– Thaçi u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s. Selimi takon ambasadorët e Kuintit-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Gusht 2015/ Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës po vazhdon me përgatitjet teknike dhe lobuese për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO).
Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, është takuar sot me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Kuintit në Kosovë në vazhdën e konsultimeve gjithëpërfshirëse rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO si dhe në organizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Në takim u diskutuan sfidat dhe strategjitë e përbashkëta të komunikimit, nevoja që Republika e Kosovës të vazhdojë të respektojë standardet më të larta të ruajtjes së trashëgimisë kulturore si dhe aspekte të tjera teknike të procesit të anëtarësimit.
Ambasadorët e Kuintit konfirmuan mbështetjen e tyre të plotë Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në UNESCO. Javën që shkoi zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s për t’i informuar rreth mbarëvajtjes së procesit dhe për të kërkuar votën e tyre në takimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që do të zhvillojë punimet në tetor si dhe në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor të këtij viti.
Kohë më parë, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO ndërsa do të përmbyllë aplikimin në disa organizma të tjerë të rëndësishëm multilateralë deri në fund të këtij viti.
Në 17 korrik, MPJ kosovare bënte të ditur se, Kosova sapo kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO, agjencionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë, ndërsa anëtarësimi pritet në nëntor.
Në UNESCO – Kosova , vetëm me lashtësinë e saj historike
Nga Fahri Xharra/
Jemi një popull i përçudnuar si e thot Kadareja Më therri syrin lajmi “sensacional” nga Kosova: “Diplomacia kosovare përdor shkatërrimin e xhamive në lobimin për UNESCO “ . Në rregull , edhe kjo kishte me qenë për mbrojtje të Unesco-s . Por , ju merr mendja se me kisha e xhamija e mbrojmë antikitetin dardan-ilir-shqiptar të Kosovës. Me çka krenohet e kaluara e jonë? Si po e mposhtim atë , duke e lidhur të kaluarën tonë vetëm me Krishtin e Muhamedin ? A nuk kishte asgjë më herët në Kosovë, diçka që kishte me e marur aprovimin e menjëhrshëm të trashëgimisë botërore. në Unesco.
Në dokumentin e Unesco-s shkruan “What is meant by “cultural heritage”?
The term cultural heritage encompasses several main categories of heritage:
• Cultural heritage
o Tangible cultural heritage:
movable cultural heritage (paintings, sculptures, coins, manuscripts)
immovable cultural heritage (monuments, archaeological sites, and so on)
underwater cultural heritage (shipwrecks, underwater ruins and cities)
o Intangible cultural heritage: oral traditions, performing arts, rituals
• Natural heritage: natural sites with cultural aspects such as cultural landscapes, physical, biological or geological formations
D.m. th. Çka kuptohet me trashëgimi kulturore ?
-Trashëgimi e kulturës
a. ajo që preket :
+ trashëgimi e luajtshme kulturore ( pikturat, skulpturat, monedhat. dorëshkrimet)
+ trashëgimi që nuk lëvizet ( monumentet, qendrat arkeologjike etj)+
+ trashëgimia nënujore ( rrenimet e ndryshme nënujore, mbetjet e mjeteve lundruese etj)
b. ajo që nuk preket ; tradita gojore, artet , ritet
– Trashëgimia natyrore : qendrat natyrore me aspektin e tyre kulturor, formimet biologjike,fizike dhe gjeologjike.
Një pyetje për këshilltarët e ndryshem nëpër ministri të ndryshme të Kosovës : E di që ju jeni aty sepse ministri të cilin ju e këshilloni ,nuk është e thënë që të di të gjitha, a nuk keni sëpaku ju njohuri nga trashëgimia kulturore e Kosovës? Pse ore e mbani at vend pune , pse ore na i koritni ministrant në arenën ndërkombëtare?
Lexova në shtyp“Sulmet mbi trashëgiminë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin, në të shumtën e rasteve, të kryera nga formacione të armatosura të shtetit serb. Dëmet e shkaktuara ishin të tmerrshme dhe të jashtëzakonshme – por qeveria serbe deri më tani ka refuzuar t’i njohë këto dëme, dhe ajo nuk ka ofruar asnjë kërkimfalje apo dëmshpërblim për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës. …Ndryshe, Riedlmayer ka qenë edhe ekspert i Tribunalit të Hagës në gjyqin kundër ish-kryetarit serb, Sllobodan Millosheviq, ku ka dëshmuar se Serbia qëllimisht ka shkatërruar një numër të jashtëzakonshëm xhamish, ka bërë spastrimin etnik të Kosovës, ndërsa së fundi ka punuar edhe si redaktor i një libri të botuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Bashkësia Islame e Kosovës mbi shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë. Ky libër është botuar për qëllim lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Pra edhe Millosheviqi në Tribunalin e Hagës është akuzuar edhe nga eksperti Riedelmayer ku ka dëshmuar se Serbia qëllimisht ka shkatërruar një numër të jashtëzakonshëm xhamish … dhe na ka “shembur identitetin tonë historik” Edhe një autogol shqiptare e Kosovës , që e vërteton thënjën
e Millosheviqit që ajo ishte një luftë fetare ????????
Unesco-s kishte për t`i interesuar :
– Plisi Qeleshja apo Plisi është simbol dhe mbulesë tradicionale e kokës ndër shqiptarët. Plisi shpesh kapele qe shpesh here cilesohet si me e veqanta, pasi qe ajo perdoret vetem ne trojet shqipetare Plisi thirrët “pilleus” ne gjuhën latinen apo “pilos” në atë greke, ka formën e nje vesë te qame ne mes, duke rikujtuar në atë menyrë lindjën e njeriut (i dalur nga një ve).
U pafshim herave tjera !
Fahri Xharra, 22.07.15 Gjakovë
Kosova, veç UNESCO-s do të aplikojë për anëtarësim edhe në shumë organizata të tjera
-Selimi për “Danas”: “Ne do të kërkojnë anëtarësimin edhe në organizata të tjera”/
Nga Behlul Jashari/ Prishtinë, 23 korrik 2015 – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka dhënë një intervistë për të përditshmen beogradaase “Danas”, ku është shprehur se “ne jemi të vetëdijshëm se, veç UNESCO-s, Kosova do të aplikojë për anëtarësim edhe në shumë organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Më poshtë po ua sjellim përmbajtjen e plotë:
Kosova është njohur nga 111 shtete anëtare të UNESCO-s. Shumë shtete të tjera mosnjohëse gjithashtu votojnë për Kosovën në organizata multilateral, siç bënë për anëtarësimin e saj në FMB dhe Bankën Botërore. Ne e kemi vërtetuar këtë gjashtë muaj më parë, kur aplikuan për statusin e vëzhguesit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Pavarësisht reagimeve histerike dhe të trishtuara të diplomatëve serbë që u përpoqën për të bllokuar Kosovën në Senegal, të gjithë anëtarët vendosën me konsensus të pranojnë Kosovën.
Ishte një rrëfim i ngjashëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kjo është një betejë e vështirë, por është shqetësues fakti që Serbia po lufton për të mbajtur Kosovën të izoluar. Politikat përmes së cilave synohet izolimi i kosovarëve janë politika që kanë dështuar në të shkuarën dhe madje kontraproduktive për vet Serbinë. Kështu, Serbia do të jetë ajo që do të humbasë sërisht, thotë Petrit Selimi, zëvendësshef i diplomacisë së Kosovës në një intervistë për “Danas”, përkitazi me synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Danas: Pse është Prishtina e sigurt së, këtë vjeshtë, votimi do të jetë në favor të Kosovës në bordin ekzekutim dhe konferencën e përgjithshme të UNESCO-s?
PS: Kemi punuar me shumë maturi në bashkërendim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe gjithmonë duke vlerësuar momentin optimal për të aplikuar. Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, ne qysh në janar kishim vendosur për të aplikuar tani kështu që kërkesa jonë të mund të trajtohet në mbledhjen e nëntorit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s. Siç theksoi zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, javën e kaluar, mbi 130 delegacione janë angazhuar dhe ne kemi caktuar takime me 20 të tjera gjatë këtij muaji kështu që pasi që të vërtetojmë disponimin dhe interesimin e delegacioneve kombëtare, besojmë se Kosova përfundimisht do të ketë një shans shumë të mire për t’u bërë anëtare e re e UNESCO-s pikërisht në përvjetorin jubilar të kësaj organizate. UNESCO do të kremtojë 70-vjetorin e ekzistencës së saj këtë vit dhe Kosova do të jetë një dhuratë e bukur për ditëlindjen e saj. Është një betejë e vështirë, por interesi ynë shtetëror është që kosovarët të kenë mundësi të barabartë, instrumente të njëjta për zhvillim dhe të njëjtën pozitë si të gjithë popujt e tjerë në Ballkan.
Danas: Cila është përgjigja e Prishtinës në pyetjen e bërë nga ana e Serbisë se si do të mbrohen monumentet historike dhe fetare në Kosovë nga ata që i kanë shkatërruar ato sistematikisht nën protektoratin e OKB-së – qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka dënuar shkatërrimin e kishave – mbi 150 sosh, shumica e të cilave janë mesjetare?
PS: Para se gjithash, është një gënjeshtër e pështirë të thuhet se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk e ka dënuar shkatërrimin e disa objekteve kishtare. Në të vërtetë, Qeveria e Kosovës ka ndarë miliona euro për të riparuar ato pas trazirave të marsit të vitit 2004. Sot, është Policia e Kosovës që ruan 95% të të gjitha pronave të Kishës Ortodokse Serbe dhe ato po vizitohen në siguri të plotë nga turistë nga e gjithë bota.
Së dyti, qeveria e vetme në Ballkan e cila është angazhuar në shkatërrimin sistematik dhe të organizuar nga shteti të trashëgimisë fetare është qeveria dhe ushtria e Serbisë, siç u dëshmua pas shumë vendimeve të Tribunalit Ndërkombëtar në Hagë. Ushtria dhe policia serbe shkatërruan plotësisht mbi 300 xhami, duke përfshirë edhe xhaminë e Çarshisë së vitit 1761, Xhaminë e Halil Efendisë së vitit 1526, teqet bektashiane në Gjakovë të vitit 1790, e kështu me radhë. Andaj, është jashtëzakonisht cinike dhe e pështirë të dëgjosh Gjuriqin apo Daçiqin duke folur për shkatërrimin e pronës fetare.
Danas: Atëherë, pse Këshilli i Evropës këmbëngulë se kishte ndarë mjete financiare për riparimin e objekteve të shenjta ortodokse serbe të shkatërruara në trazirat e marsit, gjë që i ishte bartur Qeverisë së Kosovës, që përbënte një formulë të dakorduar më 2005 nga Kisha Ortodokse Serbe e cila nënshkroi një memorandum mirëkuptimi për riparimin e kishave dhe manastire të shkatërruara ortodokse serbe?
PS: Nuk mendoj se Këshilli i Evropës është duke thënë një gjë të tillë. Ne kemi komunikim në baza ditore me Këshillin e Evropës. Dihet se qeveria e Kosovës i ka ndarë 5 milionë euro për riparimin e kishave. Duhet theksuar se synimin ynë për anëtarësimin në UNESCO nuk ka për qëllim provokimin e Kishës Ortodokse Serbe, apo për të pretenduar se trashëgimia ëshët shqiptare, por për të mundësuar zhvillimin e Kosovës në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës. Trashëgimia përbën një pjesë të vogvl të punës së UNESCO-s. E kuptojmë se trashëgimia është një çështje e rëndësishme dhe objektet mesjetare në Kosovë që janë në listen e Trashëgimisë së UNESCO-s do të jenë gjithmonë pronë e Kishës Ortodokse Serbe. Plani i Ahtisaari-t dhe Kushtetuta e Kosovën sigurojnë një mbrojtje të rëndësishme kushtetuese për Kishën Ortodokse Serbe. Peshkopi Teodosije, Ati Save dhe shumë klerikë të tjerë të kishës në Kosovë mbeten mbështetës të pajtimit dhe ne duhet të ruajmë miqësinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Deklaratat e qeverisë serbe lidhur me aplikimin e Kosovës për në UNESCO nuk janë mënyrë e duhur për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të kërkojë një përpjekje të madhe nga diplomacia e Kosovës, por është një betejë që do ta fitojmë sepse përpjekjet tona nuk kanë të bëjnë me politikë por për synojnë që t’u mundësojnë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare apo etnike, që të kenë qasje në standardet dhe mekanizmat më të lartë ndërkombëtare në fusha të rëndësishme të zhvillimit njerëzor.
Nganjëherë mendoj se qeveria serbe ka filluar të besojë në propagandën e saj të rreme. Kosova tashmë është anëtare e dy agjencive të OKB-së të “sistemit Bretton Ëoods”, përkatësisht Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Po ashtu, në shtator 2010, pasi që Vuk Jeremiç u detyroi të heq dorë nga propozimi i tij për bisedime të mëtutjeshme për statusin, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi mbi një rezolutëtë sponsorizuar nga Bashkimi Evropian përmes së cilës u pranua opinion i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur Rezolutën 1244 apo çfarëdo ligji të aplikueshëm ndërkombëtar, dhe ky hap mbylli, njëherë e përgjithmonë, çdo diskutim në lidhje me statusin e Kosovën. Kosova dhe Serbia tani po bisedojnë në Bruksel se si t’i normalizojnë marrëdhëniet si dy shtete të pavarura. Si rrjedhojë, aplikimi ynë për anëtarësim në UNESCO nuk përbën asnjë zhvillim befasues, zhvillim i cili do të shoqërohet me aplikim në shumë organizata të tjera.
Kosova aplikon për UNESCO, anëtarësimi pritet në nëntor
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Korrik 2015/- Kosova aplikon për anëtarësim në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNESCO, anëtarësimi pritet në nëntor.
“Sapo aplikuam për anëtarësi në UNESCO, agjencionin e OKB për arsim, shkencë dhe kulturë”, bën të ditur zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s që kemi zhvilluar vetëm këtë vit”, thekson ai.
“Është ky një hap që fuqimisht zgjëron interaksionin tonë global”, vlerëson kreu i qeverisë së Kosovës.
“Presim që në nëntor të hyjmë në këtë organizatë shumë të rëndësishme”, është paralajmërimi i kryediplomatit kosovar, Thaçi.
Ndërsa, më pas kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se sot ishte njoftovar nga Ministria e Punëve të Jashtme se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO.
“Përgëzoj ministrin e Jashtëm, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një punë të madhe dhe me përkushtim”, është shprehur ai.
“Në takime me liderë evropianë dhe botërorë kam marrë zotime se Kosova do të përkrahet fuqishëm në këtë proces. Jemi zotuar, po ashtu , se edhe ne do të përmbushim detyrimet tona ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ky është një zhvillim i rëndësishëm diplomatik për Kosovën”, thekson Mustafa.
Kosova, shteti më i ri evropian, me pavarësinë e shpallur para shtatë vitësh, në 17 shkurtin historik 2008, deri tash është njohur nga mëse 110 vende anëtare të OKB-së.