• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAN S. NOLI: VASIL PANI, NË TABORRIN E PARË TË SHQIPTARIZMËS…

December 11, 2020 by dgreca

KUJTOJMË KRYETARIN E VATRËS–Me 11 dhjetor 1947,si sot 73 vite të shkuara,  u nda nga jeta Vasil Pani, ish kryetar dhe arkëtar i Vatrës, ish luftëtar i çetës së Themistokli Gërmenjit. Imzot Noli qe shprehur se ” Vasil Pani ishte në Taborrin e parë të shqiptarizmës”…

-VAJTIMI I VATRANËVE: AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!….

NGA DALIP GRECA*

Vasil Pani ne rinine e tij.

         Vatranëve nuk u besohej se lajmi ishte i vërtetë tek u përhap si vetëtimë atë mëngjes dhjetori të vitit 1947. Ishte ditë e enjte, 11 dhjetor. Lajmi u përhap me shpejtësinë e erës së ftohtë që përplaste flokë dëbore aty buzë oqeanit Atlantik. Kush nuk e njihte Vasil Panin, që ishte rritur bashkë me Vatrën e më pas  qe bërë një ndër ata që e mbajtën gjallë Vatrën e ngrohtë shqiptare në Amerikë?!…

Vasil Pani dhe e shoqja…

Fatkeqsisht lajmi, edhe pse nuk pritej, ishte i vërtetë. Vatranin e Dimrit dhe të Beharit(sipas fjalorit të vatranëve të vjetër) e kishte lënë zemra. Si çdo ditë tjetër atë ditë dhjetori të acartë që kishte ardhe me borë e erë  të  fortë, Vasili kishte shkuar në restorantin e tij, për ta hapur për klientët, por zemra e la sapo ngriti qepenin dhe hapi derën…

Shtepia e Paneve…

        Lajmin e mësoi i pari dr. Andrea Elia, një nga miqtë më të ngushtë të Vasilit. Editori i atëhershëm i Diellit, Qerim Panariti, pat rrëfyer se” Sipas Zakonit që kishim pasur pesë vjetët e fundit, çdo mëngjes fjaloseshim me Vasilin në telefon.Të enjten në mëngjes bëmë telefon por s’na u përgjigj zëri i Vasilit të shkretë. Na u përgjigj Dr. Andrea Elia, një nga miqët më të ngushtë të Vasilit, dhe me një zë të ngashëruar, e lot në sy na dha mandatën: Vasili nuk jeton më!….”

Delegatet e Kuvendit te Vatres , mes delegateve edhe Faik Konica dhe Vasil Pani….

     Panariti ka shkruar se Vasili, çdo mbrëmje, pasi mbyllte restorantin, e kishte bërë zakon, që të shkonte në zyrën e Vatrës pothuajse çdo të mërkurë që të shihte Diellin e sapodalë nga shtypshkronja. Këtë zakon nuk e prishi as një natë para se të ndërronte jetë. Të mërkurën e 10 dhjetorit ai ishte në zyrën e Vatrës dhe kishin biseduar gjatë.

          Po ç’kishte ndodhur mëngjesin e 11 dhjetorit? Vasil Pani si çdo mëngjes atë të enjte kishte shkuar dhe kishte hapur restorantin e tij. Shkoi, hapi derën dhe pa pritur ra dhe zemra i ndaloi….kishte pësuar një sulm në zemër. Sulmi qe vdekjeprurës.

         Në faqen e parë të Diellit nr 5804, 17 dhjetor 1947, botohej lajmi i vdekjes , ndërsa përbri lajmit, në të majtë, një shkrim përkujtimor për 5 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, mikut më të ngushtë të Vasilit. Në shkrimin përkujtimor hiqet një paralele mes Faik Konicës dhe mikut të tij, të cilët i kishte bashkuar lufta për Shqipëri. Faiku kishte qenë mik edhe me Vasilin, por edhe me babanë e tij Josif Panin.

    AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!

 Në Diellin e 17 dhjetorit 1947 botohej në Diellin e Vatrës editoriali ”Vajtojmë Vasil Panin”.  Esseja elegjike është një perlë e vërtetë që pikon dhimbje për njeriun e mirë, për vatranin besnik, që vuri gjithçka në shërbim të Atdheut.Në rreshtat e editorialit nuk vajton vetëm shpirti i Panaritit, por ndjehet dhimbja e vatranëve. Gazetari Panariti e trondit lexuesin, te imponon një drithërimë në shtat tek vajton me penë: Ah, ç’na le, o miku ynë/ Preve gojën, mbylle synë! Këto radhë po shkruhen ditën që dha shpirt Vasil Pani, ditën e enjte, 11 dhjetor  1947. Duart s’na punojnë të shkruajmë, zemra jonë ndodhet në trupin e ftohtë të Vasilit. Trupi na dridhet dhe lotët s’na pushojnë, pasi Vasil Pani, shoku ynë besnik, patrioti, luftëtari heroik i Kombit shqiptar, vatrani ynë i paçmuar, s’është më me neve…”

    Vatranët e kishin të pamundur që të besonin të vërtetën se nuk do ta shihnin më Vasilin të gjallë, nuk do të bisedonin më me të, të këshilloheshin për punët e Vatrës dhe për punët e Shqipërisë.

    Vasil  Pani ishte ndër vatranët e orës së parë, ndërkohë që në vitet 1912-14 ai, ende djalë i parritur mirë, 15-17 vjecar, u pagëzua si luftëtar i lirisë kundër grekëve që kishin mësy Korçën e tij të dashur. Ai ndjehej krenar që kishte qenë luftëtar i Themistokli Gërmenjit.

    Në elegjinë që botonte Dielli, Vasili përshkruhet me fjalë të përzgjedhura si patriot, si njeri fisnik, si vatran besnik.

    Panariti e mbyll elegjinë me këto rreshta:” Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik,Vatra humbet një figurë të shquar, shoqja e tij humbet një shok besnik, dhe të ndershëm, fëmijët humbasin një baba të dashur e të dhembshur.”

Në kohën kur ndërroi jetë Vasil Pani ishte arkëtar i Vatrës, ndërkohë që për një 25 vjet ai i kishte kryer radhazi edhe detyrën e kryetarit të Vatrës, dhe të zyrtarit të qendrës, edhe disa herë të arkëtarit.

Shkëpusim nga Dielli I 24 dhjetorit 1947:”Vasili për një çerek shekulli i ka shërbyer Vatrës si anëtar besnik, si kryetar dhe si arkëtar. Gjithnjë njeri besnik, gjithnjë njeri i ndershëm, gjithnjë njeri pa ambicje personale.”

                                      PËRCJELLJA

     Në Diellin e së mërkurës, 24 dhjetor 1947, botohet e plotë kronika e përcjelljes së Vasil Panit nën titullin”Miqtë dhe shokët përcuallën Vasil Panin në jetën e përtejshme”, dhe me nëntitullin” Shërbimet funerale u bënë prej hirësisë së Tij, Imzot Nolit. Një shumicë e madhe mori pjesë në varrim”.

   Përcjellja u bë ditën e hënë me 15 dhjetor. Ceremonia u mbajt në Kryekishën e Shën Gjergjit, në adresën: 20 Emerald St…Boston , MA, në ora 2 pasdite. Kronika e përcjell plot dhimbje ceremoninë. Kisha ishte e mbushur plot. Njerëzit qanin mikun e tyre të mirë, që familjen e kishte lënë në Atdheun e largët. Ceremoninë fetare e udhëhoqi Imzot Noli i ndihmuar nga Arkimandriti At Thimi Theodhos dhe at Sokrat Sotir. Kurora të shumta lulesh mbulonin arkivolin ku prehej përjetësisht trupi i pajetë i Vasilit.Kishin ardhur vatranë nga qytete të largme për t’i dhënë lamtumirën mikut të tyre, vatranit besnik. Nga Nju Jorku qanin mbi arkivol Kemal Veisel,Shefqet Bença dhe Ahmet Kutchi; nga Waterbury Mehmet Tosun, Ramo Zvezda dhe Hysen Fazo; nga Worcesteri kryetari i Vatrës, Vangjel Sotir , dhe Ligor Stefi. Shumë të tjerë kishin udhëtuar nga kolonitë e tjera të New Englandit, të cilët ishin aq shumë, sa lista do të ishte e tepër e gjatë.Vasil Pani u varros në Mount Auburn Cemetery, Watertoën, Mass.

 Dreka e fundit u shtrua në restorantin e tij, aty ku kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës dhe ku i pushoi së rrahuri zemra. “Court House Lunch”,  restoranti i Vasil Panit në East Cambridge, Massschusetts, nuk ishte thjeshtë një vend ngrënie, por aty mblidheshin shqiptarët dhe  qanin hallet e kombit. E kishin pagëzuar atë si Institut Kombëtar. 

     Në këtë restorant Vasili kishte punuar për 25 vjet me radhë. Shumë rrallë, shkruante Dielli nëpasvdekjen e tij, mbaronin Kuvendet e Vatrës pa ngrënë një drekë ose një darkë në Court House Lunch, restorantin e Vasil Panit. Faik Konica, miku më i ngushtë i Vasilit, e kishte si shtëpinë e tij këtë restorant. Court House Lunch ishte një udhëkryq ku piqeshin udhët e vatranëve, që vinin nga drejtime të ndryshme. Në atë restorant, kushedi se sa herë ishte biseduar fati i lëvizjes shqiptare dhe fati i Shqipërisë. Vetë Vasili, si shkruan në shkrimin përcjellës Dielli, ishte një thesar anekdotash, të mbledhura nga bisedimet që bëheshin në restorantin e tij. Dhe atë ditë, në drekën e fundit, ai u kujtua po aty, në restorantin e tij.

VASIL PANI NË TABORRIN E PARË TË SHQIPTARIZMËS

    Në fjalën që mbajti Hirësia e Tij  Imzot Noli, tha mes të tjerave se :Vasil Pani kishte qëndruar kurdoherë në krye të taborrit të shqiptarizmës-kurdoherë i pari në kishën Kombëtare, që në organizimin e saj, i pari edhe në Vatër. Vasil Pani, nuk e fitoi shqiptarizmën si shumë nga ne, këtu në Amerikë-Vasili e trashëgoi shqiptarizmën nga babai, Josif Pani.

    Vasili, tha Imzot Noli, bashkë me dardharët e tjerë, mori pjesë në botimin e gazetës “KOMBI” prej Sotir Pecit. Që ahere e gjer sot, Vasili s’hoqi dorë nga shqiptarizma. Që kur u njoh me Faik Konicën, Vasili u bë mik i tij besnik dhe qëndroi besnik deri në fund të jetës së tij.

    Në përcjelljen që iu bë Vasil Pani foli edhe bashkëfshatari i  të ndjerit, dardhari; James Keko, kryetar i Shoqatës Dardhare. Fjala e tij qe prekse:” I dashur Vasil:Të gjithë dardharët jemi mbledhur rreth teje të pikëlluar dhe me lot në sy, që të japim përshëndetjet e fundit dhe të përcjellim në banesën e përjetshme. Dardha po vajton humbjen e birit të saj të shquar. Familja jote cfilitet për humbjen e përkujdestarit të saj t’adhurueshëm….

Vasil Pani la pas gruan, djalin Sotir Pani(e pat parë vetëm kur ishte 2 vjeç,  tashti Sotiri jeton në Boston dhe ka publikuar një libër kushtuar atit të tij), la vajzën, që nuk e pa dot me sy, nënën, dhe tri motra.

            KUSH ISHTE VASIL PANI?

Shënimet biografike të Sotir Panit janë përcjellë në Diellin e 31 dhjetorit 1947. Kishte lindur në Dardhë të Korçës me 1895. Në Amerikë kishte emigruar në vitin 1907. Pra ishte  vetëm 12 vjeç. Ishte me gjithë të Atin, Josifin, një patriot i orëve të para, kryetar i Shoqerise “Besa-besë “ dhe botues i disa gazetave, që më 1913 u kthye në Dardhë. Vasili ishte rrëmbyer në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare sapo shkeli në tokën amerikane. Merr pjesë në fushatën për  shkollën Normale të Elbasanit, ku dhuron kursimet e veta dhe Dielli e përhiron me një shkrim të veçantë sepse ai ishte më i vogli dhurues, 14 vjec. Në vitin 1912 kthehet në Shqipëri si luftëtar i Lirisë kundër bandave greke. Ishte luftëtar i çetës së  Themistokli Gërmenjit. Është kohë kaotike në Shqipërinë e paspavarësisë. Grekërit me një krah , turmat haxhiqamiliste e esadiste në anën tjetër, e kishin bërë të mjegulluar të nesërmen e Shqipërisë. U kthye në Amerikë më 1914. Aso kohe gazeta “Sazani” pat shkruar fjalë të ëmbla, tepër vlerësuese për të birin e atdhetarit Josif Pani, Vasilin, që ishte pagëzuar në zjarrin e luftës për liri. Pas sigurimit të Pavarësisë së Shqipërisë, Vasil Pani bëri dhe dy udhëtime të tjera në Shqipëri. Udhëtimin e fundit e bëri më 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në koleksionet e Diellit gjenden dhe urimet dërguar prej Tij Mbretit Zog si dhe telegramet e urimit dërguar nga Mbreti.

Për vite me radhë, 25 vjet, ka qenë i zgjedhur në Komisionin Drejtues të Vatrës,  si zyrtar, anëtar i Komisionit, Kryetar i Vatrës,arkëtar i saj etj.

Dielli shkroi ato ditë se : Vatra, po të mos kishte qenë Vasil Pani, mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonin miqt’ e Vasilit dhe e pranonin kundërshtarët e Vatrës.

Dielli arkiv-Dhjetor 2012

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Vasil Panin

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT