• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRKUJTOHEN NË TIRANË JOSIF DHE VASIL PANI

September 9, 2016 by dgreca

Përurohet libri kushtuar këtyre atdhetarëve “At e bir për mëmëdhënë”./

2-flet-koleci-ok

3-librat

Nga KOLEC TRABOINI/

Përurimi i një libri u bë shkas që në Muzeun Historik Kombëtar të mblidhen dardharë e devollitë, por edhe shkrimtarë e artistë për të përkujtuar dy nga figurat më të rëndësishme të Komunitetit shqiptar të Amerikës, veprimtarëve e drejtues të Shoqatës “Vatra” Josif e Vasil Pani. Libri është shkruar nga i biri i Vasil Panit, Sotiri, i cili jeton në Boston të Amerikës, pikërisht atje ku e kanë zhvilluar veprimtarinë atdhetare babai dhe gjyshi i tij. Veprimtarinë e hapi Kolec Traboini, i cili është kujdesur për botimin e librit. Ai theksoi se përtej përurimit kemi përkujtimin e këtyre dy figurave që nuk kursyen asgjë për çështjen kombëtare dhe meritojnë nderim e respekt nga të gjitha brezat që do të vijnë. Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm Fjalën kryesore e mbajti Prof. Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues, i cili e njeh më mirë se kushdo veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës dhe ka botuar veprën voluminoze për jetën, veprimtarinë e krijimtarinë e Fan Nolit. Megjithëse e kam njohur veprimtarinë e Josif Panit, për mua tha Profesor N. Jorgaqi, ky libër është një vlerë e veçantë, sepse sillen kujtimet familjare gërshetuar aq mirë me dokumente të shumta dhe origjinale. Mund të thosha, theksoi shkrimtari Nasho Jorgaqi, se ky libër ka ardhur në kohën e duhur, madje  historia e komunitetit shqiptar të Amerikës do të ishte i mangët pa këtë libër për Josif e Vasil Panin. Në vazhdim ai solli fakte nga jeta e Josif Panit këtij njeri punëtor por të pasionuar që bënte njëkohësisht edhe punën e botuesit dhe të gazetarit. Ai ishte ndër veprimtarët e parë, u njoh e bashkëpunoi me atdhetarin e madh Sotir Peci, ishte edhe mik i ngushte e  besnik i Faik Konicës. E çuditshme por e vërtetë, vuri në dukje Profesor Nasho Jorgaqi, se Josif Pani ishte një njeri me ide të majta socialdemokrate,  ndërkohë që dihet se Faik Konica ishte i djathtë madje konservator, e megjithatë ishin miq shumë të ngushtë e kurrë nuk u prishën me njeri-tjetrin,  sepse të dy ishin atdhetar të mëdhenj dhe punonin me përkushtim për kombin. Ne vazhdim ai foli edhe për Vasil Panin, vazhdimësinë e ndritur të Josif Panit që Noli i madh e karakterizon atdhetar e bujar i madh e me shpirt të mirë. Vasil Pani ishte zgjedhur kryetar i “Vatrës” më shumë se asnjë njeri tjetër, në tre periudhat më të vështira të cilat i përballoi aq mirë sa siç thoshte Noli po të mos që Vasil Pani shoqata “Vatra” do të kishte pushuar së qeni prej kohësh. U sollën përshëndetjet e shoqatës “Devolli” dega Amerikë për kontributin e autorit të librit Sotir Pani i cili, u tha,  vazhdon veprën e babait e gjyshit të vet. Këtë botim shoqata e vlerëson një vlerë e shtuar në veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës. Letërsia jonë dokumentare sot ka një vepër tjetër të re, tha në fjalën e tij Prof. Musa Kraja duke e përgëzuar autorin dhe duke vlerësuar dy figurat kombetare Josif e Vasil Pani, të cilët qëndrojnë krahas atdhetarëve të mëdhenj të periudhës së Pavarësisë e me pas. E mori fjalën edhe Novrus Shtylla duke çmuar veprimtarinë e palodhur të Sotir Panit si vazhdues i denjë i babait dhe gjyshit të vet. Nga Bostoni një grup emigrantesh shqiptare, Fuat Memelli, Jani Plasa, Kiço Çeku dhe Kostandin Mosko i dërguan një përshëndetje, të cilën e lexoi Kolec Traboini. “Çdo 28 Nëntor, te shtëpia e Sotir Panit në Dardhë, është ngritur flamuri shqiptar, ndërsa me ardhjen në Amerikë, ngrihet te shtëpia e tij këtu në Boston. Siç ka thënë Fan Noli, ne mërgimtarët, vetëm degët kemi në dhera të huaja, ndërsa rrënjët i kemi në atdheun tonë.” – thuhej ndër të tjera në letrën e emigranteve shqiptarë nga Amerika. Të pranishmit i përshëndeti autori i librit “At e bir për mëmëdhenë” Sotir Pani, i cili theksoi se e ndjente për obligim të sillte kujtimet e dokumentat që me durim i kishte mbledhur, se pari për rrethin familjar, por kur e pa se dorëshkrimi kishte marrë një formë të plotë vendosi ti botojë. Ai falënderoi të pranishmit, shtëpinë botuese “Emal” dhe Muzeun Historik Kombëtar për ketë organizim që është një nderim dhe përkujtim për Josif e Vasil Panin që tërë ja kushtuan Atdheut. Po kush kanë qenë Josif e Vasil Pani: Nga fundi i shekullit 19-të i riu nga Dardha e Korçës Josif Ligor Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkojë emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët e parë e më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”.  Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani.  Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare  do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar:“Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.” Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet. Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar:“Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut  si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.” Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës. Por u zgjodh dhe dy herë të tjera.  Vdiq papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura nga shqiptarët e Amerikës për këtë humbje të madhe janë me të vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në Amerikë,  ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët:  “Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmë….

6-edhe-nasho

2-koleci-me-sotir-panin

5-cibukuok

2-i-biriLAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR/

“At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i m LAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR “At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij, libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Kolec Traboini u shpreh se, “Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm”. Gjatë ceremonisë së promovimit folen dhe prof. Nasho Jorgaqi si dhe Prof. Musa Kraja.

*Falenderojme shkrimtarin Kolec Traboini, qe e ndau kete ngjarje me lexuesit e Diellit

 

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Kolec Traboini, perkujtohet, Vasil Pani, Vatra

VASIL PANI, NE KRYE TE TABORIT TE SHQIPTARIZMES

May 13, 2015 by dgreca

Në kujtim të 120-vjetorit të lindjes të atdhetarit të shquar dhe kryetarit të VATRËS për shumë vite, VASIL PANIT/
“Vasil Pani ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.- Fan Noli/
Nga Anton Çefa*/
Vasil Pani u lind në vitin 1895 në fshatin Dardhë të Korçës në një familje të fisnikëruar nga shqiptarizma e shenjtë e Rilindjes sonë kombëtare. Si shumë dardharë të tjerë, edhe Vasili me babanë e tij, patriotin Josif Pani, për arsye ekonomike emigruan në SHBA. Atëherë Vasili porsa kishte shkelur në të dymbëdhjetat. Qe tamam viti 1907, kur në saje të përpjekjeve të përfaqësuesve të mëdhenj të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare të dhjetëvjetëshit të parë të këtij shekulli, dardharit Sotir Peci, mësuesit martir Petro Nini Luarasi dhe kolosit Fan Noli, u themelua shoqëria “Besa – Besë” në Boston. Bashkë me dardharë të tjerë, në krah të kësaj tresheje madhore u vu edhe babai i Vasilit, Josifi, për të mos iu ndarë asnjëherë veprimtarisë patriotike, së cilës ai iu përkushtua jo vetëm si një emigrant i thjeshtë, por edhe si një intelektual i përgatitur.
Nën drejtimin e Josif Panit, nga shtatori i vitit 1917 deri në mars të 1918-s, në Worcester Mass., doli gazeta e përdyjavshmë politike e shoqërore “Sazani” në shqip dhe anglisht, e cila bëri një propagandë të gjerë për çështjen kombëtare, dhe i shërbeu bashkimit të shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës Panshqiptare Vatra. Vetë titulli i gazetës është aqkuptimplotë: Sazani, ishulli më i madh shqiptar, është një nga viset tona që ka bartur më shumë peshën e rëndë të robërisë së huaj. Ai ka qenë i pushtuar nga venedikasit, turqit, anglezët, grekët, italianët dhe gjermanët.
Kur në vitin 1911, ende pa u formuar VATRA, shoqata “Besa-Besën” hapi një fushatë për të ndihmuar Shkollën Normale të Elbasanit, Vasili 15-vjeçar dhuroi një dollar, të mbledhur pak nga pak me kujdesin fëminor, duke dëshmuar zjarrin atdhetar që i ndizej në gji dhe ndjenjën e fuqishme të dashurisë për arsimimin e breznive të reja shqiptare.
Në vitet 1912-1914, bashkë me disa të rinj emigrantë, Vasili shkoi në Shqipëri për të luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut, dhe u rreshtua në çetën e luftëtarëve të kryesuar nga patrioti i madh Themistokli Gërmenji, e cila vepronte në krahinën e Korçës, në fillim kundër pushtuesve osmanë, dhe më vonë kundër grekëve dhe tradhtarëve vendas, që ishin në shërbimm të të huajit.
Me t’u kthyer në Amerikë, më 1914, ai vihet në dispozicion të Vatrës. Zgjidhet anëtar i Këshillit; pak më vonë, sekretar i Federatës dhe, më 1929, kryetar. Nga ky vit deri më 1936 dhe nga viti 1938 deri më 1946, Vasili qe kryetar i këtij institucioni, më i lavdishmi i shqiptarëve të Amerikës; dhe ia kushtoi asaj pjesën më të madhe të kohës së tij. Restorantin e vet në East Camberbbridge. Mass., Vasili e kishte bërë qendër të grumbullimit të shqiptarëve, ku bisedohej për hallet e Shqipërisë. Më të drejtë është thënë: “Ky restorant kishte vlerat e një instituti kombëtar”. Idealit atdhetar, Vasili i shërbeu edhe me shkrime.
“Dielli”, më 11 shtator 1936, shkruan: “Për zotin Pani çështja shqiptare ka qenë një fe mbi të cilën është falur që në kohën që erdhi në moshën të kuptojë. Dëshira dhe ambiciet e Vasilit kanë qenë: t’i shërbejë Atdheut, të bëjë sakrifica, të qenurit gati të mbrojë çështjen kombëtare. Ka çmuar më tepër pasurinë morale që rrjedh nga miqësia dhe vëllazërimi midis shqiptarëve se sa pasurinë materiale.”
Vasil Pani vdiq papritmas në vitin 1947 dhe u varros me nderimet më të mëdha nga diaspora e shqiptarëve të Amerikës. Me këtë rast, “Dielli” shkroi: “Vatra po të mos kishte qenë Vasili mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e Vatrës.” Dhe: “Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik, Vatra një figurë të shquar . . .”
Vatranët do të përulen gjithnjë me mirënjohje para kujtimit të ish-kryetarit të tyre të nderuar dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës do ta kujtojnë me respekt emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të palodhur, që siç e ka cilësuar Noli “ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës. Kurdoherë i pari në kishën kombëtare që në krijimin e saj si edhe në Vatrën.”
*Ribotim i redaktuar dhe i plotësuar
* Ne Foto:Ate e bir, Josif e Vasil Pani

Filed Under: Vatra Tagged With: Anton Cefa, ne krye te taborit, te Shqiptarizmes, Vasil Pani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT