë, banorë të Hartfordit, Glastonbury, Rocky Hill, West Hartford, Neëington, Southington, Bristol, Windsor, Neë Haven, Waterbury etj.
Këtë eveniment historic e kombëtar e nderoi me pjesëmarjen e tij edhe Kryetari i Bashkisë në Hartford, Zoti Pedro E. Segarra, i cili u foli të pranishmëve për vëllazërimin mes popullit Shqiptar dhe atij Amerikan, për vlerat dhe kontributin e Shqiptarëve ndër breza këtu në Amerikë. Mbrëmjen e hapi studentja Amerikano-Shqiptare, Raisa Ballo duke uruar Mirëseardhjen të gjithë bashkëtdhetërve, dashamirësve të kulturës shqiptare dhe të pranishmëve të tjerë. Më pas moderatorja e mbrëmjes artistik-historik-patriotik, i dha fjalën Kryetarit të Degës “Vatra” Hartford”, zotit Ilam Peci, i cili falenderoi pjesëmarrësit në këtë eveniment të vecantë , duke iu uruar atyre: Gëzuar Festën e Pavarësisë. Pas Kryetarit, z. Peci, e mori fjaën, vatranja, dhe njëkohësisht, Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Zonja Raimonda Moisiu, e cila bëri një përshkrim të shkurtër historic të Ditës së Pavarësisë, datat historike dhe personalitetet historike të lidhura me të. Pas zonjës Moisiu, fjalën e mori edhe Kryetari i Bashkisë në Hartford, zoti Pedro E.Segarra, i cili mes të tjerash vlerësoi lart kontributin e Shqiptarëve në USA, vëllazërimin dhe ngjashmërinë me kulturat e tjera që janë emigrantë ne USA. Ai theksoi se “këtë vit vendosëm Flamurin Shqiptar në ndërtesën e Bashkisë në Hartford. Këtë e bëmë dhjetë ditë më parë dhe do ta lemë atje, derisa një ditë tjetër e shënuar e ndonjë kulture tjetër të ketë ditë festive.” Pas tij, Zoti Peci e quajti të hapur mbrëmjen duke i uruar të gjithëve: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.
Këngët e kënduara nga Ylli Baka dhe Entela Ilirjani ndezën atmosferën dhe pista u mbush menjëherë me shqiptarë që kërcenin nën vallet popullore shqiptare nga të gjitha trevat dhe trojet shqiptsare Shqipëri, Kosovë, Camëri dhe Maqedoni. Asnjëherë më parë nuk kishte pasur kaq pjesëmarrës një eveniment i tillë në shtetin e Connecticut. Organizatorët gjendeshin në këmbë, duke bërë të mundur, që gjithkush të mbetej i kënaqur në këtë mbrëmje, kaq të vecantë për komunitetin shqiptaro-amerikan në Hartford. Ajo që binte më shumë në sy ishin, të rinjtë, shumë prej tyre të lindur në USA apo të ardhur shumë të vegjël, kërcyen dhe kënduan këngët e vallet popullore shqiptare. Pista asnjëherë nuk mundi të kmbetej bosh dhe rinia tregoi se tradita vazhdon dhe Shqiptarizma mbahet gjallë, pavarësisht largësisë nga Atdheu. Flamujt Shqiptarë dhe Amerikanë ishin vendosur mbi pistë të vendosur në pjesë të ndryshme të sallës. Kudo sundonin ngjyrat kuq e zi dhe simbolet shqiptare.
Vajza 12 vjecare e një Shqiptaro-Amerikani, e quajtur Sara, ishte e para që ftoi Zotin Pedro E. Segarra të kërcente nën ritmin e valleve shqiptare dhe ai u ngrit me kënaqësi duke i kërcyer vallet tona. Me pas ai kërceu edhe shumë herë të tjera nën ritmet e muzikës vecmas te serenatave korcare, që për cudi i ngjasonin me ritmet e muzikës latine nga edhe kishte origjinën. Kudo kishte hare dhe kënaqësi në atë mbrëmje aq të bukur e mbresëlënëse. Para se të largohej Zoti Segarra bisedoi shkurtimisht me disa pjestarë nga kryesia e “Vatra Hartford” duke hedhur mendimin për binjakëzimin e Hartfordit me një nga qytetet Shqiptare. Ai u shpreh, “Nuk i dihet kohërave dhe situatave, por gjithnjë duhet të dini se keni vend një vëlla dhe mik të mirë në krahun tuaj që është Amerika.” Të shumtë ishin ata qe e falenderuan, për ardhjen e tij në këtë mbrëmje.
Mbrëmja u organizua nga Kryesia e Degës “Vatra” Hartford” si edhe nga kompania Eagle 3 Dots – Dardhë Albania, kompani e cila kishte marrë përsipër dekorin festiv të mbremjes. Fotoreporteri i njohur i RTSH—së, z. Julian Napoloni realizoi filmimet e mbrëmjes dhe Fatjon Gjashta ishte tekniku i qëndres së zërit në sallë. Bisnesmenët e mirënjohur të indusyrisë kulinare në Hartford CT sponsorizuan me ushqime të bollshme sipas traditës shqiptare. Shumë nga pjesëmarrësit shprehën kënaqësinë e tyre në këtë mbrëmje duke premtuar pjesëmarrjen e tyre në evenimentet e ardhëshme që do të organizohen.
George PANI
Hartford CT USA