Zhvillohet ndeshja miqësore e futbollit midis ekipit të FASH dhe FSK/
Nga Shefqet Kërcelli/
Sot mbasdite, datë 17 qershor, në zbatim të planit të bashkëpunimit midis dy ushtrive tona për vitin 2016, në stadiumin “Skënderbej”, u zhvillua një ndeshje miqësore futbolli midis ekipit të FASH dhe FSK. Këtë aktivitet të rëndësishëm sportiv-kulturor-miqësor, përvec dhjetra ushtarakëve të dy vendeve e ndoqën dhe Ministri i Mbrojtjes i FSK, zoti Haki Demolli, Shefat e Shtabeve të dy Ushtrive, Gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe Gjeneralejtnant Rrahman Rama. Mbas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar të dy vendeve, pjesmarrësit i përshëndeti SHSHP i FASH, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, i cili falenderoi zyrtarët dhe ushtarakët e FSK për vizitën e tyrë në Shqipëri dhe zhvillimin e kësaj ndeshje simbolike. Ndërsa ndjekim dhe përjetojmë lojërat e bukura të kombëtares në Evropian, ndeshja e sotme na jep një kënaqësi të vecantë dhe shpreh qartë bashkëpunimin në fushën politike, ushtarake dhe diplomatike, tashmë dhe sportive me FSK, theksoi Gjeneral Bazo. Le të shohim një ndeshje ashtu si të kombëtares sonë, me shpirt sportiv e luftarak, me profesionalizëm e respekt për gjithësecilin. Le të fitojë më i miri! Ky ishte mesazhi që përcolli zoti Bazo, para ndeshjes. Ndërsa zoti Haki Demolli, Ministër i FSK, falenderoi MM dhe SHSHP për pritjen e organizuar, duke evidentuar ndihmën që shteti shqiptar dhe FASh po jep për konsolidimin e FSK dhe integrimin e saj në NATO. Dhe aktiviteti i sotëm, është shprehje e qartë e këtij bashkëpunimi në rritje u shpreh zoti Demolli. Mbas gjuajtjes së topit të parë nga drejtuesit ushtarakë të dy vendeve, filloi ndeshje e cila dhuroi spektakël të vërtetë për pjesmarrësit. Një ndeshje ku u fol shqip dhe i paraprin ndeshjes miqësore midis dy kombëtareve tona. Me sa duket ushtarakët e dy vendeve janë një hap para, pasi e kanë krijuar tashmë një traditë të mirë në organizimin e aktiviteteve sportive e kulturore në raport me strukturat civile. Ndëshja e sotme u karakterizua nga qarkullimi i dendur i topit, aksionet e sulmet e shpeshta, rastet e krijuara nga të dy palët, korrektësia në lojë, dhuruan emocione të bukura për tifozët e shumtë me uniformë, por dhe personelin civil të FA. Gjithsesi goli i parë u shënua në fillim të pjesës së dytë për vëndasit nga futbollisti Gazmend Gashi, ndërsa miqtë barazuan në minutën e parafundit me gol të Semir Svrko. Kështu ndeshja u mbyll me barazim 1:1, por kupën e kësaj ndeshje të bukur e mori ekipi i FSK, pasi shënuan gol në fushën kundërshtare. Gjeneralmajor Bazo ja dhuroi kupën e këtij eventi kapitenit të FSK, ndërsa zoti Demolli i dhuroi kupën e lojtarit më të mirë, futbollistit ushtarak, Gazmend Gashi. Së shpejti do zhvillohet dhe ndeshja e kthimit në Kosovë, midis dy ekipeve ushtarake të FSK dhe FASH. Ndërkohë para dy vjetësh u zhvillua ndeshja e parë miqësore midis dy ekipeve me uniformë të kombit shqiptar, të cilën e ka përcjellë gazeta “Dielli”. Gjithashtu informojmë lexuesit se gazeta “Dielli”, në vijëmësi ka përcjellë aktivitetet kryesore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë e Kosovës, me synim të qartë bashkëpunimin me ushtrinë e SHBA. Pra, ushtarakët e dy vendeve do gjejnë tek “Dielli”, gazetën që inkurajon dhe vlerëson cdo përpjekje dhe sakrificë që karakterizon profesionin e tyre të nderuar, në dobi të kombit shqiptar.