Me rastin e 105 Vjetorit te themelimit te Vatres: 28 Prill 1912-28 Prill 2017/
VEPRIMTARIA KOMBËTARE E FEDERATËS “VATRA” GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE/
NGA IDRIZ LAMAJ*/Një prej njohësve më të mirë të veprimtarisë historike të “Vatrës”, i cili sherbeu në gjirin e saj 60 vjet, shkroi afër 40 vjet më parë:“ E premtja e zezë 7 Prilli 1939 i gjeti vatranët të ndarë keq: me dy Vatra dhe dy Diellë! Pasi u shkel Shqipëria prej ushtrisë italiane dhe humbi lirinë e saj kombëtare, erdhi bashkimi i të dy vatrave menjëherë dhe u bë prap një Vatër dhe me një Diell. Aherë qe shpresa e madhe për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve patriotë të Amerikës rreth Vatrës, por më kot. Kuvendi i vitit 1940 zgjodhi Faik Konicën për kryetar të Vatrës, i cili pas zaptimit të Shqipërisë prej Italisë u lajmërua zyrtarisht nga autoritetet qeveritare të larta se detyra e tij si ministër i Shqipërisë në Washington mori funt. Për arsye jo të kthjellta mirë, Dielli organ i Vatrës, botonte kritika të ashpra kundër Mbretit Zog, i cili ishte refugjat në London me gjithë Familjen Mbretërore. Ajo gjë gëzoj armiqtë dhe dëshproj shumë Vatranë dhe Shqiptarë të mirë”. ( Refat Gurrazezi: “Atdheu”, fq. 3, gusht 1968, New York ).
Me 8 maj 1939 arrihet marrëveshja për bashkimin e të dy Vatrave. Në paragrafin e dytë të marrëveshjes shkruhet:“Duke parë rrezikun e Shqipërisë, dhe për hirin e shpetimit të atdheut t’onë nga robëria italiane, ky kuvend vendosi të thërritet një Kuvend i Përbashkët për të bashkuar gjithë vatranët dhe shqiptarët e Amerikës rreth Federatës Vatra” ( “Dielli”, 12 maj 1939 ).
Burime të ndryshme të kohës provojnë se ky bashkim ishte shumë i brishtë, ishte më tepër bashkim simbolik se sa një bashkim konkret për të kanalizuar një strtategji të vetme politike kundër pushtimit të Shqipërisë. Megjithëkëtë, përpjekja e “Vatrës” për një organizim të shpejtë politik pasqyrohet qartë në gazetën “Dielli”. Gjysma e fundit e vitit 1939 shenon për “Vatrën” një angazhim serioz propagandistik kundër pushtimit të Shqipërisë. Zhvillohen mitingje dhe konferenca nëpër degët e “Vatrës”. Faik Konica dhe Fan Noli mbajnë lidhje me miqtë e Shqipërisë në Washington, japinë intervi- sta dhe shkruajnë në disa gazeta amerikane ku denoncojnë ashpër Italinë fashiste dhe kritikojnë vendet perëndimore për qendrimin e tyre pasiv ndaj pushtimit të Shqipërisë.
Gjatë vitit 1940, “Vatra” zhvilloi një veprimtari pak më të dukshme, mbajti Kuvendin e përbashkët, emroi udhëheqjen e re dhe zgjodhi Konicën kryetar. Veprimtarinë për çlirimin e Shqipërisë e vazhdoi me protesta, memorandume dhe letra dërguar personaliteteve të ndryshme botërore, në radhë të parë presidentit dhe zyrtarëve të lartë amerikan. Me 5 mars, Konica i shkroi një letër të gjatë ministrit të Jashtëm amerikan Cordell Hull, ku ai ankohet edhe për pezullimin e marrëdhënjeve diplomatike të qeverisë amerikane me Legatën Shqiptare në Washington. Me 2 prill 1940, zevendësministri i Jashtëm amerikan, z. Sumner Welles i përgjigjet Konicës:
“ Në të vërtetë Legata Shqiptare është mbyllur në rrethana që i dini edhe ju. Me 5 qershor 1939, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë njoftoi ambasadorin tonë në Tiranë se qeveria shqiptare dhe ajo italiane kishin nënshkruar një marrëveshje sipas të cilës shërbimet diplomatike dhe konsullore shkriheshin në një, dhe se Ministria e Jashtme Shqiptare pushonte së vepruari. Si rezultat i këtij zhvillimi politik, qeveria amerikane tërhoqi ambasadorin e vet nga Tirana. Pak më vonë, me 24 korrik, pas bisedës tuaj me ministin e Jashtëm, z. Hull deklaroi me keqardhje se në rrethana të tilla politike, qeveria amerikane nuk mund të vazhdonte njohjen e imunitetit diplomatik për Ministrin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Formali- tetet dhe rregullimet teknike paraprake, nën të cilat është pezulluar veprimtaria e Legatës Shqiptare, janë lanë plotësisht në dorën tuaj ”.
Angazhimin e Konicës në politikë e mirëpritën jo vetëm vatranët por edhe shumë atdhetarë e intelektualë të mërguar. Atij i kishin shkruar shumë miq e dashamirë të angazhohej sa më parë në politikë për hirë të Shqipërisë.Por më kot, siç duket ai kishte vendosur që, para se të hynte në politikë, të shfrynte mëllefin dhe të ngjyente pendën në acid sulfurik kundër Mbretit Zog, për arsye se, ‘kishte mbetur peng në hotel për borxhet e vjetra të tij’.
Me 12 shkurt 1940, Konica i shkruan Abdurahman Matit në Stamboll:
I dashur mik,
Letrën t’uaj të 12 Kallnorit e mora sot, – plotërisht një muaj pasi e çuat. Gëzohem që ndodheni mirë nga shendeti, bashkë me familjen.
Miku im, fajin për mjerimet e Shqipërisë e ka Ahmed Beu, i cili nuk ka mejtuar kurrë tjatër send veç intereses së tij të qelbur.
Thoni se Ahmed Beu është miku im. Ahmed Beu do vetëm një njeri në botë, – veten e tij. I pabesë, i shtrembër, njeri pa fjalë, atë që më bëri mua Ahmed Beu nuk e bën as një bish’ e egër.
Ishin mbledhur këtu nj’a shtatë mijë dollarë (ose njëmij napoleona) borxhe të vjetra, borxhe të Legatës së tij, borxhe të Guvernës së tij. Me telegrafoj nga Stambolli se do t’i paguante me t’arritur në Paris. Në një telefon nga Parisi, më vërtetoj se do t’i çonte të nesërmen me telegraf. Nuk e mbajti fjalën. Më në funt, pas disa muaj, më çoj çerekun e parave që duheshin. Një njeri që për njëmijë napoleona trathton mikun më besnik të tij, jo vetëm është i lik po është dhe budalla.
Tani po shtrëngohem nga e keqja të merrem vesh me kundërshtarët, se kam mbetur peng në hotel.
Lutem mos më flisni më për Ahmed Benë.
Mbetem miku juaj – Faik Konica.
Me 6 dhjetor 1940, Konica i shkruan Dervish Dumes në Londër:
“ Më vjenë keq t’ju zhgënjej por unë e shikoj veten si njeri të larguar nga politika. Tashetutje kam vendosur t’i kushtohem vetëm historisë dhe letersisë. Por, edhe sikur të isha i prirur për politikë, sigurisht nuk do ta zgjidhja këtë kohë për të”.(B. Destani: Faik Konica, Selected Correspondence 1896-1942, London, 2000, fq. 94 ).
Konica, megjithëse kishte deklaruar publikisht në Boston se nuk do të bënte më politikë me shqiptarët, detyrohet ta ndryshojë mendimin.
Me 1941 hapet një hendek i ri përçarje midis shqiptarëve të Amerikës, përçarje kjo shumë më serioze se ndarja “Vatrës” në vitin 1936. Nga mesi i atij viti ndarja bëhet fakt i kryer, formohet organizata “Shqipëria e Lirë”, e cila, fill pas themelimit, kryesohet nga Kostë Çekrezi, personalitet i njohur, por njeri i dyshimt për Nolin dhe për Konicen. Gjatë pushtimit të Shqipërisë ata e akuzuan Çekrezin si spiun të grekëve dhe të jugosllavëve, megjithëse kurrë nuk paraqitën ndonjë dokumentim bindës për këtë akuzë.
Nryshimi i rrethanave politike ndërkombëtare, zgjerimi i Luftës së Dytë Botërore, veprimtaria antishqiptare e grekëve dhe jugoslla- vëve, themelimi i kësaj organizate dhe shpresa e Nolit dhe e Konicës për përkrahjen e Mbretit Zog nga anglezët, bëjnë që Konica dhe Noli të njohin Mbretin Zog për udhëheqës të një qeverie shqiptare në mërgim. Përpjekjet e tyre për themelimin qeverisë qenë po aq serioze sa edhe vet përpjekjet e Mbretit Zog. Noli zbutë qendrimin e ashpër të Konicës kundër Mbretit.
Me 3 prill 1942, Konica i shkruan Dervish Dumes:
“ Peshkop Noli, të cilin e vizitova për disa ditë në Boston, arriti të më shkund skepticizmin.Noli beson se Zogu mund të vendos rregullin, dhe po që se mbështetet nga anglezët, mund të luaj ende rol të rëndësishëm, si simbol i lirisë shqiptare”.(Faik Konica, Vepra IV, Tiranë 2001, fq. 278).
Marrëveshja e Nolit e Konicës për formimin e qeverisë shqipta- re në mërgim nënshkruhet në Washington pas bisedimeve që zhvillu- an në ministrinë e Jashtme amerikane:
“Ne të nënshkruarit, u ftuam prej një zyre të Guvernës së Shteteve të Bashkuara në Washington për një çkembim mendimesh mbi mënyrën më të mirë për të bërë një guvernë shqiptare në mërgim. Në bisedimet tona ngulëm këmbë mbi pikat që vazhdojnë:
1). Vetëm një ball shqiptar i bashkuar që përmbledh të gjithë personalitetet shqiptare munt të ketë ndonjë rast t’a tund popullin shqiptar përgjithërisht dhe të jetë i dobishëm për Kombet e Bashkuara.
2). Mbreti Zog është më i çquari personalitet shqiptar i gjallë, edhe përjashtimi i tij do t’i hiqte fuqinë lëvizjes që proponohet të bëhet;
3). Asnjë mis i ballit të bashkuar nuk do të jetë i shtërnguar të heq dorë nga mendimet politike të tija, po do të bashkëpunojë vetëm gjërsa tërsia e tokës dhe liria e Shqipërisë të shigurohen në Konferencën e Paqes, dhe pasandaj secili do të merr përsëri lirinë e tij për të vepruar;
4). Një guvernë provizore pas vijave që propozon z. Çekrezi dhe miqtë e tij do të ish më keq se e pa dobishme; dhe nuk do t’i ndihte as Shqipërisë as Kombeve të Bashkuara, po do të përparonte vetëm qellimet e atyre fqinjëve që kanë dekllaruar zyrtarisht se duan të ndarët e Shqipërisë;
5). Jemi gadi në çdo kohë të bashkëpunojmë me gjithë zemër me Guvernen e Shteteve të Bashkuara.”
Nënshkruar: Faik Konica e F. S. Noli, në Washington me 19 të vjeshtës së tretë, 1942. ( “ Dielli ” 28 nëntor, 1942 ) .
Bisedimet e Nolit dhe të Konicës në ministrinë e Jashtme amerikane dhe nënshkrimi i marrëveshjes së tyre për njohjen e Mbretit Zog si udhëheqës të qeverisë shqiptare në mergim entusiazmuan “Vatrën” por shqetësuan tepër Çekrezin dhe organizatën “Shqipëria e Lirë”. Konica i shkruan Petro Kolonjës:
“I dashur z. Kolonja,
Ju falëm nderit për të dy letrat,- të cilat ju a kthej këtu.‘Rumor’– i që dëgjuat në Southbridge më bëri të qesh. Faktet janë afro të përkundërshme.Autoritet këtu dëgjuan e kuptuan që Çekrezi s’ka rëndsinë që dëshiron t’i japë vetes. Ashtu, me hoborësi të madhe, ftuan Nolin, më ftuan dhe mua, për bisedime. Nolit (në mes t’onë) harxhet j’a hoqi Uncle Sam-i. Shpresat për shpetimin e Shqipërisë po shtohen. Juaj me besë, Faik Konitza. Me 7 të Nëndorit 1942”.
Me 10 dhjetor 1942, Ministri i Jashtëm amerikan Cordell Hull bën këtë deklaratë:
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është e panjohur me rezistencën e vazhdueshme të popullit shqiptar kundër forcave pushtuese italiane.Përpjekjet e grupeve të rezistencës që operojnë në Shqipëri kundër armikut të përbashktë shikohen me admirim dhe janë të mirëpritura. Qeveria dhe populli amerikan pret me padurim dhënien e ndihmës ushtarake atyre trimave për të nxjerrë pushtuesin nga vatrat e tyre.
Konsekuent me vijën e vet të drejtë politike për mosnjohjen e pushtimit të një vendi me forcë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kurrë nuk e ka njohur aneksimin e Shqipërisë nga Italia. Në deklaratën e përbashkët të Presidentit amerikan dhe të Kryeministrit britanik, lëshuar me 14 gusht 1941, e njohur si Karta e Atlantikut, bëhet qartë: “Respektojmë të drejtën e çdo populli për zgjedhjen e formës së qeverisjes dhe dëshirojmë rivendosjen e të drejtave sovrane – vetqeverisëse të gjithë popujve që u është mohuar liria me forcë”.
Ndërkaq, shpresat se italianët do të bënin realitet bashkimin e territoreve etnike shqiptare, ishin ringjallur te Noli, Konica dhe “Vatra”. Konica shkruan:” Nuk dihet se si do të vijë fati i Shqipërisë në fund të kësaj lufte, por shpresojmë që të mblidhen të gjithë shqiptarët në një shtet në bazë ethnologjike. Vendet në Greqi dhe në Jugosllavi ku shumica e popullit flet shqip ose vjen prej gjak shqiptari duhet t’i jepen Shqipërisë.” ( “ Dielli ”, 17 maj 1941 ) .
Me 15 dhjetor 1942, vdes Faik Konica. Kryetari i “Vatrës” i mbylli sytë pasi hartoi së bashkut me Nolin një platformë të drejtë politike për çështje të atdheut. Para se të mbyllte sytë përgjithmonë, ai lë një amanet trishtues si askush tjetër deri më sot:
“… nuk do të më tretë dheu, nëse ti Imzot Noli dhe gjithë ata që e quajnë vetën shqiptarë nuk do ta çojnë kufomen time të tretet në tokën mëmë…”
Amanetin e tij tronditës dukej se Imzot Noli po e ekzekutonte në vend, pa e mbuluar kufomen e tij me dheun e huaj; Dukej se po e mbulonte me dheun e tokës mëmë m’u në Sheshin e Flamurit tonë Kombëtar, aty ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Vetëm Noli mund të shprehej kështu:
“… Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po i bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkelqyer të Shqipërisë. Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skënderbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër… Pa fjalë, më tepër se cilido tjatër, Faik Konica meriton të gjenjë prehjen për jetë në tokën e atdheut, të cilit i ka sherbyer tërë jetën me aqë besnikëri, me aqë trimëri, dhe me aqë zotësi…”
(Eulogjia oratorike e Nolit në funeral të Faik Konicës, dhjetor 1942.)
Pas varrimit të Konicës, Noli dërgoi Petro Kolonjen në Washington si ambasador të ri për të ndjekur të njëjtën platformë politike që kishin hartuar me Konicën.
*Marre nga libri i Idriz Lamaj” Vatar dhe vatranet”, botim 2016