(Kushtuar rivarrimit të heroit të Kombit Isa Boletini në 10 qershor 2015)/
Nga Neki LULAJ-Gjermani/
Në vitet si shekuj pa fjetur ishin eshtrat në ato thasë të bekuar/
Hedhin shtatin hijet e gardhit kurorë për trinat me metafora/
Me patkonj e thumba në këmbë veshkëmishën e praruar/
Dritë myshku e zbehtë në natën që ndriton në kohëra/
O mallkim i pritjes me misteret që dynden nga trualli i përgjakur/
Luftuan stëgjyshërit e shpesh morën një pëllëmbë tokë me gurë në varre/
Në cepin e atdheut Ismaili Qemali le të ligjërojë në Vlorën e bajrakut/
E Isa i gjallë prek vatrën e gjakosur në kullën gurlegjendare/
Të çmallet në prehërin e nënë Lokes mitrovicare në qiell e në tokë
Kah po sillet mokra, ky Ibër që gurgullon me dhimbje mes kodrave
Bajgora, Kosova e Boletini ofshajnë duke puthur tokën në Vlorë
E mbtërit e Londës koburen ta sjellin sa gjithë thesari i kohërave
Dora le t‘i varet në Vlorë, në gryka Sharri, në Kosovën e lirë
Pa u tutur nga merimangat që thurin miliona rrjeta me shpresa
Prek drurët, magjen e bukës dhe mokrat e lashtë në një mulli
Heu, sa gjatë fjeti koburja nën jastëkun e hasmit në breza.
Kullëgura e Boletinit ka hapur dyert e zemrës dhe krahët, frëngjitë
E paska gëzimin për ta gostitur gjeneralin e vet në Konakun e lashtë
Tingujt e këmbanave të viteve Isën e presin në konak si të ishte bir
Era gërgatëse pluhurin e dekadave të shkuara e lëpin ditë e natë.
Dielli hedh rrezen e paqartë e zogjtë në kaçube ngrinë zërat e cicërimën
Mokrat e mullirit e presin të zotin të mbuluar me miellin e bardhë
Virtualet le të zgjojnë nostalgjinë e pinjollëve të Boletinëve
Në vatrat e fëmijërisë nëpër vatrat e reja të ndezin zjarr.
Zgjaste sërish dorën e fortë të burrit , o Gjenerali me kobure
Këtu nga Boletini në këtë qershor foli Evropës, o mentar!
Mos u mbyshin kurrë në mote dyert e kësaj kulle
Mos u thaftë kujtesa për ty , si bari i korrur në livadh!
Sot degët e manit në themelet e kullës nxjerrin melodinë.
Po kthehet Isa Boletini në Boletin me rindezjen e ëndrrës së lirisë