• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia e Javës së Madhe të Pashkëve

April 10, 2017 by dgreca

Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsg edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon e Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Jezu Krishti kreu gjestet më larta”.Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vèren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrrin”.

Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej përqafimi e puthja e paqes. Kremtimi përfundonte  me të Dielën e Pashkëve.Kremtohej kështu Triditshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela. Në shekullin IV nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet që rrëfehen nga Ungjilli, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Triditshen e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna.

Më pas u shtua edhe një ditë tjerë, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. Më pas, herë pas here, u shtuan edhe e hëne dhe e marta, aq sa tek shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjèruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha të Pashkëve.

Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jerusalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në Romë.

Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave të shenjta. Gjithnjë në Romë, të hënën e të martën e Javës së Madhe të Pashkëve, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa Hilari, në shekullin V. Të premten e të shtunën e Pashkëve, në Romë e në vise të tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik.Ritet që kremtohen sott ë Premten e Madhe – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve – hyjnë në liturgjinë romake rreth shekullit VII; e ata të së Shtunës së Madhe, dhe më vonë.

E Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve

Sot është e Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Me të Dielën e Larit, që kremtuam dje, kemi hyrë në Javën e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve të mundimeve, kryqëzimit me vdekje mbi kryq dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit.Pra, dje, në rrëfimin e historisë së hyrjes së Jezusit në Jerusalem, për të plotësuar veprën e Tij shëlbimpruese, jehonin ende britmat e turmës e të fëmijëve, të mbledhur rreth Krishtit, që ngadhënjente përvujtërisht mbi shpinë të gomarit. Njerëzit e ardhur nga larg për të kremtuar Pashkët në qytetin e shenjtë, pyesnin banorët e Jerusalemit, që dyndeshin rrugëve duke brohoritur: “Kush është ky?”. “Jezusi i Nazaretit”, u përgjigjeshin, Profeti, Biri i Davidit, Mesia! Hosana atij që vjen në emër të Zotit!”.

Ai kishte sy të butë, që të hynin deri në zemër. Depërtonte vështrimi tij në thellësinë e shpirtrave, që prisnin zbulesën, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të panumërta, kahmot pa përgjigje.

Shikimi i tij depërtonte në ditët që do të vinin së shpejti, kur “Hosanave” do t’ua zinte vendin britma më tragjike që u dëgjua ndonjëherë në skenën e kësaj bote: “Kryqëzojeni!”. E u thoshte krerëve plot mllef të popullit, që s’mund t’i duronin më brohoritjet, se po t’i detyronin fëmijët të heshtnin, do të këlthisnin gurët e sokakëve!.

Po sot është një ditë e re. Jezusi e kaloi natën jashtë qytetit të Jerusalemit, drejt Betanisë, larg kurtheve. I mbështjellë me mantel, shtrirë poshtë një peme, kundron ndërmjet degëve hënën, që s’është ende e plotë.

Sa mbrëmje i mbeten deri në përmbushjen e misionit të shëlbimit? Edhe katër ditë e Qengji i Hyjit, do të flijohet. Qengji i flijes së re, që historia e njerëzimit e pret, e pavetëdijshme e që dielli e ka përgatitur në vitet e amshuara. Pas pak, në një kopsht tjetër, do të derdhë lot e gjak, i pushtuar nga angështia e vdekjes, e mijëra sfilitjeve, e mëkateve të botës…

E tani ka një shpresë të vetme: “O Atë, largoma nga buza e gojës këtë kelk!”. Për Ty s’ka asgjë të pamundur!”. Ti mund t’u japësh ngjarjeve të caktuara në thellësitë e pakohë, një kthesë e orientim tjetër, duke e shikuar fatin tim më shumë  me mëshirë, sesa me drejtësi, që të mos vuaj kaq shumë e korpi im njerëzor të mos rrënqethet përballë kryqit, gozhdëve, shqyerjes së nervave, gurrës së gjakut, tmerrit të vdekjes. Për Ty s’ka asgjë të pamundur, o Atë. Ti mund t’ua rikthesh njerëzve pafajësinë e lashtë, pa inate, pa urrejtje, pa hakmarrje; mund t’ua rikthesh gëzimin e zemrës së pafaj, t’i largosh nga pasionet e errëta, nga lakmia, nga dhuna, nga etja e ndyrë për pushtet. Për Ty s’ ka gjë të pamundur! Ti mund ta fashitësh edhe zemrën  time. E kështu unë do të përsëris në amshim, i lëshuar megjithsejt në dorën tënde: “Atë. U bëftë vullneti yt, jo imi!”.

Po sot është një e re. Tekat e pranverës ngacmojnë erën, që fryn mbi shkretëtirë, duke e mbuluar qiellin me re të ulta, ngarkuar me shi. Njerëzit ikin me vrap nga udhët e strehohen në Tempull. Luten, bëjnë flijime (kurbane), sillen e përsillen në hapësirën vigane, duke shikuar me droje, por edhe me një ndjesi sigurie, krerët që ecin të krekosur e dyshimtarë. E pastaj, në turmë, dëgjohet një zë:

“Si ju duket ju? Një njeri kishte dy djem: duke iu drejtuar të parit, i tha: Bir-o, shko sot e puno në vresht. E ai u përgjigj: ‘Po, zotëri; por nuk shkoi.

Duke iu drejtuar të dytit, i tha të njëjtën gjë. E ai u përgjigj: ’S’po jam në terezi; por mbrapa, i penduar, shkoi.

Kush nga këta të dy e çoi në vend vullnetin e të atit?”.

I thanë: “Ky i fundit”.

E Jezusi u tha atyre: “Me të vërtetë po ju them: publikanët e gratë e përdala do të kalojnë para jush në mbretëri të Hyjit”.

Njerëzit dëgjojnë e shikojnë, të çakërdisur, si zbehen fytyrat e krerëve, ndërsa ndjejnë në shpirt shpërthimin e një ujërave të ylbertë me premtime, një paqe të panjohur, dhuratë e një lirie të re, e cila s’pyet për atë që është në krye, s’pyet për ligjin, nuk pyet cilit popull a tradite i përket, nuk pyet për fjalë, por për vepra shenjte. I jep vlerë të re pendimit, pranimit të përvujtë të gabimeve e dëshirës për të ndërruar rrugë. E kush nga ne nuk është sadopak publikan, njeri që flijon ndershmërinë për përfitime materiale, për para të rrëmbyera; që shkel drejtësinë, i shtyrë nga etja për pasuri e s’pyet fare për urinë e shumicës, pa shpresë për të nesërmen? Kush nuk e shiti sadopak, si gratë e përdala, dinjitetin e vet për favore, për privilegje, për vlerësime, për pushtet?

Turma është gjithnjë aty; e heshtur, e fyer, e penduar, por edhe plot me shpresa: nuk arrin dot ta dallojë fundin e kësaj ndeshjeje misterioze e pa mëshirë. Por zëri vijon e thotë: “Guri i lënë mbanësh nga ndërtuesit, u kthye në gurë themeli”.

Tani e dinë të gjithë: krerët e popullit tashmë e kanë dënuar. Ai nuk ka më vend në këtë ndërtesë e duhet lënë mbanësh, duhet flakur jashtë me turp. Duan ta kapin, por druhen. I ngrenë kurthe. E pyesin, prandaj: “A lejohet, a jo, t’i paguhen të dhjetat Qesarit? Pushtuesit të kombit tonë, zotërisë së botës? Ne duhet t’i japim, apo jo?”. Sa dëshirë do të kishin të përgjigjej ‘jo’, për ta paditur pastaj tek romakët! Por sa dëshironin edhe të thoshte ‘po’, që  njerëzit të mos i besonin më, të mos e ndiqnin më, të mos e mbronin më! Por ai diti t’i ndajë përgjegjësitë e qiellit nga ato të tokës. E shikoi, i lirë, duke pritur orën në të cilën, në përkim të plotë me vullnetin e Atit Hyjnor, do të ngadhënjejë mbi furinë e terrinave!

Duam të të ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje, edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë në ty, sepse presim përmbushjen e misterit, i cili që nga kohët e largëta vijon të na i trondisë zemrat, vijon të na shtyjë ndërmjet buzë greminave të asgjësë e horizonteve të pamasa të gjithësisë. Na i përsërit pambarim fjalët tuaja, Jezus, Mësues i ëmbël, sepse fjalët tuaja janë fjalë jete, fjalë shprese. Duam të të ndjekim pas.….(Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: e Javës së Madhe, historia, të Pashkëve

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT