• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY DEKADA TË TV KULTURA SHQIPTARE

October 6, 2017 by dgreca

Asllani Portret-66

Nga Asllan Bushati/Ishte prilli i vitit 1998. Problemet ne Kosovë po zjenin . Gjak  shqiptarësh po derdhej nga shtypja, dhuna e reprezaljet e  skadroneve ushtarako-policore  të  Milloshevicit. Diaspora ishte ngritur në këmbë   në SHBA, Europë  e kudo në mbrojtje të Kosovës. Fondacioni “Vendlindja thërret” bënte dy mitingje në dite (si edhe organizma të tjerë të diasporës), për të ndërgjegjësuar komunitetin vecanërisht në tri shtetëshin NY, NJ dhe Kenerika, e  për të mbështetur me të gjitha mënyrat e mjetet,  formacionet e ardhëshme  ushtarake të  Kosovës. Në kuadër të kësaj veprimtarie në disa zyra në Artur Avenue në Bronx dhe  në mjediset e Royall Regency  Hotel  në Yankers të NY,  së bashku me disa kolegë të tjerë, i ishim futur  punës për ngritjen dhe stërvitjen e “Batalionit Atllantiku”. Aty erdhën shumë  reporter televizionesh të cilët donin të filmonin dhe të merrnin intervista, por ne për të mbrojtur punën tonë nga ndonjë keqbërës, nuk pranuam të  publikonim atë  që po bënim (me përjashtim të të autorizuarve të Shtetit Amerikan). Ne si shtaf drejtues , kishim autorizuar( për efekt arkivi)  Zotin Gani Bllaka të bënte foto-portretin e cdo pjesëmarësi të Batalionit Atllantiku dhe të filmonte disa pjesë të ngritjes e stërvitjes së Batalionit, filmime të cilat do ti shërbenin historisë së ardhme së UCK-së.

Por ndërkohë  që po punonim ,erdhi  të na takonte  edhe Zoti Adem Belliu , cili kishte filluar që  në 1997, një program televiziv një orësh në gjuhën shqipe i  njohur me emrin” TV Kultura Shqiptare” . Ishte hera e parë që e takoja  dhe  përnjëherësh më krijoi përshtypjen e intelektualit e  atdhetarit të formuar me idetë  dhe prakticitetin  e kohës, e larg  slloganeve e steriotipeve të  së shkuarës.  Pasi shkëmbyem disa mendime  me  Zotin Adem, ramë dakort se do të ishte një gjë e mirë për të ardhmen që edhe  TV-ja Kultura Shqiptare ta  filmonte këtë veprimtari. Ashtu u bë, dhe që nga ajo kohë e deri më sot  po bëhen dy dekada që shohim, ndiejmë e shijojmë gjithë  programet e TV Kultura Shqiptare së bashku me familjarët, miqt, shokët, vatranët dhe gjithë bashkatdhetarët në SHBA. Ai tashmë midis nesh është një “familjar” shtesë cdo ditë e cdo  natë.

Programi i ketij TV, nisi si një program kulturor një orësh në javë, por  në këto njëzet vite, ai  ka pësuar një evolucion të vërtetë zhvillimi. Ai ka ardhur duke u shtuar në orë transmetimi, është pasuruar në përmbajtje, është përsosur figura, dritëhijet, portreti, këndi i shikimit, titrat, zëri, transmetimi etj. Eshtë bërë jo vetëm kulturor por dhe informues, është bërë jo vetëm hulumtues   por edhe arenë debate për problemet shqetësuese të komunitetit madje dhe të Kombit.Eshtë  bërë  promovues i sukseseve  në biznes,por edhe shumë argëtues për të  gjitha moshat e njerëzve të  komunitetit shqiptar. Ëshë bërë mjet i pa zëvëndësueshëm për fëmijët e komunitetit që ata ta mësojnë e mbajnë gjallë gjuhën e bukur shqipe. Por, mbi të gjitha  arkivi i TV Kultura Shqiptare  në këto njëzet vite,  i  hedhur në shirita e CD, është një enciklopedi e gjallë e jetës dhe e veprimtarisë së komunitetit shqiptar në SHBA.

Me këtë rast , specifikisht do të theksoja se të gjitha aktivitetet kryesore të Vatrës në këto njëzet vite si : Kuvendet e Vatrës, formimi i disa degëve të reja, festimet e Ditës Pavarsisë së Shqipërisë e Kosovës,përvjetore për Nolin, Konicën, Arshi Pipën, Mithat Frashrin,Abas Kupin, Mark Krasniqin, Musine Kokalarin, promovime librash etj, janë filmuar e transmetuar nga TV Kultura Shqiptare. Kjo  ka qenë për ne vatranët ( e vecanërisht drejtuesit), një ndihmesë  shumë e madhe në përcielljen para vatranëve e gjithë komunitetit  të problemeve, shqetësimeve dhe ideve  të Vatrës për të ardhmen. Nuk ka patur aktivitet madhor të Vatrës që drejtuesit e saj të mos jenë  ftuar para mikrofonit të TV Kultura Shqiptare e  intervistuar, duke përciellë kështu nëpërmjet këtij ekrani, jo vetëm frymën e vendimeve të marra, por edhe ndiesitë shpirtërore e qytetare të të zgjedhurve në organet drejtuese. Dhe sic është vepruar me Vatrën, është vepruar edhe me të gjitha shoqatat, organizmat dhe institucionet e tjera të komunitetit. Kam bindjen se  Shoqatat: Liga Civile shqiptaro-amerikane, “Motrat Qirjazi”, ”Kosova”,  “Cameria”, “Dibra”,” Malsia”etj ,do të kishin vënë  në dukje më specifikisht shumë detaje të punës së mbrekullueshme e të  pa lodhur të këtij televizioni.

Tematika rreth ceshtjeve e shqetësimeve  të mëdha kombëtare ka qenë jo vetëm  e pranishme në TV Kultura Shqiptare , por ka qenë boshti dhe  strumullari i pjesës më thelbësore të emisioneve të transmetuara. Forcimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor në Shqipëri e Kosovë, zgjedhjet e lira, punësimi, rritja e mirëqenies, frenimi i emigrimit, zhvillimi i arsimit,kulturës, shëndetsisë , e lufta kundër kriminalitetit, janë trajtuar me përparësi nga vetë TV Kultura Shqiptare  (Zoti Adem Belliu) e gazetarët Dalip Greca, Marjana  Zeneli  Bulku etj  dhe personalitetet e komunitetit. Po ashtu me shume vemendje janë trajtuar edhe  problemet e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Maqedoni, në Camëri, Mal të Zi, Luginën e Preshevës etj.

Reportazhet e TV Kultura Shqiptare kanë patur  si dimension hapsinor nga NY në Kaliforni e nga Alaska në Florida. Madje kohët e fundit edhe nga gjithë trojet etnike shqiptare. Por mbledhja e informacionit në këto distance, përpunimi i të dhënave,  përgatija dhe transmetimi, kanë qenë e janë një punë voluminoze dhe shumë e lodhëshme për Zotin Adem Belliu, bashkshorten e tij Mimoza, vajzën Vera, e djalin  Gertold. Për të cilët komunitetit në këtë njëzet vjetor,  shpreh ndjenjat e konsideratës me të lartë. Kudo e kurdoherë është përdorur një fjalor i zgjedhur, gjuhë e kulturuar, larmëni shprehjesh e frazash të dialekteve te ndryshme, por pa cënuar aspak versionin zyrtar të  gjuhes  njesuar . E tashme ky TV pothuaj i ka kaluar brezit te dyte, sepse Vera Belliu pothuaj drejton nentedhjete perqind te emisioneve.

Shumë politikanë, njerëz të artit e kulturës, nxënës e student nga Shqipëria , Kosova, diaspora  dhe trevat etnike, kanë patur rastin të ftohen e ta  përdorin mikrofonin e TV Kultura Shqiptare, që  ndiesitë dhe shqetësinet e tyre t’ja përciellin komunitetit shqiptaro-amerikan e më gjërë. Kjo e ka bërë këtë TV një mik më të mirë e më të besueshëm,  të të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, krahu politik, feje  a dallimi tjetër.

Dhe së fundi, është e pa mundur që në një copëz shkrimi në përvjetorin e njëzetë të jetës së TV Kultura Shqiptare, të rroket e të vihet në dukje gjithë ajo punë kolosale që është bërë, e cila po të hidhej në letër do të ishte mijra faqesh. Pa ashtu, është dashur që organizma përfaqësues të komunitetit, në këtë përvjetor ti propozinin Presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës, dekorimin e këtij televizioni si institucion dhe të Drejtorit të tij  Zotit Adem Belliu me medalje e urdhera të nivelit të merituar. TV Kultura Shqiptare është mjet i fuqishëm i komunikimit dhe edukimit e si i tillë ka nevoje edhe per përkrahjen jo vetëm morale por edhe financiare  të biznesmenëve e organizmave të tjerë të komunitetit. Dhe më e vogla gjë që mund të bëjmë është që më  29 Tetor të marrim pjesë në mbrëmjen gala të njëzet vjetorit të tij.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, DY DEKADA TË, Tv Kultura Shqiptare

MBREMJE GALA NE MANHATTAN-20 VJET ME TV KULTURA SHQIPTARE

October 1, 2017 by dgreca

29 TETOR 2017, NE OREN 5 PM-NE SIMPHONY SPACE NE MANHATTAN TV KULTURA SHQIPTARE JU FTON NE MBREMJEN GALA KUSHTUAR TV KULTURA SHQIPTARE. ME YJET E MUZIKES SHQIPTAR./ACA flyer updated

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Tv Kultura Shqiptare

TV KULTURA SHQIPTARE, 29 TETOR-MBREMJE GALA PER 20 VJETORIN

September 16, 2017 by dgreca

1 reklama Adem

Me 29 tetor 2017, TV Albanian Culture, me rastin e 20 vjetorit të themelimit,do të organizojë një  mbrëmje Gala në Symphony Space në Manhattan.Ju, së bashku me familjet tuaja, me miqtë amerikanë e shqiptarë,mund të bëheni pjese e ketij eventi duke telefonuar në Tel: 212- 864-5400.Cmimi i biletes $40.00.Për rrugëtimin 20 vjeçar të këtij televizioni, që është bërë aq i dashur jo vetëm për shqiptarët e Amerikës, por edhe në Kanada e Europë, editori i Diellit intervistoi producentin Adem Belliu.Ndiqeni:

19-ademi ok

Gazeta “Dielli”- TV Kultura Shqiptare po mbush 20 vjet mes shqiptarëve të Amerikes. Si ndjehet producenti, krijuesi, pronari Adem Belliu?

1 Adem me Markunadem DioGuardi1 Interviste astorino1 adem7Bronx NetKeshilli i Vatres 30 gusht 1118

Adem BELLIU:- Më duket si ëndërr që Albanian CultureTV është në vigjilje të festimit të 20 vjetorit. Shpeshherë më drejtohen me tituj të ndryshëm kur flasin për të. Njerëzit që më njohin më drejtohen si producent, director, pronar i këtij TV. Këto janë disa tituj që më vishen mua si person në lidhje me këtë TV, dhe me modesti mendoj se i kam fituar me punën time në këto 20 vjet në studjot e TV Albanian Culture. Jam i vetedijshëm që kam bërë një punë kolosale në këto 20 vjet, dhe se kamerat e TV Albanian Culture TV kanë regjistruar të plotë historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.Por shpeshherë më mundon fakti për emrin që unë i kam vënë këtij televizioni para 20 vjetëve. Dhe gjithmonë i bëj pyetjen vetes “Në këto 20 vjet a e kam justifikuar punën për emrin që ky TV mbart?”

Pasi “Albanian Culture” është një emër që përmban një përgjegjësi të madhe mbarëkombëtare për ne si diasporë.

Dielli:- Si lindi ideja e hapjes së kësaj dritareje bashkuese për Shqiptarët e Amerikës? Mund të sillni detaje, nga projekti deri tek realizimi?

Përgjigje:- Familja ime emigroi në NY në Janar të 1994. Si për të gjithë emigrantët, edhe për ne fillimet ishin të vështira, jo vetëm ana ekonomike por edhe shoqërore e kulturore. Në atë periudhë çdo të djelë transmetohej 1 orë program në gjuhën shqipe i përgatitur nga studjoja “Viktoria” me pronarë vëllezërit Osmani. Me mbylljen e studjos Viktorja u krijua një boshllëk për emigrantët shqiptarë. Në këto kushte, unë mendova të vazhdoja shkollën për produksion televiziv me qëllim që të mundësoja prodhimin e një emisioni televiziv në gjuhën shqipe. Kisha dëshirë të vazhdoja traditën që bashkatdhetarët të vazhdonin të shikonin emision në gjuhën shqipe çdo të djelë pasdite.

Dielli-Trasmetimin e parë, si e kujtoni?

Përgjigje:- Deshiroja që transmetimi I parë ti përkushtohej 85 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Pasi e diskutuam në rrethin familjar, menduam që në transmetimin e parë të shfaqnim filmat Skënderbeu & Nëntori I Dytë në 28 Nëntor të 1997. Atë ditë nuk kam për ta harruar. Na dukej si ëndërr që shikonim një film shqip në stacionet televizive të Nju Jorkut.

Dielli- I kujtoni mbështetësit e parë?

Përgjigje – Gjithmonë. Për mua mbështetësit kryesorë që kanë qenë prezent në çdo kohë, kanë qenë shikuesit. Reagimin për emisionin javor unë e merrja nga të gjithë bashkatdhetarët që e ndiqnin këtë televizion në mënyrë të rregullt çdo të djelë e të mërkurë. Ata ishin pasqyra ime. I ruaj me fanatizëm mesazhet që më kanë lënë shikuesit e TV Albanian Culture në makinën e mesazheve të telefonit.

Dielli- Si kanë qenë marrëdhëniet me Komunitetin, me shoqatat, sa e kanë gjetë veten në ekran ato, dhe sa e kanë mbështetë atë?

Përgjigje:- Komuniteti ynë shquhet për një larmishmëri në drejtim të ekzistencës së shoqatave e organizatave të cilat mbështeten në pikëpamje politike apo në rrethana krahinore. Siç e thashë edhe më parë emri Albanian Culture TV ka një peshë të madhe jo vetëm për mua si producent I tij por për të gjithë ata që unë jam munduar tu shërbej. Flasim këtu për një ndjenjë mbarëkombëtare. Si busull kam thënjen e të madhit Pashko Vasa “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”. Pra, Jam munduar të mbajë një ekuilibër në komunitet, të paraqes në ekranin e TV Albanian Culture veprimtarinë e mjaft organizatave e shoqatave shqiptaro-amerikane pa dallim krahine apo pikëpamje politike. E kam parë si një detyrim që më duhet ti shërbej komunitetit tim jo vetëm për ruajtjen e kulturës kombëtare por edhe ta ndihmoj atë sadopak në integrimin në jetën e përditshme në vendin ku jetojmë.

Dielli- Keni menduar ndonjëherë se mund të tërhiqeshit, pra e keni ndjerë lodhjen?

Përgjigje:- Po, kam pasur momente që në familje kam thënë “Nuk do vazhdoj më me televizionin”, por mendoj se kanë qenë të çastit. Si çdo njeri edhe unë I bëj analizën vetëvetes, dhe mendoj se kam arritur në konkluzionin se TV Albanian Culture është një pjesë e shpirtit tim. Bashkëshortja, Mimoza, shpesh më thotë që kamera e televizionit më ka zëvendësuar trompën, dhe se TV më mban gjallë shpirtin e artit.

Nuk mund ta pranoj që televizioni më jep lodhje pasi ndjej që marr jetë dhe energji kur dal dhe filmoj një aktivitet apo intervistoj dikë në studjo apo në terren.Çdo intervistë më jep një frymëzim dhe diçka të re në jetën time të përditshme.Mosha bën të vetën jo në plakje por në rritje të eksperiencës.Këto vitet e fundit e kam organizuar punën në mënyrë të tillë që punët janë ndarë në mes të dy studjove të TV Albanian Culture në NY & Tiranë. Konkretisht editimet dhe programimi bëhen nga studjoja e TV Albanian Culture në Tiranë që më ka lehtësuar mjaft ngarkesën e punës.

Dielli- Sa e përfshirë është Familja Belliu në këtë TV? 

Përgjigje:- Pa familjen time nuk mendoj se mund ta bëja. Nuk flas vetëm për anën financiare. Për mua më e rëndësishme ka qenë suporti emocional e puna konkrete e bashëshortes Mimozës, djalit Gertoldit dhe vajzës Vera, të cilët kanë punuar vullnetarisht në përgatitjen e emisioneve të TV Albanian Culture.

Po të analizojmë ecurinë e këtij televizioni, do shikoni që ka rritje nga emisioni në emision. Dhe kjo është falë syrit kritik të familjes në radhë të parë. Në çdo ambjent shtëpiak të familjes sime, gjithmonë është menduar që duhet të kishim mobilim që do t’i përshtatej setit për filmim të emisionit. Ky ishte proritet dhe vihej si kusht nga ana ime kur kemi lëvizur në apartamente të ndryshme. Dhe së fundi kur blemë shtëpinë, u vendos që do ndërtonim studjon televizive të përhershme për TV Albanian Culture, që tashmë ka marrë formë të plotë në Nju Jork. Por s’mund të lë pa përmendur faktin se ata me mbështetën plotësisht edhe për studjon e TV Albanian Culture në Tiranë.

Dielli- Kur i shihni, tani pas 20 vitesh kronikat, programet, çfarë ndjenje provoni?

Përgjigje:– Krenari. Mendoj se kam një pasuri mjaft të madhe. Kam një pjesë të historisë së komunitetit shqiptaro-amerikan të viteve 1997-2017. Do të desha të bëja një analogji jo modeste, ta krahasoja arkivin  shumë të pasur të TV Albanian Culture për 20 vjet jetë të komunitetit shqiptar të Amerikës me arkivin e 105 vjeçar të Vatres, veçanërisht për shqiptarët e Amerikës në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore.

Kush viziton Vatren do të mësojë historinë e shqiptarëve të Amerikës dhe konsolidimin e komunitetit shqiptaro-amerikan,kush do ketë durim të shikojë arkivin e TV Albanian Culture do të mësojë se komuniteti shqiptaro-amerikan në periudhën 1997-2017 ka pasur një jetë me aktivitet të larmishëm në ruajtje të identitetit kombëtar dhe integrimit në vendin e ri.

Dielli- TV Kultura Shqiptare ka regjistruar thuajse të gjitha veprimtaritë kryesore të Komunitetit,veçanërisht të atij që jeton Trishtetshin, NY, NJ, CT, cilat do të veçonit?

Përgjigje:- Siç e thashë edhe pak më parë, unë jam munduar të mbaj një ekuilibër në punën time 20 vjeçare. Jam munduar të trajtoj çdo aktivitet me të njëjtën rëndësi. Pasi në fund të fundit çdo aktivitet është pjesë e jetës sonë të përditshme. Megjithatë po ta konsideroj TV Albanian Culture si një individ që shkon përditë në punë, por të djelën do të shkojë në dasëm dhe do të veshi rrobat më të mira, atëherë mund të them që edhe TV Albanian Culture ka patur mjaft aktivitete të cilat kanë qenë speciale në vartësi nga koha dhe tema që kanë mbuluar. Do desha të përmendja mbresat që më kanë lënë intervistat që kam marrë në Royal Regency Hotel në 1999 ushtarëve të batalionit Atllantik që do të niseshin të merrnin pjesë në luftën e Kosovës. Po ashtu do desha të përmendja, aktivitetet e organizuara nga NAAC, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerkane për nivelin e lartë të organizimit,festën dyditore të 100 Vjetorit të Vatrësetj… Lista e shoqatave është e gjatë, dhe unë nuk dua të zbuloj para kohe libretin e mbrëmjes Gala Albanian Culture Award që do të organizohet në 29 Tetor në Symphony Space në Manhattan. Shpresoj shumë që t’i shoh vatranët dhe lexuesit e Diellit në këtë mbrëmje, ku do të mësojnë në detaje përgjigjen e plotë të pyetjes suaj.

Dielli- Diçka për arkivin, që është një pasuri me vlerë, si ruhet ai dhe sa shfrytëzohet?

Përgjigje:- Arkivi është historia 20 vjeçare e komunitetit shqiptaro-amerikan për vitet 1997-2017,që përfshin valën e tretë të emigrimit të shqiptarëve në Amerikë. Për mua është thesar, “Flori kaluar floririt o Tunxh” po të përdorim shprehjen e Dhaskal Todhrit(Interpretuar prej aktorit të madh të Kinematografisë Shqiptare, Sandër Prosi) te filmi “Udha e Shkronjave”.Arkivi është i pasur,i   pazëvendësueshëm, dhe ruhet mjaft mirë në disa sisteme teknologjike.Momentalisht,me që jemi në vigjilje të festimit të 20 vjetorit kemi filluar të shfaqim pjesë nga arkivi në mënyrë të rregult në TV Albanian Culture.

Dielli- TV KULTURA SHQIPTARE-Emër domethënës, sa e pranishme është Kultura shqiptare në ekran?

Përgjigje:- Eshtë një pyetje që ia bëj vetes shpesh. Kur u vendos për emrin e këtij televizioni 20 vjet më parë, ne menduam thjesht si shqiptarë të  dalloheshim nga komunitetet e tjera.  20 vjet më parë me “Albanian Culture” unë nënkuptoja simbolet dhe integritetin kombëtar.

Por kohët ndryshojnë. Me kalimin e viteve ndryshojnë edhe qëllimet e pozicionet që merr në jetë. Kështu që momentalisht fjala “Culture” apo “Kultura” ka një kuptim më të gjerë dhe të thellë. Kultura është ruajtja e identitetit. Në Kohën e sotme kjo është mjaft e rëndësishme jo për brezin tonë, por për gjeneratën e fëmijëve tanë që në një mënyre apo tjetër po integrohen në këtë vend me hapa shumë më të shpejta se ne. Është detyra jonë si prindër, por mbi të gjitha si shqiptarë që të transmetojmë tek ata identitetin kombëtar shqiptar.

Dielli- Përveç Nju Jork-ut, ju keni edhe studion tuaj në Tiranë, ndërkohë që keni një bashkëpunim të ngushët me TV Pasqyra në Toronte. Sa ndihmojnë këto dhe si janë pritur nga teleshikuesit?

Përgjigje:- TV Albanian Culture filloi si entitet i familjes Belliu por që do ishte në shërbim të komunitetit. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të isha i suksesshëm po të punoja I vetëm. Qëllimi im për këtë TV ka qenë që të paraqisja në ekran jetën e shqiptarëve të Amerikës dhe Diasporës shqiptare në botë. TV Pasqyra në Toronto me producent Ilir Lena pasqyron jetën e shqiptarëve të Kanadasë, të cilët janë pjesë e diasporës. Studjoja e TV Albanian Culture në Tiranë përgatit emisione për aktivitete që kanë rëndësi për komunitetin shqiptar të Amerikës si dhe është përgjegjës për programimin e transmetimit të emisioneve.

Dielli- 20 Vjetori, nuk është vetëm festa e televizionit, por gjithëpërfshirëse për Komunitetin, si keni menduar për t’i  bërë pjesë të festës Shqiptarët e Amerikës, organizatat, artistët, amerikanët?

Përgjigje:- TV Albanian Culture ka 20 vjet veprimtari jo vetëm në Nju Jork por në tërësi në komunitetin shqiptar të Amerikës. Ky televizion mbanë historinë 20 vjeçare të jetës shqiptaro-amerikane për periudhën 1997-2017.Kështu që ky përvjetor është festa e komunitetit për periudhën 1997-2017.Në këto 20 vjet, ne kemi kaluar mjaft gëzime e hidhërime së bashku, dhe këto të gjitha janë regjistruar nga lentja televizive e TV Albanian Culture. Si grup organizues kemi menduar të ftojmë të gjitha organizatat e komunitetit që kanë lënë një vend të shënuar në historinë e këtyre 20 vjetëve në komunitetin shqiptaro-amerikan.Ky eveniment është konceptuar si një mbrëmje Gala,që ne e kemi quajtur Albanian Culture Award, që do të mbahet me 29 Tetor në sallën e teatrit Symphony Space në Broadway Manhattan.

       Dielli-  A mund të përcjellim detaje për lexuesit e Diellit, se si do të jetë spektakli fetsiv i 29 Tetorit, ku të kulmojë festa, programi, artistët pjesmarrës, ekipi që po punon për këtë qëllim?

Përgjigje:- Grupi i punës,i përbërë nga Vera Belliu,Andis Gjoni,Valentin Veizi, Marjana Bulku,Flora Nikolla, Pranvera Çobo & Adem Belliu mblidhet në mënyrë të rregult. Eshtë menduar që do jetë një mbrëmje me një koncert artistik, ku do të marrin pjesë artistët shqiptaro-amerikanë me banim në Amerikë, që janë pjesë e kësaj historie 20 vjeçare,do të ketë ndarje çmimesh dhe jo fjalime.

       Dielli: – Atëherë, mesazhi në pragfestë?

       Përgjigje: Bashkatdhetarë, kjo nuk është festë vetëm për TV Kultura Shqiptare, as vetëm për ekipin televiziv, as vetëm e Familjes Belliu, kjo është festa Juaj.Ejani, bëhuni pjesë e spektaklit.

     -Dielli: Faleminderit për Intervistën!

Përgjigje: Ishte kënaqësi intervista me gazetën më të vjetër të botës Shqiptare, Diellin e Vatrës. Faleminderit Juve!

Intervistoi:Dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: 20 vjet, Adem Belliu, dalip greca, Interviste, Tv Kultura Shqiptare

TV KULTURA SHQIPTARE NE NEW YORK, MES SHQIPTARËVE TË ALASKËS

September 11, 2013 by dgreca

Në Foto: Hoteli”Shqiponja”, pronë e një biznesmeni shqiptar në Alaska/

Prej një jave, Adm Belliu, pronar dhe producent i TV Kultura Shqiptare në New York, së bashku me ekipin e tij, ndodhet në Alaskën e largët mes shqiptarëve të atjeshëm. Ai do të sjellë që andej përmes kamerave jetë shqiptarësh, që jetojnë larg dhe të shkëputur nga pjesa tjetër e komunitetit shqiptar. Sipas komunikimit të deritanishëm me të, Dielli mësoi se shqiptarët e Alaskës e mirëpresin komunikimin dhe bashkëpunimin me pjesën tjetër të komunitetit.

Së shpejti do të mësojmë detaje për jetën e shqiptarëve të atjeshëm, për bizneset shqiptare, për mënyrën se si ata e përjetojnë largësinë nga komuniteti tjetër dhe nga vendlindja, si e mbajnë gjallë në familje gjuhën e bukur shqipe, traditat dhe kulturën tonë kombëtare.

Po ashtu shpresojmë edhe një fotoreportazh për gazetën DIELLI.

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Belliu, Alaska, dielli, Tv Kultura Shqiptare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT