Policia ka kapur gjallë të dyshuarin e dytë në shpërthimet e Maratonës së Bostonit, pas një operacioni që zgjati gjithë ditën e 19 prillit. I dyshuari u arrestua ne oren 8 e 45 në një lagje në periferi të Bostonit.
Policia rrethoi 19 vjeçarin Dzhokhar Tsarnaev që ishte fshehur në një barkë të parkuar në oborrin e një banese në qytezën Watertown pranë Bostonit. Sipas njoftimeve, ai është i plagosur, por nuk dihet ende se në ç’gjendje.
Banorët dolën në rrugë pas njoftimit duke brohoritur dhe duartrokitur për policinë dhe punonjësit e ekipeve të emergjencave, që filluan të largohen nga Watertown.
Policia ka identifikuar Dzhokar Tsarnaev dhe vëllain e tij të madh Tamerlan si të dyshuar në shpërthimet e së hënës gjatë Maratonës së Bostonit. Shpërthimet lanë të vrarë tre vetë dhe plagosën më shumë se 170 të tjerë. Ata u identifikuar disa orë pasi FBI-ja publikoi fotot e tyre me shpresën për të marrë ndihmë nga publiku.