Nga RENATO CRISTIN/Përktheu:Eugjen Merlika/
“Ajo që më shumë i ka befasuar studjuesit që kanë shqyrtuar me vëmëndje regjimet komuniste, nuk është aq thelbi apo përbindshmëria e krimeve të kryera se sa gjërësia e bashkëpunimit dhe heshtja miratuese që ata gjithmonë kanë arritur të gjejnë në Vendet perëndimore”. Në fakt, “komunizmi ka arritur të kushtëzojë, në sajë të gjatësisë së kohës dhe përhapjes së tij, jetën politike e shoqërore të mjaft popujve e të nënështrojë me mënyrat e gënjeshtrat e tij, kontinente të tërë”, por “ndikimi i tij ka qënë i pamasë edhe sepse ishte i mbështetur nga një organizim i shkëlqyer ndërkombëtar”, që qëndronte në një fuqi ideologjike të pakrahasueshme dhe në një përkrahje shumë të gjërë të mjediseve kulturore, akademike e gazetare perëndimorë. Kështu shkruante Sandro Fontana, dhjetë vite më parë në një libër të titulluar Gënjeshtrat e mëdha të historisë bashkëkohore (Botimet Ares, Milano 2009).
Si madhësi shtetërore, me përjashtim të disa vendeve të parëndësishëm ngulmues (Kina, edhe se e drejtuar nga partia komuniste, është një dukuri më e ndërlikuar dhe e papërcaktueshme hë për hë), komunizmi është shëmbur, por ideja e tij, e shpërthyer sot në shumë shndërrime, ka mbijetuar, dhe mbështetja kësaj ideologjie gjaksore (më shumë se njëqind milionë të vdekur, simbas studimeve më të përpikta, si ai nën kujdesin e R. Conquest, Çmimi njerëzor i komunizmit, Botimet e Borghezes, Romë 1973), është ende e fuqishme në të gjithë mjediset që janë në gjëndje të formësojnë opinionin publik perëndimor.
Format e kësaj mbështetjeje janë të ndërrueshme e me shumë ngjyrime, por kanë të të përbashkët pohimin e një epërsie të hamendësuar intelektuale dhe synimin për të fuqizuar pushtetin, institucional kur të jetë e mundur dhe kulturor në çdo rast. Simbas kësaj logjike, thënë shkurt, ideologjia komuniste dhe prodhimtaria kulturore janë bërë sinonime: atje ku është njëra zorile duhet të jetë edhe tjetra. Mbi këtë aksiomë janë bazuar për dhjetëvjeçarë të tërë, shumë nga renditjet politike t’Evropës perëndimore e përmbi atë kanë fituar partitë e së majtës evropiane. Ajo në vetvete është një gënjeshtër që ka mundur të kalojë për një të vërtetë vetëm sepse ideologjia që e ka përhapur ka një karakter të brëndshëm të dhunshëm e totalitar, siç e kishte parë përsosmërisht bullgari Cvetan Todorov: “ndërsa Vëndet perëndimore ndërmorrën rrugën e demokracisë, të zgjedhur si pasojë e një vendimi të shumicës së popullsisë, intelektualët e tyre parapëlqyen regjimet e dhunëshme dhe tiranikë. Nëse n’ata Vende do të kishin patur të drejtën e votës vetëm intelektualët, sot do të jetonim nën regjimet totalitare”.
Kësaj prirjeje ideologjike duhet t’i shtohet fakti që me retorikën kobzezë që themelohet, pothuajse gjithmonë, mbi mashtrmin, sepse, po citoj përsëri fjalët e Sandro Fontanës, “me gënjeshtra është e lehtë të shkatërrosh kundërshtarin politik e madje të fitosh pushtetin”. Megjithatë mashtrimi, sado i madh e i degëzuar qoftë, nuk lejon të qeverisen Shtete të një shumllojshmërie të spikatur e të një vetëdijesimi të madh si ata evropianë, pra caku i asaj ideologjie qëndron në vetë strategjinë e saj. Për të patur sukses strategjia e gënjeshtrës duhet të shtyjë çdo kuvendim në dalldi, duhet të shpjerë çdo situatë në skajshmërinë e saj, duhet të përdredhë të folurit për qëllime sofistike. Nëse nuk zbulohet, kjo teknikë sjell përfundime pragmatike të gjata, por nëse asaj i hiqet maska, mbulesa e kokës bie, tymi shpërndahet dhe zbulohet e vërteta.
Përjashtimi dhe ligji
Një fije e kësaj dredhie varet sot në një rrahje mendimesh që të majtat, përgjithësisht të përcaktuara kështu, kanë hedhur kundër administratës rajonale të Friuli – Venezia Giulias, Presidenti i së cilës, Massimiliano Fedriga, ka vendosur të pranojë një propozim të miratuar nga Këshilli që ka si synim “të pezullojë çdo ndihmesë financiare ose të çfarëdo natyre tjetër në dobi të subjekteve publikë e privatë që, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, ndihmojnë me çfarëdo mjeti a në çfarëdo mënyre për të përhapur veprime të prirura për të mos pranuar qënësinë e ndodhive si Foibet apo shpërngulja, apo për t’u zvogëluar rëndësinë”.
Në çfarëdo pjese të botës një propozim i tillë do të renditej në veprimtarinë e zakonshme ligjvënëse: është normale që politika të japë ndihmesën e saj për të ruajtur kujtesën historike, duke e mbrojtur nga gënjeshtrat e mashtrimet. Është normale që krimi, ndoshta më i neveritëshmi që ka goditur italianët si bashkësi etniko – kombëtare në gjithë historinë e tyre, të përcaktohet i tillë, e si i tillë të kthehet në një farë unicum një veçanti që nuk mund t’i bashkëngjitet të tjerëve, edhe se të rëndë. Nëse ai spastrim etnik kundër italianëve, si të tillë, ka karakterin e një përjashtimi historik, i përveçëm duhet të jetë edhe gjykimi që i përket, pra edhe pushteti ligjvënës duhet t’a trajtojë në formë përjashtimi.. Me këtë kërkimi historik nuk kundërshtohet në lirinë e tij, por njësoj siç ndodh në ligjëshmërinë gjermane për çështjen e Shoah-ut, duke ruajtur të gjithë ndryshimet për përmasa e për pasoja ndërmjet këtyre dy tragjedive historike, kur skërfitet perimetri që mbron përjashtimin thyhet një cak. Që këtu rrjedh propozimi dhe vendimi i presidentit Fedriga.
Është e natyrshme që një përjashtim të trajtohet veçmas nga rastet e tjera. Por n’Itali, e veçanërisht në Trieste, duket se kjo natyrshmëri nuk pranohet nga ata që nuk mendojnë se ajo tragjedi e llahtarëshme përbën një përjashtim, dhe e rivlerësojnë duke e zvogëluar. Format e këtij rimohimi (term psikanalitik mjaft i përshtatëshëm) janë të larmishme: nuk pranohet e vërteta historike (por sot rastet e kësaj forme skajore nuk janë më shumë të shpeshtë), i mohohet dinjiteti, i mohohet dukshmëria, i mohohet kujtesa e plotë, i mohohet kahu i të qënit unik, por të gjithë këto pikëpamje shkëputen nga e vërteta që u bëkërka objekt i rrëzimit historik, jo të përvojës qënësore, sikur e vërteta duhet të përcaktohet nga historiografia e jo nga kujtesa e njerëzve, gjithmonë e gjallë, sepse e mishëruar në përvojën. A u takon historianëve të miratojnë përfundimisht të vërtetën e përvojës qënësore? Objektiviteti i historianit qënka përmbi përvojën e viktimës apo kujtesën e atyre që rijetojnë dëshminë?
Njollosjes së drejtpërdrejtë i vihet pranë edhe shpotia: përtej mosnjohjes së një krimi të jashtzakonshëm në përmasën e tij etniko – politike, vërehet këtu një pozitivizëm dorështrënguar dhe totalitar, që mëton t’u imponojë individëve, popujve dhe shpirtit tabelat e njehsimit historiografik. Argumenti i epërsisë intelektuale të së majtës i zbatuar në truallin e përvojës së jetuar: ideologjia e së majtës na thotë se çfarë është politikisht e drejtë; historiografia e së majtës përcakton se si duhen ndërpretuar ngjarjet historike. Por meqë këto të fundit janë një gërshetim i pazgjidhshëm i fakteve të vërteta dhe i jetëve të jetuara, e vërteta e tyre – në kuptimin filozofik e pra në vështrimin prejardhësor – nuk është e përmbledhëshme në skemat historiografike. Në këtë vështrim rasti për të cilin po flas është shëmbullor.
Totalitarizmi i ideologjisë komuniste
Jemi përballë një fruti të helmuar të mendimit totalitar, sepse totalitarizmi prodhohet nëpërmjet mohimit të së vërtetës dhe detyrimit të skemave të paracaktuara. Me këtë qëllim thuhet se ai propozim dhe birësimi i tij i mëtejshëm do të ishin përçarës. Është një skemë aq e vjetër sa që duket e bezdisëshme, nëse nuk do t’ishte megjithatë gjithmonë e dëmëshme: vetëm ajo që propozon apo detyron e majta është përbashkuese, gjithshka tjetër është përçarëse. Nëse pranohen normat e së majtës ka paqe, përndryshe shpërthen lufta. Kjo përzjerje e sofizmës me frikësimin është vdekjeprurëse, por prej pak kohësh shihen disa krisje në mburojën politikisht pa gabime, fillojnë të shihen gënjeshtrat që e ndërtojnë; italianët po e kuptojnë dhe shpesh e kanë treguar me ushtrimin demokratik të votës, që ajo retorikë ka si qëllim përfundimtar mashtrimin. Në fakt, nën maskën e lirisë së kërkimit shkencor duan të imponojnë skema ideologjike, e shumë më poshtë, sisteme financimesh që mbrapaushqejnë ato skema, në një qark që shërben për të bërë të qëndrueshëm e madje për të fuqizuar pozita të fituara gjatë dhjetëvjeçarësh zotërimi kulturor. Në lojë janë pra, pushteti që në dhjetëvjeçarë e majta, retorika e saj e historiografia e saj kanë arritur t’i imponojnë opinionit publik.
Kufiri lindor vazhdon të jetë i sulmuar nga një ideologji që, me gjithë kalimin e kohës, me gjithë shpalljen e të vërtetave historike, me gjithë dështimet e tij planetare, duket e njëjta e shtatëdhjetë viteve më parë, me të njëjtën strukturë logjike e me të njëjtat formula. Është prova që, thënë shkurt, komunizmi si teori e si veprimtari praktike, është i gjallë, e nuk është i kufizuar vetëm në qoshen e Verilindjes, por është i përhapur në të gjithë Vendin, e në forma të ndryshme, kudo në botë. Mbas një shekulli sulmesh gojore (për të mos folur për dhunimet fizike e shfarosjet në masë) idhtarët e kësaj ideologjie, sot të maskuar në mirëdashës e të shtuar në galaktikën përparimtare, kanë paturpësinë të duken si kreshnikët e fjalës së qetë e si fshikullues të papërkulshëm t’atyre që, ata dhelpërisht quajnë “bisedat e urrejtjes” e që, në fakt janë argumenta teoriko – politikë në kundërshtim me politikisht korrektin vërshues, ose herë herë shprehje të thjeshta të gjykimit të shëndoshë. Me fodullëkun që vetëm profesionistët e gënjeshtrës e të shtirjes arrijnë t’a kenë, lëvduesit e mirëdashjes kanë zaptuar një hapësirë të rëndësishme në rrahjen e mendimeve publike, në media e në social dhe e përforcojnë me sulmin sistematik kundrejt çfarëdo shprehjeje që sado pak mund të verë në krizë ideologjinë e tyre. Është lëvizja e zakonshme dhe e shumënjohur e sulmit paraprak: nga një pikpamje politike, gjithshka që kërcënon themelin e shtyllës së tyre etiko – gjuhësore, mbi të cilën ngrihen këta qortues ogurzinj duhet të sulmohet me padi të rënda edhe se të pathemelta: kombëtarizmi, populizmi, ksenofobia, fashizmi etj.; nga pikpamja psikologjike duhet prozhmuar cilido njeri e ose çfarëdo lloj ideje që mund t’i heqë maskën gënjeshtrës mbi të cilën qëndron politikisht e ndershmja. Që kjo ideologji mizore, në më shumë se një shekull jete, nuk ka ndryshuar kurrë këtë skemë, është një fakt shqetësues e në të njëjtën kohë qesharak. Teza absurde e epërsisë etike e politike të së majtës, edhe se është dukshëm e gabuar, është e përhapur kaq shumë sa është bërë diçka e zakonshme.
Megjithë rënien e miratimeve për partitë e së majtës, në sajë të përhapjes së ideve liberale, të liberal – konervatorizmit e të katoliçizmit të së majtës, megjithë punën për heqjen e maskimit ideologjik që nga 1994 qëndra e djathtë italiane ka sendërtuar (së cilës duhet t’i japim vlerësimin e drejtë historik dhe teorik), letrat vazhdojnë t’i shpërndajnë përfaqësuesit e asaj ideologjie: politikanë, intelektualë, gazetarë, profesorë që japin patenta demokratizimi, të kundërfashizmit e të çfarëdo përkufizimi të dobishëm për qëllimet e tyre. Një pjesë e madhe e popullsisë, shpesh e pavetëdijshme ose për një ndrojtje nderuese, me një nënështrim të kuptueshëm por të paarsyetueshëm i pranon këto renditje, këto kategori që mëtojnë të rregullojnë proçeset kulturore, marrëdhëniet shoqërore, madje edhe zhvillimet psikologjike të njerëzve: një mëtim qartësisht totalitar.
Bëhet fjalë për një dramatizim ideologjik, aktorët e shumtë të të cilit kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë tmerrësisht me seriozitet: një kohë vepronin për llogari të ndërkombëtares komuniste, mbi fillin e hollë e përvëlues që lidhte zotimin politik me terrorizmin; sot veprojnë n’emër të ndërkombëtares mirëdashëse (maskim i asaj së mëparëshmes), jo më puq me rrymat terroriste, por me të njëjtin qëndrim të terrorizmit psikologjik e gjuhësor të një kohe. Nëse, siç thoshte Guglielmo Ferrero, terrori është grykëderdhja e pashmangëshme e revolucionit, nëse ai vihet në jetë jo vetëm me dhunën fizike por edhe me atë gjuhësore, terrori i epokës sonë është ai bllok kulturor që quajmë “politikisht i ndershëm”, trajta e ndryshuar dhe e përditësuar e revolucionarizmit komunist.
E drejta demokratike për të qeverisur
Nëse sofistika klasike, e urryeshme por e shkëlqyer, e çon në skaj çdo arsyetim, sofistika e urryeshme e sotme, që është një brumë i përsosur leninizmi dhe pasmodernizmi (e që, në rastin tonë të veçantë, është stërholluesja me të cilën veprojnë mohuesit, zvogëluesit dhe ortakët e tyre, në të gjithë ngjyrimet e tyre), birëson të njëjtën normë eristike, por që objektivisht është shumë më poshtë se niveli i asaj të lashtë, nuk arrin t’a mbajë bisedën në skaj, duke tradhëtuar një vullnet që, nënë retorikën e re stërholluese – shkatërruese, vazhdon të riprodhojë mëtimin e hershëm të epërsisë, prirjen drejt mujshisë, idesë totalitare. Është e vështirë të qëndrosh në skaj pa e kaluar, nëse je i krekosur me sipërani ideologjike, kulturore, politike e madje morale. Vesi i hershëm i së majtës gjen në vetvete shkakun e dështimit të tij.
Kjo ndodhi e fundit, e cila nga kronikat vendore u shtri në skenën kombëtare, qoftë sepse me që ka të bëjë me spastrimin etnik kundër – italian, prek një nyje shumë të ndjeshme të ndërgjegjes kombëtare, qoftë sepse ndërmjet kundërshtarëve t’atij propozimi të qendrës së djathtë ka institucione të rëndësisë kombëtare, tregon që në një rritje të mërisë, e majta, që mbledh studjues të njimendtë së bashku me shakllabana, që grumbullon të urtë e të skajshëm, njerëz të ndershëm e xhambazë në keqbesim, mohues e zvogëlues, e ka kapërcyer atë skaj. Ndoshta as e ka parë, duke u vetëquajtur e pagabueshme dhe përmbi çdo lidhnije morale, por në të vërtetë ka kaluar çdo vijë ndarjeje: tragjedia e foibeve është e paprekëshme. Ky është skaji i pakapërxyeshëm, përtej të cilit hapen skenarë rrënqethës, që na bëjnë të rizhytemi në epoka kur ideologjia komuniste sundonte. E ndoshta është ky malli i fshehtë që shtyn gjithënjë e më përpara cakun e bisedës në një dëshirë vetëpohimi që kërkon të shkatërrojë, të heshtojë apo t’a mohojë kundërshtarin politik e kulturor.
Mbi krimin e foibeve nuk mund të ketë ujdi, siç nuk mund të ketë ujdi mbi rravgimin kriminal të Shoah. Përtej kësaj vije ka ndalim, sepse hyhet në zonën e errët në të cilën gjithshka është e mundur, edhe Auschwitzi, në një truall të pëgërë në të cilin mohohet thelbi i të qënurit njeri. Me këtë ndalesë liria e kërkimit shkencor nuk ndalohet, aspak nuk preket e qëndron në përgjegjësinë shkencore e morale të secilit, që mund të vendosë lirisht nëse do t’a kalojë apo jo cakun. Por politika, kur ka përgjegjësinë e qeverisjes, ka edhe të drejtën të vendosë se si mund të ndiqet në mënyrën më të mirë e mira e përbashkët, sepse pushteti demokratik mbështetet mbi këtë të drejtë. Me që koncepti i së mirës së përbashkët nuk është vetëm objektiv, por përcaktohet edhe në bazë të idesë së shoqërisë e të botës së njeriut që është zgjedhur për të qeverisur, ai vendos si t’i adresojë investimet publike për t’arritur atë që quhet e mirë publike. Ky është kuptimi i ligjëshmërisë së pushtetit, t’atij kushtetues e t’atij të zakonshëm, sepse në atë qëndron parimi i demokracisë në zbatimin e tij të plotë. Mund të kundërshtohet një vendim, edhe kjo është një pamje e dialektikës demokratike, por nuk mund të diskutohet e drejta për të vendosur, sepse nëse pushteti është i ligjësuar nga shumica e zgjedhësve, të mohohet kjo e drejtë është një veprim rrënues.
Krimet e komunizmit
Të folurit është një armë me dy presa, siç e dinte mirë Freudi . Në fakt mund të tradhëtojë synime të fshehta, si në rastin e një dokumenti të fundmë të një instituti studimesh historike, në të cilin fjala ”krimet”, që është më e përshtëshmja për të vizatuar ndodhitë e foibeve e përqark, përdoret vetëm për “krimet italiane të luftës”. Krimet e foibeve quhen “ploja”, me një term neutral, semantikisht me dy kuptime, ideologjikisht i përshtatëshëm. E përsëri në një letër kundërshtimi kundrejt propozimit të Këshillit rajonal FVG, do t’ishin “përmallime helmuese” përpjekjet që administrata rajonale dhe shoqatat në mbrojtje të kujtesës së tragjedisë istriano-dalmate po bëjnë që paprekshmëria e asaj kujtese të ruhet në tërësinë e saj. Në të vërtetë ajo shprehje është një fjalë, froidisht, e rënë, që tradhëton vullnetin për të riprodhuar mashtrimet ideologjike mbi të cilët janë ndërtuar trajtat e pushtetit kulturor që, pra ndjell mallin e një mbizotërimi pjesërisht të dëmtuar e që urohet të jetë në mbarim. Ky po, është një mall, madje helmues.
Në këtë vijë semantike hyn edhe një shuplakë nxirëse e hedhur kundër Legës Kombëtare, shoqatë e dekoruar për merita italianizmi, që në të njëjtën letër proteste përcaktohet “një ent pa besueshmërinë e nevojshme të kompetencave e seriozitetit në truallin e kërkimeve historike”. Edhe njëherë praktika e nxirjes, por Lega Kombëtare nuk ka nevojë për mbrojtës: historia e saj, pesha e saj shkencore dhe integriteti moral mjaftojnë të vetme, për të topitur çfarëdo sulmi, çfarëdo prozhmimi. Formulari është gjithmonë i njëjti: më të mirët rrijnë majtas, kushdo tjetër i vetëm apo shoqatë, që vendoset nga ana tjetër, është për përcaktim më i keq.
Kështu zbulohet thelbi teorik dhe ideologjik prej të cilit rrjedhin, si pasoja të zbatueshme, të gjitha praktikat të përshkruara shkurt këtu dhe shumë të tjera të pashqyrtuara. Krimet e komunizmit qënkeshin, për arsye të ndryshme, më pak të rëënda se sa ata të nacionalsocializmit: kjo është logjika, t’a quajmë kështu, që ende sot duket se drejton, nganjëherë edhe si një të shkrepur të kushtëzuar (të detyruar nga dhjetëvjeçarë shplarjeje ideologjike të trurit), lëvizjet e intelektualëve të së majtës, e më në përgjithësi veprimi i politikisht korrektit i zbatuar në histori. Kundër thelbit krimprodhues dhe përfundimeve kriminale të nacionalsocializmit, kemi thënë,të gjithë, jo vetëm e majta fjalë përfundimtare, që përmblidhen në një shprehje pak të vjetëruar por krejtësisht të përshtatëshme: e keqja absolute. E njëjta duhet thënë, e mbi këtë një pjesë jo anësore e së majtës vazhdon të mos jetë e një mëndjeje, kundrejt thelbit e përfundimit, njësoj kriminalë të komunizmit, edhe se në ndryshueshmëri të skenarit, të ndërlikimeve e të pasojave. Që këtu vjen nevoja , tashmë e pashtyeshme, për t’i vendosur sot pranë të të shenjtit Gjyq të Nuremergut (dhe të gjithë nëngjyqeve që kanë lejuar kapjen e dënimin e të tjerëve kriminelë nacionalsocialistë; një për të gjithë: proçesi që në Jeruzalem ka vënë mbrapa hekurave Aihmanin) një Nuremberg të komunizmit, sigurisht në trajtat që epoka jonë mund të lejojë. Ose pranohet të qëndrohet në këtë rrafsh kulturor, shkencor dhe etik, ose qëndrohet nga ana e komunizmit: tertium non datur (rrugë të tretë nuk ka).
L’opinione delle libertà