• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SOKRAT BUBËN” E SHKROI KURESHTJA PER TE DITUR CILI JAM UNË

December 30, 2014 by dgreca

Bisedë me shkrimtarin Thanas Medi, fitues i “Çmimit të Madh Kombëtar për Letërsinë”, për vitin 2013, akorduar nga Ministria e Kulturës për romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”./
– Urime për çmimin, i nderuar z. Medi! Si e pritët si njeri dhe shkrimtar këtë vlerësim të lartë në prag të festave të fundvitit 2014?
– Faleminderit, Kozeta! E prita si një gjë që të ndodh rrallë në jetë. Që të mbush me kënaqësi e frymëzim, për të shkruar libra akoma më të mirë në të ardhmen. Besoja gjithmonë, si çdo shkrimtar, se ndonjë ditë puna ime do dilte në dritë, por nuk prisja që kjo të ndodhte kaq shpejt. Që me romanin e dytë. Të mirën më të madhe të çmimit, e shoh te dalja nga një harresë që dukej të qe e përjetshme. Gjykoj, gjithashtu, se një çmim të tillë nuk duhet ta shoh si mbarim të një përpjekjeje të gjatë. Duhet dhe e shikoj si një fillim. Çmimi është shumë, por jo gjithçka. Për të gjithë ata që ngrenë raporte serioze me letërsinë e ku mund të them se futem dhe unë, është nder, po aq është dhe përgjegjësi.
– Titulli intrigues i romanit ‘’Fjala e fundit e Sokrat Bubës’’ të bën kureshtar. Cila është fjala e fundit e tij dhe çfarë keni dashur të përcillni tek lexuesi? Çfarë ka ndikuar më shumë tek ju, për të shkruar këtë roman?
– Romani, veç të tjerash, ka si një nga kolonat bazë, një dashuri të pamundur. Heroi kryesor Sokrat Buba, është fejuar që në djep me vërsniken e vetë, Katerinën e bukur. Ai e do atë që herët dhe më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Siç duhen gjërat e rënda. Në heshtje, pa bujë e zhurrmë e që u humbet magjia po të reklamohen orë e çast. Fjala e fundit është një fjalë e shtrenjtë që përbën emëruesin e jetës së tij. Eshtë një fjalë të cilin heroi e mban fshehur, thellë rropullive të barkut të vet. Dhe po ta nxjerrë jashtë, i duket sikur do t’i gjakosen buzët. Me këtë gjetje, kam dashur të përcjell dhe një mesazh që shumëkujt, në kohërat e sotme, mund t’i duket i vjetëruar: dashuria e vërtetë nuk është ajo që bërtet, është ajo që ndjehet. Që vuan në heshtje e s’bën zhurrmë. Dhe se jo çdo dashuri, është dashuri. Për të shkruar këtë roman, më tepër ka ndikuar tek unë kureshtja për të mësuar se cili jam. Dëshira e hershme për të zbuluar e bërë të njohura, rrënjët e trungut tim.
Kush është fjala e fundit e Sokrat Bubës? Unë besoj kam mirëkutimin tuaj të mos e them, por t’i krijoj lexuesit mundësinë të shkojë i vetëm gjer në fund të librit, gjer në fjalën e fundit të librit për ta mësuar…
– Pas marrjes së çmimit të lartë, a ka ndryshuar diçka në marrëdhëniet me miqtë shkrimtarë, po me lexuesit?
– Përsa më përket mua, në marrëdhëniet me miqtë e mi shkrimtarë nuk ka ndryshuar asgjë. Unë i dua e respektojë ata, ashu si më parë, dhe ndoshta më shumë. Por vërej se tek ata ka ndryshuar diçka, për mirë. Më shohin me më shumë simpati tani. Dhe sikur gjejnë te rasti im, një dëshirë të tyren të realizuar më në fund. Kurse lexuesin do ta ndaja në dy kategori: Ata
që më pranuan e u entusiazmuan që me librin e parë e që sikur u përligjën për besimin e tyre, u bënë njësh me mua. Kurse të tjerët sikur duan të bëhen tani. I përshëndes e respektoj, sido që të jetë. U’a dëgjojë mendimet, sido që të jenë.

– Për shumë lexues emri juaj si shkrimtar është ende pak i njohur, si e vlerësoni arritjen maksimale të librit tuaj, si libri më i mirë i vitit? Është drejtësi nga komisioni, është profesionalizëm, apo ka filluar sfida ndaj mediokërve, shkruesve pa limit, që e vlerësojnë veten si shkrimtarët më të mirë, por në fakt krijimet e tyre ngelen stoqe, myken nëpër kioska të shumta.
– Kjo është nga pyetjet më të dëndura që më janë bërë këto ditë. Ka patur entusiazëm, ka patur dhe zhgënjim e habi. Nga doli ky i panjohur! Entusiazmi erdhi nga sferat e shkrimtarëve, apo letërsisë së lënë në harresë. Kurse zhgënjimi dhe habia, nga ata që kanë qenë më të pompuarit dhe vuajnë nga fiksioni, se letërsia është pronë vetëm e tyre. Mirë është që ç’dokush të mësojë tjetrën. Atë, se letërsia është e të gjithëve dhe e askujt. Se ajo duhet të mbahet me merita dhe jo me tapi. Këtë sikur deshi të afirmonte Ministria jonë e Kulturës, bashkë me komisionin përzgjedhës, apo jurinë e saj në ndarjen e çmimeve. Nga “brenda” di se ministrja, e nderuara znj. Mirela Kumbaro, e mbajti të fshehtë jurinë dhe u tha vetëm kaq: ta marrë ai që e meriton! Një inisiativë vërtet për t’u lavdëruar, vënia e garës mbi binarë të drejtë. E falenderova zonjën Kumbaro gjatë ceremonisë për çmimin, e falenderoj prapë, do ta falënderoj sa herë të më jepet mundësia. Jo se cmimin e mora unë. Edhe për këtë, por më shumë për klimën e re që ndikoi e që unë uroj siqerisht të ketë vlagë të gjatëm në dobi të promovimit edhe në të ardhmen, të asaj ç’është vërtet cilësore, në dallim nga ajo që ju zutë ngoje për letërsinë butaforike që për veshët e shumicës dominon si çdo zhurmë, kundrejt tingullit. Kushdo që mendon se i është ngrënë haku, këtë do donte më tepër se gjithçka. Drejtësinë, paanësinë, në letërsi e gjithëkund tjetër ku nevojitet kontributi njerëzor. Besoj se në Atdhe po fryn me të vërtetë një erë e re. Era e sfidës ndaj klaneve, tarafeve apo frymës së kompromisit me vlerat e dyshimta.
– Në ç’nivel paraqitet struktura narrative e romanit, sekuenca logjike dhe së fundi, tonet e rrëfimit?
– Për këtë mund të flasin kritikët më mirë, megjithatë shkrimtari është dhe kritik. Veten time e shoh të mos rropatet shumë pas “akrobacive” moderniste. E shoh të lëviz brenda traditës, por jo duke mbetur rob i saj. Përpiqem t’i jap asaj një tingull të veçantë. Tingullin e zërit e të shpirtit tim. Sot bëhet më tepër një letërsi e ftohtë, ndaj dhe lexuesi është ftohur shumë prej saj. Atij duhet t’i flasësh me shpirt për ta bërë për vete. Sot të gjithë dinë, por jo të gjithë ndjejnë. Lexuesit duhet t’i zgjosh ndjenjën që të të ndjekë. Këtë përpiqem të bëj.
– Mendoni se mund ta përktheni romanin në gjuhën greke, meqenëse jetoni atje? Cilat janë ambicjet tuaja në krijimtari për të ardhmen?
– Romani është përkthyer në greqisht, me titullin ‘’Nomadët e fundit’’, pres tani së shpejti t’i hapet rruga e botimit. Po me këtë titull, në shqip, është botuar dhe në “Amazon” të Amerikës. Si edhe romani i parë, “Hija e mallkuar. Ambicja ime në letërsi është vetëm një: të arrij majën më të lartë të mundshme. Nuk më hutojnë më të mëdhenjtë e letërsisë, siç më kanë hutuar e trembur dikur. Dua dhe vetë të bëhem i madh. Nuk e kam aspak mungesë modestie këtë, e kam synim, e kam kuotën që i kam caktuar vetes të arrij. E kam ambicje të jetë si krijues. E kisha edhe para çmimit. Pasi po nuk synove të jesh shumë, është e sigurt se do mbetesh pak.
– Jeta juaj pas viteve ‘90 është në emigracion, në Greqi. Cilat janë problemet e shumta të emigrantëve atje dhe veçanarisht për ju si shkrimtar? A ndiheshe i harruar nga institucionet e kulturës së Mëmëdheut tonë si shkrimtar i emigruar?
– Emigracionin në Greqi e vuaj prej më shumë se njëzet vjetësh. Kam qenë mësues letërsie, me universitet, e si shumë të tjerë iu nënështrova punëve më të rëndomta. Veçse, kjo situatë kishte të këqiat dhe të mirat e saj. E mira më e madhe ishte ajo që dukej dhe më e keqja: vuajtja, dhembja, marrja nëpër këmbë e personalitetit njerëzor. Pasi këto gatuan, zunë edhe brumin e letërsisë së ardhshme. Atë që mund ta shkruaja vetëm unë. Promblemi i parë, imediat, i emigrantëve në Greqi ka qenë sigurimi i një dokumenti që do t’i mbante ata në këtë vend. Ky është problemi fizik. Kurse tjetri, shpirtëror, ka qenë dhe është ingranimit në një shoqëri të keqkuptuar dhe që e pranon të huajin me vështirësi. Mes tyre, ata që kanë vuajtur më shumë, janë ish njerëzit e letrave, artit e kulturës. Këta e ku padyshim futem dhe unë, “ferrin” e emigracionit e kanë vuajtur më shumë. Ndoshta dyfish. A ka qenë i ndjeshëm atdheu politik e kulturor ndaj kësaj mase njerëzish? Për hir të së vërtetës, të gjithë thonë se nuk ka qenë. Kështu them edhe unë. Shpresojmë të jetë këtej e tutje.
– Le të hidhemi tek fëmijëria juaj. Si ka qenë ajo dhe a e keni pasur ëndërr të merreshit me letërsi? Nëse po, cilat kanë qenë pengesat e mosbotimeve?
– Unë kam dy fëmijëri. Të parën, deri në dhjetë vjeç, në Xarrë të Sarandës, kurse më pas në Dhoksat të Lunxhërisë. Të dya kanë qenë të bukura. Mes vështirësish e peripecish të panumërta, por edhe mes një gëzimi e entusiazmi kolektiv.
Unë u rrita mes një fisi të madh, ku mbizotëronte harmonia e dashuria për njeri-tjetrin. Kjo ndoshta ngjizi të qenën njeri i mirë.
Fisi im ishte i valles e i këngës së bukur. Kjo ndoshta mbolli tek unë prirjen e të marrurit me art.
Kur shkruaja librin që fitoi çmimin, më ndodhte nganjëherë t’ia mirrja këngës, dhe kjo sikur më ndihmonte për të shkruar më mirë. Në fëmijërinë e dytë, atë të Dhoksatit, zbulova librin artistik. Lexoja ç’të më binte në dorë: tregime, romane e poezi. Sidomos poezi. M’u bë hije ideja se dhe unë mund të bëhesha poet. Kur isha në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, nxorra në dritë krijimet e para. Poezi të rëndomta të them të vërtetën, nga të cilat nuk ruaj ndonjë kujtim të veçantë. Botova dhe ndonjë cikël në organet letrare të kohës.
U ndava shpejt me poezinë dhe e mbajta frymën te tregimi, proza. Kjo m’u duk një gjë më e rëndë. Sikur u ndjeva më mirë këtu. Ishte si një kostum që i qëndroi më mirë shtatit tim. Kur isha student bëra një punë më përfaqësuese, një vëllim me tregime e novela, por nuk m’u botua nga shtepia botuese “Naim Frashëri’’ e kohës. Për arsye ideologjike. Ma kthyen mbrapsht me motivacionin “nxin realitetin”. Nuk pretendoj tani se ato tregime qenë kush e di çfarë, por jam i bindur që ishin në nivelin e letësisë që botohej, dhe botimi i tyre mbase do kishte qenë një shtysë e fortë që të isha më intensiv në punën si krijus dhe jo krejt i panjohur për lexuesin. Që atëhere pata një tërheqje nga puna në tavolinë, tjetër gjë se larva e krijimit rritej tek unë, gjersa u bë roman i parë e pastaj “Sokrat Buba” që ma shpërbleu lodhjen me çmim.
– Sa i orientuar jeni si shkrimtar me zhvillimet e letërsisë në Shqipëri, Greqi e diasporë? Cili nga shkrimtarët e njohur ka ndikuar më shumë në krijimtarinë tuaj dhe disa nga veprat tuaja letrare?
– E thashë edhe më lartë. Me emigrimin në Greqi unë u ndava për një kohë të gjatë nga puna në tavolinë me letërsinë. Pasoi një periudhë e gjatë heshtjeje kur vetëm akumuloja, por nuk shkruaja. Tani nuk kishte më censurë botimi, por unë ia ngrita vetes. Doja që ajo që do shkruaja e do nxirrja në dritë, të ishte patjetër më e mirë nga të tjerët. Kjo solli vonesën. Kështu, më 2011 botova romanin e parë te ‘’Toena’’ në Tiranë, “Hija e mallkuar”. Dhe pak më pas, më 2013, ‘’Fjala e fundit e Sokrat Bubës’’, i cili më nderoi me çmimin. Me letërsinë shqiptare, atë greke e më gjerë, përpiqem të jem sa më në kontakt. S’duhet të dashurohesh me veten e të mos lexosh të tjerët. Duhet të lexosh, në qoftë se nuk do që një ditë të përfundosh i tharë. Kush ka ndikuar më shumë? Janë disa, ndoshta secili nga pak: Tolstoi, Çehovi, Balzaku, Cvajku, Markezi, Kuteli, Xoxa e padyshim Kadarea i madh.
– Ju faleminderit dhe suksese!
– Faleminderit juve! (Bisedoi Keze Kozeta Zylo)
30 Dhjetor, 2014
Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisedoi, Keze Kozeta Zylo, Thanas Meda

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT