Toleranca jonë ndërfetare dhe jotoleranca (urrejtja) jonë partiake, politike/
“Feja e shqyptarit asht shqyptarija” – Vaso Pasha/
“Partia jonë është Shqipëria” – Mit’hat Frashëri/
Shkruan: Sadik ELSHANI-Filadelfia/*
Toleranca e mire ndërfetare shqiptare/
Shqiptarët ndër shekuj kanë arritur që të krijojnë disa vlera të qëndrueshme e të larta njerëzore për të cilat janë të njohur në tërë botën: krenarinë kombëtare, trimërinë, besën, mikpritjen, tolerancën ndërfetare… Rrethanat e caktuara historike i kanë diktuar popullit tonë të ndodhur në udhëkryqin e qytetërimeve Lindje – Perendim, të pushtuar edhe nga fuqitë përendimore dhe ato të lindjes, që të përqafojnë (me dhunë apo dëshirë) edhe krishtërimin (ortodoks e katolik) edhe islamin (sunit e bektashi). Po ashtu, ato rrethana historike kanë ndikuar, kanë kushtëzuar që për t’u bërë ballë rreziqeve të shumta që i kanoseshin popullit shqiptar, ata duhet të ishin të bashkuar si vëllezër të një gjaku. Besimet e ndryshme fetare brenda nje kombi, nje shteti, shpesh bëhen shkaqe për perçarje të rrezikshme, për konflikte shkatërrimtare, luftëra vëllavrasëse (shembuj të tillë ka mjaft në botë). Por kjo kurrë nuk ndodh te shqiptarët. Një pjesë e shqiptarëve e ndërroi fenë, por nuk e ndërroi kombin – kombi është ai emëruesi i përbashkët i vlerave tona si shqiptarë, është ajo forca tërheqëse magnetike që e mban kombin tonë së bashku. Edhe pse ne si shqiptarë nuk kemi një fe kombëtare, të përbashkët për të gjithë shqiptarët, përkatësitë e ndryshme fetare kurrë nuk kanë paraqitur ndonjë rrezik për të luftuar njëri – tjetrin, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të armiqve tanë për të na përçarë. Po ashtu, është edhe gjuha jonë ajo lidhje që e ka mbajtur kombin tonë të bashkuar. “Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha”, ka thënë Faik Konica.
Feja e shqiptarit është shqiptaria
Shqiptarët i tejkaluan dallimet e tyre fetare, sepse e patëm fatin e mirë që në një periudhë mjaft kritike të historisë sonë kombëtare t’i kishim Rilindësit tanë mendjendritur në mesin tonë kombëtar, në krye të lëvizjes për liri e pavarësi. Ata përpara shqiptarëve i shpalosen ato vlera që na bashkojnë dhe jo ato dallime dytësore që mund të na përçanin. E ngritën lart figurën e Skenderbeut si simbol të qëndresës dhe bashkimit kombëtar që ndër shekuj e mbajti gjallë qenjen shqiptare. Vargjet emblematike të Vaso Pashës: “E mos shikjoni kish e xhamija/Feja e shqyptarit asht shqyptarija”, janë vargje mjaft domethënëse që e vulosen tolerancën tonë ndërfetare, që zunë vend në mendimin e luftëtarëve kombëtarë shqiptarë gjatë Periudhës së Rilindjes e që për fatin e mirë të popullit tonë, është duke vazhduar edhe sot. Rilindësit tanë arritën bashkimin shpirtëror kombëtar në rrethana tepër të vështira historike që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare nuk kishte parti politike, por kishte besë, nder, burrni, atdhedashuri, respekt për njëri – tjetrin, përkushtim, këmbëngulje për të bërë diçka për kombin e atdheun.
Populli shqiptar e tregoi me vepra fisnikërinë e tij edhe gjatë periudhës së trazuar të Luftës së Dytë Botërore, ku për dallim nga shumica e vendeve europiane, Shqipëria i mbrojti të gjithë hebrenjtë e strehuar atje. Po çka është edhe më e habitshme, ndoshta edhe pak vështirë për t’u kuptuar nga të huajt, është rasti i mbrojtjes, shpëtimit të ushtarëve italianeë pas kapitullimit të Italisë. Rast ky tepër i rrallë, ndoshta edhe i vetëm në historinë e njerëzimit: Viktima e mbron zaptuesin e deridjeshëm nga aleati i tyre i deridjeshëm (gjermanët), i kthyer në armik. Është kjo ndjenja e mëshirës e shqiptarit, karakteri i tij i fortë për ta mbrojtur, për t’i dalë zot të pambrojturit, atyre që nuk janë në gjendje ta mbrojnë veten e tyre.
Përçarja jonë partiake, politike
Po në liri, në skenën politike si sillen shqiptarët ne mes vete? Është diçka krejt ndryshe, jemi shumë jotolerantë ndaj njëri – tjetrit. Një urrejtje ndaj njëri – tjetrit është duke e përshkuar skenën politike shqiptare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e trojet tjera etnike. Por, kjo është më e theksuar ne skenën politike të Shqipërisë lomdineze. Te sjell ndër mend atë thënien e Faik Konicës për shqiptarët: “Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (ujk e shkuar ujkut)”. Jemi mbushur me “të majtë” e “të djathtë”, por janë duke na munguar “kombëtarët”, ata që i vënë interesat e atdheut, kombit, mbi interesat e tyre vetjake (personale) dhe të klaneve të tyre. Me një politikë të tillë përçarëse nuk mund të ketë as vizion, as strategji kombëtare, dhe rrjedhimisht, as një të ardhme të ndritur. Politikanët tanë të kompromituar e të korruptuar, të dhënë vetëm pas pasurimit të paligjshëm, qëndrojnë në një nivel të mjerueshëm kombëtar, të zhveshur nga çdo ndjenjë e atdhedashurisë. Janë njerëz që në politikë kanë ardhur jo si rrjedhojë e angazhimit të tyre shumëvjecar në çështjet kombëtare, por ata janë oportunistë që e shfrytëzojnëçdo mundësi për të ardhur në pushtet, jo për të ndërtuar vendin, por për përfitimet e tyre vetjake dhe të klaneve të tyre mafioze. Ajo që po mungon është: kompetenca, përgatitja e duhur profesionale, atdhedashuria, respekti për njëri – tjetrin, përkushtimi.
Partia e shqiptarit është Shqipëria
Jetojmë në koheëa modrne dhe duhet të organizohemi në parti politike, si forma të organizimit shoqëror, si bartëse të proceseve demokratike, por partitë politike duhet të kenë një orientim kombëtar, platformë kombëtare, parti të qendrës dhe jo të skajeve ideologjike ekstreme (të tejskajshme). Partitë shqiptare nuk janë të profilizuara mirë, u mungon përvoja, kultura politike, identiteti i qartë politik. Me qëllim nuk e përmenda fjalën ideologji, sepse shqiptaret e kanë partinë e tyre – Shqipërinë dhe ideologjinë e tyre – shqiptarizmin. “Partia jonë është Shqipëria” – ka thënë Mit’hat Frashëri. Partitë tona politike, pa përjashtim, nuk kane ndonje filozofi te qarte politike dhe zakonisht jane grupime te disa individeve dhe klaneve të caktuara. Shkurt, ato janë pronë e këtyre individëve, prandaj u mungon demokracia e brendshme, shprehja e lirë e mendimit ndryshe. Në lidhemi për individin dhe jo për institucionet funkcionale e demokratike, çështjet e caktuara. Prandaj edhe ballafaqohemi me një besnikëri të verbër ndaj partisë dhe udhëheqësit të saj. Kur çdo gjë që bën partia ime është në rregull dhe e drejtë, ndërsaçdo gjë që ben partia kundërshtare është e keqe dhe e pavend, atëherë diçka nuk është në rregull, nuk i ndihmon vendit – duhet të ketë ndonjë kompromis, pikëtakim të pikëpamjeve, synimeve për zgjidhjen e problemeve, sfidave të shumta. Për një kohë të gjatë ideologjitë e huaja të tërë spektrit pllitik dhe të gjitha ngjyrave politike i kanë sjellur përçarje, dëme teëmedhe kombit tonë. Te drejtohemi kah rrënjët tona, idealet e Rilindjes sonë Kombëtare, Lidhjes së Prizrenit. Duke e luftuar njëri – tjetrin, vetëm e shkatërrojmë veten dhe vendin tonë.
Të ndërtojmë ura e të mos hapim hendeqe
Rilindësit tanë vepruan në rrethana tepër të vështira historike e shoqërore, por ata me mençuri e pjekuri e orientuan popullin tonë në rrugë të drejtë. Ndërsa sot, fatkeqsisht, nuk kemi ndonjë figurë kombëtare që gëzon një autoritet të gjërë nga të gjitha palët, spektri politik shqiptar. Disa intelektualë që mund ta luanin mirë këtë rol, vetë janë bërë peng i politikës së ditës, servilë të partive politike dhe udhëheqësve të tyre të korruptuar. Kur intelektualët tanë janë angazhuar për çështjet kombëtare, janë arritur rezultate të jashtëzakonshme. Vetëm për një çast të kujtojmë angazhimet vetëmohuese të profesor Anton Çettës, akademik Mark Krasniqit, dr. Ibrahim Rugovës e shumë të tjerëve. Intelektualit nuk i ka hije t’i mbyllë sytë para së keqes, padrejtësive, sepse nesër do t’i gjykojë historia në mënyrën më të pamëshirshme. Kemi nevojë për ca njerëz të urtë që ta zbusin klimën tonë të vrazhdë, të ashpër politike.
Thënia: “Feja e shqyptarit asht shqyptarija” i ka shërbyer mirë popullit toneë tani eëhtë koha që të pajtohemi se edhe: “Partia e shqiptarit është Shqipëria”. Te ndërtojmë ura bashkëpunimi në mes vete e jo hapim hendeqe përçarëse ku mund të biem e ta thyejmë keq qafën. Rrugë tjetër nuk kemi!
Filadelfia, 29 korrik, 2018
Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.