-Oda Ekonomike e Kosovës, anëtare me të drejta të plota të Forumit investues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor/
BUDVË, 21 Tetor 2015/ Oda Ekonomike e Kosovës është anëtare me të drejta të plota të Forumit investues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, ndërsa kryetari Safet Gërxhaliu anëtar i Këshillit drejtues të këtij asociacioni të biznesit në nivel të rajonit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të takimit konstitutiv të Forumit investues të Odave të mbajtur në Budvë, Mal të Zi, kryetari Gërxhaliu ka vlerësuar se bashkëpunimi rajonal i odave ekonomike ka rëndësi të veçantë për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe realizimin e kërkesave të komunitetit të biznesit me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për të bërit biznes.
Ai u angazhua për partneritet në mes të odave ekonomike të rajonit dhe bashkëpunim në paraqitjen projekteve të përbashkëta ndaj donatorëve.
Kryetari Gërxhaliu u angazhua edhe për shtimin e ndikimit të odave ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor përmes bashkëpunimit në mes të odave dhe forumit i cili u themelua sot.
Pjesëmarrësit e Forumit përkrah propozimin e kryetarit të OEK-ut për një letër të përbashkët drejtuar kryeministrave të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian me të cilën do të njiheshin me rezultatet e bashkëpunimit por edhe angazhimet e përbashkëta te odave ekonomike.
Ndryshe ky Forum paraqet organizim joprofitabil të odave kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është rezultat i marrëveshjes së arritur në Vjenë në gusht të këtij viti.
Forumi ka për qëllim krijimin e kushteve për veprim dhe inkuadrim më efikas të odave dhe ndërmarrjeve të rajonit në realizimin e projekteve të infrastrukturës dhe projekteve të tjera me rëndësi për prosperitetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Si qëllim i veçantë është angazhimi që me veprimin e përbashkët të odave ekonomike, bashkëpunimin dhe harmonizimin e aktiviteteve të përqendrohet në zhvillimin e konkurentshmërisë të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryetarët e odave sonte do t’i presë në takim kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanovic, ndërsa nesër do të takohen me kryeministrin Millo Gjukanovic./b.j/