Delegacioni i qeverisë së Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Nikola Gruevski ku nuk ka qenë i pranishëm asnjë ministër shqiptarë në SHBA ka zhvilluar takime edhe me disa biznesmenë shqiptaro- amerikan nga Maqedonia, por këto takime kanë qenë larg vëmendjes së mediave të diasporës shqiptare dhe korrespodentëve të mediave shqiptare.
Korrespodenti i agjencisë INA nga Nju Jorku raporton se nuk dihen arsyet se përse Gruevski ka zhvilluar këto takime me biznesmenë shqiptarë nga Nju Jorku dhe Çikago dhe cilat kanë qenë pikat e diskutimit. Ndërsa edhe nga ana e biznesmenëve nuk bëhet e ditur se çfarë është diskutuar në këto takime të ndara pa praninë e mediave dhe jashtë protokollit zyrtar.
Kryeministri Nikola Gruevski e ka vlerësuar të suksesshme vizitën e tij në SHBA, duke theksuar se janë shpalosur të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për investimeve e kompanive të njohura amerikane në Maqedoni.
“Vizituam katër qytete të mëdha të rëndësishme, Nju-Jorkun, Çikagon, Los Anxhelosin dhe Las Vegasin dhe takime me mjaft kompani: Në prezantimet kishte shumë të pranishëm, i madh ishte interesi, u parashtruan shumë pyetje dhe u realizuan shumë kontakte personale. Disa kompani tashmë paralajmëruan ardhjen në Maqedoni disa njoftuan se do të investojnë në Maqedoni”, deklaroi Gruevski.
Në kuadër të kësaj vizite në kuadër të delegacionit qeveritar ishin vetëm ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e VMRO-DPMNE dhe nuk ishte ministri pa portofolio apo investime, Visar Fida apo ndonjë zyrtar i lartë i Agjencisë për Investime të Huaja, e cila i takon BDI-së. (Beqir SINA/INA)