• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË ZGJEDHJE TEJET E VËSHTIRË

June 20, 2017 by dgreca

1-eugjen-merlika

“Arti i luftës është arti për të shkatërruar njerëzit, politika është arti për t’i gënjyer.”- D’ALEMBERT/

Shkruan: Eugjen Merlika /

Kemi hyrë në javën e fundit të fushatës zgjedhore më të veçantë e më të pazakontë të pas komunizmit në Shqipëri. 25 qershori pritet me një interes të shtuar, si në Shqipëri e në mjediset shqiptare jashtë kufijvet, po ashtu edhe nga ata qarqe të politikës evropiane e botërore që shqetësohen, ndoshta jo pa të drejtë, për rreziqet që mund të burojnë nga Ballkani i trazuar, që sjellin ndër mënd kohë të shkuara e të vona, të shoqëruara me ngjarje të hidhura e plot dhimbje. Shqipëria është një pjesë e atij Ballkani, ndoshta ajo më problematikja, mbasi populli i saj, që flet të njëjtën gjuhë  e ka të njëjtët doke e zakone, jeton i ndarë në gjashtë shtete !!!

Ky fakt, normalisht, do të detyronte disi rrahjen e mendimeve të fushatës zgjedhore, të trajtonte si problem për zgjidhje edhe çështjen kombëtare. Por në lumin e turbullt të fjalimeve parazgjedhore nuk ka asnjë gjurmë të saj. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se, pak kohë më parë, drejtues të lartë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, për të trysnuar Brukselin që të shpejtojë proçesin prej kërmilli të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, e ngritën zërin e tyre, duke krijuar nga një anë shpresa të vakëta e duke marrë, nga ana tjetër përgjigjet standarte të tabusë së mos ndryshimit të kufijvet. Ato shpresa avulluan si vesa në diell, duke zhgënjyer ndonjë besimtar të pakët të ëndrrës shqiptare. Politika evropiane e botërore parapëlqen të mos “shtojë” telashet e veta me një bashkim të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, edhe se sot ajo nderon njëzëri renanin e madh nga Ludvigshafen, arkitektin e bashkimit të Gjermanisë këtu e 27 vjet më parë, ish Kancelarin Helmut Kohl, që ndërroi jetë këto ditë e që u vlerësua nga dy ish presidentë amerikanë, bashkëkohës politikë të Tij, Georg Bush (ati) dhe Bill Clinton, si ”shtetari më i madh i Evropës së mbas luftës”.

I arkivuar problemi kombëtar, fushata parazgjedhore paraqitet në gjithë përmasat e saj të një profili të ulët, në të cilën mbizotërojnë paditë e sharjet mes tre forcave politike kryesore, të cilat garojnë për qeverisjen e Vendit. Kjo fushatë, në krahasim me paraardhëset e saj, përjashtuar atë të “vitit të mbrapshtë” 1997, ka veçantitë e saj mjaft të spikatura. Së pari shtrihet në kohën më të gjatë të mundëshme, mbasi në fakt filloi më 18 shkurt me mitingun e madh të Opozitës në Tiranë e vazhdoi për pesë muaj, gjatë të cilëve shqiptarët qenë të pranishëm në kapërximet politike më të papërfytyrueshme, dëshmi e një paqëndrueshmërie parimesh politike, por edhe e një mungese të theksuar të moralit politik.

Shkërmoqja, sa qesharake, po aq edhe e shëmtuar e shumicës pushtetare të katër viteve të fundit, nxori në pah, në gjithë lakuriqësinë e tyre, problemet themelore të pregatitjes, të karakterit, të programeve politike e ekonomike, të moralit vetiak e politik të PS e të LSI si parti e, kryesisht si drejtues kryesorë. Ajo lidhje, që kishte si “mision” “Rlindjen” e vonë të Shqipërisë dhe fillimin e bisedimeve për hyrjen e saj në BE, nga vetë pohimet publike të përfaqësuesve të saj kryesorë, rezultoi se qe një marrëveshje pushtetare për ndarjen e “tepsisë”, të zonave të ndikimit në fusha të ndryshme të jetës ekonomike dhe administrative të një Vendi të drobitur nga hallet. Simbas pohimit të Presidentit të sapo zgjedhur dhe ish Kryetar i Kuvendit, z.Ilir Meta, koha e bashkëqeverisjes së fundit”është periudha e lulëzimit dhe shpërthimit të drogës në të gjithë Shqipërinë. është periudha kur Shqipëria u përcaktua si Vendi i dytë për prodhimin e drogës në botë.” Ky pohim përkon me paditë që kryetari i PD, Basha i kish shpalosur hapur kohë më parë, por që autorësinë e vërtetë Kreu i Shtetit përpiqet t’i a veshë forcës së tij politike, duke u shprehur se “Basha u kujtua për drogën mbas zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Peshkopisë”. Ҫuditërisht z. Meta “harron” të shpjegojë arsyet aq të forta të bashkëqeverisjes me kartelin e drogës, kur i u desh të flijojë edhe ministrin e tij të Drejtësisë….

Kryeministri nuk parapëlqen të flasë për problemin e drogës e të personave të inkriminuar në partinë e tij, mbasi ndoshta në marrëveshjen e 18 majit me bashkëbiseduesin e tij, që deri n’atë çast e quante si kundërshtarin më të madh të reformës në drejtësi, mbasi kishte frikë prej saj, pra ishte i lidhur me paligjëshmërinë e korrupsionin, është gjetur një mënyrë e pranueshme për “t’a vënë në gjumë” dukurinë e shëmtuar, së paku deri sa të mbarojë fushata, edhe se kronika çdo ditë pasqyron episodet e saj të panumurueshme. Ai kërkon votat për të patur shumicën absolute, kërkesën e parë e të fundit të çfarëdo politikani në çdo Vend të Botës. Ai përsërit në pafundësi e deri në mërzi tezën se vetëm partia e tij është në gjëndje të “bëjë shtet”, mbasi, sipas tij, shteti shqipatar nisi rrugën e tij në qershor të 2013, deri atëherë ishte një “tabula rasa”….. Kuptohet se kjo mënyrë mëndjemadhe të shprehuri, jo vetëm që nuk i përgjigjet së vërtetës, por pasqyron një vetëkënaqësi skajore e cila nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Aleatët e tij në Qeveri e konsiderojnë sot si një personazh të dorës së dytë, “të paaftë të mbajë timonin”, që shumë shumë mund të gjejë një vend si pasagjer. Z.Rama, nga ana e tij, i vesh bshkëpuntores kundështare, LSI, të gjitha arsyet e mosrealizimeve të qeverisë së tij, duke e paditur atë si një parti afariste që, në mbrojtje të interesave të saj, kushtëzonte çdo hap të veprimtarisë qeveritare me marrëveshje në dobi të saj. Sigurisht në këto akuza  të ndërsjellta është një pjesë e mirë e së vërtetës objektive.

Por kryeministri është i vendsur t’a “ndryshojë” këtë gjëndje, ai premton që me partinë e tij të ndërtojë një shtet ku të funksionojë gjithshka, ku të mbizotërojë mirësjellja në marrëdhëniet me partnerët dhe kundërshtarët, ku administrata shtetërore të mos jetë më funksion i ndryshueshëm simbas përfundimeve zgjedhore të partive, ku të bashkërendohet një politikë e përbashkët synimesh e mjetesh në mbrojtjen e interesave kombëtare në përballje me botën, ku të sundojë meritokracia si kriter bazë i përzgjedhjes së administratës shtetërore, ku… Të gjitha ide të lëvdueshme, të pohuara qindra herë në përvojat e shteteve të zhvilluara, por të evokuara edhe në shumë shkrime të shtypit shqiptar në vite. Por nëse për një gazetar të thjeshtë do të mjaftonte paraqitja në mënyrë bindëse e tyre, për të qenë në harmoni me ndërgjegjen profesionale dhe atdhetare, për një drejtues shteti ajo paraqitje duhet binjakëzuar me besueshmërinë që frymëzon përsa i përket mundësisë së sendërtimit të tyre. Në këtë drejtim problemi le shumë për të dëshiruar, mbasi të gjithë drejtuesit e partive të mëdha mbajnë mbi supe të gjithë përvojën dështake të kalesës pas komuniste.

Gara e premtimeve, duke e ditur se nesër në pushtet nuk do të mbahen as një e katërta e tyre, është një kostante e politikës në çdo kohë e në çdo vend, por premtimet e bëra në këtë fushatë zgjedhore në Shqipëri i kalojnë caqet e gënjeshtrave të zakonshme të politikës. “Gënjeshtrat janë jeta e burrave të Shtetit” shkruante dikur  G.L. Graves, një shkrimtar anglez. Por kur  premtimet  marrin formën e gënjeshtrave, të cilat kalojnë kufijtë e logjikës më parake ekonomike, përbëjnë një problem moralo-ligjor që shtrohet me forcë, mbasi mashtrimi për të marrë votën kthehet në një dukuri negative të papranueshme. Për më tepër kur ata mashtrime nuk bëhen nga “virghëresha” të politikës, por nga aktorë të regjur në drejtimin shtetit.

Kjo vlen edhe për kreun e PD, Basha, që mundohet të bindë shqiptarët se “Republika e re” do të jetë një Eldorado e ëndërruar prej tyre, ku qytetarët do të paguajnë 9% taksa, ku pensionistët do të kenë të siguruar 25.000 lek në muaj, ku arsimi i lartë do të jetë falas e shërbimi shëndetësor  i garantuar për të gjithë në standartet evropiane. Të gjitha këto janë synime mjaft fisnike e të domosdoshme, por në kushtet e ekonomike të shtetit shqiptar, mbeten vetëm dëshira, që mund të sendërtohen vetëm nëse të tjerët na lejojnë të shesim drogën në tregjet e tyre normalisht. Me që kjo mundësi përjashtohet a priori për shumë arsye parimore e praktike, për një Vend që ka 647.000 pensionistë në një popullsi më pak se tre milion banorë, me nivele papunësie shkatërruese e nivele prodhimi të ulta, të tilla iluzione nuk mund të mbeten veçse ëndërra. Por leaderi i PD e përforcon propagandën e tij zgjedhore në fushën ekonomike me njoftimin se programi i tij ka vulën e këshilltarit ekonomik të kancelares Merkel. Argumenti është sugjestionues, por paraqet dritë hijet e tij, mbasi vevetiu lind pyetja : përse qeveria gjermane nuk bën një ulje drastike të taksave nga mbi 40% në 9%, siç mëton drejtuesi kryesor i PD ? Përgjigja është e thjeshtë : sepse një veprim i tillë do të çonte në falimentim edhe ekonominë më të fuqishme të kontinentit.

Nëse shqiptarëve u pëlqen të nanurisen nga premtimet e Ramës, të Metës, të Bashës apo ndjekësve të tyre, të cilët, në këta vite të gjata të kalesës, kanë patur rastin katëcipërisht të maten, nga pozita pushtetare apo opozitare, me të vërtetën dramatike të jetës së Vendit të tyre, duke pjellë më të shumtën dështime, pa marrë mundimin për t’i renditur këtu, mund të shkojnë më 25 qershor e t’i votojnë.  Më 26 qershor apo në ditët në vijim ata do të jenë të pranishëm në fillimin e shtrimit të sofrave “të marrëveshjeve”, për të formuar të njëjtat qeveri, duke i ngrënë të gjithë paditë e bëra në drejtim të njëri tjetrit. E nëse ndonjë forcë do të mbetet e pakënaqur nga përfundimet e votës së sovranit popull, do të nxjerrë nga arsenali i saj armën e protestës e të mos njohjes së rezultateve…

Kryetari i Shtetit që tani paralajmëron mos dekretimin e Qeverisë, një hap shumë më “i përparuar” nga mos dekretimet e ambasadorëve në Vatikan të markës Nishani. Rreziku i një paralize të jetës politike shqiptare, mbas çadrave të Ramës e të Bashës, mbetet i përhershëm duke e kthyer Shqipërinë, jo vetëm në republikë të drogës, por edhe n’atë të bananevet.

Para këtij pështjellimi të pashembullt politik si duhet të votojnë shqiptarët ? Simbas bindjes sime modeste, ata duhet të gjejnë forca në vetvete, për të votuar në masë parti krejtësisht të reja si ato të Gjergj Bojaxhiut apo Bilal Kolës, të cilat mund të përfaqësojnë, edhe se n’embrion, një alternativë për t’ardhmen, përballë monopolit 26 vjeçar të partive të mëdha pas komuniste. Do të ishte fillimi i ndyshimit të vërtetë të politikës shqiptare, ndryshim që do të kërkojë kohën e tij, por që duhet të japë shenjat e para të dukëshme më 25 qershor.

Duket si një gjë e pamundur, një përmbysje e raportit të forcave në politikën shqiptare, por është i vetmi mjet për të goditur në themele qeverisjen  e dështuar të njëzet viteve të fundit, së bashku me aktorët e saj të dorës së parë apo të dytë. Duket si një ndërmarrje marramendëse dhe ireale, por përvoja botërore na jep mjaft shëmbuj vërtetues, më i fundit ndriçues, fitorja e “Republikës në ecje” të Presidentit francez, Emmanuel Macron.

Qershor 2017                                                      

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugene Merlin, NJË ZGJEDHJE, TEJET E VËSHTIRË

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT