Kush gënjen Tsipras apo Meta për abrogimin e Ligjit të Luftës?/
Pas kritikave të mëdha si majtas, si djathtas rreth vizitës plot mjegull që kreu në Greqi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shoqëruar nga një grup deputetësh minoritarësh e filo grekë, në media hidhet shashka e radhës.
U tha se kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras i paska premtuar Ilir Metës se do të çojë të abrogojë tek kryetari i Republikës së Greqisë, Prokopis Pavlopulos Ligjin e njëanshëm të Luftës.
Nëse është deklaruar se Tsipras do e dërgojë të abrogojë tek kryetari i shtetit Pavlopulos këtë ligj famëkeq, këtu kemi me një gënjeshtër të trashë, sepse Presidenti grek nuk ka kompetenca për heqjen e Ligjit të Luftës pa e votuar në fillim Kuvendi i Greqisë.
Në 28 gusht 1987, qeveria e Andrea Papandreut bëri gati një ligj për të shfuqizuar Ligjin e Luftës dhe e dërgoi atë për ta votuar Kuvendi i Greqisë. Megjithëse kryeministri Andrea Papandreu kishte shumicën e votave në Kuvend deputetët e PASOK nuk e votuan heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë më 1987 dhe e lanë zvarrë pa e shqyrtuar.
Pra, në rastin në fjalë kryeministri Tsipras duhet ta dërgojë në Kuvend këtë Ligj për t’u votuar dhe më tej, pasi të jetë votuar kalon për nënshkrim të thjeshtë tek Presidenti Prokopis Pavlopulos. E gjithë ajo propagandë e mediave të Tiranës, të cilat janë urdhëruar nga Iliri Meta dora vetë që të shpikin një lajm se gjoja paska marrë garanci nga Aleksis Tsipras që do e dërgojë abrogim tek Pavlopulos, është një gënjeshtër e kulluar.
Edhe sikur Tsipras ta dërgojë të abrogojë Ligjin e Luftës tek kryetari shtetit, ai nuk do e nënshkruaj, për arsyen që rrëfehet pak më poshtë. Por edhe sikur kryeministri Tsipras t’ja paraqesë për votim Kuvendit të Greqisë, përsëri deputetët grekë do shprehen që ky Ligj mos të hiqet, por të qëndrojë si hije e zezë mbi kryet e miqësisë greko-shqiptare.
Në Kuvendin e Greqisë SYRIZA ka 144 deputetë, kurse aleatët e tyre në qeveri, nacionalistët e ANEL kanë 9 deputetë. Më këtë konfigurim kaq të brishtë që ka shumica e Tsipras është e pamundur që të gjendet shumica e votive për të abroguar Ligjin e Luftës.
Edhe nëse kjo ndodh kryetari i shtetit, Prokopis Pavlopulos i përket klanit politik nacionalist ekstremist grek, gjë që vërtetohet nga shumë foto-fakt që do i botoj së shpejti në 27.al
Është mirë që kryetari i Kuvendit dhe i LSI Ilir Meta mos të shpikë lajme rreth vizitës së tij në Greqi, por të tregojë diçka për takimin me disa politikanë pensionistë grekë, të cilët punojnë natë e ditë për të ngritur varre boshe greke në jugun e Shqipërisë.
Besoj se Iliri Meta për shpikjen e gënjeshtrës së ëmbël për heqjen e Ligjit të Luftës ka patur parasysh thënien e Niçes: “Në raste të caktuara është më mirë një gënjeshtër e ëmbël se sa një e vërtet të hidhur”. Por Niçe këtë thënie e ka thënë për marrëdhëniet dashurore midis një djali dhe një vajze dhe jo për marrëdhëniet e tensionuar që ekzistojnë mes dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë.