-Kryetitujt e shtypit të sotëm në Prishtinë: Marrëveshja për Asociacionin, të rinegociohet.- Presidentja “merr anë” në kontestin rreth Asociacionit. -Analistët: Pezullimi i Asociacionit nuk e zgjidh krizën politike/
PRISHTINË, 12 Nëntor 2015/ Çka pritet pas pezullimit të Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që opozita e quan me fjalën serbe “Zajednica”, është pyetja në kërkim të përgjigjes dhe në pritje të zhvillimeve në Kosovë.
“Marrëveshja për Asociacionin, të rinegociohet”, është sot një nga kryetitujt e shtypit të Prishtinës.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka ngjallur idenë, që kjo Marrëveshje “problematike” të ringociohet edhe një here. Derisa opozita kërkon zhbërjen komplet të saj, janë shtuar zërat, madje dhe ndërkombëtarët, që kësaj Marrëveshjeje t’i bëhet një “redaktim” në disa pika. Madje, nëse Gjykata e hedh poshtë si antikushtetuese, kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero, pavarësisht implikimeve zinxhirë në proceset tjera, përfshirë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim me BE-në. Sipas ekspertëve juridikë, cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai do të shikohet si i anshëm politikisht nga njëra apo tjetra palë. Prandaj, derisa Bashkimi Evropian po bën presion që Marrëveshja të implementohet, ekspertët juridikë kërkojnë nga Kushtetuesja që të kërkojë ndihmën e Komisionit të Venedikut. Kjo do t’i hapte rrugë anulimit të marrëveshjes në formën aktuale dhe të niste rinegocimi mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së për një marrëveshje të re. E pikërisht këtë nuk e ka përjashtuar as raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek gjatë vizitës së saj në Kosovë, shkruan Zëri. Gazeta raporton edhe se, ndërkohë, serbët i kanë bërë thirrje BE-së që t’i bëjë presion Kosovës.
“Presidentja ‘merr anë’ në kontestin rreth Asociacionit”, është një kryetitull tjetër ballinash.
Juristët kanë vërejtur se presidentja Atifete Jahjaga ka marrë anë në debatin për Marrëveshjen e Parimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkruan Koha Ditore.
Ajo shihet në anën e opozitës dhe ekspertëve, të cilët e kualifikojnë antikushtetuese marrëveshjen.
Një ditë më parë, Kushtetuesja ka aprovuar kërkesën e kreut të shtetit për të suspenduar implementimin e çfarëdo veprimi që rrjedh nga marrëveshja. Deri të martën e kishte mbajtur të fshehtë përmbajtjen e kërkesës.
Por, Gjykata ka cituar pjesë të saj, duke e përfshirë termin “entitet juridik” me të cilin i është referuar Asociacionit, dhe gjykimin se marrëveshja e fundit me Serbinë prodhon efekte juridike në rendin Kushtetues të Kosovës.
Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka rikujtuar se kreu i shtetit referon çështje në Kushtetuese vetëm kur ato në vlerësimin e saj janë kundërkushtetuese – dhe për të cilat ajo nuk gëzon instrumente për anulimin e tyre – ose kur ngrenë dilema serioze mbi karakterin kushtetues të tyre.
Referimi i Parimeve të Asociacionit në Gjykatë, sipas tij, përbën fakt në vetvete që dëshmon se Presidentja i ka vlerësuar Parimet e tilla në kufijtë e shkeljes së Kushtetutës ose të tilla që ngrenë dilema serioze mbi kushtetutshmërinë e tyre.
Ndërsa, me kryetitullin “Analistët: Pezullimi i Asociacionit nuk e zgjidh krizën politike” gazeta Epoka e Re, shkruan: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shqiptimin e masës së përkohshme, me të cilën suspendohet zbatimi i parimeve të përgjithshme të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, nga analistët konsiderohet si vendim i pranueshëm, por jo që mund ta zgjidhë krizën politike.
Analisti politik Belul Beqaj ka vlerësuar të mërkurën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Megjithatë, ai ka thënë për Epokën e Re se ky vendim nuk është i pavarur dhe profesional por, sipas Beqajt, është modus “vivendi” për ta shpëtuar gjykata veten duke mos i ngacmuar shumë palët. “Gjykata Kushtetuese është në sandviç mes presionit të opozitës dhe ruajtjes së autonomisë profesionale, përkatësisht kërkesës së heshtur të pushtetit për ta mbështetur ‘Zajednicën’. Prandaj, pezullimi ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Këtij vendimi i ka shkuar për shtati edhe mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Paramendojeni situatën sikur gjykata të kishte vendosur ‘pro’ kërkesës së kryetares çfarë reagime do të kishte në shoqëri. Prandaj, definitivisht pezullimi nuk është vendim i pavarur dhe profesional i Gjykatës, por modus ‘vivendi’ për ta shpëtuar veten duke mos i ngacmuar shumë palët”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka bërë gabim që e ka dërguar çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. “Personalisht mendoj se presidentja ka bërë gabim që e ka dërguar, ngaqë Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i gjykojë parimet, por efektet e sanksionuara ligjore se a është ndonjë zgjidhje juridike konform Kushtetutës apo jo. Gjykata duhet ta ketë objekt të shqyrtimit vetëm dekretin e Qeverisë nëse Qeveria do ta ketë guximin për ta dekretuar pas kësaj çfarë ka ndodhur me dështimet zinxhirore”, është shprehur Beqaj.
I pyetur nëse ftesa për dialog e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do t’i kontribuojë zgjidhjes së krizës politike, Beqaj ka thënë se çdo zgjidhje jashtë kuvendit do të shkaktojë pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen. “Ndërkohë mund të ndodhin gjëra edhe më të pahijshme në Kuvendin e Kosovës. Por, definitivisht tejkalimi i kësaj gjendje do të jetë në Kuvendin e Kosovës, prandaj mendoj se palët më mirë është ta bëjnë sot atë që do të detyrohen ta bëjnë me pasoja shumë më të mëdha për to dhe shoqërinë nesër. Në këtë kuptim besoj se çdo zgjidhje jashtë kuvendit shkakton pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen derisa e kemi nënshkruar MSA-në. ‘Timeauti’ që është krijuar duhet të shfrytëzohet për t’i korrigjuar veprimet taktike nga ana e opozitës dhe pozitës, përndryshe politikëbërja e këtillë do ta humbet kuptimin”, ka theksuar ai.
Ndërsa analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet edhe në nivelin juridik dhe atë politik. Ai ka thënë për Epokën e Re se opozita nuk do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, por as Qeveria nuk guxon të fshehët prapa këtij akti. “Mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet në dy nivele, në nivelin juridik dhe atë politik. Sa i përket nivelit juridik, duket se çdo gjë është në përputhje me kompetencat që i ka presidentja dhe Gjykata Kushtetuese dhe është një proces i cili bëhet duke respektuar kornizën ligjore në Kosovë. Kurse sa i përket nivelit politik nuk është e pritshme që ky akt do të ndikojë në përafrimin e palëve. Nuk besoj se opozita do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, mirëpo as Qeveria nuk bën të fshehët prapa këtij akti dhe të bëhet kinse nuk po ndodh asgjë, pra ta injorojë krizën”, ka theksuar Muhaxhiri. Sipas tij, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive. “Kriza ekziston dhe ajo nuk mund të zgjidhet me këtë vendim. Përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë krizë politike mund të jetë një nga elementet e mozaikut të krizës, por assesi nuk duhet të pritet që vetëm Kushtetuesja ta zgjidhë këtë krizë. Pra, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive”, ka deklaruar Muhaxhiri.
Kurse sa i përket ftesës për dialog në mes të palëve, Muhaxhiri ka thënë se një gjë të tillë është dashur ta bëjnë lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i PDK-së, Hashim Thaçi, e jo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. “Nuk besoj se i takon z. Kadri Veseli ta bëjë një akt të tillë sepse këtë letër do të duhej ta dërgonte Isa Mustafa në bashkëpunim me Hashim Thaçin sepse ata janë udhëheqësit e koalicionit dhe pakënaqësia e opozitës është me koalicionin qeveritar, e jo me kuvendin. Është një akt formal nga ana e z. Veseli, por edhe ai vetë e ka ditur se nuk do të ketë asnjë efekt ftesa e tij, sepse marrëveshjet në Bruksel i ka nënshkruar Isa Mustafa, e jo Kadri Veseli”, është shprehur Muhaxhiri. /b.j/