Nga Gjergji Mima/-Skënderbeu i Korçës arriti një fitore të thellë 4-1 në ndeshjen e parë të turit të dytë të eliminator të Champions League ndaj irlandezo-veriorëve të Crusaders, duke hedhur një hap të sigurt drejt fazës tjetër të këtij kompeticioni.Korçarët e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen, ku arritën të gjejnë golin e avantazhit në minutën e ’15- me Bakary Nimaga, i cili realizoi pas një krosimi nga krahu i majtë i sulmit.
Ishte minuta e 34-t kur Hamdi Salihi, lojtari i kombëtares sonë, dyfishoi shifrat, pasi një gabimi të portierit mik. Me këtë rezultat do të mbyllej pjesa e parë.
Vetëm 3 minuta pasi nisi pjesa e dytë, irlandezo-veriorët arritën të shkurtojnë diferencën në 2-1. Jordan Owens ishte autor i golit.
Më pas gjithçka foli për të besuarit e trajnerit Josa, të cilët shënuan edhe dy gola të tjerë. Në minutën e 76, Bernard Berisha e çoi rezultatin në 3-1, ndërsa ishte sërish Salihi në të 83-ën që vulosi rezultatin në 4-1.Tashmë Skënderbeu udhëton për në Irlandën e Veriut për ndeshjen 21 korrikut me një rezultat tejet komod për të arritur një kualifikim në fazën tjetër të Champions League.