Nga Elida Buçpapaj/
Fill pas rezultatit paraprak nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, kur janë të gjitha indiciet se Edi Rama i ka shpërdorur të gjitha pushtetet plus rrugët e pista për përvetësuar mandatin e tretë duke asgjësuar votën e lirë,ka nisur një fushatë e egër kundër Lulzim Bashës nga ishët e PD-së.
Ishëve nuk u bëhet vonë as për demokracinë, as për Shqipërinë, as për lirinë, por thjesht llogarisin vetëm xhepin e tyre –
Prandaj humbi PD në zgjedhjet e 2013 –
Disa ditë më parë u nda nga kjo jetë Hasan Halili, ish ministër i BUjqësisë i qeverisë Meksi. I madh e i vogël, socialistë e demokratë, të të gjitha ngjyrave shprehën ngushëllimet dhe simpatinë ndaj tij.
E pra ky duhet të jetë modeli i zyrtarit të lartë publik, që ta respektojnë të gjithë, pavarësisht ngjyrave të partisë që përfaqëson, demokracia garë e më të mirëve – jo pushtim i të gjitha pushteteve nga më i keqi –
Po cilët jnanë ISHËT ?
ISHËT si profil janë përgjithësisht anonimë, profiterë që anojnë nga klientët – në sinonimi. Ish deputetë, ish ministra, ish presidenti, ish-zyrtarët e lartë, deri tek ish sekretaret, që e shohin politikën si lluks, qejf, por kurrë si sakrificë, si shërbim – alla JFK.
Kjo lloj specie gjithmonë është futur në lista pa garë, përfshi edhe vetë Lulzim Basha, por Lulzim Basha ndryshe nga kopeja në fjalë, ka qenë krahu i djathtë i Berishës pikërisht në ato çka i rreshtohen liderit historik të PD si pasuri e patundëshme suksesesh –plus në këtë fushatë zgjedhore Lulzim Basha tregoi një profil serioz dhe ngjalli besim tek elektorati.
Përçudnimi i votës të lirë si krim elektoral nuk e bën humbës Lulzim Bashën – por tregon se rrezik kombëtar është Edi Rama.
Në vend që të vihet me shpatulla pas murit përgjegjësi i katrahurës – ISHËT orkestrohen dhe i kthehen Bashës.
Dramaturgu i shquar Tom Stoppard, i nderuar me çmim Oskar për skenarin e Shakespeare in Love, por i njohur veçanërisht si mbrojtës i të drejtave të njeriut, (në fund të viteve ’70 si anëtar i Amnesty International, shkon në BRSS dhe takohet me Vladimir Bukovsky-in, që asaj kohe ishte i burgosur nga regjimi sovjetik dhe po ashtu udhëton edhe në Pragë për t’u takuar me Vaclav Havelin) thotë se “Demokracia nuk është procesi i votimit, por procesi i numërimit”,
Ndërsa ISHËVE u ka ardhur ora të hakmerren, për përjashtimin nga lista që u ka bërë Lulzim Basha – e shfaqen nëpër mediat e kapura të Edi Ramës “si kavie” për t’i sanksionuar “fitoren” udhëheqësit të regjimit hibrid që e ka groposur votën e lirë me Ballat, Gjiknurët dhe me ndihmën e nëntokës.
Edi Rama është përgjegjës për shkatërrimin e sistemi zgjedhor – sepse zhvalorizoi votën e Sovranit me të gjitha mënyrat antiligjore – plus 83 mijë vota baraz gati me 9 deputetë kanë dalë të pavlefshme.
Edi Rama është përgjegjës i shkatërrimi i procesit zgjedhor që i nxori jashtë loje të gjitha exit poll-et, përfshi edhe të mikut të tij të ngushtë Baton Haxhiut.
Disa nga ISHËT e panë si përfunduan në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ne e pamë rezultatin e Jozefinës, Astrit Patozit, Rudina Hajdarit – po të krijonte parti Bujar Nishani do ta pësonte edhe më keq! E pra, këta janë ISHËT! Që si thotë populli, duhet ta fusin bishtin në shalë, e jo të dalin nëpër ekranët e njollosur të sulltanit Edi Rama, ku çdo natë përmes dizinformimit dhe demagogjisë i bëhet popullit presion psikologjik, por populli tani ka krijuar imunitet, sepse i njeh shumë mirë, me rrënjë e degë.
Andaj sa herë që dalin, duke përrallisur idotësi dhe pallavra – populli ose i lag ekranet e TV me pështyma, ose i vjen që t’i thyejë, ndërsa ISHËT në këtë kontekst janë vetëm karta të djegura, vendosin vetë të jenë të tillë, dikur profiterë me dashjen e tyre për të vjelë privilegje nga pozicionet e larta zyrtare sot profiterë pa dashjen e tyre për të vjelë neverinë nga opinioni publik!