SHKRUAN: Akademik Beqir Meta/
Federata Panshqiptare “Vatra” ka hyrë në histori si organizata më e fuqishme dhe më jetëgjatë e diasporës shqiptare. Ajo ka gati një ditëlindje dhe të njëjtën moshë me shtetin shqiptar. Por për më tepër, që pas themelimit të saj, ajo u shndërrua në një aktor të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm për sendërtimin e shtetit shqiptar dhe për mbrojtjen e tij. Shërbimet që ajo i ka bërë kombit dhe shtetit shqiptar janë të panumërta dhe të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, ajo përbën një nga pjesët më të çmuara të trashëgimisë sonë historike.
“Vatra” u themelua vetëm disa ditë pas shpërthimit të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të pranverë-verës së vitit 1912. Qysh në këto momente, njëri nga drejtuesit kryesor të saj, Faik Konica, duke vepruar me përgjegjshmërinë dhe mendjemprehtësinë e një shtetari të vërtetë, paralajmëronte udhëheqësit e Kryengritjes se duhej të llogarisnin mirë disa rrethana që mund të sillnin ndërlikime të rrezikshme për Shqipërinë, duke ju referuar në radhë të parë mundësisë së shpërthimit të konfliktit midis shteteve ballkanike dhe Turqisë, të cilat i shihte si rrezikun kryesor për Shqipërinë. “Vatra” bëri vazhdimisht thirrje që Kryengritja të kishte shtrirje mbarëkombëtare dhe unitet e organizim të fuqishëm, të cilin ajo e shihte si kyçin e suksesit dhe të aftësive të shqiptarëve për t’i bërë ballë situatave të vështira që priteshin në të ardhmen.
Qysh në vitin 1911, Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët një vit më vonë do të bëheshin drejtuesit kryesorë të “Vatrës”, projektonin themelimin e një shteti shqiptar. Ata u përpoqën të arrinin një marrëveshje me Greqinë, të cilën e shihnin si një shans për të siguruar mbështetje në procesin e vështirë të ndërtimit dhe afirmimit të këtij shteti, në atë fazë të situatës ballkanike. Por, ashtu si dhe disa nacionalistë të tjerë, ata u refuzuan nga pala greke. Pas kësaj, duke e ndjerë thellë rrezikun e fqinjëve ballkanikë, “Vatra” do të mbështetej shumë tek autonomia. Megjithëkëtë në momentin më kritik, kur ushtria osmane po dëbohej nga Ballkani, ajo e kapërceu dilemën rreth autonomisë dhe iu rikthye me forcë mbështetjes së pavarësisë së Shqipërisë. Madje, ajo i shtoi përpjekjet për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Më 17 nëntor 1912, njëmbëdhjetë ditë para se Ismail Qemali të ngrinte flamurin në Vlorë, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston kundër planeve të Fuqive të Mëdha për një ndarje të mundshme të Shqipërisë midis fqinjëve të saj. Ajo i kërkoi Presidentit amerikan Taft, që të mbante një qëndrim të favorshëm për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.[1]
“Vatra” përpiqej për krijimin e një shteti kombëtar duke respektuar parimin e shenjtë të kombësisë. Qysh nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1912-1913 e deri në ditët tona “Vatra” mbrojti dhe argumentoi të drejtën dhe domosdoshmërinë që kombi shqiptar të ndërtonte një shtet kombëtar në territoret e banuara në shumicë nga shqiptarët. Por, ajo e konceptonte këtë shtet ndryshe nga shtetet ballkanike të atëhershme, të cilat dominoheshin nga nacionalizmi shoven, agresiv dhe intolerant ndaj fqinjëve dhe pakicave. Në shtypin e saj, në memorandumet e shumta drejtuar Fuqive “Vatra” e konceptoi shtetin shqiptar si një shtet që nuk do të përfshinte territore të huaja dhe tolerant ndaj pakicave. Në këtë kuadër, ajo bënte thirrje që Shqipërisë t’i jepeshin viset rrotull Manastirit, Janinës dhe Malit të Pindit, të cilat banoheshin nga vllehtë.[2] Këtë zgjidhje ajo e vlerësonte se ishte me interes të dyanshëm. Ajo u interesonte shqiptarëve sepse forcohej shteti shqiptar, por edhe vllehve, të cilët ishin të bindur se, vetëm me një bashkim politik me Shqipërinë, do të mund të ruanin kombësinë e tyre dhe të gëzonin një liri të plotë. “Vatra”, më se njëherë, u shpreh për njohjen e të gjitha të drejtave kombëtare kësaj pakice në shtetin shqiptar si të drejtën për të mësuar gjuhën dhe për të pasur kishat e saj.[3] Ndonëse ky ishte një vizion i avancuar për ndërtimin e një shteti liberal e tolerant, “Vatra” diti të ruante masën dhe balancën në këtë drejtim. Ajo denoncoi pikëpamjet që u shfaqën në atë kohë për autonominë territoriale të vllehve të Pindit e Gramozit, nëse ata futeshin në përbërjen e shtetit shqiptar. Prandaj ajo kritikoi si diplomacinë austro-hungareze që e mbështeste këtë pikëpamje ashtu dhe përfaqësuesin e vetë “Vatrës” në Kongresin e Triestes, Faik Konica që bëri lëshime në këtë drejtim.[4]
Qysh në momentet e para “Vatra” ishte shumë e vendosur dhe aktive që shtetit të ri shqiptar t’i jepej qartësisht forma e një shteti modern të ndërtuar me fizionomi e tipare perëndimore dhe i lidhur politikisht e shpirtërisht me Evropën Perëndimore. Ideali i saj ishte një Shqipëri si Danimarka, Belgjika, ose Holanda. Për këtë arsye “Vatra” denoncoi përpjekjet e xhonturqve për të orientuar politikisht shtetin e ri shqiptar drejt Turqisë. Këto reagime qenë më të ashpra veçanërisht pas zbulimit të misionit të Beqir Grebenesë, të cilin “Vatra” e denoncoi si hapin e parë të propagandës xhonturke në Shqipëri dhe gjatë rebelimit antikombëtar në Shqipërinë e Mesme.[5] “Vatra” e denoncoi përpjekjen ruse në Konferencën e Ambasadorëve që Shqipëria të bëhej një shtet nën hijen e Turqisë, duke pohuar se kjo ishte një politikë me qëllime të largëta që parashikonte krijimin e mundësive të tjera për të destabilizuar shtetin shqiptar, duke nxitur fanatizmin fetar dhe për të krijuar terrenin që të ndërhynin shtetet ballkanike.[6] “Vatra” kritikoi thellësisht pikëpamjen franko-ruse për t’i dhënë Shqipërisë një princ mysliman, duke vënë në dukje se ato synonin copëtimin e Shqipërisë dhe zmadhimin territorial të sllavëve dhe grekëve.[7]
Ky profil i spikatur properëndimor i “Vatrës” lidhej me prirjen e përgjithshme të nacionalizmit shqiptar për të ndërtuar një shtet modern me profil evropian. Por, ligjërimi properëndimor i “Vatrës” ishte më i spikaturi në skenën e atëhershme shqiptare. Kjo veçori lidhet pikësëpari me ambientin social-politik ku veproi kjo shoqëri. Demokracia dhe qytetërimi amerikan, të cilat emigrantët shqiptarë i përvetësuan shpejt, shkrirja e edukatës demokratike perëndimore me idealet kombëtare përbënin bazën dhe frymëzimin themelor të kontributit që dha “Vatra” për themelimin dhe konsolidimin e një shteti me fizionomi perëndimore.
“Vatra” dha një kontribut të pallogaritshëm për forcimin e karakterit kombëtar të shtetit shqiptar dhe të institucioneve politike, arsimore, fetare e kulturore të Shqipërisë. Themeluesi i “Vatrës”, Fan Noli ishte babai i Kishës Autoqefale Shqiptare në Amerikë, e cila u themelua katër vjet para “Vatrës”. Ajo u rrit dhe u fuqizua më tej si një institucion shumë i rëndësishëm kombëtar bashkë me “Vatrën”. Qysh në ditët e para të shtetit shqiptar “Vatra” u angazhua në një betejë të drejtpërdrejtë, të gjatë dhe të vështirë për eliminimin e privilegjeve të Patrikanës greke, të cilat ajo i konsideroi si të rrezikshme që çonin në shpërbërjen e Shqipërisë.[8] Në fillimin e viteve 20’ Noli dhe vatranët u bënë luftëtarët më të vendosur të kombëtarizimit dhe autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Shqipëri, duke i bërë një shërbim të madh procesit të sendërtimit të shtetit kombëtar. Vatranët vlerësoheshin prej diplomatëve të huaj në Shqipëri si një grup pararojë në krijimin e Kishës Autoqefale, në këto momente të vështira kur një pjesë e mirë e ortodoksisë shqiptare, e gjendur nën presionin e fortë të Patrikanës dhe të qeverisë greke si dhe për shkak të propagandës shekullore fanariote, ishte e trembur ose apatike ndaj këtij procesi jetik për harmoninë, unitetin kombëtar dhe për konsolidimin e shtetit.
Drejtuesit e “Vatrës” në fillim diskutuan edhe për orientimin politik të shtetit shqiptar. Ata ishin të orientuar midis një neutraliteti të kushtëzuar dhe ndërtimit të aleancave që i shërbenin mbrojtjes së shtetit dhe të shqiptarëve të mbetur jashtë tij, nën sundimin e huaj. Faik Konica e vlerësoi vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për neutralitetin e shtetit shqiptar pasi pengonte fqinjët që të cenonin shtetin e ri shqiptar, por ai nuk e quante shpalljen e neutralitetit si një garanci të plotë dhe bënte thirrje që shqiptarët duhej të përgatiteshin ushtarakisht për mbrojtjen e tij.[9] Por, neutraliteti u kundërshtua në mënyrë kategorike nga patriotë të tjerë. Njëri prej tyre, Loni P. Naumi theksonte se Shqipëria e gjymtuar nuk mund të qëndronte neutrale, pasi që të ruhej neutraliteti i Shqipërisë dhe të mos tronditej paqja në Ballkan, duhej që shteti shqiptar të përmblidhte katër vilajetet, pa lënë jashtë shtetit shqiptar as më të voglin fshat shqiptar. Nacionalistët shqiptarë nuk mund të pranonin një Shqipëri neutrale të përgjysmuar sepse kështu do të duhej të mohonin përgjithnjë vëllezërit e tyre të mbetur nën sundimin e huaj.[10]
“Vatra” ka pasur gjithmonë në themel të qëndrimeve të saj stabilitetin politik dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ajo ishte e ndërgjegjshme se ky proces do të ishte i vështirë dhe do të duhej kohë që ai të arrihej plotësisht. Si rrezik të brendshëm që kërcënonte pavarësinë dhe mëkëmbjen e shtetit shqiptar, udhëheqësit e “Vatrës” konsideronin fillimisht bejlerët separatistë, të cilët do të ishin në Shqipëri “shtet përmbi shtet”[11]; faktor tjetër negativ prapambetja e popullit shqiptar, i cili kishte qenë i shtypur për pesë shekuj me radhë nga pushtuesit e huaj. Ajo parashikonte se kjo gjendje do t’u krijonte terren të favorshëm Fuqive të huaja që edhe për disa kohë të ndërhynin në punët e brendshme të Shqipërisë. “Vatra” i ofroi shtetit shqiptar mbështetjen e saj për të ndihmuar në eliminimin e dasive krahinore të cilin e shihnin si njërin nga objektivat kryesore të politikës së brendshme, pasi këtë fenomen ata e vlerësonin si një rrezik për progresin e vendit dhe unitetit kombëtar. “Vatra” ofroi një koncept shumë realist dhe të avancuar për marrëdhëniet e fesë me shtetin, i cili ishte shumë i drejtë dhe i përshtatshëm në kushtet e Shqipërisë, ku ekzistonin tri besime fetare. Ajo kërkonte ndarjen e fesë nga shteti madje e avanconte më tej këtë pikëpamje duke kërkuar ndarjen e fesë nga sistemi shkollor shtetëror, pasi kështu Shqipëria do të shpëtonte nga ngatërresa shumë të mëdha.[12] Ky koncept frymëzohej nga nevojat e krijimit dhe konsolidimit të bashkëjetesës së qetë e koherente kombëtare midis popullsisë së besimeve të ndryshme dhe të forcimit të unitetit shtetëror e kombëtar.
“Vatra” që në fillim kërkoi me forcë krijimin e një shteti të centralizuar dhe unik kombëtar dhe dënoi çdo propozim apo përpjekje për decentralizimin e tij. Në këtë kuadër ajo kritikoi edhe propozimin për ndarjen e Shqipërisë në kantone duke paralajmëruar se kjo do të thellonte dasitë krahinore, mbizotërimin e tendencave fetare mbi ato të kombësive dhe fuqizimin e pozitave të krerëve turkomanë e grekomanë, thellimin e destabilizimit të vendit, i cili do ta bënte më të lehtë copëtimin e Shqipërisë prej shteteve fqinje. [13] Ajo kërkonte medoemos krijimin e një shteti të centralizuar me një mbret në krye, rreth të cilit të mblidheshin të gjitha forcat apo grupet politike të vendit. “Vatra” organizoi protesta të fuqishme dhe një aktivitet intensiv diplomatik për të kundërshtuar të ashtuquajturën autonomi “vorio-epirote” dhe krimet që kryen grekët në emër të saj në Shqipërinë e Jugut. Madje ajo organizoi edhe një lëvizje të gjerë në kolonitë e Amerikës për krijimin e trupave vullnetare, të cilat do të përbënin bërthamën e Milicisë Kombëtare në Shqipëri. Kjo forcë do t’i shërbente qeverisë së Vidit për të vendosur rregullin në vend dhe për të shtypur lëvizjet anarkiste që nxiteshin nga të huajt. Kontingjenti i parë i këtyre forcave u dërgua në Shqipëri në maj të vitit 1914.[14] Edhe në vitin 1921, “Vatra” ishte në pararojë të luftës kundër tendencave separatiste e autonomiste që u shfaqën në këtë rajon. Ajo kundërshtoi me forcë një lëvizje të rrezikshme për një autonomi të brendshme të Shqipërisë së Jugut të nxitur nga një grup politikanësh korçarë për interesat e tyre egoiste politike, duke nënvizuar me forcë rrezikun e çdo lloj separatizmi dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të një shteti kombëtar të centralizuar dhe unik.
Problemi i fronit të Shqipërisë ka qenë një nga shqetësimet kryesore të “Vatrës”. Ajo ndaj kësaj çështjeje mbajti një qëndrim kategorik duke mbështetur caktimin e një princi evropiano-perëndimor kundër kandidaturës së ndonjë princi mysliman. Që në telegramin e urimit drejtuar Kuvendit të Vlorës, ajo theksonte se Kuvendi duhej të zgjidhte në Fronin e Shqipërisë një princ nga një derë mbretërore evropiane, i cili do të ndikonte fuqishëm që vendi të orientohej drejt qytetërimit evropiano-perëndimor. “Vatra” mbështeti princ Vidin duke besuar se ai do të arrinte të stabilizonte gjendjen në Shqipëri, si një shpresë që do të pengonte ndërhyrjen e fqinjëve në punët e brendshme të Shqipërisë në gjyqet, në administratë, në hartimin e legjislacionit etj., dhe se ai do të mbronte më mirë interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ajo e ndihmoi konkretisht shtetin shqiptar në këtë fazë të vështirë. Dhjetëra vatranë të ardhur nga Amerika u futën në administratën e re shtetërore[15]. Gjithashtu shumë vullnetarë, të cilët luftonin kundër rebelimit në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme ishin një forcë stabilizuese me rëndësi të madhe jo aq për nga numri dhe forca ushtarake por për shkak të ndërgjegjes së avancuar kombëtare e shtet-formuese dhe të rrezatimit që kishin këta në Shqipëri, veçanërisht në Shqipërinë e Jugut, e cila ishte edhe më e rrezikuara nga separatizmi dhe ndërhyrja greke[16]. Por, nga ana tjetër “Vatra” kërkoi me forcë vendosjen e qeverisë në duart e nacionalistëve shqiptarë dhe bëri kritika ndaj qeverisë së atëhershme në të cilën bënin pjesë edhe “elementë çifligarë pa të kaluar patriotike madje edhe antipatriotë”. Ajo kritikoi hapur veçanërisht përfshirjen e Esat Toptanit në këtë qeveri.
Gradualisht “Vatra” i thelloi kritikat ndaj qëndrimit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Në mitingun e madh të 17 majit 1914 të organizuar prej saj, mijëra shqiptarë miratuan një rezolutë me të cilën dënuan marrëveshjen e KNK me të ashtuquajturën qeveri vorio-epirote, dhe kundërshtuan me forcë kërkesat e Zografos. Rezoluta i cilësonte venomet si një faktor që do të nxiste intrigat dhe përçarjen në Shqipëri.[17] “Dielli” shkruante se këtu po luhej karta e Shqipërisë. “Po qe se Shqipëria i pranon kërkesat e Zografos atëherë është për të qarë hall, po qe se nuk i pranon atëherë do të kemi një Shqipëri të vërtetë”.[18]
Qëndrimi i “Vatrës” ndaj rebelimit në Shqipërinë e Mesme dëshmon qartë konceptin e drejtë të saj për shtetin dhe shtetësinë në Shqipëri. “Vatra” arriti në përfundimin se karakteri i kësaj lëvizjeje ishte antikombëtar, se në faza të ndryshme ajo u manipulua nga fuqitë e huaja, të cilat në çdo rast e drejtuan atë kundër shtetit shqiptar, pavarësisë dhe stabilizimit të Shqipërisë.[19]
“Vatra” mund të konsiderohet pa mëdyshje si një aktore kryesore e rithemelimit të shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore. Jo vetëm që ajo zhvilloi një aktivitet të fuqishëm diplomatik e propagandistik në favor të rikonfirmimit të pavarësisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore, por në fund të saj ishte aktor kyç në kompromisin që u arrit me qeverinë italiane për mbledhjen e Kongresit të Durrësit dhe krijimin e një qeverie shqiptare. Përfaqësuesi i “Vatrës”, Mehmet Konica ishte kryetar i Kongresit të Durrësit dhe luajti një rol të rëndësishëm në përpunimin e programit të qeverisë së re. Aftësia e “Vatrës” për të negociuar këtë kompromis të vështirë, madje do të nënvizonim tepër të vështirë, për ta udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare drejt shtigjeve tepër të ngushta e të thepisura, dëshmon për forcën, pjekurinë dhe aftësinë politikbërëse e shtetformuese të saj. Po kaq i rëndësishëm dhe me rëndësi historike ishte kalimi i “Vatrës” në pozita më të avancuara në fund të vitit 1919 dhe fillim të vitit 1920 duke hedhur tej tutelën italiane dhe duke u bërë mbështetje e krijimit të një shteti shqiptar me kufijtë e vitit 1913 dhe pa asnjë varësi të huaj. Ajo mbështeti fort vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe qeverinë e dalë prej tij. Kryetari i delegacionit të saj në Evropë, Mehmet Konica u bë Ministër i Jashtëm i qeverisë së re dhe kolegu i tij, delegati tjetër i “Vatrës”, Dr. Turtulli u zgjodh anëtar i Këshillit të Naltë (regjencës). Të dy këta personalitete të “Vatrës” shërbyen për të realizuar kalimin paqësor dhe pa konflikt nga qeveria e Durrësit drejt asaj të Tiranës, duke dëshmuar vizion të shkëlqyer shtetformues, mençuri dhe urtësi politike, e cila i forcoi shumë pozitat e Shqipërisë në ato momente tepër kritike kur po luhej fati i saj.
Qysh në vitet 1913-1914 e më vonë në vitet ’20, “Vatra” ishte kampione e propagandimit të reformave politike dhe ekonomike, për t’i hapur rrugën progresit kapitalist në vend. Por, ajo e konceptonte reformimin e vendit si një proces evolutiv, paqësor, gradual, pa tensione e tronditje të mëdha sociale, të cilat mund të vinin në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. “Vatra” mbështeste qysh në fillim të themelimit të shtetit shqiptar një formë qeverisje demokratike me pozitë dhe opozitë, ndonëse ajo propozonte që opozita e vërtetë politike të lejohej të vepronte pas konsolidimit të shtetit shqiptar dhe njohjes ndërkombëtare të kufijve të tij. Në vitet 1921-1924, “Vatra” dhe vatranët luajtën vetë rolin e një opozite politike në Shqipëri. Ndonëse ishte sprova e parë dhe kjo veprimtari ka mjaft për të kritikuar, vatranët ishin grupi më iluminist dhe më parimor i opozitës së asaj kohe, të cilët aspironin në mënyrë iluzive ta reformonin vendin në mënyrë radikale dhe brenda një periudhe të shkurtër, gjë që ishte e pamundur për kushtet e asaj kohe.
Kontributi i çmuar i “Vatrës” në momentet kur po hidheshin themelet e shtetit shqiptar shërbeu si një përvojë dhe trashëgimi për orientimin e nacionalizmit shqiptar në vitet dhe dekadat që pasuan, kur ky shtet do të rritej përmes vështirësive dhe sfidave të shumta. Në të gjitha rastet “Vatra” u rendit në anën e Shqipërisë, mbrojti ekzistencën, tërësinë territoriale, stabilitetin, unitetin, modernizimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar. Prandaj, ajo qëndron sot në piedestalin e historisë, si njëra nga shtyllat themelore të shtetësisë dhe nacionalizmit shqiptar.
[1] S. Peters, Karakteristikat, kontributet dhe përgjegjësitë e shqiptaro-amerikanëve, New York, 1969, f.90
[2] Loni P.Naumi, “Trazirat politike në Ballkan”, Dielli, 12 gusht 1913
[3] “Rumunët në Shqipëri”, Dielli, 11 mars 1913
[4] A. Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914, Tiranë 1978, f. 234-235
[5] “Puna e xhonturqve”, Dielli, 28 dhjetor 1914
[6] Dielli, 15 prill 1913
[7] “Do të zbrazet a nukë Shqipëria Jugore”, Dielli, 23 janar 1914
[8] Dielli, 29 gusht 1913; 4 nëntor 1913
[9] Dielli, 16 janar 1913
[10] Loni P.Naumi, artikull në gazetën Dielli, 21 mars 1913
[11] “Dielli për kohën e pritme”, Dielli, 22 korrik 1913
[12] Dielli, 8 gusht 1913
[13] “Me kantone apo me mbret?”, Dielli, 24 korrik 1914
[14] Dielli, 19 maj 1914
[15] The Albanian Struggle in the Old World and New, Boston 1939, f.54
[16] “Rrofshin mbretërit e Shqipërisë”, Dielli, 9 janar 1914
[17] Dielli, 26 maj 1914
[18] “Shqipëria dhe venomet e kërkuara prej Zografos”, Dielli, 19 maj 1914
[19] “Gjendja e Shqipërisë”, Dielli, 24 korrik 1914