Washington, 3 Nëntor 2018–Gazeta DIELLI/ Ministri Kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm z. Jeff Sessions.
Në takim e mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Ministri Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe në veçanti për sektorin e sundimit të ligjit.Ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të vazhduar në mënyrë të fuqishme dhe me efikasitet luftën kundër terrorizmit, trafikimit, narkotikëve dhe pastrimit të parave.
Ministri Tahiri ka vlerësuar se mbështetja që Departamenti i Drejtësisë është duke i dhënë Kosovës dhe veçmas sektorit të sundimit të ligjit, ka mundësuar që autoritetet kosovare të radhiten përkrah forcave më efikase në botë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, njëkohësisht duke e bërë Kosovën një strehë të pasigurt për krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve.
Ministri Tahiri ka falënderuar Prokurorin e Përgjithshëm Sessions, për ndihmën që Departamenti i Drejtësisë është duke dhënë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it si dy komponente të rëndësishme në funksion të politikave legjislative dhe programore që mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit.
SHBA-KOSOVË, USAID ndihmon Drejtësinë
Washington, 2 nëntor 2018-Gazeta DIELLI/
Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka zhvilluar një takim në Washington me Asistentin e Administratorit të Përgjithshëm të USAID-it, njëherit udhëheqës i Zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman.
Ministri Tahiri ka falënderuar z. Bierman për mbështetjen e USAID-it në avancimin e infrastrukturës ligjore si dhe ka shpalosur ndryshimet dhe reformat që janë ndërrmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e qasjes në drejtësi si dhe agjendën legjislative që ka për qëllim forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës.Ministri Tahiri ka vlerësuar lartë kontributin e USAID-it si partner i rëndësishëm për fushën e sundimit të ligjit, veçmas në avancimin e parimeve ligjore që mundësojnë një qasje të drejtë dhe të barabartë të qytetarëve në të drejtat e tyre dhe në shërbime efikase ligjore.Gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat e ndërrmarra në fushën e të drejtave pronësore, agjendën “Drejtësia 2020” si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës USAID-i është duke mbështetur në veçanti shtyllën e Drejtësisë Komerciale.
Ministri Tahiri ka mirëpritur gatishmërine e USAID-it për të vazhduar mbështetjen e mëtejme në sektorin e sundimit të ligjit përmes plotësimit dhe përmirësimit të qasjeve legjislative dhe strukturore si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale si një shtyllë e rëndësishme e drejtësisë që lehtëson të bërit biznes dhe nxit investimet e huaja në Republikën e Kosovës.Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (USAID) është duke ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë në një numër të konsiderueshëm projektesh dhe duke mundësuar zbatimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në vazhdimësi./b.j/