
Shkruan Eugjen MERLIKA-Itali/
Fjala “reformë”, në zanafillën e saj do të thotë “të formojë sërishmi”, të ndreqë , të korigjojë, të japë një formë më të mirë, më të dobishme, më të përshtatëshme për qëllimin.
Sa i a arrin qëllimit e ashtuquajtura reformë zgjedhore shqiptare e vitit 2020, ka shumë për të rrahur mendime. Domosdoshmëria e rishbërjes së ligjit zgjedhor erdhi si pasojë e shtrembërimeve në atë sistem të sjella nga disa dukuri të përsëritura në vite, të cilat erdhën duke u majisur deri në kufijtë e mospranimit, për të mos thënë n’ata shkandullorë. Këto dukuri ranë aq shumë në sy, sa u pasqyruan edhe në shtypin evropian e tërhoqën vëmëndjen e diplomacive të huaja (SHBA dhe BE) që, fatmirësisht, e kanë vënë nën sqetulla jetën politike shqiptare, krejtësisht të paaftë të drejtojë një Vend në caqet e në standartet e një demokracie perëndimore. Që këtu rrjedh domosdoshmëria e ndërhyrjes në pikat nevralgjike të sistemit të sëmurë, me shpresën e vagët që të mund të synohet në shëndoshjen e tij që paraqet vështirësi të pakapërcyeshme pa funksionimin e një drejtësie të saktë e të shkëputur krejtësisht nga ndikimi i politikës.
Mendoj se problemi thelbësor që vihet para shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm i saj, është ai i meritokracisë, i vlerësimit dhe njohjes së meritës vetiake të secilit, i përzgjedhjes dhe përgatitjes së klasës drejtuese që, në mënyrë paradoksale, në njëzet vitet e fundit në Shqipëri paraqet një rënie të lirë përsa i përket vlerave morale e profesionale, që duhet të jenë cilësitë më parake, të cilat karakterizojnë figurën e zyrtarit të çfarëdo niveli. Megjithë përparimin e jashtzakonshëm që ka bërë kombi shqiptar n’atë drejtim, nëpërmjet shkollimit cilësor të një numuri shumë të madh të bijave e bijve tëtij në universitetet e huaja e shqiptare, përfaqësimi i tyre në organet shtetërore e partiakeështë i paqënë ose nuk është në nivelin e duhur. Dhe atëherë kur një pjesë tepër e vogël e tyre futen në rradhët e administratës, nuk shkojnë të shoshitur nga sita e përgatitjes por e partishmërisë, si dikur, kur kryeministri i kohës thonte: “Ne vemë një hu dhe i themi të na e bëjë punën, dhe ai e bën”. Me këtë mendësi në brendësi të tyre vazhdojnë të ecin mjaft nga drejtuesit e shtetit e të politikës shqiptare.
Pa hyrë në shembujt konkretë, të cilët nuk është e nevojshme të vihen në dukje, sepse janë para syve të të gjithëve çdo ditë, besoj se nga kjo dukuri duhet të nisë çdo lloj reformimi, për të cilin ka nevojë shoqëria dhe shteti shqiptar. Por sa arrin ujdia zgjedhore t’i vijë përpara kësaj pritshmërie të ngutëshme të tyre? Është e vërtetë, por tepër mjerane dhe që nuk na nderon si popull, arsyeja që vihet para ligjvënësve: të shmanget vjedhja e votës. Është me të vërtetë shqetësues skajor fakti që Shqipëria, prej tridhjetë vitesh qeveriset nga një klasë politike që nguron të verë moralitetin e jetës publike në qendër të veprimtarisë së saj, duke nxitur ngjitjen e qëndrimin për kohë biblike në të të njerëzve krejtësisht të padenjë.
Të gjithë organizmat e ngarkuar gjatë këtyre viteve me kontrollin e pasurisë së personave publikë nuk kanë kryer detyrën e tyre dhe tani pasuritë e shumë politikanëve apo e një pjese jo të vogël të aktorëve të jetës ekonomike, nuk janë në gjëndje të ligjësojnë asgjë para një kontrolli e gjykimi të paanshëm e të përpiktë. Edhe ligji i fundit për sjelljen e pasurive nga jashtë nuk më duket se shkon në drejtimin e duhur, pavarësisht nga paraqitja. Në Vendin tonë vettingu përdoret për gjykatësit dhe policët e jo për kandidatët e antarët e jetës politike. Ujdia zgjedhore, në tre vite veprimtarie nuk e ka parë t’arsyeshme të verë si një kërkesë të domosdoshme edhe filtrin e pasurisë për të gjithë ata apo ato që hyjnë në jetën politike dhe administrative të Vendit. “Reforma”nuk ka bërë asnjë ndryshim cilësor gjatë kësaj kohe dhe marrëveshja e nënëshkruar prej katër përfaqësuesve të partive kryesore mund të paraqitet si një sukses nga pikpamja politike sepse sjell në një tryezë bisedimi kundërshtarë që deri dje mohonin njëri tjetrin, por është një dështim për proçesin në vetvete, sepse nuk sjell asnjë përmirësim real të tij. Jam i bindur se mbas një viti do të jemi të pranishëm në një tjetër sagë padish e kundërpadish mbi parregullsinë e proçesit zgjedhor. Ky dështim është vulosur si sukses nga përfaqësuesit e politikës botëroreqë, siç duket, kanë përvehtësuar një thënie të hershme të kolegëve të tyre të para një shekulli: “Bon pour l’Albanie”.
Ndryshe nuk shpjegohet ngulmimi për të mbajtur në fuqi listat e mbyllura, pra votimin thjesht për partitë e jo për individët përfaqësues të tyre, dëshmi e një prirjeje gjysëm autoritare e të pandryshuar të kryetarëve të partive, të cilët duan të kenë në dorë të gjitha mjetet e mundëshme në përcaktimin e strukturave politike, për pasojë edhe administrative të shtetit, në stlin e vjetër e famëkeq, “partia mbi të gjitha”. Kjo sigurisht e lehtëson punën e tyre por vështirëson tmerrësisht demokracinë faktike. Modelet shoqërore të të tilla përftimeve shtetërore i gjejmë sot në Kinë, në Rusi, në Turqi e gjetiu.Sigurisht nuk janë ata të dëshiruarit e pjesës më të madhe të shqiptarëve.
Ndryshe nuk shpjegohet kryeneçësia për të mbajtur në këmbë një administratë zgjedhore që emërohet e funksionon në një zë me drejtuesit e partive, duke i u bindur atyre. Depolitizimi i administratës zgjedhore është hapi i parë e më i rëndësishëm i një reforme të vërtetë zgjedhore, e duhej të ishte i zbatueshëm që para një të katërt shekulli. Tridhjetë vite problematike përsa i takon zgjedhjeve janë edhe pasojë e kësaj mënyre të mbarështimit të tyre. Kundërshtarët e depolitizimit kanë më shumë besim tek vetvetja, tek njerëzit e politikës, se sa tek qytetarët e thjeshtë, të cilët në të gjithë Evropën kryejnë detyrën e numurimit të votave. N’Evropë ata janë punonjës t’administratës zgjedhore ose jo, të palidhur me politikën, që thirren në detyrë sa herë ka votime, paguhen për dy ditë sa mbaron proçesi e kthehen në punën e tyre të përditëshme. Besoj se ka ardhur koha të depolitizohet jo vetëm proçesi zgjedhor por edhe ai konceptual i shoqërisë, që duhet të dalë nga korniza shtatëdhjetepesë vjeçare e një politizimi të skajshëm. Jam i bindur se komisionet jo politike do të punojnë shumë më mirë se sa ata që, në gjithë këta vite të kalesës, kanë prodhuar një gjëndje të tillë pasigurie institucionale. Në propozimet e fundit të ekspertëvë ka elementë interesantë si këshilli juridik i caktuar me short nga KLD, që mund të përcaktojnë një ecuri më të rregullt të proçesit. Të shohim sa do të mbahen parasysh këto nga këshilli politik e Kuvendi.
Këshilli politik pati meritën sinoptike të gjejë “dakordësinë”, një neologjizëm i shpikur kohët e fundit e që nuk gjëndet n’asnjë fjalor të gjuhës shqipe, për kohën e votimeve duke i çvendosur ato nga stina e verës n’atë të pranverës apo vjeshtës, një gjë e arsyeshme dhe arsyeja mbaron me kaq. Sepse nuk mund të quhet një shpikje e shquar fakti që u vendos kontrolli biometrik i dokumentave të identifikimit të votuesve. Kjo shitet si një masë parandaluese e rrezikut që ndonjë faqezi të votojë më shumë se njëherë. Është i habitshëm ky fakt, nëse është i vërtetë, e dëshmon paaftësinë e plotë të organizmave zgjedhore, kriteri veprues i të cilëve vazhdon të mbetet në fuqi, mbasi çdo qytetar ka një qendër votimi në të cilin voton, dhe duhej t’ishte absolutisht e pamundur të shkonte e të votonte në një qendër tjetër ku nuk është i regjistruar. Nuk kuptohet se si gjatë tre dhjetëvjeçarëve qytetarët të kenë kryer të tilla shkelje të praktikës, pa u gjetur bari i shërimit të kësaj sëmundjeje, por që sot qenka zbuluar nëpërmjet kontrollit biometrik.
Një tjetër “gjenialitet” i këshillit politik dhe i pronarëve të teatrit të kukullave që qëndrojnë mbas tyre, qe marrëveshja e menjëherëshme për t’i “deleguar” këshillit zgjedhor detyrën për t’organizuar pjesëmarrjen e të mërguarve në votimet e ardhëshme. Duket se ky vendim u muar pa asnjë kundërshtim në “lavdinë” e plotë të një mendësie që vazhdon t’i quajë shqiptarët jashtë atdheut si “tradhëtarë” të tij. Ka më se pesëmbëdhjetë vite që herë pas here politikanët shqiptarë, mes të cilëve edhe kryeministri e presidenti aktual, flasin për votat e të mërguarve. Madje u organizuan në vitet e shkuara edhe dy takime me të ftuarit e qeverisë nga mërgatapër të nxjerrë në pah “ngrohtësinë” dhe “dashurinë” e shtetit amë kundrejt bijave e bijve të tij nëpër botë. Për t’i dhënë më shumëshyret kësaj dukurie të fasadës, u emërua edhe një ish kryeministër që, çuditërisht, në këto ditë nuk pipëtin fare para një përjashtimi të maskuar të të mërguarve nga mundësia e votimit prej Vëndeve në të cilët jetojnë, pa marrë mundimin e një rrugëtimi të panevojshëm për të hedhur votën në një kuti votimi në Vëndin e lindjes.
Do t’ishte në nderin e politikës shqiptare jo një veprim skuthësh, që bën sikur e njeh të drejtën e të mërguarve për të votuar në largësi, por praktikisht e pamundëson atë, por një vendim i hapur e i ligjësuar, me të gjithë udhëzimet përkatëse për të gjithë organizmat shtetërorë që duhet të jenë të zotuar në këtë proçes. Arsyeja e një sjelljeje të tillë burracake është e njohur për të gjithë ata që jetojnë jashtë dhe është pohuar e ripohuar më se një herë nga zoti Myslim Murrizi, njëri nga personazhet më të çiltër e më të guximshëm të politikës shqiptare sot.
Të mërguarit nuk kanë asnjë interes vetiak për votimet. Nëse kanë parapëlqimet e tyre politike, ato i nënështrohen vetëm e vetëm dëshirës së tyre për të parë mbarëvajtjen e përparimin e atdheut të tyre, me të cilin, së paku, brezi i parë i mërgatës është i lidhur shpirtërisht e në shumë raste është i vendosur të kthehet e të vdesë në tokën ku ka lindur. Por nëse do t’u jepet mundësia, të mërguarit mund të jenë një rezervë e dobishme për të shkundur nga letargjia vendnumuronë e politikës e, ndoshta për të dhënë shpresë për ndonjë risi politike në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit 21.
Por përtej sofizmave të parafabrikuara mbi “pamundësinë kohore” të organizimit të këtyre lloj votimeve, më duket se një shpjegim i hollësishëm e i qartë i ministrit Majko bëhet një domosdoshmëri morale e politike për të e për të gjithë ata që qeverisin Shqipërinë. U habita kur dëgjova në televizion “shpjegimet”, gjoja të shprehura me “keqardhje” nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, që shtjellonin pamundësinë e organizimit për mungesë kohe. Më sollën ndërmënd ata arsyetime një thënie të Lordit Bacon rreth katër shekuj më parë: “Hipokrizia është urtia e krokodilëve që qanin duke llupur.”E kjo thënie e urtë e filozofit anglez vlen për të gjithë aktorët e politikës shqiptare sot, përfshirë këtu edhe autoritetet më të lartë si presidenti dhe kryeministri, apo pasuesit e tyre.
Po të ishte i vërtetë vullneti për t’u dhënë bashkatdhetarëve të tyre një mundësi pjesëmarrjeje në votimet, siç e kanë shumë prej qytetarëve të mërguar në shumë Vende të botës, rruga për t’a sendërtuar thjeshtohet më së miri. Një deklaratë e hapur qeveritare, rrjedhojë e një vendimi të Kuvendit të Shqipërisë, duhej t’i ftonte të gjithëtë mërguarit që dëshirojnë të votojnë, t’i drejtojnë miratimin e tyre një organi të ngarkuar e të kapshëm on line, me të gjitha përgjigjet e nevojshme të kërkuara. Në bazë të këtyre përgjigjeve organi i ngarkuar bën kontrollin e nevojshëm në regjistrat e qëndrave zgjedhore, duke përcaktuar rregullsinë. Me mjetet e sotme të komunikimit besoj se nuk duhet më shumë se një muaj për të kryer një proçedurë të tillë duke aktvizuar personelin e nevojshëm, prandaj “keqardhjet” e rradhës dëshmojnë vetëm hipokrizinë e klasës politike që, në ndryshim nga parardhësja e saj komuniste nuk shfaq burrërinë t’i quajë dukuritë dhe objektet me emrat e tyre të vërtetë.
Duke mos ndryshuar sistemin e votimit, duke mos ligjësuar depolitizimin e organeve zgjedhore, duke mos miratuar de facto votën e të mërguarve shqiptarë ujdia zgjedhore, e trumbetuar me bujë nga shumë anë, është një marrëveshje në zbritje për të ruajtur “statu quon”, pra një dështim i plotë sa i përket të sotmes dhe t’ardhmes së Shqipërisë. Cilido që mbron të kundërtën e këtij pohimi, mendoj se nuk i bën një shërbim së vërtetës dhe as pritshmërive të ligjëshme të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.
Qershor 2020