• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rubrika e Diellit: QAFA E BOTËS DHE KEPI I POTEIDONIT

September 29, 2013 by dgreca

Nga Prof. Nelson ÇABEJ/

Duke përshkruar bregdetin jonian të Epirit nga veriu në jug Straboni shkruan: “…malet Keraune dhe pas tyre njeriu arrin në Onkesm… Pas Onkesmit vjen Poseidiumi e gjithashtu edhe Butrinti…kurse Phoenice (Finiqi i sotëm –N.R.Ç.) gjëndet mbi gjirin që është në Butrint”1.

Ky Poseidium në shënimet e botimit anglisht të Gjeografisë së Strabonit është identifikuar me kepin e Shkallës, që ndodhet në jug të Sarandës, përballë Korfuzit. Por gjeografi aleksandrin Ptolemeu, duke ruajtur renditjen e Strabonit, e vendos kepin e Poseidonit, Poseidon akron (Ποσείδιον ἄκρον) në koordinatat 450 35’ dhe 380 10’, d.m.th. në jug të gjirit të Butrintit, të  cilin ai e vendos në  koordinatat 450 45’ dhe 380 20’ 2. Po të mbështetemi në këto të dhëna të Ptolemeut, kepi i Poseidonit duhet të ndodhet jo në veri por në jug të Butrintit dhe kandidati  më i mundshëm nga ana gjeografike për tu identifikuar me kepin e Poseidonit do të ishte pika bregdetare ku kalon kufiri i sotëm midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Për të përcaktuar se cili nga këta dy lokalizime i përgjigjet së vërtetës, duhen mbajtur parasysh:

Së pari, se Straboni, si historian, mund të mos ketë pasur njohuritë që kishte gjeografi Ptoleme ose t’i ketë kushtuar pozicionit gjeografik të vendeve që përshkruante po atë rëndësi që duhej ti kushtonte Ptolemeu, qëllimi themelor i të cilit ishte lokalizimi në hartë i vendeve që përshkruante.

Së dyti, se në të dhënat e Strabonit, nuk thuhet shkoqur se Poseidiumi ndodhej në veri të Butrintit.

Së treti, se kordinatat që jep Ptolemeu, e vendonis kepin e Poseidonit në jug të Butrintit.

Le të kujtojmë edhe një herë se emrat e vëndeve shpesh ruhen për kohë të gjata dhe emri Poseidon i kepit po kështu mund të jetë ruajtur në ndonjë vëndemër lokal. Por para se të bëjmë këtë duhet të shpjegojmë arsyen përse duhet të jetë përdorur emri një perëndije  të lashtë greke për emërtimin e një kepi në një rajon iliro-epirot. Në këtë rast përgjigja nuk është as e vështirë as e komplikuar: kepi ndodhet pranë Butrintit,
një vëndbanim iliro-epirot qysh nga shekulli XII p.e.s., i cili duke filluar nga shekulli VII p.e.s. u popullua edhe me kolonë grekë.

Për të gjetur se cili nga dy kepet e sotme të jugut të bregdetit jonian të Shqipërisë i përgjigjet kepit të Poseidonit (Poseidiumit), përsëri mund të na vijë në ndihme hetimi i vëndemrave të sotëm të atij rajoni të ngushtë. Në këtë hetim vëmëndjen ta tërheq vëndemri Qafa e Botës, që gjëndet rreth dy kilometra në perëndim të Konisploit, afër kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë me Greqinë gjëndet, nëpër të cilën deri në vitin 1912 kalonte rruga që lidhte pellgun e Delvinës me pjesët më jugore të Çamërisë. Në vështrimin e parë duket si e pamundur që duke kaluar nëpër gojën e shqiptarëve, vëmdemri Poseidon të  jepte emrin “bota”. Por nga pikëpamja e fontetikës së shqipes ky evolucion bëhet plotësisht i mundshëm në qoftë se do të mbajmë parasysh një fakt të dialektologjisë së lashtë greke.

Autorët të dhënat e të cilëve u përdorën në këtë shkrim, Straboni dhe Ptolemeu,  janë autorë grekë të periudhës romake të cilët shkruanin në greqishten klasike ose të koinesë, por kolonistët grekë të Butrintit, që kishin ardhur nga Kerkira flisnin në dialektin dorik (ata ishin me prejardhje nga Korinthi) dhe në dialektin dorik perëndia quhej Poteidon dhe jo Poseidon. Për të gjitha arsyet e mësipërme, si dhe duke u mbështetur në faktin që në dialektin dorik, i cili ishte në përdorim në kolonitë greke të lashta të Jonit dhe të Adriatikut, emri perëndisë së detit shqiptohej Poteidan (Ποτειδάν) unë  parashtroj këtu dy hipoteza:

  1. Kepi Poteidan ndodhej në jug      të Butrintit të lashtë, aty ku ndodhet me të vërtetë  një kep, në  kufirin e skajit jugor të Republikës së      Shqipërisë me Greqinë.
  2. Toponimi i sotëm Qafa e Botës      është forma e sotme, e evoluar, e një toponimi të  lashtë       ilir, Qafa e Poteidonit.

Për vërtetimin e hipotezes së parë unë sjell të dhënat e paraqitura më parë në këtë shkrim rreth pozitës gjeografike të  këtij kepi, bazuar në të dhënat e burimeve të lashta.

Vërtetimi i hipotezës së dytë rreth lokalizimit të kepit të Poteidonit bazohet në argumente gjuhësore. A lejojnë regullat e fonetikës historike të shqipes evolucionin e formës së lashtë Poteidon në Botë? Rregullat e fonetikës shqipe duket se thonë ‘po’.

Ne dimë me siguri se mbaresa –on e Poteidon-it do të humbiste që në lashtësinë e vonë. Në një fazë më të vonshme do të ndodhte shndërrimi  eiài, që do të  nxirrte formën Potida dhe, me asimilim, Potita. Humbja e regullt e t-së ndërzanore në fund të emrit (e me shumë të gjarë, edhe veprimi i etimologjiisë popullore) shpuri në formën e sotme Bota (Qafa e Botës).

Të gjithat këto dukuri shndërrimesh fonetike në skajin më jugor të Shqipërisë kanë nisur qysh në lashtësi kur po ndodhte procesi i zhvillimit të gjuhës shqipe, si bijë e ilirishtes, dhe kjo përfaqëson një provë tjetër gjuhësore të pranisë së shqiptarëve në atë territor qysh në lashtësinë klasike.

Referimet

1. Strabo Geography, Libri VII, 7, 5 “Κεραυνίοις ὄρεσι, καὶ μετὰ ταῦτα Ὄγχησμος …μετὰ δὲ Ὄγχησμον Ποσείδιον καὶ Βουθρωτὸν ….τοῦ δὲ κατὰ Βουθρωτὸν ἡ Φοινίκη”.

2. Claudii Ptolemaei,  Geographia,  III, 14, 4.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilire, Nelson Cabej, rubrika, Tingellime, vendemrash

GJIROKASTRA

September 7, 2013 by dgreca

Tingëllime vëndemrash ilire(2) */

Nga Prof. NELSON CABEJ/

Të dhënat arkeologjike tregojnë se një vëndbanim i lashtë mund të ketë ekzistuar në Gjirokastër qysh para erës se re. Gjurmët më të hershme arkeologjike këtu i takojnë epokës se hekurit të hershëm (shekujt XI-VII p.e.s.) por muret e qytetit duket se janë ndërtuar më vonë, në shekullin III dhe kështjella e qytetit mendohet të jetë ngritur nga shekulli XI. Për shkak të pozitës se tij sunduese mbi luginën e Drinos, qyteti mund të jetë rritur pas rrënimit të Drinopolit dhe qyteteve të tjera të lashta përrreth, me fillimin e sulmeve barbare nga shekujt IV-VII.

Në lashtësi, lugina e Drinos ka qënë e banuar dëndur dhe të dhënat arkeologjike tregojnë se në atë luginë kanë ekzistuar të paktën tre qytete të tjera të lashta; një në jug të luginës, në të majtën e lumit Drino, Drinopolis ose, siç del në burimet e lashta Hadrianopolis, një në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Drino (Antigonea?) dhe një më në veri, në krahun e majtë të po atij lumi, Phanota, e lokalizuar në Palokastër.

Një qytet me emrin Argyros (Άργυρoς, πόλις) përmëndet edhe nga historiani sirakuzan Filisto1 dhe një vëndemër ilir të ngjashëm me këtë ka qyteti ilir Argyruntum, në brigjet e Dalmacisë së lashtë, që përmëndet nga Ptolemeu dhe Plini Plak (77–79)2. Në afërsi të tij sot gjëndet Starigrad i Kroacisë.

Në shekullin VI, Stefan Bizantini (Στέφανος Βυζάντιος), në veprën Ethnica (Ἐθνικά)3, përmënd fisin epirot të argirinëve (Argyrinoi (Άργυρίνοι), duke u bazuar te historiani i lashtë grek nga Sicilia, Timaeus-i (Τιμαῖος) (rreth 345 – rreth 250 p.e.s.) dhe poeti tragjik i shekullit III p.e.s., Likofroni. Ky i fundit, ndër të tjera, i këndon erërave të jugut që shkojnë nga Afrika “te argjirinët dhe lëndinat e Kerauneve” (Εὶς Άργυρίνυς καὶ Κεραυνίων νάπας) (Lycophron, v. 1016-1017)4.

Emri i këtij fisi iliro-epirot duket se rrjedh nga rrënja indoeuropiane *ar(e)-ĝ- “që vezullon, shkëlqen, i bardhë”. Që rrënja indoevropiane *ar(e)-ĝ-, nga e cila ka dalë edhe greqishtja e vjetër argyros edhe latinishtja argentum për argjënd, ka ekzistuar edhe në ilirishte-epirotishten provohet nga ekzistenca e qytetit ilir me emrin Argyruntum në Dalmacinë e lashtë, që përmëndëm më parë.

Studiuesi britanik W.M. Leake (1777-1860) në vitin1835 ishte i pari që shprehu mendimin se “Megjithëse Gjirokastra nuk ka shënja shumë të dukshme të një vëndi të lashtë, emri i qytetit mund të rrjedhë nga emri i argjirinëve, të cilët Likofroni dhe dy autorë grekë të cituar nga Stefan Bizantini, tregojnë se kanë qënë një fis epirot, e të cilët Likofroni na bën t’i kërkojmë në pjesën veriore të Epirit, me që ai i lidh ata me Akrokeraunet: në fakt emri argjirino vazhdon ende të përdoret nganjëherë për të treguar banorët vëndas të Gjirokastrës”5. Më vonë edhe arkeologu dhe filologu gjerman Conrad Bursian (1830-1883) konfirmoi se lugina a Gjirokastrës ka qënë vëndbanimi i fisit të lashtë argyrinoi6.

Në burimet bizantine të shekullit XIV (1336) qyteti del me emrin letrar-administrativ Argyrokastro, por në regjistrimin osman të vitit 1431 ai del në formën e pamolepsur shqipe Ergiri, që turqit e morën nga goja e popullit, dhe, si i tillë, emri (Ergjëri) u ruajt në shekujt pasues në dokumentacionin zyrtar osman e madje dhe në të folurën e popullit, deri në ditët tona. Në shekullin  XVII, historiani turk Evlia Çelepi (1611-1682), që vizitoi Shqipërinë në vitin 1670, e shënon përsëri Ergeri emrin e qytetit. Kjo formë popullore ishte rrënjosur aq thellë sa që del si Erghiri edhe në hartat e gjeografit gjerman Heinrich Kiepert (1818-1899) nga gjysma e dytë e shekullit XIX7.

Forma e lashtë Ergiri, që del në regjistrimin osman të vitit 1431,  tregon se forma e greqizuar/latinizuar Argyrokastro, që del në burimet mesjetare ka qënë forma e përdorur nga administrate dhe historiografia bizantine, ndërkohë që në popull vazhdonte të përdorej forma origjinale iliro-epirote. Si rezultat i faktit që në shkollat e zonës mësohej vetëm greqisht, sepse shqipja nuk lejohej, forma letrare bizantine Argyrokastro, në variantin e shqipëruar, Gjirokastër, pak nga pak fitoi truall, ndonëse nuk mundi ta shmangte plotësisht formën e vëndit, Ergjëri, siç shihet në vargjet e poezisë së rilindasit Koto Hoxhi

 

Kurvelesh e Gegëri,

U mblodhë në Ergjëri.

 

dhe ruhet ende si një relikt onomastik në të folurën e sotme të rajonit. Edhe fakti që në burimet bizantine del në dy forma, Argyrokastron (Αργυρόκαστρον) dhe  Argyropolis (Ἀργυρόπολις) tregon se ato ishin forma letrare, krijime letrare më shumë se sa emërtime autentike. Edhe pse forma Argyrokastron, depërtoi edhe në të folurën e banorëve lokalë, ajo evoluoi përsëri në bazë të ligjeve fonetike të shqipes, për të dhënë formën e shqipëruar Gjirokastër, duke humbur a-në ballore të patheksuar, duke shndërruar -g- në  -gj- dhe duke humbur mbaresën -on.

Në hartën e gjeografit gjerman Heinrich Kiepert7 vargmali në shpatet e të cilit shtrihet Gjirokastra është shënuar Ergenik (Ergenik Gebirge) dhe konsulli i përgjithshëm i Napoleon Buonapartit te Ali Pasha Tepelena, Pouqueville (1770-1838) flet për një mal Argenik, që fillon “nga jugu i  Tepelenës, duke u shtrirë në drejtim të Gjirokastrës”8. Ka arsye të mjaftueshme të besohet se edhe emri Mali i Gjerë, i malit në shpatet e të cilit shtrihet Gjirokastra rrjedh nga emri i fisit të argjirinëve dhe ka dalë nga një etimologjizim popullor në kohët e mëvonëshme, kur emri i fisit të lashtë argjirinoi ishte fshirë nga vetëdija historike e popullsisë vëndase. Kështu, një forme Mal i Ergjërit, që tanimë nuk kishte ndonjë kuptim, populli i “dha kuptim”, duke e quajtur Mali i Gjerë, ndonëse ai nuk është aspak një mal “i gjerë”, por një mal tipik “i gjatë”, që shtrihet nga Cepua në veri, deri në territorin e Greqisë, në jug. Siç dihet, etimologjizimet popullore kanë luajtur rol në evolucionin e vëndemrave jo vetëm në Shqipëri por thuajse në të gjitha vëndet e Europës.

Duke u bazuar në ligjet e njohura fonetike të shqipes, në emrin e fisit argyrinoi, në emrin e malit Ergenik dhe Argenik, në emrat e sotëm Ergjëri për Gjirokastër dhe Mali i Gjerë, për malin në të cilin shtrihet Gjirokastra, mund të rikonstruktojmë, me një shkallë të lartë sigurije, emrin e lashtë të qytetit *Argyrion. Muret e qytetit janë datuar në shekullin III dhe ka arsye të besohet se qyteti, të paktën që në atë kohë, duhet të jetë quajtur Argyrion, sipas emrit të fisit argyrinoi që jetonte në atë rajon, me prapashtesën -on-, që është tipike për formimin e vëndemrave në ilirisht. Me qw kwshtjella (lat. castrum dhe greqisht kastron) u ndwrtua nw shekullin XI, emri letrar-administartiv Argyrokastron, nuk mund të jetw pwrdorur nw ato dokumente para shekullit XI.

Në disa shkrime të autorëve të sotëm grekë, duke përfshirë edhe zërin Gjirokastër në internet (Wikipedia), janë bërë përpjekje krejtësisht të pabazuara për ta shpjeguar emrin e qytetit si një emër i përbërë nga fjalët greke argyros ‘argjënd’ dhe castron (me prejardhje nga fjala latine castrum) ‘kështjellë’. Hamëndja se emri i qytetit mund të lidhet me fjalën greke argyros ‘argjënd’ nuk mund të qëndrojë për një sërë arsyesh.

Së pari, për arsye semantike, sepse në atë rajon nuk ka pasur ndonjëherë miniera argjëndi,

Së dyti, vetë pamja e kështjellës është aq errët sa nuk mund të përligjë emërtimin e saj si ‘kështjellë e argjendtë”,

Së treti, ajo bie në kundërshtim me gjithë të dhënat onomastike të rajonit (vëndemrat Ergjëri, Erghiri, Ergenik, Argenik dhe Mali i Gjerë), të cilat tregojnë qartë se emri i qytetit lidhet drejtpërdrejt me emrin e fisit epirot të argirinëve, dhe

Së katërti, qyteti ka pasur një emër edhe para shekullit XI kur u ndërtua kështjella qe muynd të përligjte futjen e përbërësit –kastron në këtë vëndemër.

Zbulimet arkeologjike kanë treguar se kultura materiale e epokës se hekurit (shekujt XI deri V p.e.s.) në rajonin e Gjirokastrës është e njëjtë më atë të pjesëve të tjera të Shqipërisë, dhe në veprën standarde shumwvwllimshe britanike The Cambridge Ancient History: The prehistory of the Balkans lexojmë: “Kjo gjithashtu, krahas materialeve të tjera, është një nga treguesit më të habitshëm të unitetit kulturor shqiptar në epokën e hekurit të hershëm, pavarësisht nga veçoritë rajonale” (This too, along ëith other material, is one of the most striking indications of the Albanian cultural unity in the Early Iron Age, apart from regional idiosyncrasies)9.

 

Referencat

 

1. Φίλιστος, Libri IX, 35, Në Fragmenta historicorum graecorum, Parisis, 1841.

2. Pliny the Elder, Naturalis historiae, Libri 3, kreu 25.

3. Στέφανος Βυζάντιος, Εκ των Εθνικων Στεφανου κατ Επιτομην (Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt), Red. A. Meineke, Reimer, Berlin, 1849.

4. Λυκοφρονοσ Αλεξανδρα (Lycophronis Alexandria). Red. L. Bachmann, Leipzig, 1830 vargjet 1016-1017, f. 213-214.

5. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodëell, New Bond Street, f. 78.

6. Bursian, C. (1862). Geographie der Griechenland, B.G. Teubner, Leipzig, f.19.

7. Kiepert, H. General-Karte von der europäischen Türkei: nach allen vorhandenen Originalkarten und itinerarischen Hülfsmitteln – bearbeitet und gezeichnet von Heinrich Kiepert.

8. Pouqueville, F.C.H.L. Travels in Epirus, Albania, Macedonia, and Thessaly. R. Phillips and Co., London, 1820, f. 63.

9. Prendi, F. (2006). The Prehistory of Albania, f. 223. The Cambridge Ancient History: The Prehistory of the Balkans; and the Middle East and the Aegean World, tenth to eighth centuries. 2nd edition.  B.C.J. Boardman ed., Cambridge University Press, Cambridge, III, part 1, f. 187-237.

*Ky eshte shkrimi I dyte i rubrikes se re te Diellit, “Tingëllime vëndemrash ilire” qe mbahet nga Prof. Nelson Cabej

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Nelson Cabej, Tingellime, vendemrash ilire

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT