“Faji për gjendjen e rëndë në qytetin e Tetovës bie vetëm mbi një grusht njerëzish me një gjysmë diplome në xhep, që u qëndrojnë të tjerëve me kobure prapa veshit dhe që koburja do t’ua hajë kokën njëri pas tjetrit një ditë.”/
Nga Arben LLALLA/Tetova është qyteti universitar, qyteti i kulturës shqiptare të Maqedonisë, qyteti ku ndodhen qendrat e partive politike shqiptare. Pra Tetova me plot gojë mund të quhet kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë. Ne e duam Tetovën reale, me të këqijat dhe të mirat, e duam si një vend të vërtetë dhe jo të pavërtetë. Por Tetova si duket sot në sytë tanë?
Njëra nga rrugët kryesore hyrëse për në qendrën e qytetit të Tetovës quhet Ilinden. Është një rrugë e rindërtuar rreth disa vite më parë. Në sy të parë të duket se kjo rrugë është e përfunduar me standardet e kohës, por në të vërtetë kësaj rruge i mungojnë shenjat treguese siç janë vijat ndarëse në mes të rrugës, vijat e lejimit për ndalimin e automjeteve, etj. Kohëve të fundit vihet re prishja e asfaltit të ri, ku në disa pjesë të rrugës janë formuar gropa të rrezikshme Për katër vite sa e drejtoj Komunën e Tetovës Teuta Arifi asnjëherë nuk u lyen rrugët e qytetit për të treguar ku duhet të kalojnë këmbësorët. Arifi u kujdes vetëm për rrugën e apartamentit të saj si për njërën nga rrugët kryesore të qytetit. Di njeri ndonjë rrugë me vija të bardha përveç dy rrugëve në fjalë?
Duke hyrë nga rruga e Gostivarit e deri tek Xhamia e Pashës shikojmë pallate të reja, të ndërtuara vitet e fundit, pallate që janë të ngjitura njëra me tjetrën. Këto pallate duken sikur shtyjnë njëra-tjetrën dhe shpeshherë i ngjajnë murit kinez. Ndërmjet këtyre pallateve të reja ka disa tunele që kalojnë njerëzit për të hyrë në ndërtesat e pasme që u janë zënë edhe vështrimi diellor. Në rast zjarresh a do munden automjetet e mëdha të zjarrfikësve të hyjnë në tunelet e ngushta të pallateve për tu ardhur në ndihmë qytetarëve?
Një fenomen interesant është edhe zaptimi i lulishteve të lira përpara banesave të ndërtuara në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ndërtimi dy kate të shtesave mbi këto pallate të vjetra. Nuk e dimë se kush u jep lejet për zaptimin e lulishteve dhe të ndërtimeve të shtesave mbi tarracat e këtyre banesave, por një gjë dihet se kemi të bëjmë me shkelje të rënda të infrastrukturës së qytetit.
Në rrugët kryesore të qytetit kanë mbirë vend e pavend njerzit që lajnë makinat me ujin e pijshëm, ndërsa qytetarët ankohen për mungesën e ujit të pijshëm.
Duke shëtitur kërkojmë një park lojrash, të kalojmë pak çaste gëzimi duke harruar për pak kohë streset e ditës. Kërkojmë një park për të shëtitur të qetë, por park nuk ka. Nuk e dimë a ekziston ndonjë park lojrash për fëmijë në ndonjë qoshe të Tetovës?! (Park lojrash u ndërtua vetëm për lagjen ku 90% banohet nga sllavo-maqedonasit, ndërsa për lagjet ku banojnë shqiptarët ska asnjë park lojrash)
Afër Xhamisë së Pashës, ndodhej një lulishte, pronë publike, por me ardhjen në krye të Komunës së Tetovës znj.Teuta Arifi hapsirat e kësaj lulishteje i zaptuan, dhe u ndërtuan lokale ilegale. Bile Teuta Arifi personalishtë bëri inagurimin e këtyre lokaleve pirate. Para se të vinte Arifi kryetare e Tetovës shpeshherë shikonim fëmijë që luanin me gjyshërit e tyre dhe laheshin në verë në lumin Shkumbin. Shtrati i tij ka disa vite që është i mbushura plot e përplot me mbeturina të hedhura nga njerzit e pandërgjegjshëm. Por drejtuesit e Komunës së Tetovës nuk e kanë parë të arsyeshme të pastrojnë ndonjëherë lumin i cili kalon mespërmes qyteti. Tek e fundit qytetarët paguajnë taksa për mirmbajtjen e pastërtisë së Tetovës.
Qytetarët e Tetovës do të kishin një shëtitore të bukur sikur shtrati i lumit Shkumbin të rregullohej njëlloj si shtrati i lumit Lana në Tiranë apo lumi që kalon përmes qytetit të Prizrenit.
Kur Komunën e drejtonte Hazbi Lika u vendos rregull për sheshet ku mund të gjendet taksitë dhe u vendosën shenja dalluese, kjo gjë vazhdojë me suksese edhe në kohën kur komunën e drejtoj Sadi Bexheti, por me ardhjen në krye të Komunës Teuta Arifi filluan të lulëzojnë taksitë pirate, pa shenja dalluese. Taksit parkohen vend e pavend duke penguar qarkullimin.
Qyteti i Tetovës këto viteve të fundit ngjan si një qytet i Sirisë apo Afganistanit se sa si qyteti i një shtetit që pretendon të anëtarësohet në NATO dhe BE.
Tetova nuk e meriton këtë gjendje të keqe dhe të rëndë, Tetova ka kulturë, Tetova ka heronj, por Tetova nuk ka udhëheqës, menazhues të mirë. Faji për gjendjen e rëndë në qytetin e Tetovës bie vetëm mbi një grusht njerëzish me një gjysmë diplome në xhep, që u qëndrojnë të tjerëve me kobure prapa veshit dhe që koburja do t’ua hajë kokën njëri pas tjetrit një ditë.