Nga Uk Lushi/New York/
Çdo katër vjet kur fillon dhe derisa mbaron Kampionati Botëror i FIFA-s në Futboll planetin tonë e përfshijnë ethe të këndshme gare dhe vapa e verës bëhet disi më e durueshme se zakonisht. Botërori 2014, që po mbahet në atdheun e pyllnajës më të madhe në botë Amazon, është në udhë të mirë të jetë ndër më të bukurit e të gjitha kohërave. Si asnjëherë më parë në konkurrimin për kupën më të dëshirueshme në futbollin e shteteve marrin pjesë nëntë shqiptarë ose 81.82 për qind e një ekipi në fushën e blertë. Bashkëkombësit tonë përfaqësojnë Zvicrën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Greqinë, ndërkaq që Kombëtarja jonë nuk ka arritur të kualifikohet. Prania e kaq shumë shqiptarëve dhe mungesa e skuadrës sonë kombëtare në turneun më me prestigj është një lloj ndjenje ku përplasen fuqishëm shija e ëmbëlsisë dhe hidhësisë. Por, pavarësisht kësaj dhe faktit që djemtë tanë në Brazil nuk kanë mundur apo dashur të luajnë për ne, ata duhet të përkrahen pa rezervë, sepse në Brazil ata megjithatë përfaqësojnë edhe shqiptarët.
Sigurisht që cilësia e lojtarëve luan rol parësor në sukseset e një skuadre, mirëpo, siç po dëshmon edhe ky Botëror, lojtari i 12-të apo tifozët e kombëtareve kanë një rëndësi gati aq të madhe sa futbollistët. Simpatizuesit brazilianë të “Seleção”, italianë të “Azzurri”, gjermanë të “Die Mannschaft”, argjentinas të “La Albiceleste”, francezë të “Les Bleues”, kolumbianë të “Los Cafeteros”, koreanë të “Tageuk”, amerikanë të “The Yanks”, meksikanë të “El Tri”… apo holandezë të “Oranje” këto ditë të nxehta në stadiumet e Brazilit janë duke mbështetur klubet e tyre nacionale në mënyrë madhështore. Por unë mendoj që ne shqiptarët në realitet kemi tifozë më të mirë se çdo kombëtare e kampionatit Brazili 2014, e bile edhe në botë. Pse?
Nuk besoj që ka shqiptar(e) që nuk i kujtohen momentet emocionale ndërsa në ndeshjen me Ukrainën me 9 shkurt 2005 në Tiranë simpatizuesit e Kombëtares të njohur si Tifozat Kuq e Zi (TKZ) shpalosin flamurin kombëtar më gjigant në një stadium ndonjëherë. Flamuri pas takimit u transportua me aeroplan në Prishtinë dhe iu dhurua familjes së heroit Adem Jashari. Ishte një rast i paparë. Fansat kuqezi të Shqipërisë ka më shumë se një dhjetëvjeçar që tregojnë përkrahjen e pakompromis për Kombëtaren, qoftë në fitore qoftë në momente ligështimi. Në fillim ishin një grusht— Antoni, Artori, Burimi, Faruku, Valentini, Dardani, Fatosi, Fitimi, Luani, Fisniku dhe dy-tri toga çunash dhe çupash entuziastë. Sot janë me mijëra e mijëra.
Tifozat Kuq e Zi funksionojnë si orë zvicerane, edhe pse nuk kanë kryetar apo kryesi, por vetëm grupe punuese. Ekonomikisht janë të qëndrueshëm dhe të pavarur sepse vetëfinancohen. Globalisht shtrihen në krejt planetin sepse, përveç hapësirës shqiptare në Ballkan, kanë përfaqësues në secilin kontinent. Vështirë mund të gjesh simpatizantë të një kombëtareje tjetër ku dashamirët e saj të flaktë kanë ndihmuar Federatat e tyre të Futbollit duke përcjellur dhe kontaktuar futbollistë me potencial nëpër botë për t’ ja rekomanduar Zyrës së Talenteve e cila i ka lutur të luajnë për mëmëdheun. Si rezultat Kombëtarja ka zinxhirin U17, U19 dhe U21 më të fortë se kurrë dhe me lojtarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe Diaspora. Tifozët e Shqipërisë kanë ditur të jenë edhe kritikues si p.sh. kur kanë arritur që të ndikojnë largimin nga posti për rezultate të dobëta të trajnerit të U21, Artan Bushati, dhe vendosjen e Skënder Gegës në vend të tij. Në këtë aspekt ata duhet të vazhdojnë të jenë kërkues edhe ndaj patronizimit të FSHF-së prej disa personave që janë ulur aty dhe klloçitin pa bërë asnjë ve.
Vizionariteti dhe mençuria e djemve dhe çikave të TKZ-së është vënë re edhe kur ata nuk kanë kundërshtuar anëtarësimin e shtetit të Kosovës në FIFA dhe UEFA si strategji për krijimin e një Kampionati dhe Lige Mbarëshqiptare të Futbollit, e cila do të forcojë konkurrencën, ngrit kualitetin dhe përgatitë lojtarë kulminantë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe Përfaqësuesen e Kosovës. Tash, pasi që Republika e Kosovës është lejuar të luajë miqësore në arenën botërore, Tifozat Kuq e Zi duhet masivisht të pushtojnë stadiumet ku loz ekipi ynë i dytë dhe aty të valëvisin flamurin tonë kombëtar krahas atij shtetëror të Kosovës.
Futbolli është sporti më popullor në botë me rreth 3.5 miliardë fansa, një miliard më shumë se sa kriketi dhe një e gjysmë se sa hokeji. Në dy kampionatet e fundit të FIFA-s, në Gjermani me 2006 dhe Afrikë të Jugut 2010, vetëm audienca televizive ishte 30 dhe 40 miliardë shikues respektivisht. Ndeshjet e kampionatit në Brazil pritet që deri pas finales me 13 korrik të shikohen nga afër 50 miliardë njerëz. Nuk duhet shumë të menduar për të realizuar se sa signifikante janë futbolli dhe pjesëmarrja e një kombi në një Botëror.
Tifozat Kuq e Zi kanë treguar që janë legjislatorët sportiv të popullit shqiptar dhe një dimension i dalluar i kulturës sonë. Futbolli shqiptar pa këta tifozë shembullorë nuk do të ishte dhe nuk do të jetë i suksesshëm maksimalisht. Siç e thonë tifozët vetë: të jesh anëtar i TKZ-ve nuk ke nevojë për rezervim hoteli sepse kudo që do të udhëtosh, sidomos në vendet shqiptare, do të kesh shokë apo shoqe që do të të ofrojnë kulm mbi krye, bukë e kryp, e shumë zemër. Kombi ynë duhet të sheh të shkëlqyeshmit në mesin tonë, pranoj të arriturat dhe t’u bashkohet atyre që tregojnë sukses. Të gjithë, dikush direkt e dikush indirekt, duhet të bëhemi pjesëtarë të Tifozava Kuq e Zi, këtij grupi të shqiptarëve të mrekullueshëm, dhe të përkrahim Kombëtaren tonë që të kualifikohet për Kampionatin e ardhshëm Botëror të Futbollit me 2018. Atëherë, në vend të animit herë për një komb e herë për një tjetër, do të mund të bëjmë tifo për kombin tonë dhe Tifozat Kuq e Zi do të mund të demonstrojnë se janë tifozët më të mirë në botë ndërsa stadiumet e Rusisë do të mbushen me jehonën e thënies inspiruese: “O sa mirë me qenë Shqiptar, o hej!”
ulushi@msn.com