Nga Tomë Mrijaj/
Detroit (MI). Në një ambient festiv shqiptar dhe intim familjar, dy të rinj shqiptaro-amerikanë kurorëzuan fejesën, në prani të shumë miqve, shokëve, që kishin ardhur për të ndarë gëzimin me çiftin e ri. Më 10 gusht 2013, në mjediset komode të Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali në Detroit (MI), u zhvillua ceremonia e fejesës së Robert Përlleshit me Valdete Dema.
Makinat varg njëra mbas tjetrës ndalojnë përpara Kishës së madhe, që ndodhet në Rochester Hills, Detroit. Sapo hyn në oborrin e madh të Kishës, të duket vetja sikur je në Kalanë e Krujës apo në Sheshin Skënderbeu në Tiranë e Prishtinë, ku, busti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastritoti, të bën që t’a ndjesh vetën krenarë se jemi shqiptarë. Përpara të shfaqet një vepër madhështore kulti e stilit modern, ku, mjeshtërisht janë ndërthurur klasikja e ritit roman katolik me vlerat e çmueshme të traditës së pasur shqiptare.
Në hyrje gjendet Kisha me rreth 1875 ulëse, e cila është ndërtuar e re në vitin 2002. Historia e lavdishme mbi 2000-vjeçare e Krishtërimit në trojet Ilire deri në ditët tona, është e pasqyruar në pikturat me tematikë patriotike, realizuar mjeshtërisht nga një piktor shqiptar, nën përkujdesin e përkushtuar të ideatorit dhe misionarit të palodhur për Fe e Atdhe, një ndër liderët e shquar atdhedashës të komunitetit shqiptar në Amerikë, I Përndershmi Dom Anton Kçira.
Emocionet të pushtojnë gjithë trupin, tek sheh se Atdheu në Kishën e Shën Palit në Detroit, është më pranë, ndonëse jemi mijëra milje larg vendlindjes. Në hollin e saj në faqet e murëve, gjenden pikturuarat me veshjet apo kostumet me larushin shumëngjyrëshe popullore, duke e sjellë në Amerikë Nënën Shqipëri dhe trojet e tjera etnike shqiptare në miniaturë…
Tek afrohesh i mbushur me gëzim bisedon lirshëm me njerëzit, që gjenden në ambintet e ndryshme të Kishës, të gjithë të flasin shqip dhe të urojnë mirëseardhjen në gjuhën e bukur amtare. Buzë klasave komode, ku, mësohet çdo ditë gjuha dhe historia shqipe, sheh mësimdhënës mërgimtarë.
Në hyrje të minishkollës, gjendet përjetimi i emërit të Poetit Komëbtar ‘At Gjergj Fishta’ dhe pak më tutje një bibliotekë e pasur me tituj të autorëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Amerikë dhe shumë vepra të ardhura nga trojet shqiptare.
Për të gjithë ato, që jetojnë dhe punojnë në SHBA dhe trojet etnike, njihet kontributi i madh e i vijueshëm, që ka dhënë për disa dekada Kisha Katolike Shqiptare e Shën Palit në Rochester Hills (Detroit, MI), nën udhëheqjen e bariut shpirtëror I Përndershmi Don Anton Kçira, për çështjen shqiptare në Kosovë dhe mbas rifitimit të lirisë dhe demokracisë së fesë në Shqipëri mbas vitet 1990.
Sa herë që bashkëatdhetarët tanë mblidhen, në gëzime pranë sallës së mëdha komode të Kishës më të madhe të botës shqiptare të Amerikës e gjtkë, gjithnjë me nderim dhe respekt, kujtohet me nostalgji, roli kryesor që ka luajtur udhëheqsi shpirtëror dhe aktivisti i palodhur e i kudondodhur atdhetari i shquar I Përndershmi Dom Anton Kçira…
Këtë sipas traditës së krijuar nga I Përnmdershmi Dom Anton Kçira, në sallën e madhe me 1200 vende e rrethuar me piktura e vepra arti të mirëfillta kombëtare, zhvillohen aktivitete kulturore, si: festivale, manifestime të ndryshme kombëtare, takime me personalitete të shquar të botës shqiptare nga trojet etnike, dasma dhe fejesa, duke e kthyer atë në një Qendër të madhe të botës shqiptare në shtetin e Michagan-it.
Ishte një gëzim, që do të ruhet gjatë në kujtesën e të pranishme. Të rinjtë intelektualë Robert & Valdete, mes një atmosfere festive muzikore, shkëmbyen unazat e fejesës.
Gëzimi dhe lumturia, lexohej fare lehtë në sytë e dy të sapofejuarëve, dhe në buzëqeshjen e çiltër të kryefamiljarëve të tyre Hilë Përlleshi, pinjoll i familjes së Ndue Përlleshit dhe pedagogu i Universitetit të Prishtinës Prof. Dr. Marjan Dema, pinjoll i familjes zëmadhe të Shaban Demës, që sot me anë të kësaj fejese, u përforcuan miqsitë mes dy familjeve të mirënjohura në Kosovë, New York dhe Detroit, Përlleshi & Demaj.
Këto dy familje të njohura në historinë e Kosovës, shumë dekada më parë, kanë qenë pjesëmarrëse aktive në levizjet nacionaliste liridashëse antisllave serbo-komuniste në trojet e Kosovës.
Pak minuta para orës 12:00 në mesditë, në sallën komode, filloi vallëzimi, ku, dy të rinjtë buzagaz, ishin të parët që nisën të vallëzojnë nën tingujt e muzikës së lëhtë me esencën embëlsisë së dashurisë së tyre…
Sapo mbaroi vallëzimi, i riu Robert Pelleshi, me një buzëqeshje fisnike i afrohet Valdetes, ku, ulet në gjunj e i merr dorën e njomë, duke i vendosur plot gëzim unazën e fejesës. Ishin vertetë momente emocionuese dhe shumë të gëzueshme, për të gjithë të pranishmit dhe veçanërisht për prindërit e gëzuar të të dy të rinjve.
Pedagogu i Universitetit të Prishtinës Prof. Dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga tingujt e muzikës shqiptare, merr mikrofonin dhe uron miqsinë e përtërirë mes dy familjeve mike Dema & Përlleshi. Ai, i emocionuar nga gëzimi, u uron fejesën dy të rinjve, ku, thotë ndër të tjera, se: “Ju Robert & Valdete, me fejesën tuaj sot, i vendoset vulën themeleve të miqsisë tonë të hershme prej shumë dekadash.”
Më pas në emër të familjes Përlleshi, fejesën dhe miqsinë e hershme e përshendeti me fjale të përzgjedhura Prof. Ndue Përlleshi i Riu, i cili, foli gjatë me fakte dhe argumente historike mbi historinë e parardhësve: luanin e Kosovës koamdantin Ndue Përlleshi (1908-1949) dhe bashkëluftëarin e çetës së tij nacionaliste, deshmorin e Shqipërisë Etnike Shaban Demën (1919-1948).
Përlleshajt & Demajt, kanë një histori të gjatë miqsie
Ndoshta, për lexuesit e kohës sonë, është mirë të thuhet pak rreshta në këtë shkrim-reportazh, mbi historinë e dy parardhësve të çifitit të ri të porsafejuar në Detroit, Ndue Përlleshi e Shaban Dema, që me gjakun e tyre për liri, skaliten emërat në altarin e lavdishëm të historisë.
Historia e Kosovës, është e mbushur me ngjarje, data dhe figura të rëndësishme, që bënë historinë e saj ndër shekuj, duke shënuar kësisoj faqet e lavdishme të historisë martire të popullit dardan.
Familjet Përlleshi & Dema
Ndue Përlleshi, lindi në Paskalicë, fshat në Lug të Drinit, më 1908. Ishte biri i Gjonit nga Paskalica dhe Prenës nga Nepolja e Lugut të Baranit. Shkrim e lexim mësoi në Zllakuqan, në shkollën e Kishës të hapur asokohe (1897) nga Atë Shtjefën Gjeçovi. Thuhej se mësuesi i tij ishte Ndue Vorfi.
Edhe pse s’kishte kryer ndonjë shkollë të lartë, ai qysh në ditët e hershme të fëminisë së tij, kishte mësuar mjaft në odën e burrave të familjes së tij, të pajisur me tradita burrërie, nderi e trimërie.
Ndou, ishte aktiv në jetën politike të kohës. Që nga viti 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste (për herë të parë u hap kufiri shqiptar Kosovë-Shqipëri).
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë asokohe Dr. Kapidan Mark Gjon Marku, duke parë kontributin dhe seriozitetin e të riut Ndue Përlleshi, e emëroi Kryetar Komune në Vogovë të Hasit, që gjendej në vijën kufitare Kosovë-Shqipëri.
Kjo pozitë drejtuese, që iu dha Ndout të ri, bëri që ai të njihej për s’afërmi me personalitetet e jetës politike dhe luftarake. Më vonë Ndue Përlleshin e shohim kryetar në komunën e Becit. Ai deri në fund të vitit 1944, ishte kryetar në Komunën e Budisalcit. Në këtë kohë vjen brigada e VII partizane me komandant Shaban Haxhiun, i cili e njihte shumë mirë aktivitetin e Ndue Përlleshit. Në malet e Dollcit, u takua me çetën e Ukë Sadikut. Me çetën e Ndout ishte Prof. Ymer Berisha, Marije Shllaku, sëbashku me vëllezërit e tij Zefin, Hilin dhe bashkëluftëtarët besnik Ndrecë Nikollën, Shaban Demën, Zef Sokolin e shumë të tjerë.
Çeta e Ndue Përlleshit, kishte mbetur të veprojë thuajse e vetme, me pak luftëtarë dhe ishte gjithnjë e ndjekur nga OZN-a. Më 8 shkurt të vitit 1948, sëbashku me dy shokët e tij, Ndrecë Nikollën e Shaban Demën, u rrethuan nga OZN-a në Mal të Bokshiqit.
Mbas disa orë luftimesh, mbetën të vrarë dy shokët e tij Ndrecë Nikolla dhe Shaban Dema, ndërsa Ndou i plagosur qëndroi në mesin e pyllit deri në orët e para të mëngjesit, ku, me një breshëri plumbash çan rrethimin, duke lënë në fushë të betejës shumë të vrarë e të plagosur nga forcat e ndjekjes partizane (komuniste) dhe vullnetarët e rekrutuar me dhunë.
Ndou, me plagë të rënda arrin në shtëpinë e tij. Kur po i mjekonin plagët, aty vjen kryetari i komunës së Jagodës, Jank Boriçi, i cili, hedh një bombë brenda në shtëpi. Ndou me shpejtësi e kap dhe ia kthen mbrapsht. Bomba pëlcet dhe plagoset rëndë Janku.
Sipas disa shënimeve të botuar në “Shejzat” e Prof. Ernest Koliqit në Romë dhe në ‘Albanien Liber’, shkruhej: “Ndue Përlleshi sëbashku me Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën, u vra nga forcat partizane të Shqipërisë në Bjeshkët e Iballes, në vendin e quajtur Boset, me datën 29 gusht të vitit 1949, ku edhe sot nuk i dihet varri..”
Deshmori i kombit Shaban Dema (1919-1948)
Shaban Dema, ishte dhe mbeti dëshmori i lirisë. Ai u lind në vitin 1919, në një familje me tradita patriotike, në fshatin Stupë.
Qysh në fëmijëri u rrit në fushat e fshatrat e Lugut të Drinit. Më vonë, ai u njoh me krerë të dalluar të çështjes kombëtare, si: komandantin sypatrembur Ndue Përlleshin, Prof. Ymer Berishën, Marie Shllakun, Shaban Polluzhën etj.
Aktivitetin patriotik Shaban Dema, e filloi në moshë të re sapo kishte mbushur 20 pranvera. Ai, në fillim ushtroi detyrën e oficerit të Batalionit të kapiten Rudit.
Më vonë, behet pjesëmarrës aktiv në luftën e njohur të Drenicës, e udhëhequr nga trimi i maleve Shaban Polluzha. Shaban Dema, mbante titullin major në ushtri dhe shquhej si një strateg, në luftë kundër serbo-sllavo komunistëve.
Kështu, në luftën e përgjakshme të Drenicës, ai mori plagë të rënda dhe një ditë kapet rob nga UDB-ja jugosllave, ku, e dërgojnë në Burgun e Pejës në Kullën e Sheremetit. Mbas një viti e gjysëm, ai arrin me sukses të arratiset nga burgu…
Një ditë dimëri Dema, i bashkohet Çetës së komandantit Ndue Pëlleshi, të cilit, nuk iu nda deri sa ra deshmor në fushën e nderit, në mbrotje të Shqipërisë etnike, kundër hordhive sllavo-komuniste dhe komunistëve shqiptarë.
Mbas shuarjes së rezistencës së Drenicës, Shaban Dema, nuk u dorëzua. Luftëtari i shquar për lirinë e Kosovës, Shaban Dema kishte moral të lartë kombëtar dhe modesti shpirti si bashkëluftëtar i vendosur i komandantit Ndue Përlleshi deri në vdekje.
Çeta e Ndue Përlleshit, ndiqej kemba-këmbës nga ushtria partizano-çetnike, pjesëtarët e OZN-ës dhe vullnetarët e rekrutuar me forcë. Luftëtari i vendosur Shaban Dema dhe Ndrecë Nikolla, u vranë heroikisht në luftën e Bokshiqit, më 8 shkurt të vitit 1948.
Me të drejtë, ai sot është përjetuar me një monument historik, në fshatin Stupë, ndërsa më nderime të larta eshtrat e tij u rivarrosen në fshatin Budislac (afër vendlindjes).