• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHERIF BALI, TITANI I LIRIKËS SHQIPTARE

July 13, 2015 by dgreca

NGA BAJAME HOXHA – ÇELIKU/
Nga mesi i viteve 60-të të shekullit të kaluar (saktësisht në dhjetor ‘64, kur ishte në klasën e shtatë) , u ngrit mbi skenën letrare shqiptare ylli i ri i lirikës së asaj kohe, poeti Sherif Bali, nga fshati Balaj i rrethit të Lushnjës. Fillimisht si një dritëz që dridhej mbi Darsi e Myzeqe. Dritëz që e çonin erërat sa nga fashati i tij Balaj në Lushnje , sa nga Lushnja – në Balaj. Xixëllonjë , thanë e aq, si të gjitha xixëllonjat, do të fiket në fundmaj në të hyrë të Lushnjes, pa e ndjekur nëpër rrugë asnjë fëmijë qyteti (i atij qyteti vrastar ku talentet si Sherif Bali i fundosnin thellë duke përdorur grushtin e fortë të partisë, por dhe intrigën e sëmurë e të pashmangur të tyre!) , vetëm në cigaret e të atit ndoshta do të tentojë të feksë ndonjëherë më të rrallë mbasandaj e tutje. Por, në fillim të viteve 70-të , ai shpërtheu akoma më me vrull me ciklet e tij mahnitse poetike, dy në revistën letrare “Nëntori” ( Shtator ‘70, Janar ‘72), dy në gazetën “Zëri i Rinisë” ( Prill ‘71- Dhjetor ‘71). Vjersha që e lanë shtangur lexuesin dhe artdashësin. Lirika si të shkruara në ajër nga një dorë e padukshme. Figura e rima që të godisnin e të vrisnin si rrufetë, por të ringjallnin aty për aty përsëri : madje të bënin më të bukur seç qe!
Ciklin e fundit tek “Zëri i Rinisë” ( Dhjetor ‘71) që kishte 5 vjersha, ia botoi me kokëkrisjen e saj ish redaktorja e faqes letrare, Emine Sadiku, një nga adhurueset e tij më të zjarrta, madje dhe me skica të piktorit Zamir Mati. Fjala ishte dhe për 5 cikle të tjera me nga 5 vjersha (një libër i plotë )nga që u prit mjaft ngrohtë nga publiku, por …u ul Trau …duke e lënë Eminenë brenda dhe Sherifin jashtë,por kjo në të ardhmen i rëndoi asaj shumë, se ia llogaritën , kur e çuan për riedukim në Metalurgjikun e Elbasanit. Kështu ndodhi dhe me ciklin e fundit në “Nëntori” ( Janar ’72 ) : u botua falë këmbënguljes së dashamirësit tjetër të tij, poetit të Kitarës së Jugut Sulejman Matos.
Më kujtohet , në fillimet e demokracisë , një mikesha ime artdashëse, dhe unë si një krijuese e penguar nga regjimi , kur ra fjala për poetët e ndaluar lushnjarë si Faslli Haliti,Bajame hoxha,Elmaz Qerreti etj, veçanërisht u përqendruam te vargjet mbresëlënsëse të poetit Sherif Bali,një nga të përndjekurit. Një vjershë të atyre cikleve botuar në “Nëntori” 9 ( Shtator ‘70 ) me titull : Lumturi Peqini, mikja ime çuditërisht e kishte mësuar përmendësh dhe e recitoi aty për aty. Po e jap atë të plotë , këtu më poshtë, për të parë se sa e freskët është ende kjo kryevepër poetike dhe pas dyzetëepesë vjetësh.
LUMTURI PEQINI
Përsëri në fusha erdhi vjeshta
Me motive misri dhe shalqini
E në ara shkon me këngë buzës
Myzeqarka Lumturi Peqini.

Tok me vjelsit shkoj dhe unë në ara
E mbi një kokërr shalqini
Krejt instiktivisht me majë të thikës
Shkruaj emrin : LumturiPeqini .

Në dyqan kur sot ajo të shkojë
Do shohë emrin shkruar mbi shalqi
E do thotë heshtur : E ka shkruar
Për të lojtur ndonjë djalë i ri.

Por prapë nesër, kur t’lexojë gazetën,
Do shohë emrin : Lumturi Peqini
Dhe ahere do mësojë kush është
Ai djali që shkroi tek shalqini…
Para tre vjetësh , pas kaq shumë vitesh, tek kafe “Opera” në Tiranë takohem përsëri me miken time të hershme, që tashmë është edhe ajo poete, ku midis të tjerash më tha : Këtë herë do të të bëj një surprizë të këndshme, do të të jap dhe dy dorëshkrime origjinale të poetit Sherif Bali të pabotuara deri më sot. Meqenëse edhe ti je një poete e mirë, një kijuese e njohur tashmë në fushën e letrave,do t’i ndjesh akoma më shumë, dhe do t’i quash:perla të poetit sheriff Bali!. Këto ditë, kur erdha nga Brukseli në Shqipëri , e takova poetin në Tiranë, po në të njejtin vend, e ia bëra atij si surprizë këto dorëshkrime të hershme e i mora leje për t’i botuar në librin tim të ri. Po i jap të plota dhe këto dy lirika të papërsëritshme të fillimeve të krijimtarisë së tij.

ASAJ
Ka zënë pa qera…
Ç’t’i dhuroj ?
Tufa lule shirash
Asaj që llozhën e zemrës sime
Të lidhura me kordele vetëtimash?
Eh, moj çupë, të kam dashuruar,
(Edhe kokën e lija për ty.)
Por më mirë ,për mos pasur keqkuptime :
Po i dhuroj fytyrën time!

PASKA SHUMË NJERIU PËR TË UDHËTUAR

Mjaft idile të ëmbla m’u zgjuan
Kur t’i pashë idilikët sy.

Ti më shihje shpesh ndiferente,
Nuk më falje një herë një buzëqeshje.
N’atë moshë n’fytyrëzën tënde
Unë shihja veç atë që më dehte.

N’atë moshë nuk isha i denjë ,
Them dhe vetë – për të tillë dashuri.
Laureshën e merrja mëllenjë
Dhe ullastrën, kuptohet, ulli.

Shkuan vjete mbi rrugët e shtrembëra
E i prishën gjithë gjerdhet e kalbura.
Laureshën tani ma njeh zemra
Pasi flaka gjykimet e varfëra.

Eh, moj çupë ,të kam dashuruar,
(Por sot kokën s’e lej më për ty.)
Paska shumë njeriu për të udhëtuar
Paskan shumë për të parë këta sy.

Pas këtyre cikleve në “Nëntori” , “Zëri i rinisë”, opinioni letrar e më gjerë, filloi të pyesë: Cili është ky letrar? Nga vjen? Ku shkon? Ç’moshë ka? Ç’punë bën? Ç’arsim ka marrë? I kujt është? Pse ka një emër të tillë “Sherif” si të sherifave amerikanë?! (nëse e ka pasë në familje nga ndikimi otoman- prindërit s’duhej ta përtërinin , nëse s’e ka pasë, është e qartë sfida që na bëjnë me këtë emër: Do të vijë koha e Sherifëve dhe këtu!, Aq më shumë kur në qiellin e muzikës një vit më pas u ngrit dhe një Sherif tjetër i madh : Sherif Merdani!) Sidomos mediokërit, pasi ai ua çau tollumbacet e vjetra poetike, qenë të parët që u alarmuan e u idhnuan nga shfaqja e talentit të tij, por… dhe ahere kishte sy magjik ( si sot) nga shikoje që pas derës kush ishte mysafiri i ri që vinte nga jashtë : Ishte syri i partisë! – Si? Birit të kulakut, po i ndizni dritën jeshile ju? ulëriu ky sy. Si guxon ai të shkruaj një emër femre mbi kokrrën e shalqinit,kur poetët tanë të ndritur të realizmin socialist shkruajnë dhe mbi bukën që hanë e mbi ballin e grave e të dashurave të tyre ( pale të vjershave!) PPSH e PARTI – ENVER, JEMI GATI KURDOHERË?! Kaq u desh që të fikej drita jeshile për të. Të ndizej drita e kuqe ( i mjeri diell , që sillte jetën në të gjithë rruzullin, në Shqipëri përdorej për ta shuar atë!)
U duk sikur poetin e përpiu dheu, aq sa çuditeshin kur e shihnin rrugëve të qytetit : si paska dalë nga andej ky ?! Të të ndalohej botimi ahere e të të quanin armik , aq më shumë kur vije nga një familje e pasur pronare tokash , e shpallur kulak , ishte një dënim i pakufizuar në kohë, të cilin mund ta kufizonte vetëm vdekja fizike. Ishte më ndryshe kur dënoheshe me burg : I pandehur, dënohesh me 5 vjetë heqje lirie për sabotim prone të përbashkët; i pandehur dënohesh me 10 vjetë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor…vinte dita e liroheshe. Mund, ndonjëherë , dhe të rehabilitoheshe. Kurse armiku i klasës si Sherif Bali ishte përherë një i lirë i pa liruar. Aq e vërtet qe kjo, sa jo vetëm s’e lejuan të vazhdonte shkollën e lartë si të gjithë shokët e tij , por dhe pas vdekjes së Diktatorit s’i botuan një varg. Mendo kur në gazetat e revistat letrare asokohe qenë redaktorë letrarë e studiues të njohur si : Dalan Shapllo, Xhezair Abazi, Xhevahir Spahiu , Bardhyl Londo, Rudolf Marku etj. ( hiq Teodor Kekon dhe Petrit Rukën, që patën tentuar si dashamirës të poetit për ta ndihmuar disa herë por kishin hasur në pengesa) Kjo madje dhe pas demokracisë deri ne vitin ’94. Por, a heshti poeti ? Ai ,si kokrra e rërës në guackën në fund të detit, formonte margaritarin e tij. Vetëm se ai , pasi mbaronte margaritarin brenda një guacke, dilte prej andej dhe hynte në një guackë tjetër për të formuar margaritarin e ri, gjë që s’e bëntë dot kokrra e rërës! Kjo u duk qartë kur poeti botoi në gusht të vitit ’94 librin e parë poetik “ Koncert sipas kërkesave të degjuesve” , libër që erdhën e blenë në Tiranë dhe letrarë të njohur nga Kosova! Për të u shkruan shkrime të bujshme nga Dalip Greca ( gazetar i “Vatrës”sot në New Jork ) ,Çelik Petriti , Vladimir Çuni , Halil Jaçellari ,Faslli Haliti,etj. Por, QERSHIA mbi TORTË, për atë libër , qe eseja e jashtëzakonshme “Koncerti i Sherif Balit “e kolosit të Letrave Shqipe,shkrimtarit Koço Kosta. Por …çudi për tu çuditur! , megjithëse ky libër atë vit u përfol për çmim si libri më i mirë i vitit , çmimin (si gjithmonë!) e morën të tjerë!
Kulmi arriti deri aty , kur poeti i shquar lushnjar Faslli Haliti nisi për Gazetën“Drita”një shkrim kushtuar librit dhe cikleve të Sherif Balit.Me gjithë dëshirën e madhe për ta ndihmuar dhe për ta bërë të njohur këtë poet kollos,Faslli Haliti nuk mundi t’ia delte, edhe pse konsideratat e Kadaresë, Ndoc Gjetjes(gojore) e të tijat për Sherif Balin ishin pozitive,por ngeci te ish kryeredaktori i saj Bardhyl Londo i cili s’e botoi me pretendimin : më humbi! Pra, Trau i Ulur për Sherifin , s’paskësh qenë nga biografia por nga poezia! Pas koncertit erdhi libri i dytë “Hënë , përkthemë në qiell” ( ç’guxim !) i botuar në ’97, ku vetëm titulli është një libër më vete! Një Metaforë Aliene! Pas këtij , libri tjetër nga më të çuditshmit ,i pa parë dhe në lirikën botërore , “Autoportreti im në pjepër”, i shkruar në rininë e tij të hershme ( viti ’75) por i botuar 23 vjetë më pas : më ’98. Për këtë libër çuditërisht heshtën, përveç parathënies së mikut të tij të ushtrisë , poetit Demir Gjergji, megjithëse libri u përpi nga lexuesit , aq sa poeti e ribotoi më të plotë në vitin 2000.Për këtë libër nuk heshtën vetëm legjendat. Sidomos një legjendë urbanse- tiranse : Pas vitit 2000, poetit që qe pa shtëpi në fshatin e tij Balaj , shtëpinë e re në Lushnje ia ngriti donatori austriak , artdashësi i madh vjenez, zoti Alfred Kasses . Po pse, kush është Sherif Bali që t’i ngrejë një vilë Vjena ? tha legjenda . Në këtë kohë në Shqipëri, pas librit “Autoportreti im në pjepër” , u përkthye nga Nasi Lera e u botua romani “ Portret ne sepje” i romancieres kiliane Isabel Ajlende . U gjet dhe arsyeja e ngritjes së shtëpisë së poetit: “ Autoportreti im në pjepër” i Balit me “Portret në sepje” i Ajlendes, ai gjoja ishte ankuar se do ta hidhte në gjyq për plagjiaturë Ajlenden. Mos , i kishte thënë ajo , mos e bëj këtë , se do të ta shpërblej : do të të ngre një vilë e do të të përkthej në spanjisht. Ja, pra , megallomanët dhe cmirëzinjtë deri ku arritën! Pas këtij libri , erdhën me radhë librat e tjerë të Balit , njeri më i bukur se tjetri : “Letër me 33 faqe” ( 2000 ), “Poet : A do nuse? “ ( 2004) , “ Vjeshta është mizore” ( 2009) , dhe dy kryeveprat e fundit të sponsorizuara e të botuara nga Shtëpia Botuese “Fan Noli “ prej mikut të poetëve , artdashësit e botuesit Rexhep Hida , : “ Autoportretet e mia ne lejlek” (2011) , krejt ndryshe nga “Autoportreti im në pjepër” , por njëkohësisht dhe vazhdim i tij, siç janë Kosova dhe Çamëria vazhdime të Shqipërisë, apo një kontinent vazhdimi i një tjetri, britmë për artistët e nëpërkëmbur , ndërtuesëve të shteteve moderne, dhe : “Kunata e vogël në mur” ( 2013) duke e kthyer përmbys legjendën e Rozafës , atë legjend me të cilën mburremi përpara botës , legjendë e cila ka mbyllur në mur një femër ( për të mos vazhduar jeta!), as një mashkull të paktën ! , e cila thërret nga muri : O udhëtar / Djalin tim a e ke parë? /Dhe thuaji kujdes / Dy të tretat e njerëzve janë të pabesë! Por , më në fund , fatmirësisht ( FATMIRËSISHTË!) atë na e nxori nga muri Sherif Bali! Si do t’ja bëjmë tani pa këtë legjendë ? Ani, kemi fituar një Titan të lirikës!Pse heshtet për këtë Titan?!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Sherif Bali, TITANI I LIRIKËS SHQIPTARE

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT