• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maria Tuci, Vasha me palmën e martires

March 7, 2014 by dgreca

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, stigmatinja Maria Tuci/

Rishtarja stigmatine Maria Tuci (Rrëshen-Mirditë, 12. 03.1928-Shkodër, 24. 09. 1950): u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e Martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme. Sot, dita e tretë e Kreshmëve, prag i 8 Marsit, kur gratë përgatiten për të kremtuar festën e tyre, duke kujtuar një mori luftëtaresh, nga të gjitha fushat e jetës, që bënë sa e më shumë se burrat, ne menduam të kujtojmë Vashën Martire, që përballoi një burrë mizor, në emër të një Zoti! Duke ardhur nga prova e madhe, mes nesh, e papërlyer.

Vasha me palmën e martires
Kush ka lexuar veprën Gjauri të Bajronit, nuk mund të mos e kujtojë fundin e tmerrshëm, që turku Hasan zgjodhi për gruan e vet të pabesë, Lejlanë. E ngujoi në një thes, me një maçok të egër. E, si ia mbylli mirë e mirë grykën, e flaku në det. Lexuesit të kohëve tona, ky fund romantik i duket ose ireal, ose një nga ato mizoritë e neveritshme, fryt i fantazisë tepër të begatë orientale, kur është fjala për të sajuar tortura të reja.
E gati-gati nuk e beson se ngjarja e përshkruar nga Bajroni, në sfondin e grykave të egra të Greqisë, do të përsëritej edhe më egërsisht në ndërtesën e degës së punëve të brendshme në Shkodër, ku dikur ishte Kolegja françeskane, e sot është streha e Klariseve të klauzurës. Jo pse oficerët e degës e kishin lexuar Bajronin. Ata, të zënë siç ishin me krijimin e njeriut të ri, nuk kishin nevojë për kurrfarë leximi. Kur vinte puna për të kryer krime të shëmtuara, bëheshin sakaq autorë kryeveprash krejtësisht origjinale. Duke arritur deri aty, sa të gatuanin nga njerëzit e zakonshëm zvaranikë. Ose shenjtorë!
Kur përmendim fjalën ‘shenjt’, jemi mësuar të përfytyrojmë një figure, një pikturë, një ikonë, një shtatore. A një njeri të jashtëzakonshëm, të paarritshëm, gati-gati qiellor! Ne, shqiptarët, që për 50 vjet prekëm fundin e ferrit, në një vend ku fjala shenjt ishte krim e shenjtërimi kalonte nëpër Udhën e Kryqit, na duket çudi kur mendojmë se shenjtorët ishin e janë mes nesh. Se shenjtorë pati e ka edhe në Shqipëri. Se komunizmi, në vend që t’i zhdukte aradhet e shenjtorëve, u shtoi edhe disa emra shqiptarësh. Një prej tyre është edhe Maria Markatuci, rishtarja stigmatine 18 vjeçare, që e pagoi me gjak përkushtimin ndaj Jezu Krishtit dhe hijeshinë e rrallë, dhanti e Dhëndrrit Hyjnor.
Maria ishte shtatgjatë, hollake, fytyrëmbël, me sy të kaltër, të mëdhenj, të mirë. Ballin e lartë, të bardhë, ia kurorëzonin flokët e dendur, të butë, të ndritshëm, që i derdhshin valë-valë mbi supe, deri në përmjetin e hollë, delikat.
Po ta kishte parë Mikelanxhelo, Leonardo ose Rafaeli, do ta kishin marrë si model për Madonat e tyre.
Po, për rrezik të saj, e pa kryesigurimsi i asokohshëm, emri i të cilit ishte sinonim i zvetënimit. E, natyrisht, duke shfrytëzuar faktin se vasha ishte probandë e filiz i ri i fisit të lashtë të Gjomarkajve (pra dy herë kriminele), e arrestoi. Jo pse i vinte për doresh piktura. Pashai i kuq kishte një prirje krejt tjetër: kur vashat shkodrane, që i zgjidhte për ‘haremin’ e tij nuk e kapëcenin vullnetarisht atë prag, e kapërcenin të ngarkuara me pranga. Ashtu si Maria! Vajza kundërshtoi. Premtimet nuk e joshën e torturat s’e thyen. Sa herë e morën në pyetje, pati guximin e jashtëzakonshëm, në atë mjedis bishash, të përgjigjej vetëm me Fjalët e Dhëndrit Hyjnor.
Kryesigurimsi, që dridhte Shkodrën, u drodh para probandës së vogël stigmatine. E e u betua se do ta dërmonte aq, sa të mos e njihte më as e ëma, që i kish bërë kokën. I sigurt se Vasha do të pranonte më mirë të shëmtonte shpirtin, sesa korpin. Në qelitë e sigurimit u vunë ballë për ballë krimineli- e Zoti.
Maria u bëri ballë torturave, deri sa u dërmua aq, sa nuk e njohën më as shoqet e qelisë. Ndërmjet tyre, probanda korçare, Gjorgjina Bulgareci, që do të dëshmonte, më pas, për atë që ndodhi në qelitë e sigurimit, ku sot luten e kundrojnë Klariset e klauzurës. Kryesigurimsi e mbajti fjalën. Por, duke mos u kënaqur me këtë vepër, sajoi, më tej, edhe kryeveprën e krimeve të tij. Ndonëse nuk ia kishte dëgjuar kurrë emrin Gjaurit, e as Bajronit.
Ishte viti 1947. Ngjarja ndodh në Qytetin e Shkodrës. Në Ballkan. Në Evropë. Në Kontinentin, që bënte sehir si kthehej, në një skutë të trojeve të tij, koha e Neronit, e amfiteatrove. Arena, tejet të përshtatshme për zbatimin e marksizmit në praktikë. E për fundin e Marisë. Vashën, kthyer në skelet, e mbyllën picak në një thes, së bashku me një maçok të egër. Si Lejlanë, në poemën ekzotike të Bajronit. Po nuk e hodhën në liqen. Tepër e lehtë, një vdekje e tillë. U dëfryen duke i rënë me shkop thesit, derisa u kthye në një masë gjaku të mpiksur.
Marjeta, Maria Goretti shqiptare, ishte vetëm 18 vjeçe kur u arrestua. 22 vjeçe, kur u shua, duke e falur me gjithë zemër atë, që i kishte dhuruar Palmën e Martires. E kaloi provën e madhe, për të na lënë trashëgim aromën e mrekullueshme të jetës së saj të papërlyer.
Jo shumë kohë pas saj, kryesigurimsi do ta mbyllte jetën me një fund misterioz, në një vend ku diktatori, ulur mbi fronin e Shqipërisë, i hante njëlloj ‘bij’ e ‘thjeshtër’.
Tani, kur kanë kaluar kaq vjet, kur Vasha është kandidate për nderimet e elterit, e kryesigurimasi është harruar, mund t’i vlerësojmë më mirë këto dy vdekje. E, duke vlerësuar vdekjet, vlerësojmë edhe jetët e dy krijesave. Maria ishte krijesë e Fesë në Krishtin. Një vajzë si ajo, do të kishte qëndruar si martirët e kohëve të para, edhe në amfiteatrot e perandorëve romakë, armiq të krishterimit. Po ndoshta jeta e të krishterëve të atyre kohëve tragjike ishte më e lehtë, sesa jeta e martirëve modernë, salvuar në koloseun e komunizmit shqiptar!(Radio Vatikani)

Filed Under: ESSE Tagged With: e martires, Maria Tuci, Vasha me palmën

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT