Urime Qendrës Rinore Shqiptare të Stamford-it, CT/
Nga Shefqet Kërcelli/Nga data 2 tetor 2017, hap dyert Qendra Rinore Shqiptare, Stamford , e cila është vatra më e re e dijes, e kulturës dhe promovimit të gjuhës e traditave shqiptare. Një ndër iniciatorët kryesorë të saj është zoti Richard Lukaj, i cili mbajti fjalën e hapjes në qendrën e të rinjve në SHBA. Kjo qendër ka për qëllim prezantimin, ruajtjen dhe edukimin e vlerave shqiptare. Në fokus të saj mbetet gjuha shqipe, ku gjeneratat e reja do kenë një mundësi të madhe ta mësojnë atë dhe ta trashëgojnë si një aset shumë të madh për komunitetin shqiptar.
Selia e qendrës është në Stamford, shteti Connecticut, në këtë adresë: 1086 Long Ridge, Stamford, CT.
Hapja zyrtare e qendrës do bëhet më 6 tetor, ndërsa një ditë më pas do të nisë dhe programi shkollor publik, një hapësirë, që fton të gjithë, që duan t’i bashkohen kësaj strehe kulturore, ku prindërit dhe të rinjtë e komunitetit në zonat e Lower Fairfield dhe Westchester do të fillojnë programin në fjalë, ku do përfshijë dhe disiplinën e valleve tradicionale dhe aktiviteteve sportive. “Qendra Rinore Shqiptare”, do të shërbejë si një dritare dimensionale, ku ju ofron të rinjve të komunitetit shqiptar të mësojnë më shumë për prejardhjen, historinë, e kulturën e origjinës së tyre. Ende pa hapur dyert, duket qartë që komuniteti ka gjetur besimin te kjo qendër, tek ndërtimi i saj, pasi kërkesat kanë qenë të shumta për klasa mësimi të nivelit fillestar, të mesëm dhe të avancuar. Mësimi në klasa do të jepet nga mësues të certifikuar dhe artistë të kualifikuar e profesionistë.
“Qendra Rinore Shqiptare” do të jetë organizata e parë në Shtetet e Bashkuara, me një program të zhvilluar shumëdimensional. Kjo është bërë e mundur, nëpërmjet ndihmës së mësuesve të dedikuar ndaj gjuhës shqipe, “Epos Dance Ensemble” dhe “Cedar Stars Soccer Academy” në bashkëpunim me vullnetarë, organizata jofitimprurëse dhe biznese lokale.
Udhë të mbarë kësaj fidanishte të kulturës dhe gjuhës shqipe. Sa më shumë jetgjatësi dhe shoqe të reja, që ta ndjekin në këtë rrugëtim fisnik. Kjo është një thirrje dhe për filantropistët shqiptarë në SHBA e kudo.