Me rastin promovimit të krijimtarisë poetike të poetit Xhevdet Bajraj, nga Kosova, pedagog në Meksikë/
Nga Novruz Xh Shehu/
(Mbi “Kur qajnë engjëjt” të Xhevdet Bajraj)…/
a/
Engjëjt, atje në qiell, janë mbledhur galuç, kapin për cepin e fustanit Shën Marinë dhe qajnë. E keni ndjerë se si nuk ndërpriten shirat për muaj të tërë?Janë pikërisht lotët e ëngjëjve. Engjëjt nuk mundin t’i tregojnë Zotit se çfarë ndodhi në një kënd të planetit, që quhet KOSOVË. Edhe po të mundnin, nuk do të dëshmonin saktësisht se çfarë ndodhi.
Pra, nuk mundën dhe u ulën galuç.
b
Atë, që se bëjnë ëngjëjt, e bëjnë poetët. Edhe kur poetët futen në burg, si Flora Brovina, del një poet tjetër.
Zot, dëgjoje britmën në poezinë e Xhevdet Bajraj:
“Me dërrasa gjoksi duhet mbuluar/këtë varr të gjallë masovik / Kali i Kostandinit u merr erë / dehet / tek shkelmon realitetin e ri të ditës shqyen qiellin / Sorra e përpiu qiellin/ Me këpucë nga lëkura jonë trishtimi ecën rrugëve të qytetit / … kush na mallkoi Lirinë? / Zogu i dhimbjes matet me hijen e vet / U dogjën kufomat … / Majmunët i kanë shkundur frutat/ nga druri i ëndrrës / Absurdi majmet me gurin e varrit/ Kapakët e gjunjëve na i hapën / me çelësat e konseravave /. Autofrigoriferët mbartën/ më të dashurit tonë/ të ngrirë nga vdekja / Muri i gjallë prej klithmave / mbiu mes Kosovës dhe Serbisë … /”
Po e kuptoj pse qajnë ëngjëjt. Mos i fyej o Zot.
Vetëm metafora e Xhevdet Bajrajt do të mund të jepte sadopak atë çfarë ndodhi. Vetëm metafora dhe vargu i lirë, i përdorur me kujdes e sukses. Trinia e nëntave u nis drejt qiellit me pendën e poetit, Në Kosovë ndodhi diçka e rëndësishme, pikërisht në vitin 999 të mijëvjeçarit të dytë.
“Pa e ditur ç’është vdekja / ç’është Zoti ç’është plumbi / një fëmijë trembëdhjetë muajsh/ me gisht ja mbyll plagët nënës së vrarë /. Një nënë me foshnjë në duar klith / dhe vrapon pas klithjes së vet ./ Fëmijët me nga një grusht plumba në gjoks ikën në Parajsë / mbeten vetëm varret e vockëla të tyre / si farë e ndërgjegjes njerëzore /. Atdheu fle nën ombrellën e vetmisë / mbi varr bie një gjeth i njomë /. Nuk dinte të numëronte gjer në dhjetë / Ndërsa mësoi numrin pesëdhjetë e shtatë / ishte vetëm katër vjeçar / kur i vranë pesëdhjetë e shtatë anëtarë të familjes /. Një fëmijë në mes të rrugës / gjuan vetminë me gurë /… Fëmija i bie fyellit prej dërrase të varrit / Vrasësi fsheh thikën në zorrë fëmije/….”
Duhet që fëmijët të bëheshin shumë shpejt burra. Duhet të rriteshin, të numëronin të vrarët. Duhet të rriteshin të mos humbnin varret. Duhet të rriteshin …
Satanai e dinte këtë akt sublim dhe nxitonte të vriste. Krahasimi dhe metafora e Bajrajt, paralelizmi figurativ dhe dueti i shkrirjes së realitetit vendas me atë universal, japin atë portret qiellor, që bëjnë dhe gurët të lëvizin nga vëndi, që bëjnë fëmijët të rriten bujshëm.
c
Shqiponja dhe E Bukura e Dheut janë dy simbole shqiptare, që bëjnë të quhet flamur paqeje një qiell i tërë. Shqiponja dhe E Bukura e Dheut shndërrojnë Kosovën në Sfinks.
“Në majë të shkëmbit / shqiponja ngre kokën / bekon tokën / Në lum E Bukura e Dheut fërkon gjinjët me rërë./ Shqiponja normale nuk shuan etjen me gjak mize./ E Bukura e Dheut u zhduk…/ Shqiponja mbi kaktus me gjarpër në gojë tek valëvitet / na përgjon nga flamuri gjië mitike i hap udhë…/ Dashurinë e derdh në shuplakë dhe ia afroj Të Bukurës së Dheut nga Dukagjini./”
Bajraj operon me sukses me simbolet e vëndit të tij. E, pa pasur me vete fuqinë e atdheut, vështirë se do të arrinte një poezi aq vitale, e denjë për t’u paraqitur në Gjyqin e Madh.
Kohë të Mëdha nxjerrin kryevarre e kryekëngë. Dhe kryekënga nuk mund të arrihet pa simbolet, që janë ngjizja e historisë dhe e personalitetit të një kombi.
E, ndërsa autori harmonizon Ëngjëllin me fëmijët ,që bëhen burra, Shqiponjën me Pëllumbin, Të Bukurën e Dheut me Mjelmën, Kosovën me atë grua, që pret djemtë t’i kthehen nga lufta, nga ikja apo nga varret masive, arrin artin e vërtetë ashtu si Anteu fuqinë tek membrana e tokës. Vetëm një shkrirje e simboleve kombëtare dhe botërore, arrijnë të shmangin Këngën Primitive të Nacionalizmit Primitiv. E si mund të ndodhë ndryshe në një vënd, që ka lindur Nënë Terezën dhe Ferid Muratin?.
ç
Cili është Xhevdet Bajraj?
Preferon vargun e lirë, dinamik e ritmik, të shkathët e në gjuhën e pastër letrare shqipe. Por edhe eksperimenton poezi me elemente të poezisë me varg të rregullt, ku nuk ka sukses të plotë. Por kjo s’ia ul vlerën një vëllimi me 11 cikle e 204 faqe të mbushura me vargje të përzgjedhura me kujdes për Këngën Vigane të Lirisë ku, megjithëse preferon poezinë pa shenja pikësimi, s’mungon asgjë për dëgjimin e tingujve të kësaj SINFONIE.
Lindi në 6 Mars 1960 në fshatin Panorc të Malishevës. Ka botuar “Nënë prej guri” (Prishtinë 1988), “Emblemë e vdekjes” (Prishtinë 1993), “Copë e humbur e Parajsës” (Prishtinë1966), “Lutje shqiptare” (spanjisht Meksikë, 2000), “Liria e tmerrit” (serbisht, Beograd, 2000.) “Emblema e vdekjes” dhe “Liria e tmerrit”, janë vlerësuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës si “Vëllimi më i mirë i vitit”. Aktualisht, punon në Meksikë si profesor në Universitetin e Meksiko City.
Revolta dhe dashuria e kanë banesën pikërisht tek poezia e Xhevdet Bajrajt.
Revoltë:
d
“Duke i parë vrasësit e Lirisë / e kuptoj se në këtë orë të lige / Djalli banon në Parajsë”
Dashuri:
“Çmendja u fshehka në dashuri / dhe qënka sëmundje fisnike/”
Revoltë:
“Bebzat e syve na i zbardhën shirat e qiejve të huaj / dhe dhëmbët na ranë / nga malli për bukën e nënës./”
Dashuri:
“Eja të perëndojmë së bashku / mbi pupla zogjësh…/”
Revoltë:
“Ujku plak / theu dhëmbin në lëkurën e lehonës/”
Dashuri:
“Vullkan dhe i dashuruar jam dhe vet / në Shqipërinë time, që vuan nga harresa…/”
Shqiptari, ky njeri fisnik i kontinentit, di të mbjellë madhërisht dashurinë mbi revoltën, e po kaq madhërisht di të ngrejë revoltën mbi Dashurinë.
Dhe poeti Bajraj është një shqiptar i bukur. Shqiptari Bajraj është një poet i bukur: lirik dhe epik, filozofik dhe meditativ.
Ç’kanë thënë për poezinë e Bajrajt?
dh
David Huerta (Njëri nga shkrimtarët më të njohur në Amerikën Latine):
“Thirrje e përthirrje e fuqive të tribusë, përqëndruar tek prifti i fjalës, imazh i luftës e i dashurisë, që kryqëzohen me një furi marramëndëse me gjakun dhe shenjtërimin, apologji në mbrojtje të jetës.”
(Meksiko, Mars 2000).
e
Arben Idrizi:
“…është poezi e rrallë, poezi e fuqishme, në të cilën ndihet fryma qoftë e një krenarie të caktuar, e një dëshpërimi të caktuar, e një shprese dhe zhgënjimi, e një dashurie për njerëzoren”
ë
Anton Berisha
“…në kontekstin e lirikës shqipe të viteve ‘90, është një lirikë poetikisht ndër më koherentet dhe më validet.”
f
Fatmir Sulejmani
“Përmbledhja “Kur ëngjëjt qajnë” është kryevepër letrare, ku është portretuar me nivel të lartë artistik, imazhi i ethshëm i golgotës shqiptare…”
g
Poetët po e zgjerojnë aq shumë hartën e kombit. Poetët po e lartësojnë aq shumë këngën e kombit. Atë që s’bëjnë ambasadorët e bëjnë veprat e nivelit të lartë artistik. Kur sulmojnë për pushtet, dogana, polici e tatime, njerëzit e pendës sulmojnë lartësitë e artit, të përkryejnë Kantatën e MADHËRISHME TE TRIDHJETË E GJASHTEË SHKRONJAVE…
FOTO; Arkiv