Nga Rafael Floqi/
“Zgjidhja e çështjes shqiptare është një domosdoshmëri, se është një conditio sine qua non, për paqen e përhershme në Evropën Juglindore dhe ky fakt nuk duket se është kuptuar nga publiku i gjerë “ Fan Noli
“Fakti që dy liderët të tilla të mëdhenj amerikane, si presidenti Wilson dhe kolonel Roosevelt, bashkohen në simpatinë e tyre për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm. Shqiptarët u janë thellësisht mirënjohës atyre, kryesisht për mënyrën sesi ata mbrojtën kauzën e tyre të drejtë”. Fan Noli
“Ne besojmë tek Presidenti Wilson dhe ne jemi të bindur plotësisht se Amerika dhe aleatët e saj do të bëjë drejtësi për këdo nga të gjitha kombet e vogla që luftojnë për lirinë kombëtare dhe kështu të krijojë një bazë të shëndoshë për paqen”. Fan. Noli
Shoqata panshqiptare Vatra mblodhi rreth vetes jo vetëm të gjithë shqiptarët, në ato periudha të vështira , kur vihej në diskutim ekzistenca e shtetit shqiptar, por diti të mblidhte në vete, dhe jo pa divergjenca, mendjet më të ndritura të kombit, që kishin studiuar në Universitetet më prestigjioze : si Hawardi dhe Yale, një grup shqiptarësh patriotë e të dituar, që ditën të bëjnë në ato momente të vështira të bëjnë fushatën më të suksesshme të lobimit për Shqipërinë. Instrument i fuqishëm për të cilin u bë edhe revista në anglisht dhe shqip e iniciuar nga Noli dhe vazhduar nga Kosta Çekrezi “The Adriatic Review”.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, kanë historinë e tyre, në të cilat një rol kryesor ka luajtur shoqata Vatra dhe Fan Noli, Faik Konica dhe vëllai i tij Mehmet Konica, por edhe të tjerë , të cilët hodhën qysh me krijimin e Vatrës urat e njohjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe SHBA-së, përcaktuan grupin e miqve të Shqipërisë, dhe strategjitë e lobimit politik për çështjen shqiptare. Në atë kohë gjatë paraqitjes së fjalës së tij në Londër, Mehmet Konica në krye të një delegacioni shqiptar, do të deklaronte se “Vatra është i vetmi organ përgjegjës i shqiptarëve në gjendje të ketë ndonjë ndikim në të ardhmen e Shqipërisë. Ajo përmblidhte të gjithë shqiptarët me ndikim, mes muslimanëve dhe të krishterëve të Shqipërisë së Jugut, të cilët, ishin vënë në shërbim të lirisë, dhe e kanë lënë vendin e vet për të bërë të pavlefshëm çdo presion të huaj”. Në fakt kjo fushatë e Vatrës ishte një proces i mirëfilltë lobimi.
Në qoftë se pranojmë se Federata “Vatra” në vitet 1915-1920” ishte si qeveri në mërgim. Në këtë kuptim, përfaqësuesit e saj kishin dijeni të plotë për fatet e Atdheut dhe kishin edhe strategjinë e tyre të bashkëpunimit me miqtë amerikanë, por edhe një platformë mbi formën e qeverisjes së Shqipërisë së lirë, të pas Luftës së Parë Botërore.
Platforma e Vatrës mbështetej në këto premisa: Shteti Shqiptar i pas-Luftës së Parë duhet të ishte, një shtet i pavarur, i shtrirë në të gjitha rajonet shqiptare, nuk mund të ishte republikë, pasi populli ende nuk ishte çliruar nga konceptimi (monarkik) i shtetit pas pushtimit të gjatë osman. Vatra kërkonte një shtet të pavarur, jo nën mbikëqyrjen e fuqive te mëdha, pasi ky do të ishte një akt neokolonial, por një farë monarkie, qoftë edhe me një princ të huaj, si W.Wied-i. Kjo platformë ishte paraqitur nga Mehmet Konica dhe një delegacion shqiptar i Vatrës i dërguar në Londër.
Aksionet politike e kulturore që Noli ndërmori në vitet 1917-1918 janë të gjithanshme dhe nga më të ndryshmet, të papraktikuara deri atëherë në atë shkallë nga qarqet shqiptare për të njohur e propaganduar kauzën e atdheut të tyre në Amerikë.
“ Nga shtatori i 1918, ai fillon botimin dygjuhësh të revistës “The Adriatic Review” me qëllim që, siç del nga kryeartikulli i parë, “të bëjë të njohur çështjen tonë para miliona amerikanëve” dhe të tërheqë në bashkëpunim për këtë kauzë, intelektualët amerikanë. Noli më 1917, ai u zgjodh në kryesinë e Vatrës, çka e bëri atë , de fakto, lider në fakt të diasporës shqiptare. Në shtator të vitit 1918 ai krijoi revistën “Adriatic Review” një periodik në anglisht dhe shqip që vazhdoi për dy vjet.
Si Noli dhe Konica ditën të kuptojnë se në një situatë të komplikuar për Evropën e pas Luftës së Parë Botërore, çështja shqiptare ishte e rrezikuar, dhe se rreziku për kombin shqiptar ishte shumë i madh. Çështja shqiptare në opinionin publik amerikan nuk ishte dhe aq e njohur, ndaj Noli ndjeu nevojën e një lobimi në gjuhën angleze dhe të një komunikim me publikun amerikan për të bërë me dije problemin shqiptar ,ndaj ai i futet botimit përgjithësisht në anglisht të revistës “The Adriatic Review”. Lobimi është pjesë e kulturës politike amerikane. Ai është akti i përpjekjes për të ndikuar në vendimet e marra nga zyrtarët e qeverisë, më shpesh ligjvënësit. Aftësia e individëve, grupeve, dhe korporatave për të lobuar qeverinë amerikane është e mbrojtur nga e drejta për Peticion, artikulli [15-të] i Amendamentit të Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Kjo shtytje e Nolit kombinuar dhe me përvojën diplomatike të Faik Konicës e Mehmet Konicës arriti një sukses të pa diskutueshëm për kohën.
Çështja Adriatike dhe fati i Shqipërisë
Përzgjedhja e këtij titulli për revistën lidhet me rezonancën që kishte në qeverinë amerikane të pas Luftës se parë Botërore dhe veçanërisht të presidentit Woodrow Wilson por dhe në opinionin publik amerikan qëndrimi ndaj Çështjes Adriatike të debatuar gjatë në Konferencën e Paqes dhe lidhjes së kësaj çështje, në bazë të së cilës ishin divergjencat italiane dhe jugosllave për portet e Adriatikut me fatin e Shqipërisë.
Në vetë parathënien e numrit të parë të kësaj reviste Noli shkruante se : “ Objekt i këtij botimi është që të njihet publiku amerikan dhe aleatët me pikëpamjet e Shqipërisë, historinë e popullit të saj dhe përpjekjet e saj të gjata, për pavarësi kombëtare, që janë aq pak të njohura, ndaj vështirë se mund të kërkojmë falje, për nisjen e këtij periodiku, tani në vorbullën e krijuar në këtë kohë të përmbytur nga letërsia me temën e luftës. “Për këtë ka një arsye të mirë dhe shumë të rëndësishme: se zgjidhja e çështjes shqiptare është një domosdoshmëri, se është një conditio sine qua non, për paqen e përhershme në Evropën Juglindore dhe ky fakt nuk duket se është kuptuar nga publiku i gjerë( amerikan RF)”. Sa i drejtë ishte ky pohim i Nolit, këtë e ka dëshmuar historia.
Qysh në parathënien të hapjes së revistës Noli, duke pasur parasysh, gjeopolitikën e pas Luftës së parë botërore parashtron gjeopolitikën e Shqipërisë në lidhje me rajonin Adriatik dhe atë ballkanik. Duke u referuar shkrimeve në shtypin amerikan e britanik të cilat i dilnin në mbrojtje idesë të ndarjes së Shqipërisë, Noli shkruan : « Sipas mendimit të tyre, një vend i vogël si Shqipëria, me një popullsi e cila ka rënë në 2,500,000 duke qenë gjak i bardhë që ka bërë në shekuj luftëra të papërshkrueshme heroike kundër turqve dhe i ka bërë ballë dyndjeve të pashembullta, ndoshta nuk mund të vlerësohet si diçka me rëndësi për fatet e botës, dhe ajo mund të shpërfillet ose trajtohet padrejtësisht. Por një shikim shkarazi në hartë, do t’i bënte këta zotërinj të ndryshonin qëndrimin e tyre dhe, madje ta përputhnin atë me tonin në këto pika. Ata do të zbulonin se Shqipëria ka një bregdet me porte, dhe se bregdeti i saj shkon paralel me atë të Italisë në detin Adriatik, dhe se porti shqiptar i Vlorës është çelësi për hyrje në këtë det për shkak të afërsisë së saj me bazën detare italiane të Otrantos, dhe se, cilado fuqi që kontrollon bregdetin shqiptar bëhet praktikisht, zot i pellgut të Adriatikut, për arsyen e thjeshtë se,bregdeti italian i Adriatikut është i pamundur të përdoret për qëllime mbrojtëse dhe është praktikisht pa porte që nga Venecia gjer në Otranto. Ata gjithashtu do të zbulonin se Shqipëria është pjesë e Gadishullit Ballkanik, i cili i ka komplikuar problemet që kanë pllakosur Evropën qysh nga shekulli i kaluar, ku kjo luftë e ka origjinën dhe ku ajo zë një pozicion komandues strategjik. Elokuenca e hartës është e papërmbajtshme. Shqipëria, nuk mund të trajtohet si një gjë e papërfillshme në vetvete, por si pjesë e një të tëre, ose më mirë si një pjesë të dy gjysmave : të Gadishullit Ballkanik dhe të bregdetit Adriatik dhe si e tillë ajo duhet të kuptohet ».
Noli kishte besimin që : « Një tjetër Kongres Paqeje pas lufte, ndryshe nga Konferenca Londrës do të përmirësonte çështjen e pavarësisë së Shqipërisë, sepse pozicioni gjeografik i Shqipërisë nuk ka ndryshuar që atëherë. Shqiptarët ishin të zhgënjyer thellë me kufijtë e tyre, të përcaktuar nga Konferenca e Londrës, por ata shpresojnë se drejtësia do të mbizotërojë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe se kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë do të korrigjoheshin, në mënyrë që të përfshiheshin në të gjitha rajonet kryesisht shqiptare, të cilat ishin shkëputur padrejtësisht dhe forcërisht jashtë vendit te tyre amë, pa përfillura asnjë nga dëshirat e shprehura të banorëve të tyre”.
Qëndrimi i Nolit dhe i Vatrës është i qartë dhe i shpallur. Ai ishte pavarësia e plotë e Shqipërisë”. “Zgjidhje të ndryshme kanë qenë të propozuar, nga palët e interesuara, shkruan ai , dhe i janë vënë në dispozicion Shqipërisë. Një protektorat i huaj, nga ndonjë fuqi e interesuar është qëndrimi i paraqitur nga disa, një ndarje e Shqipërisë mes fuqive ka qenë një qëndrim i mbrojtur me guxim nga disa të tjerë. Por asnjë nga këto zgjidhje, argumenton me fuqi Noli “nuk është e kënaqshme për të gjithë ata që janë të interesuar, sepse ata (shqiptarët R.F) kurrë nuk do të bien dakord për ndarjen e plaçkës as me fuqinë së cilës mund t’i besohet protektorati mbi Shqipërinë, për të mos thënë asgjë për imoralitetin dhe padrejtësinë e privimit të së drejtës së një kombi për caktimin e së ardhmes së vet. As ndonjë nga këto zgjidhje nuk të ka të ngjarë të ndihmojë në krijimin e paqes në Gadishullin e Ballkanit pasi ajo do të jetë në funksion të interesave të dhunshme e konfliktuoze të Austrisë, Italisë dhe shteteve tjera të Ballkanit”.
Në këtë drejtim Noli bëri një punë të madhe, gati të pazëvendësueshme, shkruan Nasho Jorgaqi”nga një anë, për njohjen dhe propagandimin e Shqipërisë dhe të vlerave të saj etno-historike para opinionit amerikan dhe, nga ana tjetër, për legjitimitetin e të drejtave të popullit të tij në qarqet zyrtare amerikane. Prapa kësaj qëndron një prehistori dhe një veprimtari e gjithanshme me synime të qarta politike e me një strategji patriotike, me vështirësi të jashtëzakonshme, po të marrim parasysh terrenin e një vendi të madh multinacional dhe në një kohë kur, siç thotë F. Konica, “fati i Shqipërisë ishte në balancë”.
Duke dëshmuar një njohës i mirë i gjeopolitikës Noli argumenton se pavarësia e Shqipërisë do të ishte në të mirë edhe të fqinjëve te saj .“Zgjidhja më e mirë përmbi të gjitha duket të jetë zgjidhja më e drejtë, pavarësia e plotë e Shqipërisë brenda kufijve të saj etnikë. Kjo zgjidhje ndodh të jetë zgjidhja e dytë më e mirë edhe për të gjitha shtetet fqinje, argumenton ai, pasi ka avantazhin e zgjidhjes grindjeve të tyre mbi tokat e kontestuara si edhe kënaqjen pronarëve të ligjshëm të tokës së vet, të shqiptarëve, aspiratat e të cilëve duhen marrë parasysh, në radhë të parë”.
”Përpjekjet e “Vatrës” me në krye F. Nolin për të mbjellë farën e bashkëpunimit e kanë fillesën menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 1913 ishte puna e Nolit me shokë që siguroi mbështetjen e një personaliteti si Charles Crane, i cili do të ndikonte në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës me anë të Eduart Grey-it për një zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare. Më pas, më 21 gusht 1915, ishte Noli ai që hodhi hapin e parë zyrtar, duke i drejtuar Sekretarit të Departamentit të Shtetit, R. Lansing, një telegram, me anën e të cilit denonconte Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe kërkonte nga presidenti Wilson “të parandalonte ndarjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha”. Brenda një kohe të shkurtër u arrit që të krijohet Komiteti i miqve të Shqipërisë me figura të njohura filoshqiptare, si Ç. Krane, S. Uilliams, R. Uds, T. Erikson etj”.
Nën kujdesin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra (Vatra), një komision i formuar në Evropë nga Mehmet Konica ish-ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë dhe anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrolli në Shqipëri dhe i përbërë nga katër anëtarë përkatësisht, Dr Mihal Turtulli, ish-ministri i punëve Publike, dhe Dr Gjergj Adamidi Frashëri,ish ministri i Financave, dhe Mithat Bej Frashëri, ish ministri i Punëve Publike, të cilët ishin caktuar nga Vatra të bënin përpjekje për kauzën kombëtare . “Vatra është i vetmi organ përgjegjës i shqiptarëve në gjendje të ketë ndonjë ndikim në të ardhmen e Shqipërisë. Ajo grupon të gjithë shqiptarët me ndikim, mes muslimanëve dhe të krishterëve të Shqipërisë së Jugut, të cilët, të mbeten luftëtare të lirisë”
Se cili ishte roli i Vatrës e përshkruan nga ana tjetër një përfaqësues i Megalidhesë, një aktivist i dalluar i lëvizjes ekspansioniste greke të diasporës së asaj kohe, Nicholas J. Cassavetes i cili shkruante ne librin e vet të asaj kohe “ Çështja e Epirit te Veriut dhe Konferenca e Paqes “ se në “Në Amerikë, propaganda shqiptare për nënshtrimin ( sic! RF )e Epirit të Veriut në shtetin e ardhshëm shqiptar është kryer nga tre organizata shqiptare: (A) Vatra, (B)Rev. Kristo Dako (C) dhe Shqyperia. Sipas tij Vatra, me seli në Boston, ishte organizata më e njohur shqiptare. Ajo kishte rreth 1,600 anëtarë. Kryetari i Vatrës është i përndershmi Fan Noli. Përfaqësuesi i Vatrës në Londër është Faik Bej Konica. Cassavetes thotë se “Vatra kërkon që jo vetëm Epirin e Veriut, por tërë krahina e Epirit, domethënë: Janina, Preveza, dhe Konica, t’i bashkëngjiteshin shtetit të ardhshëm shqiptar. Vatra e konsideronte Greqinë si armikun e saj të madh dhe polemikat e saj janë të drejtuara kundër atij vendi. Vatra ka simpati proaustriake dhe anti-italiane. Faik Bej Konica ishte më parë konsulli i Turqisë në Korfuz. Vatra është në favor të kthimit të Wilhem Weidit, ish-mbretin e Shqipërisë, dhe aktualisht një oficer në ushtrinë austriake.”
Siç shihet edhe në këtë pasazh, përfaqësuesit e lobit grek të Vorio Epirit në ShBA, përpiqeshin që t’i paraqisnin shqiptarët dhe organizatën e tyre Vatra, si mbështetëse të Fuqive te Boshtit. Për të siguruar mbështetjen e qeverisë Amerikane e cila u vu në shërbim të Antantës dhe larguar Vatrën nga mbështetja e saj. Sipas këtij armiku të Shqipërisë, të tria këto organizatat përpiqen në punën e tyre për të bërë miq për Shqipërinë, dhe duke fituar mbështetësit në favor të mendimit për qenien e Epirit të Veriut nën Shqipëri.
“Vatra është organizata më energjike shqiptare në Amerikë dhe në Angli. Dhe për këtë arsye që ne të konsiderojmë këtu vetëm argumentet e Vatrës për çështjen e Epirit të Veriut. Para se të vazhdojmë me argumente tona është, ndoshta, e nevojshme që të thuhet se Vatra nuk përfaqëson ndonjë parti në Shqipëri. Ajo është një organizatë e emigrantëve shqiptarë këtu në Amerikë dhe e njëjta gjë e vërtetë dhe për shoqatën e Kristo Dakos dhe shoqatën Shkyperia me përkrahës të Ismail Qemal Beut. Ai përmend argumentet “e propagandistëve shqiptarë, sipas tij”. Ku ndërmjet rreshtave kuptohet efektiviteti i Vatrës i parë tashmë me sytë e armikut. Sipas tij Z. Stavro,( Skendo) sekretari i Vatrës, në një artikull të botuar në shumë gazeta në të gjithë vendin,( ShBA ) në mënyrë që të ngjallte antagonizëm kundër Greqisë, shkruante: “Greqia pushtoi me shpata rajonin shqiptar të Çamërisë, ose Epirin e Jugut, siç e quajnë grekët atë, dhe dy vjet më parë e kishin pushtuar dhe shkatërruar dhe rajonin shqiptar të Korçës dhe Gjirokastrës, ose Epirin e Veriut, siç e quajnë grekët atë. Ky citat vjen nga një deklaratë zyrtare e Vatrës, dhe kjo tregon shumë qartë se cilat janë aspiratat e kësaj organizate”, thekson ky përfaqësues në zë dhe jo i pa kulturë i shovinizmit grek.
Vatra pro Antantës, kundër grekëve
Por beteja diplomatike dhe propagandistike e Vatrës u zhvillua edhe në shtypin amerikan. Shumë artikuj zunë vend në revistën në fjalë si ribotime. Në këta artikuj kërkohej të sqarohej se shqiptarët dhe Vatra ishin mbështetës të Antantës, pasi dhe vetë Shtetet e Bashkuara iu bashkuan asaj. Në këtë debat sqarohet edhe misioni i trupave vullnetare te regjimentit të Vatrës në mbështetje të aleatëve. Sipas shkrimeve të ndryshme, si të vetë Nolit por edhe të krerëve të tjerë të Vatrës, një debat mjaft i gjerë për çështje u bë me qarqet shoviniste greke. Kështu në një ribotim të një shkrimi të N. Stavres, Sekretarit të Federatës Panshqiptare Vatra, në Biddeford, Me., ne gazetën “Record” shkruhet” : « Një farë greku, në një letër qarkore, të botuar kohët e fundit në disa gazeta amerikane, sulmon shqiptarët, organizatat e tyre kombëtare në Amerikë, si Vatra dhe të deleguarin e saj në Londër, z M. Konica, si të dhunshëm dhe mik të austriakëve të pabesë, me qëllim dëmtimin e marrëdhënieve të Vatrës me aleatët. Një akuzë e tillë, që vjen nga një burim grek, që hiqet si i mirinformuar të shkakton neveri dhe përbuzje. Por një pjesë e madhe e publikut amerikan, nuk di asgjë rreth propagandës djallëzore që grekët kanë kryer në mënyrë sistematike, kundër shqiptarëve në dekadat e fundit, me qëllim diskreditimin e tyre, dhe kështu të justifikojnë planet e tyre imperialiste për pushtimin e territoreve thjesht shqiptare. Prandaj një përgjigje është e nevojshme për të parandaluar keqnjoftimet, mashtrimet dhe shpifjet e qëllimshme.”
“Ky palo shkrimtar grek pohon se përfaqësuesi në Londër Federatës Shqiptare “Vatra” e Mehmet Konicës ishte, deri në kohën e shpalljes së luftës nga ana e Amerikës, një të austrofil i dhunshëm dhe kështu ishte dhe Vatra, austrofile në zemër.” Dhe pastaj ai e pyet: “Si ndodhi që Vatra dhe Konica tani janë atantofilë? Dhe ai vetë përgjigjet: “Vatra punon në Amerikë dhe ajo nuk mund ta shfaqë hapur simpatinë për Austrinë”. Kjo akuzë bie poshtë në dritën e faktit të thjeshtë se Federata Shqiptare e Amerikës e kishte ftuar z. Konica të vazhdonte të qëndronte në Londër si përfaqësues i saj në mars 1916, një vit para se Amerika të hynte në luftë. Z. Konica ishte atëherë në Greqi dhe Vatra mund të kishte dërguar atë në Austri, nëse shqiptarët e Amerikës, i dukeshin të atij shteti për pavarësinë e vendit të tyre. Por ajo nuk e bëri, sepse të gjithë shqiptarët e dinin se një marrëveshje e fshehtë ekzistonte ndërmjet Fuqive Qendrore dhe Greqisë për copëtimin e Shqipërisë në mënyrë brutale dhe se mbretit Konstantin i qe premtuar Shqipëria Jugore, si çmimi për makinacionet e tij të zeza, të cilat janë zbuluar më vonë nga Venizelosi dhe botuar në Librin e Bardhë grek. Z. Konica arriti në Londër në fillim të muajit gusht 1916, dhe u prit në zyrën e Foreign Office nga Lordi Robert Cecil, të cilit iu paraqit një memorandum për Shqipërinë. Ai u shoqërua me disa miq simpatizantë angleze, si koloneli Obri Herbert, deputeti, komandant Eedgewood, deputet, gjenerali Sir Ivor, Z. Lamington, Miss Durham dhe anëtarë të tjerë të shquar të Shoqërisë Anglo-Shqiptare të Londrës. Akuza e vetme, pra që mund të bëhet logjikisht kundër Federatës Shqiptare është se ajo ishte anglofile dhe joneutrale, kur Amerika ishte akoma neutrale dhe presidenti Wilson nuk kishte mbaruar ende shkrimin me shënimet në një përpjekje të kotë për ta bërë Gjermaninë të arsyetonte. Të dhënat në disa raste janë mjaft elokuente. »
Nga ana tjetër, kur Amerika dhe Greqia ishin ende neutralë, Vatra pat menduar se Antanta nuk ishte aq e keqe sa mbreti Konstantin i Greqisë, dhe me anë të Konicës dhe të delegatëve të saj në Londër, i ofroi Qeverisë britanike një ose dy regjimente me vullnetarëve shqiptarë nga Amerika. Menjëherë pasi Amerika hyri në luftë, shkruan N. Stavre, Sekretari i Federatës Panshqiptare Vatra, ne u këshilluam që qeveria britanike të mirëpriste regjimentet shqiptare dhe se një vendim përfundimtar për këtë çështje do të merrej në të ardhmen. Vatra që atëherë ishte e detyruar që të nderonte dhe të mbante fjalën e saj, sa ta thyente zotimin për organizimin e këtyre regjimenteve me shqiptarë, vullnetarë dhe jo subjekte të rekrutuar, kur të ftohemi për ta bërë këtë nga Qeveria Britanike. Federata shqiptare nuk mund ti kërkojë Anglinë për ta çliruar atë nga detyrimi i saj. Për më tepër, ka një tjetër arsye se pse shqiptarët janë aq të shqetësuar për të shkuar dhe për të luftuar në frontin e Ballkanit. Grekët atje nuk po lëvizin shumë shpejt, shumë e ndoshta, për shkak Venizelos i cili duket të ketë disa vështirësi shumë serioze për të mobilizuar e Grekët e tij, shumica e të cilëve kujdeset më shumë për fatin e ish-Mbretin pro-gjerman të tyre Konstandin, sesa për kauzën e njerëzimit dhe të qytetërimit. Fakte natyrisht të mjaftueshme, këto, që tregojnë se shqiptarët kanë humbur durimin dhe kanë pritur me padurim një shans për t’i sheshuar gjërat në Ballkan ».
Replikat me shtypin amerikan
Noli mundohet të sqarojë opinionin amerikan duke marre shkas nga shtypi i kohës.“Disa nga miqtë tanë janë shumë ose më pak pesimistë për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo gjendje është ilustruar me një artikull të New York Evening Sun cilin Noli e riprodhon. “Autori i tij është i prirur të besoje se Shqipëria do të zhduket në vorbullën e kësaj katastrofe botërore( Luftës Botërore RF ) dhe se asgjë nuk mbetet nga ajo, vetëm shkrimi mbi një epitaf heroik të luftëtarit shqiptar.
“Ne nuk e ndajnë pesimizmin e tij. As nuk e besojmë se Amerika dhe aleatët do ta lejojnë që Shqipëria të ndahet brutalisht dhe të privuar nga portet e saj në mënyrë që të plotësojë kërkesat imperialiste të shteteve fqinje. Ne besojmë se aleatët, besnikë ndaj parimeve të tyre fisnike, do të respektojnë të drejtat e racës së lashtë ilire dhe rivendosjen e pavarësinë e saj”.
Madje para se te takohej me presidentin W. Wilson, Noli pat theksuar se deklaratat e presidentit amerikan nuk do të ishin sa për të kaluar radhën dhe se Amerika do ta mbante premtimin në favor te kombeve të shtypur .
Presidenti Wilson në fjalimin e tij të famshëm mbi kushtet e paqes pat deklaruar se pavarësia e të gjitha kombeve të Ballkanit duhet të restaurohej, përgjatë linjave racore dhe historike dhe të garantuara me marrëveshjet ndërkombëtare. Ne refuzojmë të mendojmë për një moment që të gjitha këto deklaratat solemne do te jenë “letër për kosh “. Ne besojmë tek Presidenti Wilson dhe ne jemi të bindur plotësisht se Amerika dhe aleatët e saj do të bëjë drejtësi për këdo nga të gjitha kombet e vogla që luftojnë për lirinë kombëtare dhe kështu të krijojë një bazë të shëndoshë për paqen, duke siguruar një terren të vlefshëm për aleatët, gjë që ka rrezikuar pozitën e austriakëve në Shqipëri dhe kërcënimin e mbështetjes bullgare në Maqedoni. Madje Noli duke thënë se shqiptaret u rreshtuan krahas fuqive aleateve francezeve dhe italianeve pohonte se “Shqiptarët e Amerikës po vlerësonin mundësi dhe mjete për rekrutimin e vullnetarëve në Amerikë, me shprese se do të mbështeteshin nga aleatët që të ndërtonin një ushtri shqiptare që mund të luante një rol të rëndësishëm në frontin shqiptar.
Takimet e Nolit me Presidentët Woodrow Wilson dhe Theodore Rusvelt
Ne revistën “The Adriatic Review” , Noli kujton takimin e parë te tij me dy presidentë të Amerikës, por së pari me Presidentin Wilson, atë që do të bëhej mbrojtës i interesave kombëtare shqiptare. Kanë mbetur të skalitura në kujtesën shqiptaro-amerikane fjalët e këtij burrishteti idealist që ia shqiptoi Nolit: “Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Versajë dhe këtë zë do ta përdor në interes të Shqipërisë.” Në këto fjalë historike zë fill ai qëndrim dashamirës i politikës amerikane ndaj Shqipërisë. Në vitet 1917-1918, që mbahen mend dhe si kohë e artë e “Vatrës”, Noli, si kryetar i saj, zhvilloi një veprimtari të dendur politike, me peshë disa herë vendimtare. Krahas një takimi zyrtar në Departamentin e Shtetit, ai arrin të bisedojë personalisht me ish-presidentin e ShBA, T. Ruzvelt, një vit më pas, më 4 korrik 1918, Noli, duke përfituar nga pjesëmarrja si delegat në Kongresin e Kombeve të Shtypura në Uashington, takohet dhe bisedon me presidentin e atëhershëm të ShBA, Wilsonin.
”Në listën e miqve të tyre, shqiptarët kanë shtuar tani dy nga emrat më të shquar në Amerikë dhe në të gjithë botën, përkatësisht Presidentin Wilson dhe ish-presidentin Roosevelt. Padyshim simpatia e këtyre njerëzve të mëdhenj për Shqipërinë fatkeqe nuk ka nisur qysh nga dita e djeshme, por zbulimi u bë shumë kohët e fundit dhe askush nuk mund t’i fajësojnë shqiptarët që i përshëndesin këto ngjarje me një entuziazëm që lyp përshkrim të veçantë në funksion të faktit se kjo mund të shënojë epokë në historinë e përpjekjeve të tyre të gjata për pavarësi”.
Ky zbulim i rëndësishëm u zhvillua në të njëjtën ditë, më 4 korrik të fundit, nën rrethanat e mëposhtme i përshkruan atë Noli: “Përfaqësuesit e të gjitha grupeve racore në Shtetet e Bashkuara ishin të ftuar për të shoqëruar Presidentin Wilson për festimin e ditës së pavarësisë në Mount Vernon. Më shumë se tridhjetë tre kombe u përgjigjën thirrjes duke dërguar delegatët e tyre me një krye z Streyckmans Felix, një delegat belg. Përfaqësuesi shqiptar ishte imzot Fan S.Noli, atëherë president i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” Ata të gjithë vunë kurora mbi varrin e George Washingtonit dhe delegati belg iu drejtua Presidentit Wilson në emër të delegatëve të racave të ndryshme, duke përsëritur për besnikërinë e tyre flamurin e vendit të tyre të ri ( SHBA) dhe duke shprehur vendosmërinë e tyre “që do të vazhdonte në luftën derisa liria e qëndrueshme të ishte siguruar jo vetëm për këtë komb, por për të gjitha kombet e tjera. ” Pastaj Presidenti Wilson shkruan Noli, mbajti fjalimin e tij të famshëm, i cili u përhap në të katër anët e botës dhe u lexua me padurim nga miliona qenie njerëzore. “Rënia e autokracisë, sundimi i ligjit në marrëdhëniet ndërkombëtare, çlirimi i të gjitha kombeve dhe mbrojtja e tyre kundër “interesave private apo komploteve” ishin theksonte ai fuqishëm, baza e vetme e paqes së përhershme. Në udhëtim e kthimit nga Mount Vernon në bordin jahtin presidencial ‘ Mayflower’, përfaqësuesi shqiptar kishte rastin t’i bënte nderimet e tij zonjës e parë të vendit, dhe natyrisht zonjat të parat, e cila i siguroi mundësinë për një takim dhe për t’i paraqitur jozyrtarisht rastin e Shqipërisë para Presidentit Wilson.
“Presidenti Wilson dëgjoi lutjen e Nolit me një interes mirëdashës, e siguroi atë për simpatinë e tij dhe shprehu vendosmërinë e tij solemne për ta ndihmuar Shqipërinë në orën e saj e nevojës. Presidenti Wilson e di faktet e rastit të Shqipërisë dhe është i bindur për drejtësinë e tyre dhe ai me siguri do ta përdorë zërin e tij në Kongresin e ardhshëm Paqes në emër të kërkesave të Shqipërisë. Pikëpamjet e tij, të të bërit drejtësi dhe të mbështetjes se saj me forcë, do të tërheqin vëmendjen dhe respektin e botës së qytetëruar.
Ish-Presidenti Roosevelt, në një deklaratë publike për synimet e luftës amerikanë, të bëra në një drekë në shtëpinë e Përgjithshme Spencer W. Bird në Passaic, NJ, më 4 korrik, e përfshiu Shqipërinë në listën e vendeve, pavarësia e të cilëve duhet të restaurohej dhe vendosur nën garancinë e fuqive aleate. Imzot Fan Noli zhvilloi një intervistë me kolonelin Roosevelt në Klubin e Harvardit të Nju Jorkut dhe ishte i habitur që mori vesh se koloneli ishte jashtëzakonisht i mirinformuar për çështjen shqiptare në veçanti dhe problemin e Adriatikut në përgjithësi. Kujtesa e tij është e jashtëzakonshme shkruan Noli. Ai i tregoi bashkëbiseduesit e tij një incident në historinë shqiptare, të cilën tani shumë shqiptarë e kanë harruar,pasi ajo pat ndodhur shumë vite më parë, kur Shqipëria ishte ende një krahinë turke.
Problemet e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë nuk janë aspak një libër të mbyllur për të, shkruan Noli, përkundrazi ai i ka studiuar ato me kujdes. Ka rëndësi të mjaftueshme për të, të jetë në gjendje për të gjetur një zgjidhje të detajuar për të gjitha prej tyre, një zgjidhje e cila është shkak të faktit se ai zor devijon nga ajo që dëshirojnë vetë shqiptarët. Sipas tij, çështjet territoriale në Ballkan dhe në bregdetin e Adriatik-ut duhet të rigrupohen në përputhje me linjat racore dhe Shqipëria duhet të zotërojnë bregdetin e saj nga Mali i Zi në Greqi. Mesazhi i mëposhtëm u dërgua nga koloneli Roosevelt për të shqiptarëve përmes Rev Fan S.Nolit: “Pavarësia e Shqipërisë, duhet të restaurohet në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe të vënë nën garanci pa interes nga Fuqitë Aleate, unë do të bëj çdo gjë, që kam në dorë , për arritjen e atij rezultati dhe të njohjes së kërkesave të racës së lashtë dhe trime shqiptare. ” Në pikëpamje të pozitës së lartë kolonel Roosevelt ka zë në Amerikë dhe në vendet aleate, dhe vlera e mbështetjes së tij vështirë se mund të mbivlerësohet.
“Fakti që dy liderët të tilla të mëdhenj amerikane, si presidenti Wilson dhe kolonel Roosevelt, bashkohen në simpatinë e tyre për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm. Shqiptarët u janë thellësisht mirënjohës atyre, kryesisht për mënyrën sesi ata mbrojtën kauzën e tyre të drejtë”.
Në revistën “The Adriatic review “ janë përfshirë edhe mjaft artikuj gazetash të anëtarëve të Vatrës, por edhe të miqve të Shqipërisë, si edhe shkrime të gazetave amerikane,qe lidhen me Shqipërinë dhe në seksionin shqip, krijime dhe përkthime e shqipërime të Nolit e te tjerëve .
“The Adriatic Review” e zgjati botimin e saj mbi dy vjet e në numrin e nëntorit të vitit 1919, pas konferencës se Parisit, ajo u mbyll për të mos u hapur më, por në periudhën që kjo revistë gjalloi, ajo ishte një dëshmi e gjallë e punës plot pasion kombëtar të Vatrës dhe të suksesit të lobimit të saj në emër të çështjes kombëtare.(Dielli-Arkiv, qershor 2012)