-Kryeministri Isa Mustafa: Në vitet e ’90-ta, u themelua një organizatë unike, e cila parimin e solidaritetit, bamirësisë dhe ndihmës, e ngriti në shkallën më të lartë, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, ‘Nënë Tereza’, që për një kohë rekorde krijoi me dhjetëra degë dhe qindra nëndegë, duke përfshirë kështu me qindra mijëra aktivistë dhe vullnetarë në Kosovë/
-Kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, Don Lush Gjergji, tha se parimi bazë i Shën Terezës sonë ishte “kudo që jeta është në rrezik aty duhet te jemi ne”, e ky parim u shndërrua në një betim as të fikur, as të koritur/
-Dr. Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, kujtoi punën e palodhshme të punëtorëve shëndetësor për t’i dalë në ndihmë qytetarëve anembanë Kosovës, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat ata përballeshin/
-Ish-koordinatori kryesor i Shoqatës dhe Maternitetit, Palok Berisha: Lëvizja jonë ishte një shprehje e paparë e bashkimit të mundësive për të vepruar si një njeri/
-Themeluesi i shërbimit shëndetësor “Nënë Tereza”, doktor Gani Demolli në fundmajin 1993 regjistroi në film dokumentar raportimet që bëja me telex nga Kosova në Shqipëri/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
Në Prishtinë janë zhviilluar me 9 Dhjetor aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Maternitetit të rezistencës shqiptare, në lagjen Kodra e Trimave. Morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe personalitete të shumta publike, përfaqësuesit e Shoqatës “Nënë Tereza”, mjekët e punonjësit e tjerë shëndetësorë që vepruan në këtë Maternitet, si dhe qytetarë të shumtë të Prishtinës.
Fillimisht u bë zbulimi pllakës përkujtimore dhe më pas mori pjesë në manifestimin solemn që u mbajt në këtë përvjetor jubilar.Pas ceremonisë së zbulimit të pllakës përkujtimore të objektit të Maternitetit , kryeministri Mustafa i shoqëruar nga Don Lush Gjergji, kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” dhe doktori Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, vizitoi ambientet e ndërtuara në shtëpinë e Shaban Sfircës në Kodrën e Trimave, ku ishin ofruar shërbimet shëndetësore.
Në manifestimin qendror, kryeministri Mustafa foli për rolin e Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Tereza” dhe Maternitetit në Kodrën e Trimave. “Në vitet e ’90-ta, u themelua një organizatë unike, e cila parimin e solidaritetit, bamirësisë dhe ndihmës, e ngriti në shkallën më të lartë, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, ‘Nënë Tereza’, që për një kohë rekorde krijoi me dhjetëra degë dhe qindra nëndegë, duke përfshirë kështu me qindra mijëra aktivistë dhe vullnetarë në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, duke folur për organizimin e një sistemi të ndihmave nga diaspora, nga brenda Kosovës dhe nga organizatat humanitare nga mbarë bota.
Kryeministri Mustafa, më tej tha se një pjesë të veçantë të kësaj historie të bujshme por edhe unike do të jetë hapja e Maternitetit në vitin 1996 në Kodrën e Trimave, në një objekt që enkas për këtë e ndërtoi veprimtari Shaban Sfirca.
“Nga kjo kohë, Materniteti gjeti përkrahjen e bashkatdhetarëve tanë, e gjeti përkrahjen e qytetarëve, përkrahjen e lagjes së Kodrës së Trimave dhe përkrahjen e popullit të Kosovës. Puna e tyre e pashoq e profesioniste, sjellja njerëzore bëri që Kosova në tmerret e dhunës dhe të okupimit të organizoj një fushë të veçantë të kujdesit shëndetësor. Materniteti në Kodrën e Trimave është simbol i lindjes së mbi 10 mijë foshnjave, sot u tha 12 mijë e 500, që tash janë burra e gra të Kosovës”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke vlerësuar rolin e Shoqatës “Nënë Tereza” në proceset historike të asaj periudhe.
Kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, Don Lush Gjergji, tha se parimi bazë i Shën Terezës sonë ishte “kudo që jeta është në rrezik aty duhet te jemi ne”, e ky parim u shndërrua në një betim as të fikur, as të koritur.
“Kështu Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, u mundua që jetën dhe veprën e Nënë Terezës ta nderoj, popullin tonë dhe gjithë njerëzit t’i ndihmoj, t’i afroj dhe bashkoj në një solidaritet të pashoq në këto hapësira”, tha Don Lush Gjergji.
Duke folur për punën në këtë Maternitet, Don Lush Gjergji tha se nëpërmjet shërbimeve shëndetësore është mbrojtur jeta e qytetarëve të kërcënuar dhe të rrezikuar, sidomos të nënës dhe të fëmijës.
“Mjekët dhe personeli shëndetësor me punë dhe orvatje të jashtëzakonshme ishin natë e ditë në mbrojtje të jetës, nëpërmjet asistimeve të lindjes së nënave dhe të fëmijëve të tyre, në kushte minimale, por me përkushtim dhe dashuri optimale”, tha Gjergji.Dr. Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, kujtoi punën e palodhshme të punëtorëve shëndetësor për t’i dalë në ndihmë qytetarëve anembanë Kosovës, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat ata përballeshin.
Ai theksoi përkushtimin e punëtorëve shëndetësorë, sidomos të gjinekologëve, të cilët punonin në punkte shëndetësore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, ku ofronin vizita dhe shërbime tjera gjinekologjike e obstetrike.
Hoxha foli edhe për historikun e këtij Materniteti, duke theksuar se deri në fund të vitit 1996 ishin kryer 1198 lindje, në vitin 1997 ishin kryer 3574 lindje, më 1998 ishin kryer 6402 lindje, ndërsa në periudhën nga 1 janari deri më 28 mars 1999 kur u mbyll Materniteti nga forcat policore, ishin kryer edhe 1342 lindje.
Ish-koordinatori kryesor i Shoqatës dhe Maternitetit, Palok Berisha, theksoi vullnetin, dëshirën dhe gatishmërinë e gjithë punonjësve shëndetësorë që atë kohë bënin të pamundurën për t’i dalë në ndihmë popullatës. “Lëvizja jonë ishte një shprehje e paparë e bashkimit të mundësive për të vepruar si një njeri. Na bashkoi një ide, një motiv, një qëllim, të ndihmojmë njerëzit në nevojë dhe që sado pak të zbusim vuajtjet e mijëra njerëzve anembanë Kosovës në momentet kur rreziku nga shfarosja ishte real”, tha ish-koordinatori Berisha.
Shaban Sfirca, pronari i shtëpisë që u shndërrua në Maternitet i falënderoi punëtorët shëndetësorë për punën e bërë dhe banorët e Lagjes “Kodra e Trimave”, të cilët kishin ofruar mbrojtje dhe mbështetje për personelin shëndetësor dhe për popullatën.“Kjo ngjarje më kujton ditën kur Presidenti Historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2002 e zbuloi pllakën në hyrje të shtëpisë, e cila po ashtu ishte shndërruar në spital, në të cilën punoi dr. Gani Demolli me mjekë e me infermiere”, tha Sfirca.
Në fund të këtij manifestimit u ndanë mirënjohje për një pjesë të atyre që punuan dhe kontribuuan në forma të ndryshme në këtë Maternitet.Në manifestim, të pranishëm ishin ministrat Hykmete Bajrami, Imet Rrahmani, Arban Abrashi, deputetë të Kuvendit, mjekë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë të cilët me punën e tyre kontribuuan në hapjen dhe mbarëvajtjen e këtij Materniteti, duke u dalë në ndihmë popullatës përmes ofrimit të shërbimeve.
Themeluesi i shërbimit shëndetësor “Nënë Tereza” në Kosovë, doktor Gani Demolli, ishte njeriu që në kohën e kërkimit të lirisë kishte edhe një kamerë dhe bënte edhe filma dokumentarë dhe në një nga këta filma ka regjistruar edhe raportimet me telex që bëja për ATSH-në nga Prishtina duke nisur që para gati çerek shekulli. Ai xhironte në fundmajin 1993, në Pallatin Rilindja – ambientet e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, në zyrën e telexit, që ishte bërë korrepondenturë e parë nga Kosova e një mediumi në Shqipëri që prej një viti më herët, nga 24 maji 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi dhe bashkëpunim me agjencinë zyrtare-kombëtare të lajmeve të Shqipërisë, në kohë të rënda të okupimit të Kosovës.
Trokëllima e telexit të raportimeve për ATSH-në hapë filmin dokumentar të xhiruar në grevën e urisë të gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës në Pallatin Rilindja në Prishtinë, në mbrojtje të fjalës shqipe, në kohë të stuhishme, të rënda, të pushtimit e të dhunës nga regjimi serb.
Flas në dokumentar: “Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqitare. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen… Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”
Telexi ishte lidhja e vetme e mundshme dhe me shumë vështirësi e komunikimit nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, edhe në ata mbrëmbje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, kur dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kameran e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim.
“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej nga 24 maji deri në 3 qershor të vitit 1993, në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, ndërmarrjes informative, botuese e grafike të shqiptarëve Rilindja po ia merrte edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës, për ta tjetërsuar e shndërruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi.
“Një luftë më ndryshe” është një film tjetër dokumentar i Gani Demollit dhe po me këtë titull edhe një libër i tij për ngjarjet historike të Kosovës drejt lirisë.
Dokumentarë të tjerë të doktorit me kamerë janë “Hapja e Maternitetit të Shoqatës Humanitare Bëmirëse Nëna Terezë” (25.06.1996), “Eliot Engel viziton Maternitetin e SHHB ‘Nëna Terezë’”, “Presidenti Rugova viziton Poliklinikën ‘Nëna’”…
Në një nga dokumentarët, për vizitën e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku edhe përuroi pllakën përkujtimore të humanistes dhe nobelistes Nëna Tereze, themelusi i shërbimit shëndetësor “Nëna”, doktor Ganiu, tregon historinë:
“Në 30 mars 1992 në shtëpinë e Shaban Svirces në Kodren e Trimave të Prishtinë punëtorë shëndetësorë të larguar me dhunë nga vendet e tyre të punës, të brengosur për shëndetin e familjeve të tyre, inspiruar dhe udhëhequr nga jeta dhe vepra e humanistes dhe nobelistes sonë Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, hapën ambulancën e parë humanitare, të cilën e pagëzuan me emrin ‘Nëna’. ‘Nëna’ ishte simbol i vetëorganizimit, sakrificës dhe rezistencës, ishte simbol i dashirisë, shpresës dhe jetës…”
Derisa bisedonim ekskluzivisht për ATSH-në në një mbrëmje fundmaji 2013 në Prishtinë, më shumë se 21 vite pas themelimit të shërbimit shëndetësor, doktor Ganiu, me mirënjohjen e përjetshme për të gjithë kontribuesit kujtonte se, “’Nëna’ zgjeroi flatrat me 1655 punëtorë shëndetësor e 104 ambulanca gjithandej Kosoves, me misionin kombëtar e humanitar, me shërbimet shendetesore pa kurrfarë kompenzimi material, për mëse 10 vite”.
Gjatë atyre viteve të dëbimit të shqiptarëve nga spitalet, sipas statistikave të kohës, shërbimet e shëndetësore të “Nënës”, me mbështetjen e donatorëve, organizatave humanitare nga bota, ndihmuan dhe përkrahen më se 5 milionë e 500 mijë pacientë, 12864 lindje, bënë 1100 intervenime kirurgjike.
Për mbështetjen flet edhe një foto që më tregonte gjatë bisedës doktor Ganiu, ku ai shihet në kohë lufte në Kosovë, me fëmijë e gra pas dëbimit nga shtëpitë e tyre, te tenda e nën qiellin e hapur me artisten e famshme – Vanesa Redgreyev, e shkrepur në 31 tetor 1998 në fushat e Pagarushes…
Doktor Gani Demolli, themeluesi i shërbimit shëndetësor “Nënë Tereza” në Kosovë është shuar në 18 mars 2014.