Lutja në 49-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: “Paqe në botë dhe liri për popujt e robnueme”/
Nga Tomë Mrijaj/
Historia e klerikut të shquar Mons. Dr. Zef Oroshi, është e lidhur me vendlindjen e tij në Kaftall të Oroshit, aty ku zënë fill ngjarjet e mëdha të Derës së Kapidanëve të Mirditës, që për pesë shekuj me radhë luftuan pareshtuar kundër mizorive të Perandorisë Otomane, duke ruajtur gjithnjë identitetitn kombëtar, gjuhën, fenë, traditat dhe kulturën tipike iliro-arbërore-shqiptare.
Më 23 Nëntor të vitit 1912, pikërisht pesë ditë para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën historike, në ato ditë, kur vendit i vinte era e tymit të barutit të nxehtë, lindi fëmija, që u pagëzua me emërin Zef Çoku, në Kaftall të Mirditës.
Mësimet fillesatare Zef Oroshi i mbaroi në vendlindje, ndërsa studimet e mesme i nisi në vitin 1927, në Seminarin Saverian (1859) të Urdhërit Jezuit në Shkodër. Ai shquhej si femijë i zgjuar e i zellshëm mes shumë nxënësve të tjerë të shkollës.
Pader Ejëll Serreqi S.J. spikat tek nxënësi mirditor zgjuarësinë dhe vokacionin e mundshëm për klerik, duke e drejtuar Zefin në Seminarin Pontifikal në Shkodër, qytet i njohur për kulturë, fe dhe traditë.
Ish nxënësi i Mjedës dhe Fishtës, studenti Oroshi, më 1936-1940, niset në Romë, për të vijuar studimet e larta filozofiko-teologjike, pranë Universitetit të Urbinos, në “Propaganda Fide”, ku, më vonë shugurohet meshtar në Itali.
Ai ishte shumë i gëzuar, se po thoshte meshën e parë, por edhe i prekur, sepse atë vit më 1940 kaloi në amshim “Poeti Kombëtar” At Gjergj Fishta O.F.M. (1871-1940), të cilin ai e kishte takuar disa herë kur ishte nxënës në Shkodër dhe student në Itali.
Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste (7 Prill 1939), i riu energjik e priti me një shqetsim të madh, duke mbajtur në dhomën e gjumit flamurin e Skënderbeut. Ndjenja e lartë e lirisë, ishte shumë e zhvilluar në shpirtin e tij. Kjo vinte me sa duket nga edukata e shëndoshë atdhetare, që kishte marrë në familje dhe më vonë në kuvendet katolike në Shkodër, që ishin dhe mbetën vatra, nga ku shpërndaheshin rreze të ngrohta të atdhedashurisë pakufi për trojet, historinë, kulturën dhe qytetërimin autokton shqiptar.
Mbas studimeve rikthehet në vendlindje. Ipeshkëvi Imzot Frano Gjini e emëron famullitar në Kishën e Shën Marisë Magdalenë në Ungrej të Mirditës dhe sërisht më vonë e cakton Oroshin si ndihmës të tij në dioqezën e Mirditës.
Ishte kohë e kobshme, kur komunizmi kishte nxjerrë tentakulat e veta kancerogjene dhe po shkatërronte me themel çdo vatër të kulturës dhe qytetërimit perëndimor europian dhe shqiptar.
Studiuesi dhe albanologu gjerman bashkëkohor Dom Dr. Markus W. E. Peters, në librin e tij: “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996” (Tiranë, 2010), ndër të tjera shkruan:“… dihej se D. Zef Oroshi në mars të vitit 1951 donte të organizonte një kryengritje në Mirditën katolike. Në atë periudhë, pati përpjekje sporadike nga Italia, për të infiltruar agjentë, me qëllim përmbysjen e sistemit në Shqipëri. D. Zef Oroshi me Jak Përjakun, u përpoqën ti organizonin këta njësi sëbashku me familjet mirditore. Si rezultat zona katolike e Mirditës u sulmua më shumë se të gjitha zonat e tjera të Shqipërisë. Bilanci ishte: mbi 200 të vrarë ose të denuar me vdekje, mbi 270 të burgosur dhe mbi 500 të internuar… Siç shihet D. Zef Oroshi ishte një ndër personat më të kërkuar në Shqipërinë e atëhershme.” (f.197).
Ndërsa studiuesi tjetër Dr. Pjetër Pepa, në librin e tij: “Tragjedia dhe lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri” (Tiranë, 2007, Volumi II), duke nxjerrë në dritë qëndrimin burrëror antikomunist të meshtarit mirditor, vlerëson: “Mons. Dr. Zef Oroshi, për lidhjet që ka realizuar me Vatikanin, përmes “diversantëve”, lidhur me mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet në Shqipëri, për miratimin e Statutit, kërkohet më çdo kusht arrestimi i tij nga komunistët, ndaj ikën dhe bashkohet me luftëtarët antikomunistë, maleve të Shqipërisë. Mbi bazën e dokumenteve arkivore të Ministrisë së Brendshme, rezulton se ikja e tij, në kufirin shqiptar të asaj periudhe, ka qenë e një rëndësise të veçantë. Mehmet Shehu, vetë tregoi interesim të veçantë për te dhe, për të evituar ikjen përtej kufijve e për ta kapur me çdo kusht, perveç forcave të ndjekjes, aktivizoi edhe disa klerikë, që i dërgoi në Mirditën e atyre ditëve, për ta kërkuar e gjetur me çdo mënyrë, nëse ishte ende brenda kufijve të Shqipërisë, këtej maleve të Mirditës.” (f.260)
Mirditori i shquar, u bë kleriku më me peshë në botën shqiptare të Amerikës. Intelektuali erudit Mons. Dr. Zef Oroshi, qysh në vitin e parë, kur shugurohet meshtarë e kthen në traditë festimin e 28 Nëntorit 1912, ngjarjen më të madhe të historisë së lavdishme të trojeve shqiptare, sikurse ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e përkujtuar me një meshë speciale të përvitshme, me anën e së cilës ai lutej me gjithë shpirt sëbashku me besimtarët për të gjithë deshmorët e kombit shqiptarë, të rënë gjatë shekujve, për interesat e larta të Atdheut.
Meshtari Dom Rrok Mirdita (sot Shkëlqësia e Tij Arqipeshkvi i Arqipeshkvis Metropolitane Tiranë-Durrës), që zëvendësoi Mons. Oroshi, mbas kalimit të tij në amshim e vijoi edhe me tej traditën e përkujtimit, me anë të një meshe special, për shpirtin e të gjithë dëshmorëve të rënë në kohëra të ndryshme, për idealin e shenjtë kombëtar.
Kleriku i përkushtuar, atdhetari i palodhur i Përndershmi Dom Pjetër Popaj, si vijues i binomit Fe e Atdhe, përveçmeshës së përshpirtshme përkujtimore, për të gjithë dëshmorët e trojeve etnike, tashmë të kthyer në traditë, ai me krenari nën tingujt e Hymnit Kombëtar ngre Flamurin Shqiptar, në datën e shënuar të 28 Nëntorit, mbi kumbanorën e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale New York.
Kur dëgjonim në heshtje, kumbimin e zërit melodios të fjalëve të zjarrta, plot frymëzim atdhetarie, të predikuesit shembullor Mons. Dr. Zef Oroshi (Themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA), tek qindra shqiptarë të pranishëm prej çdo krahine, pa dallim feje dhe ideje, rritej tek ne emigrantët e Amerikës edhe më shumë atdhedashuria për trojet tona amtare.
Ai në qelën e tij qendronte deri në orët e vona të natës, duke punuar me shumë përkushtim dhe kujdes për hartimin e mesazhit apo lutjeve shpirtërore për popullin shqiptar dhe në veçanti atë fatkeq, që jetonin nën thundrën e hekurt brenda burgut të madh të rregjimit komunist në Shqipëri.
Mons Oroshi, shpesh në biseda të lira, mes bashkëatdhetarëve të vet në Kosovë, Itali dhe sëfundi në SHBA, shprehej me shumë zemërim për përsekutimin e pashembullt ateist, që rregjimi komunist i bënte popullit shqiptar dhe klerit katolik në veçanti.
Me shqetësim të madh, ai tregonte për përdhosjen e simbolit kombëtar të Gjergj Gjon Kastriotit, flamurin e larë ndër shekuj me gjak trimash.
Kujtoj, me shumë respekt, disa raste mbresëlënëse të meshtarit tonë me ndjenja të larta dhe të thella patriotike.
Kështu, mbaj ende të freskët në kujtesë një detaj shumë domethënese, kur Mons. Oroshi, nuk lejoj turmen e dasmorëve të hynte në Kishën “Zoja e Kshillit t’Mir” (sot “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York) me flamur me yllin e verdhë bolshevik rus, mbi shkaben dykrenare, të cilën e quante një dhunim dhe krim të madh, që komunistët gjithnjë në vendlindje dhe diasporë i bënin Simbolit Kombëtar të heroit tonë Gjergj Gjon Kastriotit, Flamur,i cili, ishte ngritur pas shumë vitësh robërie nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli me malësorët e tij (më 6 Prill 1911 në majën e Deçiqit) dhe përfundimisht u shpall Pavarësia e shumëpritur, një vit më vonë nga plaku i urtë mjekërbardhë Ismail Bej Qemali sëbashku me shumë patriotë të tjerë, më 28 Nëntor 1912.
Gjatë hulumtimeve të mia dhe kontakteve të përditshme, që kam pasur me miqtë e Mons. Oroshit, kam mundur të siguroi një dokument, që titullohet: “Lutja e Dom Zef Oroshit”.
Ajo që bie në sy, është fryma me përmbatje të thellë atdhetare, që e përshkon këtë Mesazh-Lutjeje, e cila është e njëjtë me shumë lutje të tjera, që ai ka predikuar çdo vit në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Për herë të parë mbas 51 vjetëve, para lexuesve shqiptarë, po sjell këtë dokument (Në kremtimin e 28 Nëntorit të Pavarësisë së Shqipërisë, New York, 1961), që titullohet LUTJE për mbarë shqiptarët nëpër botë dhe në veçanti për komunitetin e vogël në SHBA.
“O Zot i gjithpushtetshëm e i amshuem, krijuesi i qiellit dhe i dheut, zotnues i popujve, kombeve e i qeveritarëve të tyne, ke Ti ma së parit po e çojmë mendjen dhe naltësojmë zemrat, në këte ditë përkujtimore të 49-vjetorit të Pamvarësisë s’onë kombëtare, bashkë me miq e dashamirë të Kombit t’onë, të cilët në nji front me ne përpiqen e luftojnë për të njajtën kauz të shënjtë: Paqe në botë dhe liri për popujt e robnueme.
Emni Yt ishte i nderuem dhe i lavduem nga Populli shqiptar i tri besimeve, kur gëzonte atë liri që Ti vetë në sheshtimet e Tua të pamatëshme ke ndikue me ndergjegjen e secilit njeri e, rrjedhmënisht, të së cilit komb e krejt gjinisë njerëzore.
Por sot, n’atë vend të lamë me gjakun e të parëve t’anë për ta rifitue e mbrojtë atë liri, Emni i Yt asht sha e përbuzë, faltoret ndërtue për nderimin t‘And janë shkretue, rrëzue ose sjellë në përdorime të pa deja, nga nji tok bijsh të verbuem t’atij populli.
Por na po të lutemi, përfaqsuesit e tri besimeve këtu tok sikur jemi, të lidhun e të vllazënuem me gjak, ideal e besimin ngulmënisht në Ty, jo për meritat t’ona, por n’emen t’atyne vllazënve t’onë që kanë mbështet uzdajën në Ty ndër vuejtje e salvime, për mundimet e sa e sa të pafajve të ngujue rreptësisht në burgjet ose ndër kampet e vdekjes të punimeve të detyrueshme, n’emën të gjakut të flijuem nga vllaznit ma të mirë për t’i ndejë ngulmënisht besimit në Ty, o Zot, e moralit dhe traditës së Kombit të tyne, sjelli sytë e Tu të mëshirshëm mbi Kombin t’onë, Shqipninë. Shikoji me përdëllim vuejtjet e atij populli.
Ndriçoji sot të gabuemit e të verbuemit; ndaji e shpërndaji, shkatërroji e shfarosi fuqitë e mbrapshta që veprojnë me hollësi satanike për zhdukjen e shrranjosjen e Emnit t’And deri nga zemrat e foshnjeve e të popullit t’And shqiptar.
Bekoje, o Zot emigracionin t’onë! Jepi fuqi e organizim për të nderue Emnin t’And e t’Atdheut nder kombe mikpritëse ku gjendet. Shtojau e persosjau idealin e shenjtë që kërkon momenti historik i Kombit, bashkimin e vllaznimin. E sikundër nepër duert e pafuqishme të Juditës, asgjasove madhështinë e Holofernit e nepër duert akoma të njoma të bariut David plandose per dhe blasfemuesin e Emnit t’And, viganin Goljath, ashtu forcoje Emigracionin t’onë për t’i ba ballë me nder, bashkarisht e vllaznisht me të gjitha kombet e botës së lirë, luftës së gjithanëshme të komunizmit atheist e agresiv, mohues dhe luftues i çdo lirije dhe besimi.
Jepu, o Zot, dritë, paqe e lumni të përjetëshme gjith patriotëve bashkëvllazën që, o ndër malet e thepisuna o ndër burgjet e kampet e vdekjes, flijuen jetën e tyne ne altarin e Atdheut për t’i ndjejë besnik Ligjes s’Ate dhe lirisë së Kombit shqiptar e për jetë i pashlyeshëm qoftë kujtimi e shembulli i tyne ndër zemrat e mendjet t’ona e të breznive t’ardhëshëm në tokën t’onë shqiptare.
Bekoje, o Zot, e jepi mirëvajtje këtij Kombi ku gjindemi e gjith popullit liridashës së tij, që me nji bujari, vetmohim dhe humanitarizëm shembullor, ka ndihmue e ndihmon Emigracionin tonë dhe çashtjen e shejtë tonën për liri.”