• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aristidh Kola për Vallen Çame

March 27, 2017 by dgreca

3.BNga Arben LLALLA/

Pata fatin të bashkëpunoj ngushtë me Aristidh Kolën, por dhe krenarinë që ai më besoi pak ditë para se të vdiste një arkiv të tërë me libra, revista dhe gazeta për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të Greqisë.“Arvanitasit dh

I ndjeri Aristidh Kola ka qenë njëri nga intelektualët e mëdhenj të shekullit XX që ka bërë një punë të lëvdueshme për të dalë në dritë heroizmi, kultura dhe traditat e shqiptarëve të Greqisë, të cilët herë i quajnë arvanitas e herë allvani. Ai ka shkruar disa libra, por libri më i njohur dhe i suksesshëm është: “Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve” (Αρβανιτεσ και η Καταγωγη των Ελληνων), i cili u botua për herë të parë më 1983 dhe është ribotuar mbi 15 herë të tjera deri sa vdiq autori në tetor 2000. Ndër shumë tema historike, kulturore dhe mendimeve Kola na sjellë dhe mendimet e tij rreth Valles Çame, të cilat kemi zgjedhur t’i botojmë sot për lexuesin e 27.al. Në këtë studim Aristidh Kola shkruan për të vërtetën e kësaj valle, ku ngre lart krijimin popullor të Valles Çame, e cila kërcehet sot edhe nga grekët. Ai na sjell faktin se piktura e piktorit gjerman Peter fon Ess-it (Peter von Hess (1792-1871), shën. A.Ll.), ku na paraqet trimat e Kollokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare. Ky është një dëshmi që vërteton se traditat, zakonet dhe veshja kombëtare shqiptare në veçanti të atyre të Epirit është përvetësuar pa të drejtë nga grekët e Greqisë së Re.Vallja Came (Peter von Hess (1792-1871,

Aristidh Kola, në vitin ku ka shkruar librin 1980 që flet edhe për Vallen Çame shpreh indinjatën e tij për keqinformimin e studiuesve për këtë valle, deformimin e saj historik, krijues dhe interpretues, duke i quajtur këta studiues injorantë. Kola kritikon ashpër studiuesit grekë, të cilët qëllimisht me fantazinë e tyre e quajnë Vallen Çame si valle vllehe, por vllehët nuk kanë lidhje as me Vallen Çame e as me fustanellën. Kuptohet që kritika e Aristidh Kolës bëhet në kohën kur çamët kishin rreth 35 vjet që ishin përzënë me genocid nga Çamëria dhe Shqipëria ishte një vend i izoluar në diktaturën e komunizmit, ku televizioni dhe gazetat tona, pothuajse nuk na informonin rreth të vërtetave të shqiptarëve në Greqi e më gjerë. Në këtë studim Aristidh Kola tregohet një studiues profesionit dhe një avokat mbrojtës i Valles Çame e kulturës shqiptare në përgjithësi. 

Vallja Çame

Nga Aristidh Kola/

Vallja Çame është vallja më përfaqësuese e fisit Arvanit (shqiptarëve të Greqisë, shën. A.Ll.). Është një valle që pasqyron shpirtin shqiptar. Si tregon dhe fjala kjo vjen nga çamët. Nëse analizojmë Vallen Çame do të na japë dhe karakterin e popullit krijues. Guxoj të them që analiza e valleve popullore vështirë të bëhet saktë nga të huajt, por dhe mësimi i saj në raste të tilla do të ishte i gabuar.

Fatkeqësisht vallja e vetme dhe e papërsëritshme çame ka rënë në duar “të paligjshme” dhe prezantohet krejt e panjohshme nga kinemaja, qendrat e ndryshme dhe televizori. Ata njerëz që kanë marrë në duar Vallen Çame, prej disa kohësh tanimë me sa duket qartësisht as arvanitasit nuk janë dhe as idenë s’ia kanë ç’lloj valleje është Vallja Çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame, të cilën e shohin arvanitasit e qeshin. E quajnë “shkollore”, sepse mësuesit që dërgoheshin në fshatrat arvanitase pa ditur gjë prej gjëje përpiqeshin t’i mësonin Vallen Çame popullit që e krijoi atë dhe përfundimi ishte disi qesharak.

Ata që merren me vallen kombëtare nuk duhet të punojnë me fantazinë e tyre në mënyrë që të paraqesin vallet, sepse në këtë rast në mënyrë disi paradoksale, fantazia dëmton shumë. Këtu nevojitet njohje dhe studim i përqendruar, fillimisht dhe kryesisht i popullit që krijoi këtë valle, të cilën duhet të paraqesim. Guxoj të them se njohja dhe studimi nuk mjaftojnë, nëse pikëpamjet e tua bien në kundërshtim me atë të popullit të caktuar që studiohet. Kështu e shohim Vallen Çame që vetëm e tillë nuk duket dhe mirë do të ishte që të interesuarit të marrin kamerat dhe të shkojnë në fshatrat arvanitase, në dasmat dhe festat e tyre, ta flasin dhe ta bisedojnë Vallen Çame në vendet, ku kërcehet. Shumë njerëz kujtojnë se Vallja Çame është vllahe dhe se atje duhet ta kërkojnë. Por, vllehët nuk kanë asnjë lidhje me Vallen Çame, ashtu si nuk kanë me fustanellën. Por, kjo pikëpamje e gabuar krijohet, sepse athinasit dhe aziatikët e vegjël, të gjithë joathinasit i emërtojnë vllehë…

Vallja Çame ka levendëri, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike, por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja Çame është valle triumfale. Dyshoj, nëse mund të ketë një të dytë në botë.

Vallja Çame përmbledh me lëvizje, bukurinë, levendërinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimit të parë, sepse duhet theksuar këtu se Vallen Çame nuk e kërcejnë të gjithë, por vetëm kërcimtari i parë. I dyti “e mban mirë” dhe është me të vërtetë e vështirë të “mbash drejtë” e mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij. Sigurisht nuk kemi parë asnjëherë në kinema apo televizor një Valle Çame të kërcyer drejtë, por as Valle Çame që të kërcehet nga grua. Si thamë është valle triumfale dhe zakonisht kërcehet nga burrat, por është me të vërtetë e mrekullueshme të shihni një kërcim të këtillë nga vashë arvanitase të krahinës sime.

Pra, Vallja Çame është një valle triumfale, fitimtare. Kërcehet pas betejës, por dhe përpara apo gjatë armëpushimit dhe na është e njohur në piktura e Ess-it (Peter von Hess (1792-1871, shën. A.Ll.), piktor gjerman që paraqet trimat e Kolokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare.

Ndoshta është vallja e vetme joerotike, megjithëse dhe elementët erotike kalojnë brenda shfaqes së levendërisë, bukurisë dhe aftësisë së kërcimtarit të parë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, ARISTIDH KOLA, Vallja Came

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT