NGA HASAN KOSTRECI/
Ja edhe festat e Nëntorit, së fundi kaluan dhe bashkë me to edhe debatet e nxehta që herë pas here u zhvilluan nëpër studio, ku më i angazhuar ka qënë kanali televiziv “Shqip”me drejtuesen e tij zonjën R. Xhunga, e cila diskutimet rreth tyre, e sidomos për 29 Nëntorin, e filloi nga “Bujani” i Tropojës dhe doli në jugë të Shqipërisë në Gjirokastër dhe për çudi, tek shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, e cila, siç doli edhe nga diskutantët, nuk paskësh qënë as origjinalja, por e ndërtuar dhe bërë e re gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, në ato e të tjera takime u fol me objektivitet, përjashtuar ndonjë historiani fanatik, i cili nuk kishte kurajo të mohojë e të hedhë poshtë atë ç’ka ka thënë e shkruar për dyzet e ca vjet, por u pranua dhe ranë dakord, se deri në vitin dyzet e tre dhe pikërisht deri në “Mbledhjen e Mukjes”, ballistë, komunistë e legalistë qenë të gjithë sëbashku dhe qëllimi i tyre i vetëm ishte që të përzinin okupatorin nga vëndi, por vendimet që aty u morën, ranë ndesh me interesat e jugosllavëve, prandaj dhe ai takim historik, për fat të keq, dështoi dhe midis shqiptarëve paskëtaj nisi ajo luftë civile, e cila me ardhjen e komunistëve dhe diktaturës së Enver Hoxhës në pushtet, u kthye në “Luftë Klasash”.
Pati nga një pjesë pretendime për ta festuar këtë datë ashtu si dikur, por kjo do ishte absurde, prandaj edhe ndërhyrja e ambasadorit amerikan, zotit Arvizu, kur gjatë ceremonisë në kujtim të çlirimit të Tiranës, fotografitë e diktatorit nisën të qarkullojnë, qe më se e nevojshme dhe duke e quajtur figurën e tij një monstër, që i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, fatkeqësi të mëdha, nxiti, për çudi, reagimin e të birit të tij, Ilir Hoxhës, i cili në vënd që me këtë rast, të distancohej nga krimet e të atit dhe ta dënonte, përkundrazi, i doli në mbrojtje dhe me këtë gjest, njollosi edhe më shumë veten dhe familjen e tij, por edhe i bindi njëkohësisht shqiptarët, se genie të këtij lloji, mbeten përherë njësoj dhe janë të pandreqëshem.
Kontribut në ato ditë debatesh dhe diskutimesh, për mendimin tim, dha edhe dëshmia disa herë, e zotit R. Perllaku, i cili e quajti Enverin një diktator, vrasës dhe anti shshqiptar, ndërsa sistemin që ai ndërtoi, një fatkeqësi, sepse u nis me triska dhe përfundoi me tollona dhe kur e thotë këtë një idealist dhe komunist i orëve të para, bëhet sigurisht dhe më i besueshëm nga ato që thotë i biri i tij, Ilir Hoxha, i cili ndofta mban mënd dhe ka nostalgji për kënaqësitë dhe të mirat materiale që i vinin nga i ati, por nuk di apo s’do që të dijë edhe për krimet që ai ka bërë ndaj shqiptarëve dhe popullit të vet, por është njëkohësish absurde të mendosh, se a mundet një deklaratë të tillë ta bëjë edhe një gjerman për Hitlerin apo një italian për Musolinin. Sigurisht që jo, por në Shqipëri çdo kush mund të bëjë apo të thotë ç’të dojë; Mund të përgënjeshtrojë ngjarje apo histori sipas dëshirës; Të quajë tradhëtarin hero, e anasjelltas dhe kjo, sepse edhe demokracia tek ne, ashtu siç kishim komunizmin, është tjetër lloj.
Ka patur gjatë atyre ditëve edhe ndonjë batutë, si pyetja , përshëmbull që z, P. Xhufi i bëri në studio bashkëbiseduesit të tij, se pse edhe në formacionet balliste, nuk kishte vajza, apo rrëfenja me dy të dehur e z. P. Majko, njëri më sa mbaj mënd, ishte shkrimtari
D. Agolli, i cili e pyeti tjetrin, se pse nuk ka gjithashtu edhe ndonjë këngë për “Ballin”, por nuk u muar edhe aq mirë vesh, në se këto u thanë për të të qeshur, apo e kishin seriozisht, megjithatë në ato ditë folën jo vetëm historianë, por edhe persona të thjeshtë, të cilët e njihnin realitetin dhe dinin gjithashtu, se ç’ndodhi në atë luftë, por, siç thamë, festat tashmë kaluan dhe të merremi pak edhe me aktualitetin.
Para pak ditësh tek “Opinioni” u diskutua reth hapjes së dosjeve, nëqoftëse do realizohet, dhe sipas informacionit që aty u dha, secili paskëtaj do ketë mundësi, që të shkojë e ta marë atë vetë ( ndofta edhe mund të paguajë), por kjo duket pak qesharake, sepse vlerë ky veprim do kishte, nëqoftëse bashkëpuntorët e asaj periudhe të sigurimit, të dilnin e të shiheshin nga të gjithë në gazetë, ndërsa deklarata e zoti Klosi, të nesërmen e asaj dite, se më shumë me dosje janë nga të persekutuarit, nuk e besoj, por edhe sikur, “Lufta e Klasave”gjatë atyre dyzet e pesë vjetëve, s’u bë për të apo ndaj kolegëve të tij, që ishin sekretara partie, oficera sigurimi, ushtarakë të lartë, ministra e të tjerë, sepse këta dihej që ishin të rekrutua qysh në fillimr nga ai regjim dhe njëkohësisht i shërbyen , prandaj dhe kanë ende nostalgji, po u bë pikërisht ndaj kësaj shtrese, e cila e vuajti me burgje, internime dhe persekutim të gjatë.
Kemi gati një çerek shekulli, që në realitet as kapitalizëm nuk po mundemi dot të ndërtojmë, por as dhe demokraci dhe kjo, siç shihet, ndodh, sepse si politika, ashtu dhe intelektualizmi apo biznesi, përfaqësohen nga të tillë persona që o janë pjesë e ish diktaturës ose pasardhës tyre, por nga që populli thotë se rrallë ndodh që edhe nga ferra mund të dalë ndonjë trëndafil, të le të kuptosh se shumica e atyre që shërbejnë sot nëpër këto institucione, kanë të trashëguar të njëjtin mentalitet.
Thyerja e dyerve të ambasadave njëzet e katër vjet më parë, bota nuk na e quajti huliganizëm, por një shpërthim ndaj diktaturës; Kacavirrjen gjithashtu e mijra të rinjëve, gra, pleq e fëmijë nëpër litarë e anijeve për t’u larguar, sigurisht jo vandalizëm, ndërsa vrasjet, grabitjet ordinere në dyqan apo në rrugë, që janë duke ndodhur sot, apo vjedhja e bankës dhe e thesarit të shtetit, janë vërtet skandaloze, që nuk na e justifikon kush dhe këro të bëjnë të mendosh se o ne si shoqëri jemi prishur keq dhe nuk ka sy për t’u ndrequr, o qeveritë që ikin e vinë nuk janë në binarë dhe duhet që të kthjellohen
Jemi në muajin Dhjetor të vitit 2014, që na kujton Dhjetorin e nëntëdhjetës, ku me rrëzimin e diktaturën, optimizmi dhe shpresat e shqiptarëve për t’u bërë si Europa, qenë shumë të mëdha, po a u realizuan ato, apo mbetën dhe vazhdon që të mbetën ende ëndëra.