Nga Frank Shkreli/Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë/
Një ditë më parë kisha bërë një shkrim modest, si një reagim personal ndaj akuzave në të ashtuquajturin “studim”, “Dritëhije në histori”, me autor Auron Tare dhe botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, pronë e një grupi nga New Yorku. Në atë shkrim dje, unë thashë se nuk kishte asgjë të re sa u përket akuzave të autorit, ku i paraqet Ernest Koliqin dhe Martin Camajn si poliagjentë dhe koloaboracionistë me perëndimorët dhe jo vetëm, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Në reagimin tim dje, nënvizova se megjithëse materiali na u paraqit si i “rrallë” dhe “origjinal” nga botuesi, nuk kishte asgjë të re në dokumentacionin e Tares, pasi këto informacione diheshin dhe nuk janë mohuar kurrë nga asnjëri prej këtyre burrave të Kombit. Po çfarë hulumtimi dhe çfarë provash të “rralla” dhe “origjinale”, na sillte në atë shkrim Tare? Mbrëmë në një intervistë në programin televiziv, “Provokacija” të Mustafa Nano-s, Auron Tarja e pranoi vetë se, në të vërtetë, ai nuk ka dokumente definitive që provojnë se Martin Camaj ishte agjent i UDB-s, por ai arrin në një përfundim të tillë, bazuar në hamendje dhe në mençurinë e tij për këto gjëra. “Ti nuk ke ndonjë dokument të qartë ku thuhet se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së…”, e pyet Nano. Tare: “Po, kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi”. Në të vërtetë, edhe vetë intervista në programin “Provokacija” m’u duk sikur ishte skenuar më parë, me qëllim që të hidhej më shumë baltë edhe në ekranet e televizionit shqiptar ndaj këtyre dy shkrimtarëve të dalluar të Kombit, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Tare ç’prej fillimit e rrëmbeu programin dhe “kidnapoi” pyetjet dhe përgjigjet, për të bindur shikuesin, se ai kishte të drejtë për ato që pretendon. Ata që mund ta kenë parë intervistën duhet të kenë venë re se Tare bënte vetë pyetjet dhe përgjigjej, pastaj pyeste Nanon dhe përgjigjen e jepte vetë Tare. Por më të bukurat ishin ndërhyrjet e Tares çdo 2-3 minuta me Nano-n, “Jemi dakort?”, duke u siguruar për miratimin e Mustafa Nanos për ato që thoshte. Tare as nuk e lejonte Nanon të bënte ndonjë pyetje të arsyeshme, megjithëse Nano u përpoq disa herë që të balanconte pak intervistën ndaj deklaratave absurde, por Tare nuk i jepte atij rast, as mundësi të fliste. Një propagandë aq e fëlliqët, sa edhe neveritëse, e padenjë për një program të tillë dhe për shikuesit shqiptarë. Është e qartë se me këto pretendime, Auron Tare, ka dalë nga shinat e ushtrimit të fjalës së lirë dhe është futur në fushën e shpifjeve të pakontrolluara dhe të përhapjes së urrejtjeve midis shqiptarëve, sikur nuk kemi pasur mjaft urrejtje e shpifje midis nesh për 50-vjet komunizëm dhe 30-vjet të ashtuquajtur post-komunizëm, megjithëse kjo intervistë si dhe shkrimi, nuk kanë të sharë po ta krahasosh me periudhën e Enver Hoxhës. Shpresoj që pasardhësit e familjeve Koliqi dhe Camaj të jenë në dijeni të këtyre shpifjeve dhe denigrimeve që u bëhen të dashurve të tyre të vdekur dhe të marrin masat e nevojshme, duke i treguar Tares dhe portalit “Peisazhet e Fjalës”, derën e gjykatës. Diçka nuk është në rregull me botën shqiptare sot. Kohë më parë ishte rasti i dyshimeve për identitetin e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pastaj pikëpyetjet mbi identitetin e Nënë Terezës, tani shpifjet dhe denigrimi i shkrimtarëve të mëdhej Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Pas tyre kush e ka radhën? Fishta? Konica? Klerikë të dalluar katolikë, si individë dhe si grup? A mund të më thotë dikush se pse po ndodhin këto raste dhe kush mund të fshihet pas tyre? Pse u turren njerëzve më të dalluar të këtij Kombi, me shpifje e mundohen për t’i paraqesin në dritën më të keqe që është e mundur? Cila dorë e huaj ka gisht këtu dhe pse tani në këtë kohë? Në interes të kujt është që të përhapen shpifje dhe urrejtje midis shqiptarëve dhe pse vetë shqiptarët bëjnë punën e të huajve në këtë mes? Nuk është e rastit që sot konfliktet politike midis shqiptarëve anë e mbanë trojeve, janë në kulmin e së keqes. Quo Vadis Albania? Pse nuk del dikush t’i thotë mjaft kësaj situate? Ku është qeveria dhe organet shtetërore, ku është Akademia e Shkencave, ku është Ministria e Kulturës, ku janë të mençurit e Kombit? Ku janë shkrimtarët e dalluar dhe historianët e vërtetë të Kombit? Mos vallë ka mbetur historia e Kombit shqiptar të shkruhet dhe të interpretohet nga aparatçikët dhe nostalgjikët e një sistemi të kaluar, shpifës dhe urrejtës, madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit. Nuk del njeri që të shtrijë dorën e pajtimit, mirëkuptimit e vëllazërimit midis shqiptarëve? Kush i mbron interesat dhe identitetin kombëtar, por edhe njerëzit e dalluar që gjithë jetën e tyre ia kushtuan, pikërisht, ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare. Ndryshe nga akuzat shpifëse të Auron Tares me shokë ndaj Koliqit dhe Camajt, Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për shembullin që kanë dhënë shqiptarë si Maritin Camaj një njeri i letrave, i cili, në veprat e tij “Lëshon nji kushtrim jo luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”. Martin Camaj i bën thirrje sot Auron Tares, (i cili në të vërtetë nuk e meriton gjithë këtë vëmendje, por pasi ka dalë në ballë të shpifjeve dhe urrejtjeve edhe kundër vetë poetit e meritot këtë vëmendje negative), që “të dalë nga palci i urrejtjes” dhe të mos përhapë shqipfje dhe urrejte midis shqiptarëve:
“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
Si bima prej fare në pranverë”.
Është kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj, që duhej të rezononte midis shqiptarëve edhe sot, sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh politike, personale dhe partiake, që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën Camaj nuk do të ishte aspak i kënaqur.Është një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili ndonëse, siç dihet, regjimi komunist ia “kishte mbyllur portën” – ashtu siç shprehet Ismail Kadare për ‘të – Camaj prapë se prapë nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhe urrejtjeje dhe shpifjesh si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai në mërgim, të priste qelia e burgut ose dënime të tjera të rënda. Megjithëkëtë trajtim të keq, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë. Përkundrazi, është shprehur Kadare, Martin Camaj, “Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, -ka thënë Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn. “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, -ka shkruar Kadare. Nafakzezët e realizmit socialist dhe nostalgjikët e komunizmit të Enver Hoxhës, që shpifen sot ndaj Koliqit dhe Camajt, do të bënin mirë që të merrnin shembull nga “Shkrimtari i Lartësive”, siç e ka cilësuar Camajn, Ismail Kadareja, një person, “që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë. Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, -ka thënë Kadare. Katrahura, të cilës i referohet Kadareja, po e ndjekë të shkretin Camaj edhe në atë jetë.Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare” , siç pohon edhe “studimi” i Auron Tares –megjithëse Tare nuk është i vetëm në këtë fushatë aktuale — është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër ç’prej komunizmit. Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet sot bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrë më parë, pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetësuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”,dhe si i tillë, “Njohu mërgimin, fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”, e tjera.Me gjithë këto përvoja të këqija personale, Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin komunist dhe as ndaj atyre të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të origjinës të parëve të tij. Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi, Martin Camaj, prapë se prapë nuk ruante urrejtje as inat ndaj atij sistemi dhe as ndaj njerëzve që e mbështetën atë regjim, për pothuaj gjysmë shekulli. Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, ai kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë , ku edhe u anëtarësua në radhët e kësaj organizate që u krijua në vitin 1991. Duke komentuar pranimin e tij në atë organizatë, ai është shprehur se vlerësimi që i bëri atij Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë me atë rast, “na afron”.Në një letër dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve të Pavarur Shqiptarë në vitin 1992, Camaj u ishte drejtuar atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, me fjalët, “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, -ka shënuar Ardian Klosi në një shkrim për të, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin 1992. Në këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nëpërmjet veprave të tija, Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve, por edhe ty Auron Tare me shokët tu, për afrim, për pajtim e bashkim midis nesh, pa marrë parasysh dallimet politike ose origjina nga vijmë, nga malet e nga fushat. “Thirrja e Martin Camajt, “Afrohuni Shqiptarë”, sipas Koliqit, rrjedh nga “Fisnikërija e lashtë e malësorve, kalorësija e natyrshme që u pajisë atyre shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di mirë harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la malet tona.” Si pinjoll i atyre maleve, ka shkruar Koliqi, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”. Ne malësorët, kudo që jemi, të gjallë e të vdekur, fatkeqsisht, e kemi ndjerë me shekuj harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la Malësinë tonë dhe banorët e saj, por ama, mbi të gjitha, si individë ose si grup, të pësojmë sot në Shqipërinë e vetquajtur demokratike, shpifje dhe urrejtje nga bashkvëllëzërit tanë, të një gjuhe e të një gjaku, kjo është pafalshme dhe anti-kombëtare. Megjithëkëtë, si një bashkkombas me origjinë nga ato male të Shqipërisë nga e ka origjinën edhe Martin Camaj, bashkohem me të në fisnikërinë e lashtë të malësorëve, duke bërë thrirje, para se të jetë tepër vonë: “AVITU NJERI! AFROHUNI SHQIPTARË”! Ka ardhur koha të dilni nga palci i urrejtjes!”